Ndotja e mjedisit dhe nevoja për politikë më të mirë fiskale

Ndotja e mjedisit dhe nevoja për politikë më të mirë fiskale

Taksa e karbonit konsiderohet si një nga strategjitë më efektive për zbutjen e ndryshimeve klimatike, pasi ajo nxit një gamë të gjerë reagimesh të sjelljes për të ulur emetimet e gazeve serrë, të tilla si reduktimi i përdorimit të energjisë dhe kalimi në burime më të pastra të energjisë në të gjithë industrinë, transportin dhe sektorët e ndërtimit përmes çmimeve më të larta për karburantet me intensitet karboni dhe energjinë elektrike (Black et al., 2022). Megjithatë, në të njëjtën kohë, ai paraqet një shqetësim për pasojat e përkohshme inflacioniste, duke përbërë një burim të spikatur të inflacionit të mundshëm të gjelbër.

Ky është prezantimi i një situate nga studimi i JaeBin Ahn (Korrik 2024, FMN), që kërkojmë ta përfshijmë si temë diskutimi këtë fund vere për adresim lidhur me përshtatjen dhe përditësimin e politikës tatimore në Shqipëri lidhur me barrën e duhur fiskale mbi ndotjen dhe ndotësit.

Në realitetin dhe mjedisin e vendeve të ndryshme kuptohet që tatimi i ndotjes ka më së shumti vlerë lidhur me ndotjen nga industria dhe natyrisht, që bazuar mbi parimin më lart është krijuar edhe politika e përshtatshme për të frenuar dhe bërë më të kushtueshme taksat për ndotësit.

Por në Shqipëri mjedisi ndotet në masë të madhe jo nga industria prodhuese dhe ato të lidhura me të (industria nxjerrëse dhe energjia nga qymyri dhe nafta).

Nga prezantimet e monitoruesve të ndotjes së mjedisit, ndotësit më të mëdhenj[1] janë (a) emetimet e dioksidit të azotit (NO2) nga djegia e karburanteve dhe (b) grimcat e ngurta fizike nga projekte e ndërtimeve në gjithë vendin (PM2.5). Në vitin e fundit, por edhe vitet në vijim një ndotje potenciale e ambjentit është edhe ajo që vjen prej shtimit tej mase të numrit të vizitorëve, të cilët mund të arrijnë të kthehen në një burim të tretë ndotjeje si pasojë e rritjes së kërkesës konsumatore

Kjo situatë që tashmë është bërë e përhershme lidhur me burimet e ndotjes në vend, natyrisht që kërkon edhe një politikë tatimore që ti përshtatet parimit “ndotësi paguan”.

Me këtë mjedis dhe burime ndotësish, tashmë ka një paketë taksimi të plotë (akciza e karburantit, si dhe taksa për karbonin) për emetimet e dioksidit të azotit. Megjithatë, me shtimin e automjeteve përdoruese, por edhe në kushtet e një cilësie jo optimale të karburanteve duket se ka arsye të mira për të mbrojtur mjedisin me taksa më të larta për karburantet. Kjo natyrisht vlen të vendoset pas një diskutimi mbarëkombëtar lidhur me këtë politikë agresive fiskale. Qëllimi kryesor justifikon instrumentin tatimor edhe është reduktimi i konsumit të karburantit dhe emetimit të gazrave të dëmshëm duke lehtësuar kështu tranzicionin e gjelbër. Nga ana tjetër, në këtë tranzicion, gjithë të ardhurat nga taksat e rritura prej qeverisë duhet të shkojnë për të financuar, për shembull, infrastrukturën e energjisë së pastër, korrigjimin e kostove të bllokimit të trafikut dhe kostove të lidhura me stimulimin fiskal për automjetet që përdorin energjinë e pastër.

Megjithatë, rritja e taksave të karburantit është një debat i nxehtë politik por edhe ekonomik, pasi mund të nxisë inflacionin e menjëhershëm duke dëmtuar në mënyrë disproporcionale familjet me të ardhura të ulëta dhe bizneset e vogla. Është pikërisht ky rrisk, që diskutimi për rritjen e barrës fiskale për karburantet, të jetë proporcionale me zbatimin e parimit kushtetues të barazisë dhe me ndikime shumë të pakta te kostoja dhe mirëqenia e familjeve. Ky debat natyrisht që ka nevojë për politikën zëvendësuese, përfshirë edhe paketat të përkohshme në transportin urban dhe interurban (investime jo elektorale), si dhe për transportin e mallrave dhe llojet e tjera të transportit me kosto të cilat nuk prekin programet e tjera qendrore dhe vendore, por vijnë nga prioritizimi dhe menaxhimi më i mirë i buxheteve.

Ndërkohë, në lidhje me ndotjen që vjen nga industria e ndërtimit duket se është e nevojshme që së pari të vlerësohet nga organizatat dhe qeveria se si duhet administruar emetimi i mëtejshëm i ndotjes, duke konstatuar që kjo ndotje do të vazhdojë dhe do të jetë një rrisk i shtuar për koston e bizneseve, por edhe për vetë shëndetin dhe ambjentin.

Edhe në këtë rast, vendosja e një takse ndaj ndotjes është logjikë që vjen nga interesi i përgjithshëm publik, ku ndotësit duhet të paguajnë për të kompensuar shoqërinë dhe mjedisin. Në shumë vende, tarifat ndaj ndotjes nga mbetjet e ndërtimit është progresive, në varësi të zonës dhe teknologjisë që përdoret nga ndërtuesit. Pra, tarifat vendosen në nivelet e nevojshme për të bërë ndryshimin, por pa prishur parimin e një trajtimit proporcional në raport me dëmin që i shkaktohet mjedisit dhe shoqërisë.

Mënyra se si mund të kontrollohet efektivisht ndotja e ajrit së pari duhet të kthehet në një çështje e përhershme me motive shëndetësore, sociale dhe ekonomike.

Megjithatë, në çdo lloj ndotje që kryhet (uji, ajri, shkarkimet, mbetjet, biodiversiteti) nevojitet që të tarifohet ndotësi sipas emetimeve (sasi dhe përhapje) dhe jo përdoruesi, pasi ky është edhe qëllimi i vendosjes së tarifave potenciale kundër ndotjes.

Në këtë parim duhet të mbahet parasysh, se edhe vizitorët e shtuar të paguajnë për të patur mjedisin e pastër dhe natyrën që kërkojnë . Por fillimisht politika duhet të kuptojë që mjedisi që ata e dëmtojnë duhet të mirëmbahet pikërisht duke kërkuar nga ta kontribut dhe jo duke u nisur nga përfitime afatshkurtra, që ende janë të paqarta rreth rritjes së vlerës së shtuar për ekonominë e qëndrueshme që duam të kemi.

Duke marrë parasysh rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit (por edhe ndotjet e ujërave dhe mjedisit në tërësi) ne mendojmë se është me vend edhe diskutimi për një Ligj fiskal për Mbrojtjen e Mjedisit edhe pse ligji pa u harmonizuar me menaxhimin gjithpërfshirës të mjedisit mund të mos ketë fuqi të frenojë ndotjen.

Por, gjithsesi një proces sensibilizimi, diskutimi dhe në fund edhe llogaritja e kostove për dëmet që i shkaktohen të dëmtuarve (natyra, shoqëria, bizneset) nga ndotja jep një dimension tjetër edhe potencialeve investuese në të ardhmen.

[1] mbi normat e lejuara të BE-së dhe OBSH-së.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.