BSH bleu 663 milionë euro, por mungon shpjegimi pse dhe për çfarë?
Në gjashtëmujorin e parë 2026, Banka e Shqipërisë bleu 663.6 milionë euro: 143 milionë përmes ankandeve për rritjen e rezervës, 381 milionë drejtpërdrejt në treg për politikën monetare dhe stabilitetin financiar, dhe 139.6 milionë shtesë nga ankandet e tremujorit të parë.
Ndërhyrjet tregojnë prani të rëndësishme në tregun valutor, por nuk dallojnë qartë sa blihet për rezervë dhe sa për të ndikuar kursin. Operacione me qëllime të ndryshme trajtohen së bashku, duke e bërë të pamundur analizën e tyre të veçantë.
BSH deklaron regjim fleksibël të kursit dhe justifikon ndërhyrjet me shmangien e çrregullimeve, përshtatjen me faktorët makroekonomikë dhe administrimin e rezervave.
Por, nëse forcimi i lekut vjen kryesisht nga faktorë realë, pse ndërhyhet në këto përmasa?
Ku është kriteri që ndan stabilizimin e tregut nga frenimi i qëllimshëm i kursit? Mungesa e një kufiri të qartë dhe të publikuar i bën ndërhyrjet diskrecionale.
Edhe më problematike është mungesa e analizës publike.
Ku është vlerësimi i efektit mbi inflacionin, eksportet, prodhimin vendas dhe konkurrueshmërinë?
Një lek i fortë lehtëson importet, por dëmton eksportuesit. Publikimi tremujor me vonesë ofron vetëm volumin e transaksioneve, jo motivet, pragjet e ndërhyrjes apo rezultatet.
Duke parë se ndërhyrjet e kësaj shkalle nuk shpjegohen me bilancin formal të pagesave dhe flukset e regjistruara, kuptohet se ato zbulojnë që BSh po menaxhon jo ekonominë e deklaruar, por ekonominë informale, paratë e padeklaruara dhe presionet që vijnë jashtë kanaleve zyrtare.
Por, a qëndron perceptini që këto ndërhyrje bëhen të detyruara nga prania e ekonomisë dhe parave joformale?
Nga analizat në vijimësi bazuar mbi të dhënat, vlrehet se në masë të konsiderueshme ndërhyrjet ndikohen nga ekpnomia dhe paraja informale. Argumenti është i thjeshtë dhe i fortë.
Ekonomia formale shqiptare, që përfshin eksportet e regjistruara, investimet e huaja direkte të deklaruara, remitancat bankare dhe turizmi i faturuar nuk prodhon presion të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm mbi kursin për të justifikuar blerje prej gati 664 milionë eurosh në gjashtë muaj.
Nëse flukset zyrtare do të ishin të mjaftueshme dhe të balancuara, kursi do të gjente ekuilibër pa nevojën e ndërhyrjeve të këtilla. Fakti që BSH ndërhyn sistematikisht tregon se presioni real vjen nga jashtë bilancit formal.
Burimet kryesore të këtij presioni janë:
– Ekonomia informale dhe paratë e padeklaruara. Një pjesë e madhe e qarkullimit të monedhës së huaj në Shqipëri nuk kalon nëpër banka. Ndërtimi, tregtia me pakicë, shërbimet dhe disa segmente të turizmit vazhdojnë të funksionojnë me cash në euro. Këto flukse nuk shfaqen në statistikat e bilancit të pagesave, por ndikojnë drejtpërdrejt ofertën e valutës në treg.
– Remitancat e padeklaruara dhe transferimet informale. Një pjesë e dërgesave të emigrantëve ende hyn jashtë kanaleve bankare. Këto para rrisin ofertën e euros pa u regjistruar si fluks formal.
– Kapitali spekulativ dhe “hot money”. Në periudhat kur leku forcohet, investitorët mund të sjellin kapital afatshkurtër në Shqipëri për të përfituar si nga interesat më të larta, ashtu edhe nga mundësia që leku të fitojë më tej vlerë kundrejt valutave të huaja, duke rritur kështu fitimin e tyre në momentin e konvertimit të parave sërish në euro.Ky kapital nuk është investim produktiv, sepse ky është fluksi që banka qendrore e trajton si “çrregullim”, por që në fakt është pasojë e vetë politikës së saj.
– Mungesa e thellësisë së tregut formal. Tregu valutor shqiptar mbetet i cekët. Çdo fluks i madh informal ose spekulativ krijon luhatje që BSH i konsideron “çrregullime”, ndërsa në një treg të thellë dhe formal ato do të absorboheshin pa ndërhyrje.
Pra, ndërhyrjet e BSH nuk janë thjesht reagim ndaj ekonomisë formale. Ato janë përpjekje për të menaxhuar ofertën e valutës që vjen nga jashtë sistemit bankar dhe nga jashtë statistikave zyrtare.
Sa më e madhe të jetë ekonomia informale dhe sa më të dobëta të jenë kanalet formale, aq më të mëdha dhe më të shpeshta bëhen ndërhyrjet. Në këtë kuptim, blerjet e mëdha të valutës janë simptomë e dështimit të formalizimit, jo e suksesit të politikës monetare.
Duke qenë se motivet e ndërhyrjeve dhe rezultatet e tyre nuk bëhen plotësisht transparente, Banka e Shqipërisë mbetet në rolin e stabilizuesit të tregut valutor, ku një pjesë e transaksioneve nuk kalon përmes kanaleve formale.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.