Ekonomia shqiptare 2024, rritje mbi konsum e paga, pa bazë prodhuese të qëndrueshme
Panorama ekonomike e vitit 2024, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT mbi llogaritë jofinanciare sipas sektorëve institucionalë, pasqyron një realitet me dy pamje: nga njëra anë, kemi një ekonomi që rritet në terma nominalë, e nxitur nga konsumi dhe pagat; nga ana tjetër kemi një strukturë ende të dobët, të pambështetur mbi sektorë produktivë dhe me varësi të lartë nga administrata publike dhe aktiviteti vetjak informal i familjeve.
Rritja e vlerës së shtuar bruto (VSB) me 5.81% në 2024, krahasuar me vitin pararendës është indikator sipërfaqësor i gjallërisë ekonomike. Por struktura e kontributit në këtë rritje nxjerr në pah disa dobësi sistemike dhe tendenca të pabarabarta. Sektori jo-financiar (ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në shërbime, tregti dhe prodhim) dhe sektori i familjeve (vetëpunësimi, bujqësia e vogël) përbëjnë më shumë se 86% të VSB-së dhe janë motorët kryesorë të ekonomisë.
Por kjo mbështetje mbi dy sektorë që shpesh operojnë në informalitet ose në kufijtë e produktivitetit e ekspozon ekonominë ndaj pasigurive strukturore dhe eksternaliteteve të tregut.
Kostot e jetesës përballë të ardhurave, një ekuilibër që lëkundet
Një nga treguesit më të dukshëm të dinamikës ekonomike në 2024 është rritja me 18.24% e kompensimit të punonjësve në nivel kombëtar dhe rritja e të ardhurave të disponueshme për familjet me 12.98%. Këto janë zhvillime pozitive, që pasqyrojnë një ritëm më të lartë të shpërndarjes së të ardhurave monetare, por nuk japin një tablo të plotë kur vendosen përballë kostove reale të jetesës.
Sipas vlerësimeve të ndryshme të tregut dhe institucioneve të konsumatorit, kostoja mesatare vjetore e jetesës për një familje me 4 anëtarë në zonat urbane në 2024 ka tejkaluar 1.3 milionë lekë, pa përfshirë shpenzimet për qira apo kredi. Në këtë kontekst edhe rritja dyshifrore e të ardhurave vjetore mbetet insuficiente për shtresat me të ardhura të ulëta, sidomos kur rritja e çmimeve të shportës ushqimore, energjisë dhe qirave kapërceu 9–10% në vitin 2024.
Tre problematika strukturore që dalin në pah nga të dhënat
1. Mbi-përqendrim në sektorët me produktivitet të ulët
Sektori jo-financiar dhe ai i familjeve zënë rreth 86% të VSB, por nuk ka të dhëna të mjaftueshme mbi strukturën e brendshme të këtyre sektorëve, nëse është ndërtim informal, shërbime të ulëta me vlerë të shtuar apo bujqësi e fragmentuar. Kjo e bën ekonominë shqiptare të mbështetet mbi sektorë jo të formalizuar dhe jo të qëndrueshëm, të pambështetur nga inovacioni dhe teknologjia.
2. Rol pasiv i sektorit financiar dhe institucional
Sektori financiar kontribuon vetëm 1.76% të VSB-së, ndërkohë që edhe investimet nga familjet janë simbolike (4.92% e VSB-së). Kjo tregon mospjesëmarrje të sistemit financiar në përshpejtimin e ciklit të investimeve, por edhe mungesë kapaciteti të familjeve për të kursyer dhe akumuluar kapital, gjë që frenon kalimin nga konsumi afatshkurtër në zhvillim afatgjatë.
3. Varësia nga shteti si punëdhënës dhe shpërndarës të të ardhurave
Administrata publike mbulon 27.4% të kompensimit të punonjësve, ndërkohë që përfitimet sociale dhe transfertat zënë një pjesë jo të vogël të të ardhurave të familjeve. Kjo krijon një model ekonomik të varur nga konsumi i financuar publikisht dhe jo nga produktiviteti real apo inovacioni privat.
Çfarë sinjalizon kjo për të ardhmen?
Nëse Shqipëria vijon me një model ku rritja është nominale, e bazuar në paga dhe konsum, ndërsa struktura investuese mbetet e ngushtë dhe e përqendruar, atëherë rrezikohet përplasja mes mirëqenies së perceptuar dhe kapaciteteve reale për ta mbështetur atë.
Kjo përplasje mund të përkthehet në:
- Shtim të varësisë nga borxhi publik për të mbështetur konsumin.
- Rritje të presionit fiskal ndaj sektorëve që janë tashmë të formalizuar.
- Shkallëzimi i pabarazive, sidomos ndërmjet zonave urbane dhe rurale apo ndërmjet shtresave që përfitojnë nga paga dhe atyre që mbijetojnë nga të ardhura mikse ose informale.
Treguesit e fundit statistikorë artikulojnë qartë nevojën për ristrukturim të thellë, jo thjesht për rritje ekonomike.
Në këtë panoramë ekonomioke, të dhënat për 2024 nuk janë as pesimiste, as entuziaste.
Ato janë saktësisht paralajmëruese.
Rritja nominale duhet lexuar jo si tregues i progresit, por si nevojë për thellim të analizës mbi cilësinë e rritjes.
Shqipërisë i duhet një ekonomi që gjeneron të ardhura reale, jo vetëm shpërndan konsum përmes rritjes së pagave. Duhet një politikë ekonomike që nxit investimin produktiv, zhvillimin financiar, dhe mbi të gjitha formalizimin dhe modernizimin e sektorëve që dominojnë VSB-në.
Përndryshe, ekonomia do të vazhdojë të rritet në letër, por të qëndrojë në vend në realitet.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.