Politikat bujqësore të Qeverisë midis retorikës dhe realitetit të vështirë rural
Në përmbyllje të ditës së parë të të ashtuquajturit “Dialog Kombëtar për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”, kryeministri Rama shpalli pezullimin e aktivitetit të AKU-së si një akt drastik, me arsyetimin se kjo agjenci “më shumë bën dëm se sa punë”.
Kjo deklaratë, ndonëse dramatike dhe politikisht goditëse është një pranim i vonuar i dështimit institucional të një prej hallkave më të rëndësishme për sigurinë ushqimore dhe përmbushjen e standardeve të integrimit evropian në sektorin agro-ushqimor.
Por, a është ky pezullim një akt reformues, apo një përpjekje për të spostuar përgjegjësinë politike nga qeveria tek një institucion teknik?
Kjo agjenci, e cila duhej të ishte mbrojtësja kryesore e standardeve të ushqimit dhe një nga shtyllat e harmonizimit me acquis communautaire të BE-së është lënë për vite të tëra pa mbështetje të mjaftueshme, pa trajnime cilësore dhe nën presion politik me drejtuesë jo sipas meritokracisë në shumicën e emërimeve nga kryeministri.
Në vend që dështimi i saj të shërbejë si një rast për reformë institucionale, qeveria zgjedh pezullimin, që në thelb nuk zgjidh asgjë përveçse prodhon zhurmë publike dhe krijon një tymnajë mediatike që mbulon përgjegjësitë e saj direkte.
Një tjetër premtim i madh i bërë nga kryeministri ishte përmbyllja e procesit të legalizimit të strukturave prodhuese bujqësore brenda gushtit.
Një akt i vonuar, i cili për vite me radhë ka penguar fermerët të kenë akses në fonde publike, kredi bankare dhe programet mbështetëse të BE-së.
Legalizimi është paraqitur si një aksion burokratik i thjeshtë, por në thelb, ai është një dështim i kahershëm i shtetit për të rregulluar raportin midis tokës, prodhuesit dhe politikës publike.Në mungesë të një hartimi real të infrastrukturës bujqësore dhe një kadastri funksionale agrare, çdo përpjekje për “lokalizime” nuk është gjë tjetër veçse një riorganizim formal i një kaosi praktik.
Deklarimi i një linje kredie 250 milionë euro me interesa të ulëta mund të tingëllojë si një lajm i mirë për fermerët.
Por realiteti është se kreditë pa garanci të qarta ligjore, pa infrastruktura të legalizuara dhe pa mekanizma risku janë thjesht kredi të padisponueshme për pjesën më të madhe të sektorit bujqësor shqiptar, i cili vijon të mbetet informal, i fragmentarizuar dhe me akses minimal në shërbime financiare.Nëse këto kredi do të përdoren realisht, atëherë duhet të publikohen menjëherë kushtet, numri i përfituesve, zonat gjeografike të mbulimit dhe indikatorët e ndikimit ekonomik.
Deri më sot, mungon një raport zyrtar për ecurinë e aksesit në fonde kombëtare ose IPARD lidhur me analizën dhe përgjegjësitë.
Zëri i ekspertëve, simbolikë ceremoniale apo përfshirje reale?
Pjesëmarrja e ekspertëve në hartimin dhe zbatimin e politikave bujqësore në Shqipëri është, në mënyrë kronike, një proces më shumë ceremonial se sa funksional. Megjithëse në çdo diskutim publik apo strategji zyrtare përmendet nevoja për “bashkëpunim me akademinë” apo “rolin e ekspertizës vendore”, në praktikë kjo përfshirje është shpesh sipërfaqësore, e paformalizuar dhe e reduktuar në evente njëditore apo komente spontane në media.
Rasti i fundit i ngritjes së një “komisioni me Universitetin Bujqësor të Tiranës” për të rishikuar funksionimin e AKU-së është ilustrues për këtë tendencë.
Ndërkohë që përfshirja e universitetit është e mirëpritur si koncept, ajo shndërrohet në një veprim simbolik nëse nuk shoqërohet me:kompetenca reale vendimmarrëse për të analizuar strukturën institucionale të AKU-së dhe për të propozuar ndryshime që detyrimisht të merren në konsideratë nga ekzekutivi;
– qasje të plotë në të dhëna dhe dokumentacion operacional për të mundësuar vlerësim objektiv të performancës;
– mandate të qarta, afate kohore dhe objektiva të matshëm, të mbështetura nga kontrata të dakordësuara mes palëve;
– një mekanizëm zyrtar për ndjekjen dhe zbatimin e rekomandimeve, që të mos mbeten në sirtarët e administratës si shumë dokumente të mëparshme.
Në mungesë të këtyre elementëve, roli i ekspertëve dhe institucioneve akademike reduktohet në një rol figurativ, që shërben për të legjitimuar vendimet e marra më parë politikisht, ose për të zbutur trysninë publike në momentet e krizave, siç është rasti me pezullimin e aktivitetit të AKU-së.
Kjo qasje nuk është vetëm problematike nga pikëpamja e cilësisë së politikëbërjes, por edhe kontraproduktive për procesin e integrimit në BE, i cili kërkon pjesëmarrje të dokumentuar dhe të qëndrueshme të aktorëve të interesit, përfshirë akademinë, në formulimin dhe zbatimin e politikave sektoriale.
Për të kaluar nga një përfshirje formale në një partneritet real me ekspertët dhe universitetet, nevojitet një ndërrim paradigme: nga ftesat publike ceremonialiste, tek kontraktimi i dijeve dhe ekspertizës përmes projekteve të strukturuara, konkurruese dhe të monitorueshme.
Vetëm në këtë mënyrë dijet vendore mund të shërbejnë si kapital institucional, e jo si dekor retorik i një sistemi politik që shpesh sillet sikur e ka zëvendësuar ekspertizën me propagandën.Integrimi dhe politika bujqësore, hap pas hapi jashtë ritmit të BE-së
Procesi i integrimit në kapitullin 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural) dhe kapitullin 12 (Siguria Ushqimore) kërkon jo vetëm përputhje legjislative, por funksionalitet praktik të institucioneve.
Qeveria ka miratuar ligje të shumta që formalizojnë standardet, por në mungesë të kapaciteteve zbatuese si AKU dhe mekanizmave të kontrollit të fondeve, përputhja është vetëm në letër.Në këtë kontekst, është i domosdoshëm krijimi i një mekanizmi matës për përputhjen reale me standardet e BE-së, duke përfshirë:përqindjen e legalizimeve të përfunduara;numrin e fermave të certifikuara me standarde evropiane;volumin e projekteve IPARD të zbatuara;efektin në zinxhirin e vlerës bujqësore.
Politikat bujqësore të qeverisë aktuale kanë mbetur të fragmentuara dhe të paaftë për të prodhuar transformim strukturor në fshat. Çdo premtim i madh, qoftë pezullimi i AKU-së, qoftë kredia me interesa të ulëta, qoftë përmbyllja e legalizimeve vjen pas një vonese të gjatë që ka lënë pas një sektor të dobësuar dhe të papërgatitur për integrim.Reformat bujqësore nuk mund të jenë vetëm skenë komunikimi politik.
Ato kërkojnë planifikim afatgjatë, dialog të vërtetë me komunitetet prodhuese dhe mbi të gjitha, funksionimin real të institucioneve që nuk mund të pezullohen me një urdhër verbal.Në të kundërt, sektori bujqësor shqiptar do të mbetet jo vetëm jashtë BE-së, por jashtë zhvillimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.