Ndikimi potencial i Bankës Zhvillimore të Shqipërisë në kontekstin ekonomik të vendit
Banka Zhvillimore e Shqipërisë (BZH) pritet të ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, pas vitit 2026, kur të jetë funksionale. Qëllimi kryesor i saj është të krijojë një balancë të qëndrueshme mes kapitalit publik dhe privat, duke inkurajuar bashkëpunimin ndërmjet këtyre sektorëve në mbështetje të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Ky model, i njohur dhe i përdorur në shumë shtete europiane, ka dëshmuar ndikim të madh në nxitjen e rritjes dhe qëndrueshmërisë ekonomike.
Për projektin e Bankës Zhvillimore të Shqipërisë, që është aktualisht në diskutim (fillimi i vitit 2025), qeveria propozon një bankë orientuar nga biznesi që mund të ofrojë mundësi financimi dhe mbështetje për sektorë kyçë, si infrastruktura dhe eksportet. Ky model ka shumë ngjashmëri me praktikat ndërkombëtare të bankave të zhvillimit, të cilat mbështesin zhvillimin e sektorëve ekonomikë, të cilët janë të rëndësishëm për stabilitetin financiar të shtetit. Megjithatë, për realizimin e këtij objektivi, Banka Zhvillimore do të duhet të përballet me disa rreziqe dhe sfida të cilat mund të ndikojnë në suksesin e saj afatgjatë.
Në këtë analizë, do të shqyrtojmë strukturën dhe objektivat e Bankës Zhvillimore të Shqipërisë, funksionet dhe ndikimin e saj në zhvillimin ekonomik të vendit, duke iu referuar projekt-ligjit për konsultim publik dhe risqeve të mundshme, si përdorimi politik dhe sfidat financiare që mund të ndikojnë në besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e këtij institucioni.
Struktura dhe objektivat e Bankës Zhvillimore të Shqipërisë
Banka Zhvillimore e Shqipërisë ka si qëllim kryesor krijimin e një balance midis kapitalit publik dhe privat, duke mbështetur zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe promovimin e një klime investimesh që nxit rritjen ekonomike. Ajo synon të mbështesë projekte që mund të jenë të vështira për t’u financuar nga burimet tradicionale të financimit, si bankat komerciale, për shkak të rrezikut të lartë ose mungesës së kapitalit të mjaftueshëm.
Një çështje e paqartë mbetet se si BZH do të sigurojë një balancë të drejtë midis interesave të sektorit publik dhe privat, dhe si do të shmangë ndikimin politik për të favorizuar disa grupe ose sektorë në kurriz të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.
Përdorimi i Bankës për qëllime politike ka qenë një problem i zakonshëm në vende të tjera.
Në Shqipëri, ka një histori përdorimi të institucioneve financiare dhe projekteve të mëdha për të siguruar mbështetje popullore, duke krijuar premtime zhvillimi që mund të dështojnë për shkak të kushteve të pafavorshme ekonomike dhe buxhetore. Ky mund të jetë një faktor që rrit mundësinë e përdorimit të Bankës për manipuluar opinionin publik, duke ofruar projekte të pambështetura financiarisht.
Një nga rrisqet kryesore që mund të paraqesë Banka Zhvillimore e Shqipërisë është mundësia e keqmenaxhimit të fondeve për qëllime politike, të cilat mund të sjellin një përdorim jo efikas të resurseve. Ky rrezik është më i theksuar në vendet ku sistemet politike janë të ndikuara fort nga interesat e ngushta të grupeve politike dhe të biznesit. Në Shqipëri, ku transparenca dhe mbikëqyrja janë ende një sfidë, mundësia e keqpërdorimit të fondeve për projekte politike të dyshimta është shumë e lartë.
Nëse politika merr ndikim të tepruar në drejtimin e Bankës Zhvillimore, mund të krijohet një sistem që favorizon projekte dhe sektorë të caktuar për të fituar mbështetje politike, ndërkohë që lihen jashtë mundësi financimi sektore të tjerë me potencial zhvillimi të madh për ekonominë. Ky është një rrezik real në Shqipëri, ku ka pasur më parë tendenca të shpenzimeve publike për interesa politike.
Për të shmangur këto rrisqe, është e nevojshme që Banka Zhvillimore të krijojë një strukturë të fortë të qeverisjes dhe menaxhimi, duke u siguruar që mbështetja financiare të jetë objektive dhe e bazuar në nevoja reale të sektorëve që janë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Duhet të ketë një sistem mbikëqyrës të pavarur, që do të monitoronte dhe auditonte përdorimin e fondeve për të siguruar që ato të përdoren për qëllime të drejtë dhe të përcaktuara në mënyrë të qartë.
Në një kontekst të tillë, është e rëndësishme që Shqipëria të mësojë nga eksperiencat e vendeve të tjera si Serbia, ku janë ndërmarrë hapa për të krijuar mekanizma mbikëqyrjeje dhe auditimi për të parandaluar ndikimin politik në financimet publike dhe për të siguruar një veprim të paanshëm të Bankës.
Funksionet dhe ndikimi i Bankës Zhvillimore
Një nga funksionet kyçe të Bankës Zhvillimore është ofrimi i financimeve dhe garancive për projekte që mund të jenë të pamundura për t’u mbështetur nga bankat komerciale. Ky funksion është veçanërisht i rëndësishëm për realizimin e projekteve strategjike që janë të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës. Megjithatë, duhet të sigurohet që ky proces të jetë i mbikëqyrur dhe të përmbushë standarde të qarta për selektimin e projekteve, për të shmangur keqpërdorimet dhe abuzimet me fonde.
Në Shqipëri, informaliteti mbetet një problem thelbësor që pengon zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Sektori i informalitetit përfshin biznese që nuk deklarojnë të ardhurat e tyre dhe nuk paguajnë taksa, duke krijuar një hendek të madh mes të ardhurave të deklaruara dhe atyre reale. Banka Zhvillimore mund të ndihmojë në mbështetje të projekteve formale që krijojnë mundësi për reduktimin e informalitetit, por kjo kërkon një angazhim të fortë nga ana e institucioneve shtetërore dhe një sistem të fortë mbikëqyrjeje.
Nëse financimet e Bankës Zhvillimore drejtohen vetëm në sektorët e formalizuar dhe nuk ndihmojnë në integrimin e bizneseve informale, do të krijohet një hendek më i thellë mes sektorëve të formuar dhe atyre informale. Ky hendek mund të përkeqësojë konkurrencën, duke ndihmuar vetëm ata që janë pjesë e ekonomisë formale dhe duke anashkaluar bizneset që janë ende pjesë e informalitetit.
Për këtë arsye, BZH duhet të zhvillojë një qasje që stimulohet integrimin gradual të bizneseve informale në sistemin financiar, duke ofruar mundësi dhe mbështetje për këto biznese të cilat mund të kalojnë në sektorin e formalizuar.
Për të shmangur problemet që mund të lindin, si përdorimi i keq i fondeve përmes lidhjeve politike, përshtatja me kontekstin ekonomik, projekt-ligji duhet të ofrojë një kuadër të qartë mbi kriteret e selektimit dhe monitorimit të projekteve. Suksesi i Bankës do të varet nga mbikëqyrja e saj dhe implementimi i një sistemi të fortë auditimi, siç ndodh në vendet e Bashkimit Europian si Franca, e cila ka një proces të qartë të selektimit të projekteve dhe mbikëqyrje të rreptë për përdorimin e fondeve.
Përfitimet nga nxitja e eksporteve dhe mbështetja për sektorët ekonomikë
Banka Zhvillimore ka mundësinë të nxisë eksportet dhe të mbështesë sektorët me potencial të madh për të rritur konkurrencën në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, një nga sfidat kryesore mbetet mënyra se si projekt-ligji do të adresojë mbështetjen për sektorët eksportues dhe identifikimin e atyre që mund të kenë potencial. Pa një qasje të strukturuar dhe të qartë, mund të ketë gabime në shpërndarjen e fondeve, duke dëmtuar sektorët që kanë më shumë mundësi për rritje në tregjet ndërkombëtare.
Një tjetër rrezik i rëndësishëm është se Banka Zhvillimore mund të krijojë mundësi financimi për projekte që nuk janë konkurrueshëm dhe që nuk kontribuojnë në rritjen e sektorëve prodhuesë që kanë potencialin për të rritur konkurrencën. Përdorimi i fondeve për financimin e projekteve të cilat nuk janë të bazuara në një model konkurrueshëm mund të sjellë efekte negative për ekonominë afatgjatë.
Nëse financimet e Bankës Zhvillimore ndihmojnë vetëm sektorë të caktuar që janë të mbështetur nga politikat e ngushta të qeverisë dhe nuk krijojnë mundësi për një konkurrencë më të gjerë dhe më të drejtë në treg, mund të ndodhin shtresa të reja të privilegjuara që do të kenë akses të lehtë në financa dhe mbështetje, ndërkohë që bizneset e tjera do të mbeten jashtë.
Për të shmangur këtë, BZH duhet të përqendrohet në mbështetje të bizneseve dhe sektorëve që kanë potencial të krijojnë vlera reale ekonomike dhe të përmirësojnë konkurrencën në treg me synim eksportin. Kjo mund të bëhet përmes një analize të thelluar të sektorëve dhe duke vlerësuar mundësinë e tyre për të zhvilluar produktivitetin dhe për të rritur eksportet.
Në këtë drejtim, mund të merren mësime nga agjencitë zhvillimore në Poloni dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, të cilat kanë krijuar mekanizma të fortë për mbështetje dhe orientim të bizneseve për hyrje në tregjet ndërkombëtare.
Një tjetër problem që mund të lindë është integrimi i projekteve që janë të paqëndrueshme ose që nuk kanë një bazë të fortë ekonomike. Kjo mund të ndodhë nëse Banka Zhvillimore ofron financim për sektorë që kanë rreziqe të larta, si bujqësia pa mekanizma të qëndrueshëm ose investime që nuk përputhen me nevojat e tregut.
Për të minimizuar këto rreziqe, duhet të krijohet një sistem rigoroz vlerësimi të projekteve përpara se ato të financohen. Banka Zhvillimore duhet të angazhohet në ndihmën e sektorëve që kanë potencial të zhvillohen dhe të krijojnë mundësi për rritjen e konkurrencës dhe të zhvillojnë tregje të reja, si dhe të ndihmojnë në rritjen e integrimit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.
Sfida të mundshme dhe humbja e mbështetjes politike
Banka Zhvillimore mund të përballet me disa sfida serioze që mund të ndikojnë në performancën e saj dhe që kërkojnë një vëmendje të veçantë për të ruajtur mbështetje politike dhe stabilitet financiar. Një sfidë që mund të përballet Banka Zhvillimore është humbja e mbështetjes politike nëse ndodhin vonesa në realizimin e projekteve ose ndodhin probleme me buxhetin. Ky rrezik mund të krijojë pasiguri për sektorët privatë dhe ndërkombëtarë, të cilët mund të bëhen të kujdesshëm në investime për shkak të situatës ekonomike dhe politike të paqartë. Bashkëpunimi dhe partneriteti me institucione të besuara ndërkombëtare, si Cassa Depositi e Prestiti, për të siguruar që fondet e investuara të kenë një ndikim të qëndrueshëm mund të ofrojë jo vetëm siguri (jo garanci) financiare, por gjithashtu mund të ofrojë mbështetje teknike dhe njohuri në menaxhimin e projekteve të mëdha. Kjo është mëse e vërtetë, pasi mbi të gjitha, BZH do të ketë nevojë për një menaxhim të mirë dhe transparencë në përdorimin e fondeve për të siguruar që investimet të shërbejnë për zhvillimin afatgjatë dhe jo për interesa politike të ngushta.
Me kalimin e kohës, Banka Zhvillimore duhet të zhvillojë mekanizma që mund të parandalojnë dhe menaxhojnë rreziqet e pasigurisë politike dhe ekonomike. Kjo mund të përfshijë politikat e diversifikimit të investimeve, krijimin e mundësive të zgjerimit të partneriteteve dhe krijimin e strukturave që mbështesin qëndrueshmërinë afatgjatë.
Në përmbledhje, sfidat që përmenden kërkojnë një menaxhim të kujdesshëm dhe një vizion afatgjatë për të siguruar që Banka Zhvillimore të ruajë besimin e investitorëve dhe mbështetje politike dhe të bëjë përpjekje për të zhvilluar sektorin ekonomik në një mënyrë të qëndrueshme dhe të paanshme.
Banka Zhvillimore e Shqipërisë ka mundësinë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit, por kjo mundësi është e shoqëruar me rrisqe të konsiderueshme politike dhe financiare. Informaliteti, mungesa e një modeli konkurrueshëm dhe mundësia e përdorimit të fondeve për qëllime politike janë sfida të mëdha që duhet të trajtohen me seriozitet. Kjo kërkon një angazhim të fortë nga qeveria dhe institucione të pavarura, për të siguruar që Banka Zhvillimore të funksionojë si një instrument efektiv për zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e konkurencës në ekonomi.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.