Mosndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe efekti në buxhetin e familjeve dhe të shtetit
Në Gjermani, çmimi i shitjes me shumicë për energjinë elektrike (i paguar nga tregtarët e energjisë në treg) u trefishua në vitin 2021 në një mesatare prej 97 euro për megavat-orë (MWh) krahasuar me një vit më parë, duke arritur nivelin më të lartë në 20 vite, sipas Institutit të Ekonomisë së Energjisë në Universitetin e Këlnit (EWI), i cili e zbulon në një analizë[1].
Po në Shqipëri çfarë po ndodh?
Kerkesa per energji në vitin 2021 nuk pati rritje të dukshme, duke e pare kete faktor jo ndikues në rritjen e çmimit në Shqipëri, ndryshe nga vendet e ndryshme të botës që ishte e kundërta. Nga ana tjetër, nisur nga përvoja që duhet të ishte krijuar në zbatim të Planit të Menaxhimit të Rriskut Klimaterik, 2018[2], qëllimi i të cilit është ndërgjegjësimi rreth për t’iu përgjigjur ndikimeve të ndryshimit të klimës në operacionet e KESH, është vendimtar për sigurimin e furnizimit me energji elektrike në vend na ndërgjegjëson se nga aspekti menaxherial, por edhe politik i Ministrisë ka patur pak vëmendje në zbatimin korrekt të tyre.
Por, në periudhën e vjeshtës dhe në vijimësi, kur bursat e energjisë elektrike u shtrenjtuan në nivele maksimale, interesi i tregut duket se doli me përfitim të madh për kompanitë private, të cilat e shitën energjinë me çmimet e bursës së huaj, ndërsa KESH zotëronte rezerva ujore jo të mjaftueshme edhe pse mund të ndikonte sadopak në këtë zbutje.
Nisur nga fakti që reforma për tregun e energjisë nuk është kryer sipas afateve[3] dhe ka ngadalësim të ecurisë së saj[4] pati ndikimin e vet në mënyrën se si u mbart menjëherë kriza ndërkombëtare në tregun shqiptar, të cilin e gjeti me pak rezerva për prodhim (menaxhimi rriskut klimaterik ka funksionuar jo mirë), me një plan konsolidimi financiar të mbetur në pjesë të mëdha të tij në letër[5], si dhe një mungesë në diversifikimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme, që nëse do të kishte evoluar në zbatim sipas Strategjisë së Energjisë[6] do të ndikonte në pjesën e vet për një ndikim më të vogël të krizës energjetike
Rritja e çmimeve të energjisë ka ndodhur në vitin 2022 me liberializimin e tregut për 6% të bizneseve aktive të vendit duke dhënë ndikim në të ardhurat, shpenzimet dhe kursimet e tyre, por edhe në normën e inflacionit që e kanë përcjellë në tregun shqiptar dhe të huaj. Kjo dalje në tregun e lirë u bë në kohën e rritjes së çmimeve të tregut të importit, por edhe të pamundësisë për të blerë brenda vendit me çmime më të ulta se ky treg.
Ndërkohë, për familjet buxheti i shtetit është garanti për të paguar pjesën e ngrirjes së çmimit nga efektet që ka rezervuar tregu i lirë prej vitit të kaluar.
Të ardhurat reale të familjeve janë rritur më pak[7] duke ndikuar në rritjen e kostos së jetesës[8] në vitet e fundit sesa do të rriteshin nëse çmimet e karburanteve nuk do të ishin rritur ndjeshëm.
Nëse tregu jonë do të pranonte edhe një rritje të çmimeve të energjisë për familjarët shqiptarë, me normat e rritjes së tregut a duhet të kishim një situatë shumë të rënduar të ekonomive familjare?
Në radhë të parë, prodhimi i energjisë elektrike është ende në nivelin 60% të totalit të vendit[9], element me ndikim të padiskutueshëm edhe në çmimin e shitjes së energjisë në tregun shqiptar. Kjo do të thotë, se përtej tarifave të prodhimit, transmetimit dhe furnizimit dhe shpërndarjes (përjashtuar disa tarifa që paguhen direkt nga konsumatorët) çmimi i energjisë është më i lirë me të paktën 5.5 herë më pak se çmimi i energjisë që tregtohet dhe blihet në bursat e huaja.
Por, që këto tarifa të kuptohen edhe nga familjarët do të duhet të nisemi nga historiku i tarifave, të cilat asnjëherë nuk janë miratuar nga ERE në nivelin e kërkuar nga kompanitë publike. Në realitetin ekonomik të kompanive, kërkesat nuk lidhen vetëm me llogaritjet që bëjnë atoë, por edhe me problemet ende të pazgjidhura ndër vite.
Këto kosto të borxheve të këqia mes tyre, të kredive dhe borxheve nga buxheti i shtetit janë kosto të shtuara. Nëse jo, atëherë sipas Planit të Konsolidimit Financiar të Sektorit të energjisë elektrike duhet të ishin kryer investimet e duhura dhe humbjet do të ishin ulur dhe të mos paguheshin nga publiku nëpërmjet formave të ndryshme të daljes me çmime në treg.
Nga ana tjetër, rritja e numrit të punonjësve në kompaninë publike të furnizimit dhe shpërndarjes me të paktën 30% më shumë punonjës në dekadën e fundit shton pikërisht kostot, të cilat pastaj mbulohen me lekët që duhet të shkonin për investimet e rrjetit dhe infrastrukturës së mirëmbajtjes, por edhe për të investuar në mënyrat e reja të shpërndarjes së energjisë.
Duke mos u bërë këto investime dhe duke u rritur shpenzimet e kompanive me të paktën 5-6% të çmimit final, atëherë të gjitha këto duke i shtuar edhe mosfutjen në kohën e planifikuar të investimeve dhe efektivizimit të sektorit të shpërndarjes së energjisë e ka rritur me të paktën 2-3% më shumë koston që duhej të ishte pjesë e çmimit final (në rast se do të lihej i lirë nga qeveria).
Nëse qeveria tashmë do të kishte liberalizuar çmimin e energjisë elektrike për familjarët kjo kosto direkte e faturës me 50% më shtrenjtë për Evropën (por më e vogël për Shqipërinë që prodhon deri 60% të nevojave për konsum) padyshim që nuk do të mbahej për shumë gjatë nga shumica e tyre, për arsye të nivelit të ulët të jetesës në Shqipëri.
Në fund të fundit fatura e çmimit të rritur të energjisë do të kishte një kosto buxhetore vjetore për subvencione për familjet në nevojë dhe ata që nuk përballojnë dot rritjen me të paktën 10% të shpenzimeve gjithsej të buxhetit vjetor (kosto afër 50 miliard lekë). Por, një rritje e tillë e shpenzimeve ndikon në performancën buxhetore dhe detyrimisht do të merrte fonde nga pagesat e planifikuara për kontratat e infrastrukturës dhe investimeve kapitale, të cilat aktualisht arrijnë sa 21% e gjithë shpenzimeve buxhetore (128 miliard lekë, ose 1.05 miliard Euro).
Buxheti nuk mundet dot ti pezullojë kontratat dhe shërbimet që ka në proces edhe pse mundet të mos hyjë në marrëveshje të reja, për sa kohë ekonomia vërtitet në një rritje çmimesh që nuk po ndalet.
Por, le ta analizojmë energjinë elektrike të lidhur me politikat energjetike që kanë në objekt të tyre lëndët djegëse.
Rritja e çmimit të karburanteve në Shqipëri nuk ndodhi nga kërkesa më e madhe e ekonomisë dhe industrisë për karburant si rezultat i zhvillimit të ekonomisë.
Padyshim kjo ka ndodhur si skenar në shume vende të Europës, por jo në Shqipëri. Kjo është një arsye e fortë pse nuk mund të krahasohemi për arsyet e rritjes së çmimeve me këto vende. Çmimet e karburanteve kanë një rritje të dukshme, për arsye të monopolit që ka buxheti i shtetit dhe kompanitë e mëdha, të cilat kanë ndikim kryesor në mosuljen e çmimit të produkteve brenda vendit, me arsyen e mirë fiskale, se të ardhurat e fituara nga kjo rritje do të shkojnë në funksion të konsumit, pra njerëzve në nevojë.
Në një lexim të treguesve buxhetorë të 5-mujorit 2022[10], shihet se pesha e shpenzimeve për pensionet (u indeksua nga 1 Prilli), papunësinë, ndihmën ekonomike, bonusin e lindjeve është rritur me 3.2% më shumë se 5-mujori i vitit 2021 (shpenzohej 40.8% e buxhetit vjetor, ndërsa shpenzohet 44% e shpenzimeve të buxhetit 5-mujor). Ndërkohë, të ardhurat e 5-mujorit janë rritur me 6.6% më shumë se 5-mujori i vitit të kaluar. Pra nga një bilanc i thjeshtë midis të ardhurave dhe shpenzimeve duket se 3% tjetër duket se është orientuar për shpenzime të tjera.
Në dallim nga kostoja e karburanteve, të cilën e paguajnë vetëm qytetarët, koston e rritjes së energjisë nëse do të ndodhte (përtej asaj që po paguan një pjesë shumica e bizneseve që kanë dalë në treg të lirë) do ta paguante padyshim buxheti i shtetit.
Në fakt, nga reforma në sektorin energjetik, këtë kosto shtesë mund ta mbante si barrë (një pjesë të saj) nga faturat e arkëtuara edhe vetë kompania e shpërndarjes. Por kjo do të duhej të programohej në kohën kur reforma e energjisë filloi të ndryshonte realitetin e dëmshëm të trashëguar nga qeveria e mëparshme dhe të kishte krijuar rezerva financiare të menaxhueshme për këto kohë.
Nisur nga fakti se fonde rezervë për përballimin e krizës së çmimeve nuk ka, atëherë qeverisë i intereson më shumë të përfitojë të ardhura nga rritja e çmimit të karburantit dhe produkteve të tjera, edhe pse në kushtet kur informaliteti prish përherë planet e konsolidimit të të ardhurave.
Rritja e çmimit të energjisë së importit në ekonomi do të ishte i matshëm me një efekt sa 40% e ndikimit që ka aktualisht rritja e çmimit të karburanteve në bizneset e vogla dhe pak më pak në familjet shqiptare. Por në këtë krahasim, karburantet kanë një përdorim shumë më të gjerë, jo vetëm për familjarët, por edhe te transporti dhe kostot zinxhir në produktet e çmimeve ushqimore dhe industriale që përdoren nga familjarët dhe bizneset.
Ndërkohë rritja e çmimit të energjisë, me gjasa do të ulte konsumin duke ndikuar në më pak të ardhura për kompaninë e shpërndarjes së energjisë (OSSH) dhe efektet pasuese nga ky pakësim të ardhurash do të thonë një situatë financiare më pak e sigurt për të përballuar tregun e huaj me luhatjet e tij në të ardhmen. Në kushtet, kur bursa shqiptare e energjisë nuk është hapur dhe është në tejkalim të afateve të përcaktuara nga qeveria, atëherë pasiguria mund të rritet edhe më shumë. Kjo do të thotë më shumë varësi të kompanive publike nga buxheti, por edhe më shumë lekë që ikin nga programet sociale dhe projektet për investime. Një situatë e tillë shkak-pasojë është një imazh shumë zhgënjyes edhe në lidhje me ecurinë e reformës së ernergjisë, e cila është një nga reformat me të cilat qeveria socialiste përballet në debatet politike dhe popullore.
Ndikimi i rritjes së çmimit të energjisë ka të paktën 60% më pak ndikim në xhepat e familjeve dhe ekonomisë së bizneseve të vogla nga sa ka rritja e çmimit të karburanteve dhe gjithë prdoukteve të tjera të ndikuara nga kjo rritje.
Me rritjen e kostove të jetesës do të hapeshin diskutime, debate dhe dialogje politike lidhur me qeverisjet dhe reformat ende të pakryera, të tilla si: minimumi jetik, si dhe politikat e mbrojtjes sociale sipas indeksimit të prejardhur prej inflacionit edhe më të rritur se sa është aktualisht.
Nga ana tjetër, nisur nga pesha që mban rritja e çmimit të energjisë në llogaritjet e inflacionit është një moment aspak i dëshiruar për asnjë qeveri, që i ka bërë detyrat e saj jo sipas premtimeve zgjedhore dhe programit politik. Kjo do të ishte në disavantazh politik duke favorizuar ndryshime të panjohura në hartën e re politike dhe zgjedhore.
Nëse do të kishte një çmim të rritur të energjisë për familjarët, atëherë norma e inflacionit që llogaritet nga INSTAT do të ishte jo vetëm më e larta në rajonin e Ballkanit, por edhe më gjerë.
Një rritje e normës së inflacionit do të ndikonte direkt në rritjen e ndihmës për politikat sociale, por edhe indeksimin e pensioneve dhe gjithë sa lidhet me pjesën e subvencioneve dhe që janë angazhime të politikave qeveritare.
Pra, kosto buxhetore në rast të rritjes së çmimit të energjisë e dëmton balancën e buxhetit më shumë se mund të dëmtonte qytetarin, pasi qeveria nuk do të hiqte dorë nga qytetari për sa kohë kjo kosto lidhet direkt me detyrat e saj të menaxhimit të shtetit dhe burimeve të tij.
[1] https://www.cleanenergywire.org/factsheets/energy-crunch-what-causes-rise-energy-prices
[2] http://www.kesh.al/wp-content/uploads/2020/05/PLANI-I-MENAXHIMIT-TË-RISKUT-KLIMATIK-2018.pdf
[3] http://www.kesh.al/wp-content/uploads/2022/02/3-MODELI-I-TREGUT-TË-ENERGJISË-ELEKTRIKE-VKM-NR.519-VITI-2016.pdf
[4] https://documents1.worldbank.org/curated/en/099145006132235690/pdf/P144029006c4850440b2d90d00503331e3e.pdf
[5] http://www.kesh.al/wp-content/uploads/2022/02/8-PLANI-I-KONSOLIDIMIT-FINANCIAR-TE-SEKTORIT-PUBLIK-ELEKTROENERGJETIK.pdf
[6] http://www.kesh.al/wp-content/uploads/2022/02/6-STRATEGJIA-KOMBETARE-E-ENERGJISE-PER-PERIUDHEN-2018-2030.pdf
[7] https://siu.scan-tv.com/60-e-familjeve-jetojne-me-vetem-327-euro-ne-muaj-te-ardhurat-mujore-te-20-me-te-pasur-1555-euro-ne-muaj/
[8] https://www.classlifestyle.com/news/47468/kostoja-e-jeteses-ne-shqiperi-nga-me-te-shtrenjtat-ne-rajon/
[9] http://www.instat.gov.al/media/9633/bilanci-i-energjis%C3%AB-elektrike-2021.pdf
[10] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/06/Treguesit-analitik-fiskal-MAJ-2022-13.06.2022.pdf
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.