Ligji për Investimet Strategjike apo anatomia e një dështimi të planifikuar

Ligji për Investimet Strategjike apo anatomia e një dështimi të planifikuar

Dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Investimet Strategjike, Shqipëria ndodhet jo përballë një reflektimi, por përballë një pasqyre të zymtë që nuk mund të shmanget më.

Shqipëria ndodhet përballë një bilanci të hidhur dhe një pyetjeje thelbësore:

  • A i ka shërbyer ky ligj interesit të zhvillimit kombëtar apo interesave të ngushta klienteliste?

Përgjigjja, në dritën e të dhënave, është tronditëse.

Ky ligj nuk ka qenë një motor zhvillimi ekonomik, por një instrument i përsosur për deformimin e tregut, favorizimin politik dhe rishpërndarjen selektive të pasurisë publike.

Kur u miratua në vitin 2015, ligji u paraqit si një mjet tranzitor për të tërhequr kapitalin e madh në sektorët strategjikë, si: energji, bujqësi, industri, infrastrukturë.  

Pra, ky ligj i menduar si instrument nxitës për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, ka devijuar thellësisht nga objektivat e shpallura. Ajo që filloi si një përpjekje për të tërhequr kapital të huaj dhe për të transformuar sektorët prodhues, është shndërruar në një skemë të institucionalizuar për favorizim klientelist, përqendrim të investimeve në sektorë me kthim të shpejtë financiar dhe përjashtim nga rregullat e barabarta të lojës.

Ligji, që në konceptim u prezantua si një zgjidhje e përkohshme, është zgjatur pesë herë në mënyrë të përsëritur, duke u shndërruar në një kanal të vazhdueshëm për lehtësimin selektiv të interesave ndërtimore, kryesisht në turizmin bregdetar.

Rezultati është domethënës.

Nga të gjitha investimet e miratuara, vetëm dy janë të huaja, vetëm një në bujqësi, ndërsa mbi 80% e projekteve lidhen me pasuri të paluajtshme (apartamente, hotele dhe resorte). Kjo e dhënë e thjeshtë është më e fortë se çdo analizë.

Nuk ka pasur përpjekje për të përmbushur qëllimet fillestare, por ka pasur vetëm përpjekje për t’i përdorur dispozitat e ligjit për qëllime të tjera.

Më shqetësuesja është se ky devijim nuk është rastësor.

Ligji ka pësuar një zhbërje të brendshme konceptuale, ku përkufizimi i “investimit strategjik” është zgjeruar dhe banalizuar deri në atë pikë sa një kompleks apartamentesh buzë detit konsiderohet strategjik për zhvillimin kombëtar.

Në vend që të tërhiqte kapital ndërkombëtar, ligji ka mbështetur aktorë të brendshëm që kanë përfituar lehtësira të jashtëzakonshme për të anashkaluar procedurat ligjore, për të ndërtuar në zona të mbrojtura ose me konflikte pronësore, dhe për të marrë akses në tokë publike pa konkurrencë reale.

Një analizë e thelluar e periudhës 2021–2024 tregon se ky ligj nuk ka ndikuar realisht në rritjen ekonomike përmes sektorëve prodhues. Investimet e supozuara në energji, transport apo bujqësi nuk janë realizuar ose kanë mbetur në letër.

Ndërkohë, rritja e sektorit të turizmit ka prodhuar ndërtim të përqendruar, shpesh informal, pa ndonjë integrim me ekonominë lokale, pa zinxhirë furnizimi nga bujqësia apo industria vendase, dhe mbi të gjitha, pa krijuar formalizim të qëndrueshëm në ekonomi.

Problemet nuk janë vetëm në rezultatet ekonomike, por edhe në cilësinë e procesit.

Kjo është pikërisht forma më e sofistikuar e keqpërdorimit të ligjit: kur retorika zhvillimore mbulon me mjegull përfitimet private dhe përjashtimin nga standardet ligjore.

Për më tepër, ligji ka dështuar të thithë kapital serioz ndërkombëtar.

Kjo nuk ka ndodhur rastësisht.

Pasiguria ligjore, procedurat e politizuara, korrupsioni i perceptuar dhe mungesa e verifikimit të kapitalit kanë prodhuar një klimë mosbesimi.

Në vend që Shqipëria të bëhej konkurruese për investime me cikël të gjatë, me vlerë të shtuar dhe teknologji të përfshirë është kthyer në një mjedis ku investitorët seriozë shmangin angazhimin dhe i lënë terrenin atyre që kërkojnë fitime të shpejta nga ndërtimi dhe rikualifikimi i tokës publike.

Për të qenë të sinqertë, problemi nuk është vetëm në aplikimin e ligjit, por në vetë arkitekturën politike që e ka shoqëruar.

Favorizimet lokale, lidhjet me pushtetin vendor dhe qendror, mungesa e strategjive ndërsektoriale dhe paaftësia e administratës për të përballuar aplikime në sektorë kompleksë kanë krijuar një mjedis ku ligji ka shërbyer më shumë si “instrument shpërndarjeje për miqtë” sesa si politikë kombëtare zhvillimi.

Në disa raste, janë krijuar konflikte serioze me komunitetet lokale dhe janë thelluar tensionet mbi çështjet e pronësisë, çka tregon se ligji nuk është zbatuar as si mekanizëm i drejtësisë ekonomike, por si kanal për përshpejtim të vendimeve të kontestuara.

Në këtë sfond, nuk është vetëm e nevojshme por urgjente që Ligji për Investimet Strategjike të arkivohet, jo si dënim, por si mësim politik për gjithë sistemin. Shqipëria, në kushtet e reja të vitit 2025 dhe përballë Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nuk mund të ecë më me logjikën e privilegjeve selektive dhe të klientelizmit ndërtimor.

Vendit i duhet një kuadër i ri i investimeve, i ndërtuar mbi kritere të qarta, standarde të barabarta për të gjithë, transparencë të plotë, kontroll mbi origjinën e kapitalit dhe mbi të gjitha, një strategji që orienton investimet drejt sektorëve që krijojnë prodhim të qëndrueshëm dhe lidhje ekonomike horizontale e vertikale në territor.

Në të kundërt, Shqipëria do të vazhdojë të ndërtojë resorte që nuk plotësojnë as hotelet, apartamente që nuk mbushen dhe të prodhojë vetëm një lloj rritjeje, atë të pasurive të paluajtshme në duar të pakta, por pa rritje të vlerës së shtuar për shoqërinë.

Por, kjo nuk është zhvillim. Është situate pezullie ekonomike me dekor zhvillimor.

Koha për reforma reale ka ardhur. Shqipëria ka nevojë për një kuadër të ri ligjor për investimet, të barabartë, të hapur, të integruar dhe të kontrollueshëm. Një sistem që mbështet projektet që sjellin teknologji, punësim, eksport dhe zhvillim rajonal dhe jo pasuri të paluajtshme për pakicën e lidhur politikisht.

Nëse kjo nuk ndodh, vendi do të vazhdojë të ecë në boshllëkun midis retorikës së zhvillimit dhe realitetit të shfrytëzimit. Kjo analizë është një thirrje për rishikim të thelluar dhe të sinqertë të politikave të investimeve në Shqipëri. Jo për të ndëshkuar të shkuarën, por për të mos humbur të ardhmen.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.