Boshllëku (hendeku) tatimor në botë dhe Evropë
Shtete të dimensioneve të ndryshme kanë bërë për çdo vit llogaritjet e tatimit të munguar. Shembujt më të përshtatshëm të shteteve që kanë vlerësuar boshllëkun tatimor janë Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Suedia, Irlanda, Franca, Holanda, Belgjika. Matja kryesore në Bashkimin Europian, por edhe në një shumicë të vendeve të ndryshme të botës është boshllëku nga TVSH-ja. Matja e boshllëkut nga TVSH-ja është bërë rregullisht për çdo vit
në vendet më të mëdha të Bashkimit Europian. Metoda kryesore është ajo mbi të dhënat makroekonomike sipas mënyrës së matjes nga lart-poshtë. NË varësi të të dhënave të tjera që kanë bëhet edhe kryqëzimi me metodën mbi të dhënat mikro, nga poshtë-lart.
NË plotësim të studimeve të tyre, po ashtu edhe Fondi Monetar dhe Banka botërore zgjedhin juridiksione të ndryshme fiskale të bëjnë vlerësim të boshllëkut tatimor për qëllime të menaxhimit të brendshëm dhe gjithashtu edhe si një instrument për matje të performancës së sistemeve fiskale të vendeve të ndryshme. Fondi Monetar e kërkon një vlerësim të boshllëkut tatimor në të gjithë juridiksionet që ai mbështet, si një kriter për vazhdimësi të ndihmës. Banka botërore, gjithashtu vlerëson performancën e qeverive duke përdorur vlerësimin e boshllëkut tatimor, si një tregues që bashkërendohet me tregues të tjerë vlerësues të performancës së qeverisjes dhe ekonomisë së vendeve.
Llogaritjet që kanë publikuar studiuesë të vendeve të ndryshme tregojnë se boshllëku tatimor në botë llogaritet të jetë 3.55 triliard US.dollarë. Kjo do të thotë se ekonomia informale është rreth 12 triliard US.dollarë, që do të thotë se 18% e gjithë PBB-së botërore konsumohet jashtë sistemit fiskal të vendeve të botës.
Peshën kryesore në këtë boshllëk tatimor e mbajnë shtetet anëtare të BE-së (27 vende) me rreth 1,000 miliard US.dollarë me një nivel informaliteti prej 20% të PBB-së. Vendet e tjera europiane jo anëtare të BE-së (23 vende) kanë një boshllëk tatimor prej 300 miliard US.dollarë. Ndërkaq vendet Aziatike (50 vende) dhe të paqësorit kanë një boshllëk tatimor prej afër 1,100 miliard US.dollarë me një nivel informaliteti prej 16% të PBB-së. Vendet e Amerikës Veriore (23 vende) kanë një boshllëk tatimor prej 500 miliard US.dollarë me një nivel informaliteti prej 11% të PBB-së. Vendet e Amerikës Jugore (24 vende) kanë një boshllëk tatimor prej 400 miliard US.dollarë me nivelin më të lartë të informalitetit në gjashtë kontinentet prej 37% të PBB-së. Vendet e Afrikës (52 vende) llogaritet të kenë një boshllëk tatimor prej 255 miliard US.dollarë me një nivel informaliteti prej 35% të PBB-së.
NË rastin e vendeve të mëdha, Rusia ka 3.4 herë tatime të munguara më shumë se shpenzimet e saj për kujdesin shëndetësor, e pasuar nga Brazili me 1.7 herë më shumë dhe deri te Shtetet e Bashkuara, të cilat edhe pse kanë një humbje prej tatimeve të munguara në shumën 1.28 triliard US.dollarë, ajo që është shqetësuese është se kjo shumë konsumon një pjesë prej 19% të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor.
Europa ka një evazion në shumën e 1 triliard US.dollarë, që është një kosto e barabartë me një humbje tatimore sa shpenzojnë qeveritë europiane për shërbimet shëndetësore për një vit fiskal. Nëse e krahasojmë humbjen fiskale nga boshllëku tatimor me shpenzimet qeveritare ato i mungojnë qeverive europiane në një nivel prej 18% të totalit të shpenzimeve që ato kryejnë. Kjo nënkupton shpenzime publike më pak dhe një cënim të parimeve kushtetuese.
NË ekonomitë europiane ka një aktivitet ekonomik informal në masën 18.4%, që është pjesë e mos taksimit duke e hedhur barrën në pjesën formale të ekonomisë që mbetet në masën 81.6 %.
Nga ky raport midis dy ekonomive paralele (formale me informale) në vendet europiane duket se për afër 5.4 euro qarkullim 1 euro fshihet në strehat informale të ekonomive të këtyre vendeve. NË këtë mënyrë krijohet një informalitet që arrin të mbajë të paformalizuar masën e evazionit tatimor të përmendur edhe më lart.
Nëse këto tatime të munguara do të përdoreshin për pagesën e deficitit buxhetor do të rezultonte një situatë ku qeveritë nuk do të vuanin më nga ankthi buxhetor e madje do të kishin edhe 39% më shumë të ardhura në arkën e buxheteve të tyre. E nëse kjo do të ndodhte, atëherë shumë shpejt do të rezultojë që vetë borxhi publik do të jetë në periudhat e tij të eleminimit brenda më pak se 8 vitesh.
Dy anët e të njëjtës medalje të quajtur boshllëk tatimor janë evazioni tatimor dhe shmangia tatimore.
Ndërsa njëri është shfrytëzim i plotë i ligjit për të ulur barrën tatimore duke ju shmangur detyrimit tatimor që i takon, tjetri bën një zhdukje të të dhënave që shërbejnë për ta taksuar duke përdorur gjithë instrumentet jo të ligjshme për të mos u taksuar.
Skemat e shmangies janë skema të stërholluara dhe përdorin juridiksione dhe ekspertë për të realizuar shmangiet e tyre duke shfrytëzuar njohjet e dobësive dhe mungesave të koordinimit të informacionit midis juridiksioneve të ndryshme. Në po të njëjtën mënyrë, në aspektin ndërkombëtar të skemave të shmangies tatimore, të cilat janë shumë pranë kryerjes së evazionit tatimor ata përdorin skemën e transferimit të fitimit nëpërmjet çmimit. Kjo mënyrë e kryerjes së transaksioneve midis personave të lidhur, por edhe jo të lidhur është më e përdorshmja në kohën që jetojmë. Me avancimin e teknologjisë është akoma edhe më e vështirë identifikimi dhe arritja e taksimit të transaksioneve të kryera me këtë skemë. Megjithatë, administratat tatimore kanë një shkëmbim në rritje të informacionit dhe praktikave më të mira, për ti përdorur me sukses në betejat për taksimin e transaksioneve të tilla.
Me evazionin tatimor përfshihen si qytetarët dhe bizneset që janë të regjistruar si pagues të tatimeve, po ashtu edhe ata që refuzojnë obligimet ligjore, që duhet të ndjekin.
NË këtë grupim edhe pse ka një regjistrim formal nga tatimpaguesi, ai nuk përmbush obligimet ligjore të deklarimit, pagesës dhe raportimit të gjithë xhiros që realizon. NË raste më ekstreme, ky tip tatimpaguesi bëhet pjesë e skemave të mashtrimit tatimor të njohura si skemat karuzel, feniks, e skema të tjera të njohura nga praktika dhe literatura teknike.
Tashmë, edhe administratat fiskale janë në përshtatje të taktikave të tyre për të reaguar në kohë optimale ndaj këtyre skemave dhe mënyrave të kryerjes së transaksioneve, që krijojnë boshllëqe buxhetore për vendet dhe pasurojnë individët që në rastin më të keq janë pjestarë të krimit të organizuar dhe në rastin më të mirë janë individë që kryejnë korrupsion me fondet publike, pasurohen duke shkarkuar barrën tatimore te të tjerët, apo janë ndihmës të krimit të organizuar herët a vonë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.