Rritja e pagave bazuar mbi punën e denjë, performancën dhe meritokracinë
Paga është deri tani tema më komplekse për tu menaxhuar nga bizneset dhe qeveria. Ajo për gjithë këto vite mund të konsiderohet edhe si burim zhgënjimi. Por, ajo që duam të diskutojmë sot bazuar mbi mendimet e partnerëve tanë është që paga duhet të konsiderohet edhe si burim gëzimi dhe nxitje për vijimësinë.
Situata e dialogut rreth pagës sot është vetëm një diskutim i mbizotëruar nga termat ekonomike dhe është ende larg dialogut për një pagë që përqafon punën dinjitoze.
Në terma ekonomikë, paga mesatare në fund të gjashtëmujorit të parë 2023 e krahasuar me vitin 2020 është rritur 33%. Po kaq është rritur për të njëjtën periudhë krahasuese edhe paga minimale. Vendimi për një pagë më të madhe do të rezultojë gjithashtu në një kosto të lartë jetese, e cila mund të zvogëlojë përfitimin e pagës së rritur (pasi arsimi / transporti / strehimi mund të jetë shumë më i shtrenjtë se rritja e pagës suaj).
Edhe pse Paga ka shumë rëndësi (përndryshe më shumë njerëz do të zgjidhnin punën pa pagesë), ajo nuk është e vetmja gjë që bën ndryshim në jetën tonë të punës.
Megjithatë, njohja e argumentave rreth diskutimit se çfarë është një pagë e mirë mund të përmirësojë perspektivat e punës dhe natyrisht që mundet ti ndihmojë punëmarrësit, por edhe punëdhënësit të marrin vendime afatgjata bazuar mbi konceptimin se si të arrihet te një pagë e mirë.
Baza e gjithë diskutimit rreth temës së një page të mirë është e ngjashme me diskutimin mbi pagën e denjë, e cila përfaqëson përtej kërkesave ligjore edhe nivelin e arsimit, aftësive bazuar te përvoja dhe diferencat midis tipit të aktiviteteve bashkë me vendndodhjen e tyre në tregun e punës.
Vija e ndarjes midis konceptimit për një pagë të denjë me ndjesinë që kanë punëdhënësit rreth saj është e ndikuar nga mënyra se si konceptohet vlera e punës për një aktivitet privat ose publik.
Punëdhënësit e sektorit privat e shohin pagën si një kosto (nganjëherë deri në 70% të bazës së tyre të kostos), e cila ndikon në përpjekjen për të qenë maksimizuar fitimet apo për të mbetur fitimprurës me synimin për të mbetur në treg.
Ndërkohë, punëdhënësit e sektorit publik në dukje ende përpiqen të shpërblejnë punonjësit për aftësitë dhe performancën e tyre, megjithë pretendimet që mund të kenë votuesit për shërbimet në kohë dhe cilësi nga sektori publik.
Në një diskutim të bazuar te tregu dhe rregullat e tij funksionale sipas kërkesës dhe ofertës duhet që të kishim një situatë të tillë, ku sa më shumë kërkesë të kishte për një punonjës me aftësi që kërkohen nga tregu, aq më mirë do të paguhej punonjësi. Ndërkohë, oferta e tregut të punës sa vjen dhe po rrudhet, pasi atë që nuk arrijnë dot ta zbatojnë si politikë qeveria realisht ka arritur vetë tregu dhe ekonomia ta diktojë me forcë. Kostoja e jetesës e rritur në nivele madje edhe përtej statistikave zyrtare po ndikon në vendim marrjen e punonjësve për paga më të larta, pa pyetur shume per mbajtjen e një vendi pune per shume kohe. Kjo kërkesë nuk lidhet gjithmonë me kompensimin apo bonuset që jepen nga punëdhënësit e sektorit publik, apo edhe në disa kompani të sektorit privat, por edhe me kushtet e punës, marrëdhëniet midis palëve, si dhe mënyrës se si konceptohet puna ne keto kohe qe jetojme.
Përveç rregullave të tregut ndërhyn edhe shteti nëpërmjet vendimeve që merr lidhur me fiksimin e një page minimale, ndryshimin e taksave ndaj vlerës së punës, si dhe masa të tjera rregullatore per krijimin ose moskrijimin e kushteve për një treg pa informalitet dhe me shanse të barabarta për gjithë.
Edhe sikur të ishin të garantuara dhe funksionale sa më lart, gjithsesi Kërkesa dhe Oferta e tregut edhe më tej do të luante një rol kritik në drejtimin e punësimit dhe pagesës së vlerës së punës bazuar mbi aftësitë dhe kërkesën e tregut.
Në një treg që nuk ka punë të mjaftueshme sipas kërkesave, me kushtet e punës që janë ende larg kritereve të ligjit, i ndikuar edhe nga politikat abuzive për diplomime pa aftësim dhe si rrjedhoje konsiderohen si punonjes të mbikualifikuar për një vend pune të thjeshtë, si dhe prania e informalitetit të lartë ka përcjellë pikërisht një frymë të pagave të ulëta, pasi ka hequr mekanizmin e konkurencës dhe meritokracisë.
Aftësitë kanë rëndësi vetëm nëse i kërkon tregu. Kompensimi nuk pasqyron aftësitë e punonjësit, por më tepër kryqëzimin midis asaj që i nevojitet punës dhe asaj që punonjësi ka për të ofruar. Pra, nëse tregu shqiptar nuk ka nevojë për produkte dhe shërbime të teknologjisë së kohës, kjo do të thotë se aftësitë e një punonjësi nuk shiten dot dhe lind nevoja për të emigruar pranë tregut ku këto aftësi shiten dhe arrijnë të shpërblejnë vlerën intelektuale apo vlerën direkt të punës së punonjësit.
Nga ana tjetër, nisur nga deformimet që ndodhin prej shumë vitesh në ekonominë shqiptare lidhur me mosdhënien e shanseve të barabarta për të marrë pjesë në rishpërndarjen e fondeve të buxhetit ka sjellë pasojën se disa biznese fitojnë më pak se konkurentët e tyre të drejtpërdrejtë. Kjo pabarazi ndikohet nga kërkesa dhe oferta e tregut, por ndikohet më shumë nga patronazhimet politike, mungesa e vizionit për të diversifikuar ekonominë dhe rritjen e konkurueshmërisë së saj për zgjerimin e tregut të vogël drejt eksportit.
Ky ambjent i rënduar dhe me konture të deformuara ka ndikuar direkt në mungesën e zhvillimit të aftësive sipas kërkesave të tregut duke stimuluar më shumë rritjen e bizneseve përmes afërsisë me politikanët e korruptuar dhe duke përdorur biznesin edhe për të kryer veprimtari kriminale apo në shërbim direkt të tyre.
Problemet e zhvillimit të tregut të punës sipas modelit të punës së denjë bazuar te aftësitë dhe meritat duhet të ishin arsyeja e egzistencës së shumë politikave dhe institucioneve që duhet ti zbatojnë ato. Por, politikat duhej të ishin të lidhura ngushtë me meritokracinë. Në realitet politika që po zbatohet, shihet se mbizotërohet nga ngrirja e promovimit dhe rritja e qëndrueshme e pagave bazuar mbi aftësitë dhe përvojën.
Kjo qasje është bërë një praktikë normale në sektorin publik dhe privat.
Edhe pse kompanitë shqiptare verifikojnë se çfarë paguajnë të tjerët dhe përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë ndodh që në këto kushte si më lart gjejnë pak hapësira që të rritin fondin e pagave kur nuk kanë asnjë stimul apo politikë afatgjatë nxitëse për të ndihmuar në drejtim të ndarjes së kostove të punës.
Në fakt, performanca është e rëndësishme dhe duhet të lidhet me pagën. Punonjësit me performancën më të mirë duhet të marrin gjithmonë rritje ose shpërblime më të mira, por ata mund të mos marrin kompensimin më të mirë në përgjithësi, pasi disa mund të jenë “më me fat” se sa ata.
Edhe pse duket sikur sektori publik, por edhe sektori privat po përpiqen të rregullojnë mospërputhjet e pagave të cilat vijojnë kështu për një kohë më të gjatë, duhet të përmendim praktikat e shumë vendeve se nëse ndodh që papritmas tregu të nxehet dhe pagat të rriten për një grup aftësish, atëherë të parat që e pësojnë janë shpenzime të tjera të cilat do të lihen mënjanë apo do të jenë të anashkaluara duke mos përfituar në fakt një zhvillim cilësor në funksion të rritjes së produktivitetit.
Zakonisht po ndodh se as administrata, po as edhe kompanitë private nuk besojnë se mund ti përmbushin objektivat e tyre dhe në këtë mes duke qenë se paga është shpenzimi më i madh për shumë nga këto segmente, mbetet vetëm që kur paga konsiderohet si instrument për të përfituar drejtuesit prej saj mund të përdoret si një pseudo reformë që rezulton në rritje të copëzuara të sistemit të pagave pa analizuar thellësish dinamikat dhe efektet. Te gjitha keto me lart duhet te jene pjese e dialogut per Kontratën e re sociale, e cila nuk duket se do te realizohet nga ky brez aktual politikanesh.
Paga duhet të jetë rezultat i përpjekjeve tona afatgjata për të mësuar dhe rritur dhe jo diçka që duhet të ndjekim për një afat të shkurtër.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.