Ndikimet ekonomike që prekin Europën në kushtet aktuale dhe efektet e luftës tarifore me SHBA
Presidenti Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave ndaj mallrave të importuara nga Bashkimi Europian (BE), duke argumentuar se partnerët europianë nuk po e trajtojnë Amerikën në mënyrë të drejtë. Ai ka deklaruar gjithashtu se do të vendosë tarifa edhe ndaj Britanisë së Madhe, por pa dhënë një afat të saktë kohor për zbatimin e tyre.
Vendosja e këtyre tarifave duket se është pjesë e një strategjie më të gjerë ekonomike dhe tregtare, që ka disa objektiva kryesorë:
– Rritjen e prodhimit vendas. Presidenti Trump ka pohuar se tarifat do të shërbejnë për të mbështetur prodhimin e brendshëm amerikan duke bërë që konsumatorët dhe bizneset të favorizojnë prodhimet kombëtare ndaj atyre të importuara. Kjo politikë synon të rrisë punësimin në sektorin industrial dhe të krijojë një zinxhir më të qëndrueshëm furnizimi brenda SHBA-së.
– Përdorimin e tarifave si mjet presioni në marrëdhëniet tregtare. Strategjia e tarifave është pjesë e një qasjeje më të gjerë të administratës Trump për të detyruar vendet e tjera të rinegociojnë marrëveshjet tregtare në favor të SHBA-së. Ai beson se këto masa janë efektive për të bindur vendet e tjera të bëjnë lëshime të rëndësishme në negociata, duke përmirësuar bilancin tregtar amerikan.
– Sigurimin e të ardhurave shtesë për shërbime publike dhe uljen e borxhit kombëtar. Tarifat mund të krijojnë një burim të ri të ardhurash për qeverinë federale. Presidenti Trump ka argumentuar se këto të ardhura mund të përdoren për të financuar shërbimet publike ose për të reduktuar borxhin kombëtar, që ka qenë një problem i vazhdueshëm për ekonominë amerikane.
Megjithatë, kjo qasje proteksioniste nuk është pa pasoja, pasi vendet e prekura mund të ndërmarrin kundërmasa, duke shkaktuar efekte dytësore në ekonominë globale dhe atë amerikane. Efektet kryesore të pritura nga kjo luftë tarifash përfshijnë:
– Efekte negative për konsumatorët amerikanë. Edhe pse Presidenti Trump ka pranuar se tarifat mund të kenë pasoja afatshkurtra për konsumatorët, ai argumenton se përfitimet afatgjata do të jenë më të mëdha. Megjithatë, rritja e çmimeve të produkteve të huaja do të ndikojë drejtpërdrejt tek konsumatorët, të cilët do të duhet të paguajnë më shumë për mallrat e importuara. Sipas një studimi, tarifat e propozuara nga administrata Trump mund t’i kushtojnë një familjeje mesatare amerikane rreth 2,600 dollarë më shumë në vit. Për më tepër, shumë prodhues amerikanë varen nga importet e lëndëve të para, dhe rritja e kostove të tyre do të ndikojë në çmimet përfundimtare të produkteve, duke reduktuar fitimin dhe konkurrencën.
– Rritje e çmimeve të mallrave të huaja dhe mundësi hakmarrjeje nga vendet e prekura. Tarifat do t’i bëjnë produktet e importuara më të shtrenjta në tregun amerikan, duke favorizuar prodhimin vendas. Por kjo do të mund të shkaktojë kundërmasa nga vendet e tjera, të cilat mund të vendosin tarifa të ngjashme ndaj mallrave amerikane, duke dëmtuar eksportuesit amerikanë dhe duke ndikuar në ekonomitë e tyre. Në një skenar të tillë, SHBA-ja mund të përballet me një luftë tregtare të zgjeruar, me efekte negative në disa sektorë kryesorë të saj.
– Dëmtimi i ekonomive europiane në kushtet e krizës post-çmimeve dhe luftës në Ukrainë. Europa tashmë përballet me pasoja të rënda ekonomike pas krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, e cila çoi në rritje të kostove të lëndëve të para dhe energjisë për sektorin industrial. Nëse SHBA vendos tarifa ndaj BE-së, ekonomia europiane do të përballet me dy sfida të mëdha: një treg më të kufizuar për eksportet europiane dhe rritjen e kostove të mallrave amerikane që importohen, duke përkeqësuar inflacionin në Europë.
- Sektori i automobilave, teknologjisë dhe bujqësisë europiane mund të preket rëndë, pasi SHBA është një treg i rëndësishëm për eksportuesit europianë. Një rritje e tarifave do të ndikojë në konkurrueshmërinë e kompanive si Mercedes, BMW, Volkswagen dhe prodhuesit e teknologjisë si Siemens apo kompanitë farmaceutike europiane, të cilat varen nga tregu amerikan për një pjesë të madhe të të ardhurave.
- Kina si aktor ndërhyrës: Ndërkohë, Kina po përpiqet të shfrytëzojë këtë situatë për të forcuar pozicionin e saj në tregtinë globale. Duke qenë se lufta tarifore mes SHBA dhe BE mund të çojë në ulje të investimeve amerikane në Europë, Pekini mund të hyjë si partner alternativ për disa sektorë strategjikë europianë. Por varësia e Europës nga Kina mbart rreziqe të tjera afatgjata, pasi Kina është e njohur për praktikat e saj të padrejta tregtare dhe për shfrytëzimin e marrëdhënieve ekonomike për avantazhe gjeopolitike.
– Rënie e aksioneve globale dhe forcimi i dollarit. Shpallja dhe zbatimi i tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet financiare globale. Investitorët mund të reagojnë negativisht ndaj pasigurisë së krijuar nga politikat proteksioniste, duke shkaktuar luhatje të aksioneve dhe një tendencë për të kërkuar monedha të sigurta si dollari amerikan. Kjo do të çonte në forcimin e dollarit, duke ndikuar më tej në konkurrueshmërinë e eksporteve amerikane në tregjet ndërkombëtare. Për BE-në, një dollar më i fortë nënkupton rritje të kostove për blerjet nga jashtë dhe vështirësi për kompanitë europiane që operojnë në tregje ndërkombëtare.
Politika e tarifave të Presidentit Trump është dukshëm një strategji direkte dhe agresive që synon të mbrojë dhe të forcojë ekonominë amerikane përmes proteksionizmit. Megjithatë, në një mjedis global tashmë të paqëndrueshëm për shkak të krizave të njëpasnjëshme, tarifat mund të kenë efekte shumë më të thella, duke dëmtuar ekonominë europiane, duke krijuar hapësira për ndërhyrjen e Kinës dhe duke ndikuar negativisht në tregjet financiare globale.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.