Riorganizimi apo transformimi i kabineteve qeverisës: Çfarë fiton populli dhe ekonomia, në fund të fundit?
Një riorganizim i Kabinetit qeverisës është kur ministrat e qeverisë zhvendosen ndërmjet posteve ministrore. Ato mund të jenë ndryshime relativisht të vogla, si për shembull, nëse një ministër jep dorëheqjen dhe duhet të zëvendësohet.
Në rastin e ndryshimeve të kabinetit qeverisës në fillim shtatorin 2023 në Shqipëri ndryshimet e ministrave më shumë konsiderohen se mund të jenë transformime mjaft domethënëse nëse i llogaritim edhe ndryshimet në Kabinetet Rama 1,2 dhe 3, me mjaft ministra të kabineteve, që kanë ndryshuar departamente ose janë larguar nga qeveria, si dhe role ministrore (ose edhe të gjithë departamentet) që janë krijuar të reja ose janë fshirë fare.
Pse kryeministri vendosi të vijojë me transformimin e kabinetit?
Më së pari si një arsye e dukshme që vjen pas ngjarjeve korrozive etike dhe politike duket se Kryeministri me anë të menaxhimit të kabinetit synon të bëjë edhe një modelim të ri të menaxhimit të partisë, e cila tashmë drejtohet më së shumti nga figura të reja politike. Ndërkohë, me emërimin dhe shkarkimin e ministrave duket se partia socialiste e transformuar po vijon me përshtatjen me konjukturat dhe ky moment është një pjesë e rëndësishme e pushtetit të një kryeministri. Nëpërmjet patronazhit të qeverisë, ai mund të shpërblejë besnikërinë dhe të ndëshkojnë mospajtimin, të ndërtojnë aleanca dhe të menaxhojë partinë duke u siguruar që të gjitha fraksionet brenda saj të ndjehen të përfaqësuara në qeveri.
Së dyti, nevojitet që pas përmbushjes me vetëm 20% të programit qeverisës në pothuajse dy vite qeverisje, ashtu si kemi analizuar në publikimin “700 ditë të qeverisë Rama 3”, transformimi i kabinetit konsiderohet i domosdoshëm për të menaxhuar modelin e performancës. Këto ndryshime tashmë të përvitshme, në fakt janë edhe një mundësi për të promovuar ministra me performancë të lartë, duke i zhvendosur në pozicione me përgjegjësi më të madhe, apo duke i lënë në të njëtin pozicion, por dhe për të hequr ata që nuk ecin mirë në përpjekje për të përmirësuar performancën e departamenteve të qeverisjes Rama 3.
Së treti, nisur nga nevoja që të tejkalohen aferat korruptive që kanë një rritje të përqindjes në raport me kabinetet qeverisëse të mëparshëm, duket se transformimi i kabinetit bëhet nga Kryetari i Partisë dhe njëkohësisht edhe kryetari i Kabinetit qeverisës për të sinjalizuar ndryshimet e politikave. Lëvizja e ministrave mbetet gjithnjë në modelin drejtues të politikës shqiptare, si një mënyrë për të treguar prioritetet e një qeverie. Shtimi i roleve të reja ministrore bashkë me ndryshimin e ministrave që do të marrin pjesë në kabinet është një mënyrë treguese për ta bërë këtë, siç është edhe bërja e ndryshimeve në përgjegjësitë e departamenteve qeveritare, të cilat tregojnë edhe forcat dominuese dhe kontrolluese brenda partisë që mbështet një ministër të ri apo të vjetër.
Këto ndryshime në 6 seksione ministrore të Kabinetit qeverisës Rama 3, ku njëri prej tyre është transformim i plotë[1] vijnë pikërisht për të sinjalizuar theksin në decentralizimin e pushtetit, si dhe hapjen e rrugës ndaj drejtësisë shqiptare për të vijuar me finalizimin e gjetjeve të saj për hetimin ndaj figurave që u zëvendësuan. Pra, në thelbin e transformimit të kabinetit në këtë vit kemi të bëjmë në dukje me ndryshime të vogla, por në fakt vijon një transformim i madh i tij për të ti shërbyer të ardhmes që nuk duhet të cënojë integritetin e brishtë aktual të partisë edhe më tej nga akuzat e drejtësisë shqiptare.
Së katërti, momenti i ndryshimeve të Kabinetit mund të konsiderohet edhe si efekt dytësor prej arsyetimeve më lart, ku nevoja për ta rifreskuar është më shumë pasojë se sa arsye kryesore. Ky rifreskim edhe pse nuk është gjithpërfshirës në reagim ndaj kërkesave jashtë partisë, por edhe brenda saj nga fraksione të vogla duket se është një mënyrë për të shmangur kritikat, që vijnë nga deputetët e partisë për politikanë që duhet të përqafojnë frymën e re të rinovimit të drejtimit të partisë. Rifreskimi i qeverisë nëse mund të quhet edhe kështu është pjesa e pathënë e transformimit vijues si një opsion tërheqës kur qeveria nuk është aq popullore sa më parë, pas skandaleve korruptive dhe etike zhgënjyese të figurave kryesore të saj në qendër dhe në bazë.
Po çfarë përfiton publiku dhe në përgjithësi vendi nga ky transformim vijues prej vitesh i kabinetit qeverisës Rama 1-3?
Në fakt, lëvizjet e tepërta të ministrave dhe ndryshimet e fokusit të ministrive në gjithë këto vite (pasi transformimi i kabinetit është vijimësi dhe jo risi e këtij viti) e bën më të vështirë për ministrat dhe qeverisjen të krijojnë ekspertizë në lidhje me departamentin e tyre dhe e bën më të vështirë për parlamentin që të kërkojë llogari nga ministrat për rezultatet e veprimeve të tyre.
Ndryshimi i rregullt i udhëheqjes së një sektori qeverisës ka efekte negative pasi ka ndikim në zbatimin e politikave duke rezultuar edhe në ndryshime të kota të drejtimit. Që nga viti 2013, mesatarja e mandatit të një ministri të kabinetit ka qenë më pak se 2.5 vite.
Nga ana tjetër, përdorimi i ndryshimeve të departamenteve dhe emrave drejtuesë të kabinetit qeverisës shihet si një mjet për ushtrimin e disiplinës partiake dhe kjo mund të rezultojë po me efekte negative në mbarëvajtjen e performancës së sektorëve qeverisës me peshë, si: FINANCAT DHE EKONOMIA, INFRASTRUKTURA DHE ENERGJIA, SHËNDETËSIA, EDUKIMI dhe deri te MJEDISI, TURIZMI, KULTURA. Duke e konsideruar ndryshimin e Kabinetit qeverisës të ndërthurur me ndryshimin e lidershipit partiak duket se transformimi i qeverisjes po kthehet edhe një moment penalizimi për të “korruptuarit e spikatur”. Në vitet e fudnit është thënë shpesh herë në deklarimet publike të Kryetarit të PS, se një arsye e ndryshimeve në drejtim vlen për të liruar partinë dhe Kabinetin qeverisës nga përgjegjësia kolektive. Kjo e ka bërë realisht Kryetarin e partisë dhe Kabinetit qeverisës të lirë të kritikojë qeverinë hapur, duke ndikuar deri më sot të mos minohet potencialisht autoriteti i kryeministrit.
Në realitet, publiku dhe ekonomia edhe pse përfiton pak nga transformimi periodik 10 vjeçar i kabinetit qeverisës, duket se përfituesi i madh është vetë kryetari dhe grupi i besnikëve rreth tij, të cilët me ndryshimet e përvitshme nuk krijojnë mundësi për kundërshtarët politikë të zbulojnë dobësitë duke ja u hequr një pjesë të arsyeve për të bërë opozitarizëm me këtë argument.
Nuk është e pazakontë që ministrat që janë të pakënaqur me ndryshimin e pozicionit drejtues të tyre dhe të pa promovuar në vijimësi në nivele të larta drejtimi (politik apo ekzekutiv), ndonjëherë të mund të luajnë edhe kumar me karrierën e tyre duke refuzuar të marrin një pozicion më pak të rëndësishëm, apo duke kërcënuar se do të japin dorëheqje, apo më keq akoma në heshtje bashkëpunojnë me kundërshtarët politikë dhe forca të tjera ndikuese në vend.
Natyrshëm që pjesa kryesore e ministrave kanë qenë nën hetim prej vitesh dhe tashmë efektet e hetimeve nuk lënë asnjë hapësirë për të ndenjur edhe më tej abuzivisht në postet drejtuese.
Kjo ka ndodhur me ndryshimet në postin e Ministrit të Brendshëm, të Zv.kryeministrit të kabinetit apo edhe me ministra të departamenteve me peshë të kabinetit në këto 5-6 vitet e fundit. Në të gjitha rastet, kryeministri zgjodhi të avanconte në vend që të tërhiqej duke humbur ministrat/zv.kryeministrat dhe me vendosjen e tyre në stolat e pasme të kombëtares politike qeverisëse në realitet është zbuluar një ekuilibër i pafavorshëm pushteti midis Kryeministrit, partisë që drejton dhe Kabinetit.
Megjithatë, nisur nga një analizë që ekspertët tanë kanë bërë ndër të paktën 15 vitet e fundit[2] vërehet se qeveritë e njëpasnjëshme kanë qenë të frustruara nga mungesa e dinamizmit, mungesa e aftësive, mungesa e përgjegjësisë ndaj rrezikut, mbështetja në proceset e vendosura dhe qarkullimi i lartë i stafit në kabinetet qeveritare.
Të gjitha ndryshimet që kanë ndërmarrë kryeministrat shqiptarë të pas viteve ’90 i kanë shërbyer shumë pak popullit të tyre dhe shumë më tepër fuqizimit të partive të korruptuara në vullnetet qeverisëse dhe individëve të lidhur me politikën.
E gjitha kjo simbiozë mes politikës dhe korrupsionit politik ka krijuar një ekonomi me informalitet të panevojshëm dhe shumë të dëmshëm, një ekonomi voluntariste ndaj çdo goditje të vogël të diktuar prej konkurentëve rajonalë dhe ekonomisë globale, por edhe një pushtet që bën pak për njerëzit jashtë rrethit të besnikëve partiakë dhe shumë më tepër fuqizon këta të fundit që mblidhen rreth strumbullarit të partisë, kryetarëve të tyre.
[1] shkrirja e funksionit të Ministrit të Shtetit për Standartet dhe Shërbimet, i cili drejtohej nga zj. Milva Ekonomi dhe transformimi në funksionin e Ministrit e Shtetit për Pushtetin lokal, i cili do të drejtohet nga z. Arbjan Maznikut, aktualisht një nga nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës.
[2] https://polifakt.al/publikime/trajnime/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.