1. Strategjia e menaxhimit fiskal dhe Strategjitë sektoriale dhe lidhja me procesin buxhetor dhe PBA
Duke qenë se Shqipëria ka mungesë të madhe infrastrukturore krahasuar me vendet e rajonit, autoritetet shqiptare u kanë dhënë përparësi shpenzimeve kapitale, të cilat mbahen në 5 përqind të PBB-së dhe kanë përshpejtuar përdorimin e PPP-ve.
Me gjithë progresin e bërë, vlerësimi dhe përzgjedhja e projekteve të investimit vijon të mbetet e copëzuar në varësi të burimit të financimit të projektit. Do të ndihmonte konsolidimi i proceseve vendimmarrëse dhe forcimi i njësisë për menaxhimin e investimeve publike në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (dukë përfshirë nën të njëjtën kupolë edhe menaxhimin e PPP-ve).
Përfshirja e vlerësimit të riskut fiskal në buxhetet më të fundit është një hap i mirë drejt së ardhmes, i cili ka thelluar dhe zgjeruar mbulimin. Këtu është përfshirë edhe shtrirja e analizës për të mbuluar një gamë më të gjerë risqesh në bilancet e sektorit publik si dhe një analizë më të hollësishme të detyrimeve të mëdha të kushtëzuara, përfshirë ato të ndërmarrjeve shtetërore, qeverisë vendore dhe atyre të parashikuara në kontratat PPP.
Megjithatë, për të rritur besueshmërinë e parashikimeve buxhetore, raporti duhet të përmbajë edhe politikat qeveritare për zvogëlimin e këtyre risqeve.
Në këtë kontekst, si dhe bazuar edhe mbi ndryshimet ligjore për financat vendore nga viti 2017 e deri më sot shikohet si e nevojshme të përmendim se si janë menaxhuar financat publike të Bashkisë Berat, duke marrë në monitorim dhe vlerësim sipas metodoligjisë së auditit social vitin fiskal 2021 dhe me përfshirjen në analizë janë përfshirë edh evite përpara dhe pas 2021 (parashikim).
2. Në kqyrjen e PBA 2021 – 2023 dhe 2022 – 2024 të Bashkisë Berat duke konsideruar edhe strategjitë sektoriale dhe SKZHI II vërehet se mungon lidhja e duhur dhe ndërvarësia mes tyre.
PBA 2021 – 2023 dhe PBA 2022 – 2024 janë formuluar mirë, por sërish mungon lidhja e duhur me strategjitë sektoriale, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, si dhe PBA-në e qeverisë qendrore. Ndryshimet ligjore në vetvete nuk konsiderohen gjithëpërfshirëse mjaftueshëm për ta përmirësuar procesin buxhetor ekzistues, i cili duhet të rrisë fokusin e politikave, besueshmërinë dhe orientimin drejt rezultateve.
Kujdes!
Mungon lidhja e duhur për veprime në terren me strategjitë sektoriale, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, si dhe PBA-në e qeverisë qendrore. Ndryshimet ligjore në vetvete nuk konsiderohen gjithëpërfshirëse mjaftueshëm për ta përmirësuar procesin buxhetor ekzistues, i cili duhet të rrisë fokusin e politikave, besueshmërinë dhe orientimin drejt rezultateve.
Megjithëse nuk mungojnë elementët përbërës të analizës së të ardhurave dhe shpenzimeve duke u konsideruar si përmirësime konkrete në cilësinë e dokumentit të PBA-së duket se ka ende nevojë për përmirësime, pasi fokusi strategjik pengohet nga qasja e kufizuar që i kushton Këshilli Bashkiak procesit të shqyrtimit të PBA-së.
Vini Re!
Në këtë proces mungon zëri i kualifikuar i publikut nëpërmjet ekspertizës së përzgjedhur dhe po ashtu edhe rekomandimet e konsoliduara të oraganizatave të karaktereve të ndryshme. Masat e përfshira në objektivat dhe prioritetet e PBA nuk arrijnë dot të krijojnë një cikël të mbyllur të plan veprimi të lidhur me gjithë masat mbështetëse që janë të nevojshme për t’i vënë në zbatim prioritetet.
Përgatitja e udhëzuesve, rishikimi i strukturave dhe mbivendosjeve, si dhe verifikimi dhe azhornimi i procedurave dhe kryerja e trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve duhet të jenë ndër masat e plota dhe me një kohë të dedikuar për gjithë bashkinë, pasi konsiderohen si ndryshime të rëndësishme të formësimit të plotë të procesit buxhetor.
3. Në procesin e hartimit të buxhetit vjetor dhe PBA , sipas udhëzimit standart të PBA nuk ka përcaktim për pjesëmarrje të ekspertizës së shoqërisë civile apo proces, ku mund të ndërhyjë ekspertiza civile, por thjesht konsultim me publikun.
Sipas standarteve të vendosura në ligjin organik të buxhetit, në udhëzimin për përgatitjen e buxhetit dhe PBA për qeverisjen qendrore dhe atë vendore, por edhe në Strategjinë e mernaxhimit të Financave Publike 2019-2022 , duke konsideruar edhe praktikat vlerësuese standarte të Bankës Botërore për llogaridhënien për shpenzimet dhe financat publike (PEFA) si dhe projekte monitoruese nga organizata vendase dhe të huaja të financave vendore shihet se objektivi i përbashkët për planifikime të buxheteve më transparente për qytetarët si dhe llogaridhënia për shpenzimin e parave publike është ende i papërmbushur.
Nga monitorimi i zbatimit të procedurës së konsultimeve publike për projekt-buxhetin 2022 dhe PBA 2022-2024 në Bashkinë Berat , rezulton të jenë kryer sipas detyrimit të ligjit të buxhetit. Konsultimet janë kryer kryesisht nëpërmjet pyetësorëve online dhe kanë patur në fokus të tyre kërkesat drejtuar qytetarëve lidhur me prioritizimin dhe diversifikimin e fondeve për tu shpenzuar.
Nga Anketimi i bërë nga
Albanian Tax-Economic Center – ALTAX, kur qytetarët u pyetën “Sa shpesh ke marrë pjesë në mbledhjet e këshillit Bashkiak? 88% e tyre na u përgjigjën “Nuk kam marrë pjesë” dhe vetëm 12% e tyre “Nganjëherë”. Ndërkohë, kur i pyetëm “Në çfarë takimesh publike të organizuara nga pushteti vendor keni marrë pjesë?” 24% e tyre kishin marrë pjesë në mbledhjet “Për buxhetin dhe Programin afatmesëm buxhetor” dhe 76% e tyre u përgjigjën “Nuk kam marë pjesë në asnjë takim pasi nuk kisha informacion që do zhvillohej një takim”.
Kjo përqindje e lartë mospjesëmarrje edhe pse nuk mund të quhet e përgjithshme, tregon për një tendencë në këtë bashki.
4. Ndikimi i organizatave dhe shoqërisë civile në parashikimin e të ardhurave vendore (shpërndarjen e barrës tatimore) dhe shpërndarjen e shpenzimeve ka qenë i pandjeshëm dhe pa ndikim.
Në gjithë procesin e konsultimit dhe analizat e pyetësorëve të realizuar mungon ekspertiza e shoqërisë civile dhe profesionistëve. Mënyra e zhvillimit të konsultimit publik (jo vetëm në Bashkinë Berat) nuk mundet të konsiderojë si vendimtare dhe të argumentuara me një studim analitik thjesht reagimet e qytetarëve (sa 0.12% e popullsisë mbi 15 vjeç të Bashkisë), të cilat mbeten një zë i pazëvendësueshëm në formën e përfaqësimit që kanë.
Por, gjatë konsultimit publik duhet të programohet edhe dialogu i bazuar në analiza dhe fakte nga organizata të shoqërisë civile, organizata të biznesit dhe profesionistëve, si dhe organizata të punës, të cilat munden të japin një rekomandim më pranë nevojave të qytetarëve, por edhe munden të jenë monitoruesë potencialë për mënyrën si janë shpenzuar fondet e Bashkisë dhe transfertat e buxhetit të shtetit.
Nëse këto organizata nuk kanë kapacitete e nevojshme për kryerjen e konsultimit, atëherë përpjekja kryesore e qeverisë qendrore dhe qeverisjeve vendore duhet të jetë rrjetëzimi i ekspertizës së shoqërisë civile dhe profesionistëve për të asistuar në koordinim me aktorët vendorë për analiza dhe kalendarë të mirëkoordinuar në funksion të fizibilitetit të buxhetit vendor.
5. Natyra komplekse e çështjeve të buxhetit për qytetarët dhe mungesa e një analize ballafaquese qytetare me fakte dhe argumente ndaj programeve të Bashkisë dhe Qeverisë qendrore kanë nevojë të riformatohen lidhur me orientimin e prioriteteve sipas kërkesës qytetare.
Megjithëse numri i qytetarëve të konsultuar është mjaft i ulët për tu konsideruar si zëri qytetar, duke mos disponuar të dhëna të tjera për analizën e buxhetit, përveç faqes online të Bashkisë (të dhënat online plotësojnë shumicën e informacionit për ta mundësuar analizën tonë) ne mund të shprehemi se:
– programi i destinimit të shpenzimeve për politika sociale nuk ka reaguar sipas kërkesës së renditur si e dyta në prioritetet e të konsultuarve.
– programi i destinimit të shpenzimeve për ndriçimin e rrugëve nuk ka reaguar sipas kërkesës së renditur si e treta në prioritetet e të konsultuarve.
– programi i destinimit të shpenzimeve për sportin, argëtimin, turizmin, pastrimin nuk ka reaguar sipas kërkesave të renditura nga më shumë se gjysma e të konsultuarve si prioritete të tyre.
Sipas Ligjit të Konsultimit Publik , nevojitet që detyrimi për tu konsultuar të ndryshohet duke vendosur kusht që proces-verbalet e konsultimit të jenë të konfirmuara me argumente edhe nga përfaqësuesit e publikut. Kjo qasje ndihmon për një transparencë dhe llogaridhënie efektive në zbatim të këtij ligji, që mbetet ndër instrumentat e pakët për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje.
I gjithë procesi i konsultimit duhet të jetë një periudhë intensive diskutimesh, me një kohë të shfrytëzuar në mënyrë cilësore dhe të ndjekë modelin e buxhetimit me pjesëmarrje .
Ky model duhet të përfshihet në propozimet për ndryshime ligjore për tu bërë pjesë e detyrueshme dhe ndryshuese e modelit aktual të konsultimit publik.
Kujdes!
Dialogu i kualifikuar i qytetarit është i mangët dhe nuk arrin të kërkojë llogari pasi nuk ka ekspertizë të përzgjedhur. Po ashtu edhe rekomandimet e konsoliduara të organizatave të ekspertizave të ndryshme.
Masat e përfshira në objektivat dhe prioritetet e PBA nuk arrijnë dot të krijojnë një cikël të mbyllur të plan veprimi të lidhur me gjithë masat mbështetëse që janë të nevojshme për t’i vënë në zbatim prioritetet.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.