Çmimet bien në prodhim dhe import, por jo në jetën e qytetarëve

Çmimet bien në prodhim dhe import, por jo në jetën e qytetarëve

Viti 2025 e gjen ekonominë shqiptare përballë një paradoksi të qartë: çmimet në import dhe prodhim po bien, ndërsa inflacioni për konsumatorin mbetet në rritje. Kjo kontradiktë, që në pamje të parë sfidon logjikën ekonomike, është në të vërtetë një sinjal alarmi për shëndetin strukturor të tregut shqiptar. Në thelb, kemi të bëjmë me një moskomunikim sistemik midis zinxhirit të furnizimit, strukturës së tregut dhe konsumatorit final, i përforcuar nga hije të thella të informalitetit.

Tri këndvështrime – Indikatorët që tregojnë histori të ndryshme

1️ Indeksi i Çmimeve të Importit (IPI)

Me një rënie vjetore prej -0.4% dhe tremujore prej -0.3%, ky tregues tregon qartë se kushtet globale për mallrat e importuara janë zbutur. Ndikimet mund të jenë nga uljet në çmimet e energjisë, kostot e transportit, apo normalizimi i tregjeve pas krizave zinxhirore të viteve të fundit. Në një ekonomi të vogël si Shqipëria, ku importet janë jetike për furnizimin bazë, kjo duhet të përkthehej në ulje çmimesh për konsumatorët.

2️ Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (PPI)

Çmimet në prodhim për tregun vendas kanë shënuar një rritje të lehtë prej +0.4% krahasuar me një vit më parë, por një rënie tremujore prej -0.2%. Ky stabilitet sinjalizon që prodhuesit vendas nuk po përballen me presione të forta inflacioniste dhe kostot e inputeve po stabilizohen. Megjithatë, rritja e lehtë vjetore tregon një ngërç të brendshëm, që mund të vijë nga energjia, kostot e punës apo inputet bujqësore, pa u reflektuar domosdoshmërisht në rritje konkurruese.

3️ Indeksi i Çmimeve të Konsumit (CPI)

Ndryshe nga dy treguesit e mësipërm, inflacioni për konsumatorin është rritur me +2.3% vjetore dhe +0.2% tremujore. Ky fakt i zhvendosur nga prirjet e importit dhe prodhimit tregon një realitet të ndryshëm – konsumatoret shqiptarë nuk po përfitojnë nga lehtësimi i kostove.

Kjo është një situatë anormale. Në një ekonomi që funksionon në mënyrë të strukturuar dhe transparente, rënia e kostove të importit dhe stabiliteti i çmimeve të prodhimit do të përktheheshin natyrshëm në lehtësim të çmimeve për konsumatorin final. Por kjo nuk ndodh. Dhe arsyet janë më të thella se sa një analizë thjesht statistikore.

Përse çmimet nuk bien për qytetarin?

Në këtë pikë hyn aktori i katërt, joformal, por shumë i fuqishëm: ekonomia informale, që përbën rreth 30–35% të PBB-së së vendit. Ky segment i padukshëm dhe shpesh i papërgjegjshëm e ndërpret zinxhirin logjik të transmetimit të çmimeve në ekonomi.

Ja si ndodh kjo në praktikë:

Bizneset informale nuk ndjekin logjikën e çmimeve sipas kostove të importit apo prodhimit, ato vendosin çmimet mbi bazë fitimi arbitrar dhe mbijetese. Nuk kanë obligime fiskale, nuk raportojnë inventar, dhe shpesh vendosin çmime duke spekuluar me perceptimin e konsumatorit.

Konsumatori i pambrojtur paguan më shumë, pa e ditur nëse po blen sipas tregut real apo joformal. Ai nuk ka akses në transparencë çmimesh, nuk ka mbrojtje efektive nga konkurrenca, dhe është peng i një tregu informal që nuk i jep llogari askujt.

Politikat e Bankës së Shqipërisë, të ndërtuara për një sistem financiar dhe treg formal kanë efekt të kufizuar në një realitet ku tregtia zhvillohet masivisht jashtë këtij sistemi. Mekanizmat e zakonshëm të kontrollit të inflacionit, si norma e interesit apo ndërhyrjet monetare nuk i arrijnë këto kanale të paralelizuara.

Ky mos-transmetim tregon se Shqipëria funksionon në dy ekonomi paralele:

  1. Një ekonomi e formalizuar, që ndjek sinjalet e tregut, çmimet ndërkombëtare dhe politikën monetare;
  2. Një ekonomi informale, që ndjek logjikën e vet, të çrregullt dhe shpesh oportuniste.

Nëse pjesa joformale nuk përfshihet në një rrjet transparent dhe të kontrollueshëm, asnjë përpjekje për të ulur inflacionin, për të mbështetur konsumatorin apo për të rritur konkurrencën nuk do të jetë efektive në realitetin e përditshëm të qytetarit.

Çfarë na thonë këta tregues për vijimësinë e 2025?

Ekonomia shqiptare është në një gjendje normalizimi të kostove, por jo të çmimeve reale për konsumatorin. Konsumi i brendshëm rrezikon të ngadalësohet, sepse qytetarët përballen me çmime që nuk pasqyrojnë më realitetin ekonomik edhe pse ka gjallërim gjatë tremujorit të parë.

Kjo situate duket se nuk është vetëm një problem ekonomik, por edhe një problem social, politik dhe institucional.

Një treg informal i madh dëmton besimin në institucionet shtetërore, e bën të vështirë ndërtimin e politikave afatgjata, dhe nxit pasigurinë tek investitorët.

Mbi të gjitha, ky treg është i padrejtë, pasi favorizon vetëm ata që operojnë pa rregulla, ndërsa penalizon konsumatorin dhe biznesin e ndershëm.

Në situatën që jëetojmë prej shumë vitesh në një cikël përsëritës kuptohet qartë se formalizimi i ekonomisë nuk është më thjesht një objektiv fiskal, por një domosdoshmëri për funksionimin korrekt të ekonomisë së tregut.

Pa formalitet, nuk ka drejtësi ekonomike

Në 2025, Shqipëria nuk vuan nga mungesa e kushteve të favorshme makroekonomike, por nga mungesa e ndërveprimit të besueshëm midis prodhuesve, tregtarëve dhe konsumatorëve. Kjo ndërprerje është e ndërtuar mbi informalitetin, fragmentimin dhe mungesën e një rregullimi të fortë të tregut.

Për sa kohë tregu shqiptar nuk do të funksionojë si një zinxhir i integruar e formal, edhe treguesit më pozitivë të prodhimit dhe importit do të humbasin në përkthimin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve. Ekonomia mund të ketë tregues pozitivë në letër, por nëse nuk funksionon kanali i transmetimit nga importuesi dhe prodhuesi te konsumatori, atëherë të dhënat janë vetëm dekor i një realiteti të deformuar.
Në 2025, prioriteti i çdo aktori institucional duhet të jetë të ndërpresë terrenin informal që deformon çdo politikë ekonomike dhe çdo përpjekje për zhvillim të qëndrueshëm.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.