Nga fragmentariteti te profesionalizmi drejt një modeli zhvillimi të qëndrueshëm fiskal

Nga fragmentariteti te profesionalizmi drejt një modeli zhvillimi të qëndrueshëm fiskal

Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor përpiqen të përshpejtojnë integrimin evropian përmes forcimit institucional dhe përmirësimit të klimës fiskale, Shqipëria mbetet në një pozicion të brishtë.

Sipas raportit të fundit të FMN-së “Reinvigorating Structural Reform Momentum to Strengthen Institutions and Potential Growth”, që analizon qëndrueshmërinë fiskale, Shqipëria përballet me tre sfida parësore: menaxhimin joefikas të investimeve publike, dobësinë e kapaciteteve institucionale dhe mungesën e transparencës në procesin buxhetor.

Në menaxhimin fiskal dhe reformat strukturore, Shqipëria paraqitet më dobët krahasuar me vendet fqinje. Sipas vlerësimeve të FMN-së, vendi nuk ka përparuar në institucionalizimin e buxhetimit sipas performancës dhe në mekanizmat e vlerësimit të investimeve publike.

Serbia ka avancuar në zbatimin e buxhetimit me objektiva konkrete, ndërsa Maqedonia e Veriut ka krijuar një task-forcë ndërinstitucionale për të garantuar vlerësim më të saktë të projekteve investuese.

Shqipëria, përkundër reformave të deklaruara, mbetet në fazën e pilotimeve të pjesshme, pa ndërtuar ende një arkitekturë të qëndrueshme për planifikim buxhetor afatmesëm me theks te rezultatet.

Kjo diferencë ka thelluar jo vetëm hendekun e efikasitetit të shpenzimeve publike, por edhe ka ndikuar negativisht në aksesin ndaj fondeve të BE-së dhe të donatorëve ndërkombëtarë, të cilët po i lidhin gjithnjë e më shumë disbursimet me performancën reale të qeverisjes publike.

Për të ndryshuar këtë trajektore, vendit i nevojitet jo thjesht të marrë shembull nga rajoni, por të angazhohet seriozisht në ndërtimin e kapaciteteve institucionale që mundësojnë një menaxhim të bazuar në evidenca dhe në objektiva të matshëm zhvillimi.

Shqipëria mes projekteve të shpërndara dhe mungesës së vizionit

Një nga sfidat më të mëdha që e mban peng zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri është fragmentarizimi i procesit të planifikimit publik.

Ndryshe nga fqinjët si Serbia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë ndërtuar sisteme të integruara për menaxhimin e investimeve publike (Public Investment Management – PIM), Shqipëria vazhdon të mbështetet në plane shumëvjeçare të hartuara pa një lidhje të drejtpërdrejtë me buxhetimin afatmesëm.

Kjo ndarje funksionale midis vizionit strategjik dhe realitetit buxhetor ka prodhuar projekte të shpërndara, shpeshherë të paqëndrueshme dhe të pambështetura në analiza objektive të nevojave dhe kapaciteteve.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur alarmin se mungesa e vlerësimeve të detajuara të fizibilitetit përpara financimit të projekteve (ex-ante) dhe e analizave të ndikimit pas realizimit (ex-post) krijon jo vetëm boshllëqe në vlerën për para që gjenerojnë këto projekte, por gjithashtu rrit rrezikun për destabilitet fiskal.

Shpesh investimet miratohen mbi baza politike, pa një hierarki të qartë prioritetesh dhe pa një vlerësim të peshës afatgjatë që mbartin në buxhetin e shtetit apo në borxhin publik. Në mungesë të këtij sistemi kontrolli, projektet mund të jenë ose të mbifinancuara, duke konsumuar burime të panevojshme, ose të keqfinancuara, duke mbetur të papërfunduara.

Ky cikël i paorientuar planifikimi e përjashton qasjen racionale dhe vlerësimin me bazë prova, duke e kthyer procesin investues në një lojë shorti. Disa projekte “fituese” ecin përpara pa garantuar kthim ekonomik apo shërbime efektive për qytetarët, ndërsa shumë të tjera që ndoshta kanë më shumë ndikim zhvillimor mbeten në sirtar.

Në këtë kuptim, mungesa e një kornize gjithëpërfshirëse dhe të institucionalizuar për investimet publike nuk është thjesht çështje teknike. Ajo është simptomë e një modeli të rrënjosur ku planifikimi nuk orientohet nga zhvillimi, por nga momenti politik.

Institucione me kapacitete të ulëta teknike dhe mungesë të theksuar koordinimi

Një nga pengesat më të mëdha në zbatimin efektiv të investimeve publike në Shqipëri qëndron në dobësinë teknike të institucioneve përgjegjëse për përgatitjen, menaxhimin dhe monitorimin e projekteve infrastrukturore.

Ministritë sektoriale dhe njësitë e prokurimit shpesh nuk posedojnë stafin e kualifikuar, mjetet analitike dhe përvojën që kërkohet për të dizajnuar ndërhyrje të mëdha dhe komplekse, veçanërisht në fushat e transportit, energjisë dhe ujitjes.

Kjo mungesë aftësish nuk është vetëm teknike, por edhe strukturore.

Proceset përzgjedhëse janë të fragmentuara, analizat e fizibilitetit janë shpesh formale, pa një bazë të thelluar kosto-përfitim, dhe nuk ka standarde të qarta për përparësimin e projekteve sipas impaktit ekonomik apo social.

Rezultati është një sistem i investimeve që shpesh prodhon ndërtime të padobishme, rrugë që nuk lidhen me rrjetet kryesore, apo objekte që ngelen të papërfunduara për shkak të nënvlerësimeve financiare fillestare.

Në kontrast, vende me nivele të ngjashme zhvillimi, si Kosova dhe Mali i Zi kanë krijuar mekanizma analitikë të pavarur për vlerësimin dhe filtrimin e projekteve publike. Këto vende kanë vendosur pragje të detyrueshme financiare, përtej të cilave çdo projekt duhet të kalojë nëpër një proces të strukturuar të analizës së vlerës së shtuar, impaktit socio-ekonomik dhe qëndrueshmërisë financiare. Ky model nuk vetëm që ndihmon në ndarjen më të mirë të fondeve, por edhe rrit transparencën dhe besimin e publikut tek mënyra se si shpenzohen paratë publike.

Për Shqipërinë, kjo përvojë rajonale duhet të shërbejë si leksion praktik për reformimin urgjent të kuadrit institucional të menaxhimit të investimeve. Jo vetëm që duhet të forcohen kapacitetet teknike të administratës, por edhe të institucionalizohen praktika të reja të analizës së projekteve, në mënyrë që çdo lek i shpenzuar të justifikohet përpara publikut dhe të kontribuojë realisht në rritjen dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në çdo buxhet vjetor, qeveria shqiptare prezanton me bujë lista të gjata projektesh infrastrukturore, rrugë kombëtare e porte, hekurudha e shkolla dhe spitale të reja. Por, nën sipërfaqen e kësaj liste, fshihet një sistem investimesh publike që shpesh nuk bazohet në analiza të plota dhe nuk ndjek prioritete zhvillimore të qarta duke funksionuar madje edhe jashtë një kornize të fortë fiskale dhe llogaridhënëse.

Fragmentimi i kornizës fiskale dhe buxheti si pasqyrë e vendimeve ad-hoc

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë i drejtpërdrejtë në vlerësimet e tij të fundit.

Shqipëria vijon të funksionojë me një kornizë fiskale afatmesme të dobët dhe të fragmentuar. Në vend që buxheti të shërbejë si një mjet strategjik për realizimin e objektivave kombëtare të zhvillimit, ai shpesh kthehet në një reflektim të vendimeve të pjesshme, të marra jashtë një analize të plotë të ndikimeve afatgjata.

Kjo qasje e pjesshme e zhvesh buxhetin nga roli i tij natyror si instrument politikash: në vend që të udhëheqë, ai pason.

Në vend që të planifikojë, ai reagon.

Kjo gjeneron jo vetëm një shpërdorim të mundshëm të burimeve, por edhe një pasiguri fiskale për të ardhmen.

Një nga problemet më shqetësuese është kalimi në heshtje i shumë projekteve të mëdha publike, pa u ekspozuar ndaj vlerësimeve të qarta të ndikimit ekonomik apo social. Shpesh këto projekte nuk i nënshtrohen analizave të kostos dhe përfitimit (cost-benefit analysis), çka i bën të ngjajnë më shumë me iniciativa politike sesa me investime të menduara që justifikojnë burimet e shpenzuara.

Kjo mungesë e transparencës përkeqësohet më tej nga mosfunksionimi efektiv i mekanizmave të auditimit të jashtëm dhe mungesa e të dhënave të detajuara për ecurinë dhe ndikimin real të këtyre projekteve mbi qytetarët.

Projekte me vlerë publike apo “listë dëshirash”?

FMN sugjeron kalimin nga një “listë dëshirash” të projekteve të propozuara në një “pipeline” të strukturuar investimesh të prioritizuara.

Por që kjo të ndodhë, është e nevojshme një ndryshim paradigme, ku nga logjika e financimit të çdo ideje të paraqitur me ndikim politik afatshkurtër, të shkohet në logjikën e vlerësimit të çdo projekti nëpërmjet objektivave zhvillimore, transparencës fiskale dhe impaktit për qytetarin.

Në vendet ku qeverisja publike kërkon të fitojë besimin e qytetarëve, çdo projekt i madh kalon më parë në filtrat e analizave të detyrueshme, jo vetëm teknike, por edhe demokratike.

A ka nevojë publiku për këtë investim?

A do të përfitojnë më të shumtit apo një segment i kufizuar?

A do të ketë ky projekt ndikim real në uljen e pabarazive territoriale apo sociale?

Këto nuk janë vetëm pyetje teknike, por pyetje që kanë në thelb etikën e përdorimit të parasë publike. Në Shqipëri, ku besimi në institucionet publike mbetet i brishtë, çdo investim i paqartësuar e minon edhe më tej këtë raport.

Shqipëria nuk vuan nga mungesa e projekteve. Ajo vuan nga mungesa e një filozofie të qartë se çfarë përfaqëson një projekt publik: një vendimmarrje me bazë politike, apo një politikë me bazë në të dhëna dhe interes publik?

Përderisa ende mungojnë analizat serioze të përfitimit, transparenca e plotë dhe llogaridhënia institucionale, shumë nga investimet që shfaqen në tabelat e buxhetit do të mbeten vetëm shifra, të shkruara për t’u lexuar, jo për t’u ndjerë në jetën reale të qytetarëve.

Në përpjekjen për të ndërtuar një model zhvillimi të qëndrueshëm dhe përballuar presionet afatgjata mbi borxhin publik nuk mjafton thjesht planifikimi apo miratimi i reformave në letër.

Thelbësore është transformimi i mënyrës se si menaxhohen investimet publike në praktikë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.