Rritja e pensioneve sipas analizës ekonomike të indeksimeve, bonuseve dhe ndikimi buxhetor 2026
Vitet 2025–2026 sjellin një seri masash që prekin pensionet në Shqipëri, përfshirë indeksimin, shpërblimet dhe rritjet mujore të shpallura.
Analiza e mëposhtme tregon se cilët pensionistë përfitojnë realisht, sa është ndikimi mbi jetën e përditshme dhe si reflektohet kjo në buxhetin e shtetit.
Pensionet dhe përfituesit në fund të 2024
| Lloji i pensionit | Pension mesatar (ALL) | Të ardhura mesatare mujore (ALL) | Numri përfituesve |
| Urban pleqëri | 19,609 | 20,752 | 525,421 |
| Urban invaliditeti | 19,039 | 20,182 | 60,516 |
| Urban familjar | 9,160 | 10,302 | 44,205 |
| Rural pleqëri | 11,878 | 12,438 | 82,146 |
| Rural invaliditeti | 8,966 | 9,526 | 5,410 |
| Rural familjar | 1,771 | 2,331 | 3,700 |
| Totali | 721,398 |
Skema e pensioneve shihet se është e pabarabartë nga numri dhe niveli i përfitimeve, ku shumica janë pensione urbane pleqërie, ndërsa pensionet rurale dhe kategoritë speciale përbëjnë pakicën e përfituesve. Totali i përfituesve nga skema është 721,398 pensionistë, ku pjesa më e madhe (rreth 73%) janë urbanë të pleqërisë.
Pensionet urbane të pleqërisë përbëjnë 525,421 përfitues, që është rreth 72,9% e totalit (525,421 / 721,398). Kjo tregon se shumica e skemës është e orientuar tek pensionistët urbanë, që përfaqësjoën bazën më të madhe të të moshuarve me të ardhura nga sigurimet shoqërore. Pensioni mesatar i kësaj kategorie (19,609 lekë) është gjithashtu më i lartë se shumica e kategorive të tjera, duke reflektuar vite të plota pune dhe kontribut të vazhdueshëm.
Pensionet urbane të invaliditetit përbëjnë 60,516 përfitues (~8,4%), ndërsa pensionet familjare urbane janë 44,205 përfitues (~6,1%). Të ardhurat mesatare për këto kategori janë relativisht të larta për urbanët, por numri i përfituesve është shumë më i vogël se pensionet e pleqërisë. Kjo strukturë tregon se skema përkrah urbanët me vite pune të plota më shumë sesa kategoritë speciale.
Pensionistët ruralë janë 82,146 pleqëri (11,4%), 5,410 invaliditeti (0,75%), dhe 3,700 familjarë (0,51%). Numri relativisht i vogël i përfituesve tregon se skema rurale është shumë më e kufizuar në mbulimin e popullsisë, megjithëse pensioni mesatar i pleqërisë rurale (11,878 lekë) është më i ulët se pensionet urbane. Pensionet rurale të familjarëve dhe të invaliditetit janë pothuajse të papërfillshme në masë.
Indeksimi 2.5% në tetor 2025, si kompensim për inflacion
Në tetor 2025 u aplikua një indeksim prej 2.5% për pensionet. Ky indeksim nuk është rritje reale, por kompensim për shtrenjtimin e mallrave dhe shërbimeve. Efektet mujore janë prezantuar në tabelën më poshtë:
| Kategoria | Pension 2024 | +2.5% Indeksim | Pension pas indeksimit (2025) | Shtesë mujore |
| Urban pleqëri | 19,609 | 490 | 20,099 | +490 |
| Urban invaliditeti | 19,039 | 476 | 19,515 | +476 |
| Urban familjar | 9,160 | 229 | 9,389 | +229 |
| Rural pleqëri | 11,878 | 296 | 12,174 | +296 |
| Rural invaliditeti | 8,966 | 224 | 9,190 | +224 |
| Rural familjar | 1,771 | 44 | 1,815 | +44 |
Ky indeksim prek të gjithë pensionistët, por efektet janë relativisht të kufizuara në fuqi blerëse. Për pensionet e ulëta, shtesa është modeste dhe nuk mjafton për të kompensuar plotësisht shpenzimet e shtuar për jetesën. Pra, kjo masë shërben më shumë si mbrojtje minimale sociale, duke ruajtur nivelin e të ardhurave në raport me inflacionin, por nuk përfaqëson një përmirësim të ndjeshëm ekonomik për pensionistët.
Në strukturë, pensionistët urbanët përfitojnë më shumë absolutisht, ndërsa kategoritë rurale dhe familjare marrin rritje më të vogla, duke reflektuar diferencat historike në nivelin e pensioneve.
Bonuset e vitit 2025 me dy shpërndarje të ndryshme
Bonuset e vitit 2025, të shpërndara dy herë, në pranverë dhe në fundvit kishin një efekt të dukshëm të përkohshëm në fuqinë blerëse të pensionistëve, sidomos për ata me të ardhura të ulëta. Me një formulë diferencuese sipas nivelit të pensionit, masat synonin të siguronin një mbështetje sociale të drejtuar, duke adresuar pabarazitë ndërmjet kategorive.
Për pensionet deri në 20,000 lekë, pensionistët morën 10,000 lekë në pranverë dhe 15,000 lekë në fundvit, që përbën një total prej 25,000 lekësh për individ, ndërsa pensionistët me pension mbi 20,000 lekë morën 5,000 lekë në pranverë dhe 10,000 lekë në fundvit, pra gjithsej 15,000 lekë. Kjo shpërndarje, me efekt njëherësh, përfshiu rreth 721,000 pensionistë në të gjithë vendin, me një ndikim total financiar prej rreth 159.5 milionë euro.
| Kategoria | Nr. përfituesve | Bonus pranverë (lekë) | Bonus fundvit (lekë) | Efekti total (lekë) | Efekti total (mln €) |
| Pensione ≤ 20,000 | ~511,000 | 10,000 | 15,000 | 25,000 × 511,000 | ≈ 128 mln € |
| Pensione > 20,000 | ~210,000 | 5,000 | 10,000 | 15,000 × 210,000 | ≈ 31.5 mln € |
| Totali | 721,000 | ≈ 159.5 mln € |
Ky bonus u dhuroi pensionistëve një likuiditet shtesë të menjëhershëm, i cili mundësoi përmirësim të konsumit mujor të mallrave dhe shërbimeve bazë. Pensionistët me të ardhura më të ulëta, të cilët zakonisht përballen me kufizime në shpenzime, mundën të përballonin pjesërisht rritjen e çmimeve, veçanërisht në artikujt ushqimorë dhe shpenzimet e domosdoshme. Nga ana makroekonomike, ky injeksion financiar për pensionistët kontribuon në rritjen e konsumit të brendshëm, sidomos në zonat urbane ku shumica e përfituesve janë pensionistë pleqërie.
Vendimi për shpërndarjen e bonuseve shërbeu si një instrument social dhe elektoral. Masat janë të targetuara, më shumë për pensionet e ulëta duke treguar një përpjekje të qeverisë për të ulur pabarazinë sociale dhe për të forcuar mbështetjen ndaj kategorive më të dobëta. Njëkohësisht, shpërndarja dy herë në vit krijoi efekte propagandistike, duke demonstruar vizibilitetin e politikës sociale për publikun, veçanërisht në periudha të ndjeshme si fundi i vitit, ku shpenzimet për familjet rriten.
Megjithatë, është e qartë se efekti është i përkohshëm dhe nuk ndryshoi strukturën bazë të pensioneve. Ai nuk adreson hendekun e madh mes fuqisë blerëse aktuale dhe kostos reale të jetesës, duke qenë një masë kompensuese dhe stimulative për periudha të caktuara, por jo një transformim i qëndrueshëm ekonomik për pensionistët.
Pensionet e rishikuara për janar 2026, tashmë me rritje mujore strukturore
Rritjet mujore të pensioneve për janar 2026 përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt rritjes reale të fuqisë blerëse të pensionistëve, pasi janë të strukturuara dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, ndryshe nga indeksimi i tetorit 2025 apo bonuset e njëherëshme të vitit 2025.
Qeveria ka vendosur shtesa mujore sipas kategorive, duke e bërë të qartë se pensionistët nuk do të varen vetëm nga kompensimet inflacioniste, por do të përfitojnë një rritje reale. Struktura e rritjes është si më poshtë:
- Pension urban pleqërie +1,800 lekë në muaj çon pensionin mesatar në 21,899 lekë, një rritje totale prej 11.7% krahasuar me nivelin e vitit 2024. Kjo kategori përfaqëson grupin më të madh të pensionistëve urbane me vite të plota pune.
- Pension urban invaliditeti +600 lekë, duke arritur 20,115 lekë, një rritje modeste prej 5.7%, që pasqyron kufizimin e burimeve ndaj kësaj kategorie më të vogël.
- Pension urban familjar +700 lekë, pensioni mesatar arrin 10,089 lekë, rritje 10.1%, duke përmirësuar pak fuqinë blerëse të familjeve urbane me pensione të ulëta.
- Pension rural pleqëri +1,000 lekë, pensioni mesatar 13,174 lekë, rritje 10.9%, duke përfaqësuar një mbështetje më të ndjeshme për pensionistët në zonat rurale, ku fuqia blerëse është më e kufizuar.
- Pension rural invaliditeti +600 lekë, arrin 9,790 lekë, rritje 9.2%, duke mbuluar një kategori relativisht të vogël dhe vulnerabël.
- Pension rural familjar +700 lekë, duke arritur 2,515 lekë, me një rritje impresive prej 41.9%, pasi niveli fillestar ishte shumë i ulët, duke treguar një përqendrim të politikës sociale tek kategoritë më të dobëta.
Rritjet mujore të vitit 2026 nuk rrisin bazën e pensionit, por janë subvencione mujore të shpërndara përgjatë vitit.
Kjo do të thotë se pensioni bazë nuk ndryshon dhe llogaritjet për indeksimin e ardhshëm apo përfitimet afatgjata nuk reflektojnë këtë shtesë.
Ky model shton fuqinë blerëse mujore të pensionistëve mbi bazën e indeksimit, duke e bërë të qëndrueshme ndikimin ekonomik dhe duke krijuar një efekt më të dukshëm në shpenzimet e përditshme të familjeve të pensionistëve. Ndryshe nga bonuset e vitit 2025, këto shtesa janë strukturale dhe të përsëritshme çdo muaj, duke siguruar një bazë më të qëndrueshme të të ardhurave për pensionistët dhe duke kontribuar në stabilitetin e konsumit të brendshëm.
Megjithatë, krahasuar me premtimin elektoral për pensionin mesatar prej 400 eurosh deri në 2029, shifrat tregojnë se vetëm një pjesë e pensionistëve urbane me vite të plota do ta arrijnë këtë nivel, ndërsa shumica do të përfitojnë rritje modeste, që e mbajnë larg objektivit të plotë. Strukturimi i rritjes favorizon veçanërisht kategoritë me pensione më të ulëta rurale dhe familjare, duke ulur pabarazinë, por duke lënë të dukshme hendekun mes shumicës së pensionistëve dhe targetit final.
Efekti vjetor dhe krahasimi me fondet e buxhetit 2026
Efekti vjetor buxhetor i rritjes strukturore të pensioneve për vitin 2026 është i qartë dhe i matshëm në terma financiarë. Shtesat mujore të vendosura nga qeveria, që fillojnë nga janari, përfshijnë të gjitha kategoritë kryesore të pensionistëve dhe rezultojnë në një kosto totale vjetore prej rreth 13.2 miliardë lekësh, për vetëm rritjen mujore strukturore.
Shifrat tregojnë se pjesa më e madhe e shpenzimeve i dedikohet pensionistëve urbane me vite të plota pune (pension urban pleqërie, 525,421 përfitues), ku kostoja arrin mbi 11 miliardë lekë, ndërsa kategoritë më të vogla, si pension rural familjar ose pension urban familjar, përfitojnë fonde më modeste, megjithatë me një ndikim relativisht të lartë për individin, për shkak të bazës së ulët fillestare.
Duke përfshirë edhe indeksimin e tetorit 2025 dhe bonuset e vitit 2025, shuma totale për vitin 2026 arrin afërsisht 29 miliardë lekë, që korrespondon me rreth 0.24% të PBB-së, duke pasqyruar një ndikim të konsiderueshëm fiskal, por të përballueshëm.
Krahasimi me fondet e buxhetit të parashikuar për vitin 2026 tregon disa kufizime, të tilla si:
- Fondi “bonus” i parashikuar: 10 miliardë lekë, që mbulon vetëm 75.7% të nevojës për një skemë të ngjashme me bonuset e dyfishta të 2025, pra nuk është i mjaftueshëm për të ruajtur efektin social të mëparshëm.
- Fondi për indeksimin e 2026 është 1.6 miliardë lekë, që përfaqëson vetëm 12.1% të nevojës dhe është praktikisht shteruar nga indeksimi i tetorit 2025.
- Skema totale e ISSH-së është 204.1 miliardë lekë, brenda kufijve fiskalë, duke lënë pak hapësirë për rritje të paplanifikuar.
Fondi i parashikuar për bonuse nuk mjafton për të ripërsëritur skemën e dyfishtë të vitit 2025. Për të ruajtur efektin e njëjtë social dhe mbështetjen e pensionistëve me të ardhura më të ulëta, kërkohet një shtesë prej 3–4 miliardë lekësh. Kjo tregon qartë tensionin midis objektivave sociale të qeverisë dhe kufijve të buxhetit, duke nxjerrë në pah sfidën e menaxhimit të skemës së pensioneve në një kuadër fiskal të kufizuar.
Në terma praktikë, kjo nënkupton se rritjet mujore strukturore të 2026 janë të qëndrueshme, por efekti propagandistik dhe social i skemave të bonuseve nuk mund të riprodhohet pa alokim shtesë fonde. Kjo tregon se politika fiskale ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi fuqinë blerëse reale të pensionistëve dhe përfitueshmërinë e masave sociale.
Përfituesit realë, apo kush merr më shumë dhe kush më pak
Struktura e përfitimeve tregon një ndarje të qartë midis pensionistëve urbanë me vite të plota dhe pjesës tjetër të sistemit. Vetëm 241 mijë pensionistë urbanë me pension të plotë marrin rritjen më të lartë prej 1,800 lekë/muaj, duke e vendosur këtë grup në një avantazh të dukshëm mbi të tjerët. Pensionistët urbanë me pension të pjesshëm përfitojnë një shtesë modeste prej 800 lekësh, që është relativisht e ulët krahasuar me shtrenjtimin aktual të jetesës.
Në zonat rurale, situata është më homogjene, por gjithsesi ndikimi i rritjes është i kufizuar nga niveli i ulët fillestar i pensioneve. Nga 87,907 pensionistë ruralë, 46,225 me pension të plotë marrin +1,000 lekë, ndërsa 32,682 me pension të pjesshëm marrin të njëjtën shtesë. Kjo tregon se, megjithëse rritja relative për pensionet më të ulëta është më e lartë, fuqia blerëse reale mbetet e kufizuar.
Efekti në jetën e përditshme është i përzier, ku bonuset e dyfishta të vitit 2025 (pranverë dhe fundvit) dhanë një mbështetje të menjëhershme për pensionistët me të ardhura të ulëta, duke ndihmuar për shpenzime të papritura ose konsum të përditshëm. Indeksimi i tetorit 2025 shërbeu kryesisht për të kompensuar inflacionin, pa krijuar një përmirësim real të standardit të jetesës.
Rritja mujore për vitin 2026 është strukturore dhe e qëndrueshme, por prek në mënyrë të ndjeshme vetëm një pjesë të pensionistëve. Për shembull:
- Një pensionist rural me pension familjar prej 1,815 lekësh pas indeksimit, nga janari 2026 merr +700 lekë, duke shkuar në 2,515 lekë. Kjo përfaqëson një rritje relative të lartë, por ende larg nevojave reale për shpenzimet bazë.
- Një pensionist urban me vite të plota merr +1,800 lekë mbi 20,099 lekë, duke shkuar në 21,899 lekë. Për të arritur targetin e 400 eurove (40,000 lekë) duhet të presë katërfishimin e rritjes deri në vitin 2029.
Ky skenar nxjerr në pah pabarazitë strukturore dhe sfidat reale në përmirësimin e standardit të jetesës për shumicën e pensionistëve, duke treguar se ndërsa rritjet janë prezente, efekti i tyre ndikohet fort nga niveli fillestar i pensionit dhe kategorizimi i përfituesve.
Në përfundim, qeveria përdor kombinimin e rritjeve graduale mujore dhe bonuseve të njëhershme për të krijuar një imazh të një reforme gjithëpërfshirëse të pensioneve. Megjithatë, në realitet për shumicën e pensionistëve, rritjet mbeten të vogla dhe nuk mbyllin hendekun mes pensioneve aktuale dhe kostos reale të jetesës.
Skema tregon një fokus të qartë mbi pensionet e ulëta dhe familjare, duke ulur pabarazinë midis kategorive, por targeti i 400 eurove mbetet i arritshëm vetëm për një pakicë të privilegjuar, kryesisht urbanët me vite të plota pune.
Nga perspektiva fiskale, rritjet mujore të paralajmëruara janë të qëndrueshme vetëm nëse bëhet një rishikim i fondeve sociale. Pjesa më e madhe e buxhetit duhet të shpërndahet në mënyrë të planifikuar, duke siguruar mbulimin e bonusve dhe rritjeve strukturore të reja, për të ruajtur qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.