Investimet e Huaja Direkte dhe ndikimi nga barra tatimore
Shqipëria ka një hyrje të IHD neto (8,3% të PBB) ndër më të lartat edhe pse ka barrë tatimore ndër më të ulëtat (24.4% të PBB). Vendin e parë për thithje të investimeve të huaja në përqindje të PBB-së e mban Mali i Zi edhe për vitin 2016.
Vlerën më të lartë të investimeve e ka marrë Rumania dhe Greqia, nisur edhe për shkak të strukturës së ekonomisë dhe kapaciteteve që u ka ofruar investitorëve të huaj. Nuk ka ndodhur e njëjta logjikë në rastin e Bullgarisë, i cili ka vlera investimesh në nivelin 1.5% të PBB-së, kryesisht për shkak të korrupsionit dhe mungesës së stabilitetit politik.
Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria dhe Greqia kanë patur IHD neto (1.5% – 1.6% të PBB) më të ulta në Ballkan.
Kur analizojmë efektin e barrës tatimore sipas statistikave të investimeve neto në përqindje të prodhimit të brendshëm, vërehet se vendet me IHD më të lartë nuk kanë të njëjtën ecuri me barrën tatimore.
Investimet e huaja direkte mesatare në Ballkan janë sa 3% e PBB-së në nivel rajoni.
Arsyeja e mospërkimit të barrës tatimore, shkallës tatimore dhe investimeve të huaja është pasqyrimi më i mirë i rolit që ka në radhë të parë klima për investime në një vend të caktuar. Politika fiskale ka efektin për të thithur investimet, por kjo ndodh pasi kushtet dhe rregullat për tregun perceptohen nga investitorët sipas indekseve për investim me situata pozitive dhe mbi nivelet mesatare të tyre.
Nga ana tjetër, nevoja për sisteme të zhvilluara të tregut financiar, kapaciteteve të tregut të punës bashkë me nivelin e korrupsionit kanë një tjetër efekt me ndikim në thithjen e investimeve dhe zhvillimin e tregut të brendshëm.
Pas reagimit nga indekset përfaqësuese të treguesve më lart, në përputhje me planifikimin për thithjen e investimeve të huaja vlen të hartohet politika fiskale që përshtat shkallët e taksimit të kapitalit dhe punës sipas nivelit të tregut dhe vizionit për tregun e ardhëm.
Perceptimi se normat e ulta të tatimeve tërheqin IHD ka ndikuar jo pak politikëbërjen në Ballkan në dekadën e fundit. Në teori, nëse një vend aplikon norma të ulta të tatimit mbi fitimin dhe përgjithësisht mbi kapitalin bëhet më tërheqës për tu zhvendosur fitimet e kompanive investitore, pasi ndikon mbi dividentin që mbetet si fitim pas tatimit. Riatdhesimi i fitimit te kompanitë që kanë hapur këto degë të tyre në vendet me norma të ulëta tatimore ndikon edhe në instalimet e shumëkombsheve.
Është pikërisht, kjo politikë e normave të ulta tatimore që është kthyer në një konkurim të fortë midis vendeve të Ballkanit, duke u diktuar të zbatojnë edhe politikat për shmangien e taksimeve të dyfishta dhe adoptimin e parimeve të OECD mbi transferimin e fitimit nëpërmjet çmimit.
Shqipëria dhe Kosova janë të krahasueshme në politikat e tyre me vendet e tjera të Ballkanit, por që gjithsesi kanë problematika të korrupsionit dhe kapaciteteve jo të përshtatshme me mekanizmat që përdoren në sisteme me tatime të ulta.
Por, gjithsesi nga kryqëzimi i treguesve të investimeve, me normat tatimore mbetet e paqartë nëse duhet ulur realisht një normë tatimore me qëllimin për të tërhequr vëmendjen e investitorëve.
Nëse nisemi nga logjika e vendeve të zhvilluara ekonomike, si dhe atyre që po ndjekin ritme të përshpejtuara zhvillimi, mund të vërehet se nëse ekonomia mbështetet mbi një infrastrukturë të zhvilluar, shërbime publike efektive, zhvillohet mbi një treg relativisht të madh, atëherë konkurenca e normave tatimore dhe barrës tatimore fiton avantazhe vetëm kur garantohen apo egzistojnë këto kushte.
Kjo ndodh në numrin më të amdh të vendeve anëtare të OECD, që kanë një barrë të lartë tatimore, por dhe janë shmë efektivë në thithjen e investimeve të huaja.
Një barrë e ulët tatimore nuk mund të kompensojë një ambjent jo tërheqës për investitorët. Kjo ndodh për arsyen se taksat janë vetëm njëri nga elementet që edhe në kushtet e një oferte me taksa të ulëta nuk arrin dot të kompensojë infrastrukturën e dobët, aksesin e dobët në treg si dhe kushte të tjera mbi të cilat bazohet në vendimarrjen e tij një investitor.
Qeveritë ballkanike u janë përgjigjur këtyre presioneve të konkurencës në mënyrë ta ndryshme. Shumë nga vendet kanë ulur normat e tatimit mbi fitimin, si rruga më e shkurtër dhe e monitorueshme lehtësisht për të arritur objektivat për investimet.
Gjithsesi, uljet e normave tatimore kanë tendencën të jenë me kosto të lartë për buxhetin, pasi të ardhurat që i hiqen buxhetit nga politika e uljes së normave të tatimeve në fakt prish konkurencën e ndershme në vend, por kthehet edhe në një barrë të shtuar për segmente dhe grupe të caktuara të tatimpaguesve.
Nga ana tjetër, ulja e normave tatimore kthehet në një kulturë për qytetarët për ti bërë presion qeverive për mbajtjen e një politike të tillë në mënyrë permanente, pa patur egekt në zgjerim të bazës dhe shpërndarjen e barrës në mënyrë të barabartë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.