Borxhi publik , një barrë e qëndrueshme me përfitime të pjesshme
Borxhi publik nuk është vetvetiu negativ. Ai është një instrument financiar që qeveritë përdorin për të mbuluar diferencën midis shpenzimeve dhe të ardhurave të mbledhura (tatime, taksa, tarifa, etj.). Kur ka një deficit buxhetor, qeveria financohet përmes huamarrjes nga tregjet e brendshme dhe të jashtme.
Në një kohë kur fjalët si “konsolidim fiskal” dhe “stabilitet makroekonomik” përmenden shpesh në deklaratat zyrtare, realiteti i buxhetit të shtetit për vitin 2024 tregon një pamje më të ndërlikuar.
Shifrat e konfirmuara për vitin 2024 tregojnë një përmirësim të lehtë fiskal, por gjithashtu zbulojnë një realitet ku qytetarët vazhdojnë të paguajnë jo vetëm për mallra dhe shërbime, por edhe për interesa të borxhit të kaluar, shpesh pa ndjerë përfitime konkrete në jetën e përditshme.
Në vitin 2024, financat publike të Shqipërisë shfaqin një tablo më të qëndrueshme krahasuar me vitin paraardhës, me tregues që sinjalizojnë një konsolidim të kujdesshëm, por jo të mjaftueshëm, në drejtim të menaxhimit të buxhetit dhe borxhit publik.
Të ardhurat totale të mbledhura nga qeveria janë konfirmuar në 710.3 miliardë lekë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 643.4 miliardë lekë në vitin 2023. Kjo rritje prej mbi 10% reflekton si rritjen ekonomike, ashtu edhe forcimin e administrimit tatimor. Në të njëjtën kohë, shpenzimet totale për vitin 2024 arrijnë në 728.5 miliardë lekë, duke tejkaluar të ardhurat dhe duke krijuar një deficit buxhetor prej 18.2 miliardë lekësh, ndjeshëm më i ulët se deficiti i vitit 2023 që ishte 31.2 miliardë lekë.
Pavarësisht këtij përmirësimi në balancën primare, një pjesë e madhe e buxhetit vazhdon të konsumohet për pagesat e interesave mbi borxhin ekzistues. Për vitin 2024, interesat e borxhit të paguara kapin shifrën prej 54.4 miliardë lekësh, duke mbetur të pandryshuara krahasuar me vitin 2023. Kjo tregon një barrë të qëndrueshme të shërbimit të borxhit, pavarësisht uljes së huamarrjes së re.
Në fund të vitit 2024, borxhi publik total arrin 1,365 miliardë lekë, një rritje shumë e lehtë nga 1,362 miliardë lekë në vitin 2023, duke reflektuar qëndrushmërinë nominale të nivelit të borxhit, por gjithashtu edhe varësinë strukturore nga huamarrja për të mbuluar nevojat fiskale. Kur shpërndahet mbi një popullsi rezidente prej rreth 2.4 milionë banorësh, kjo do të thotë se çdo qytetar shqiptar mbart rreth 569 mijë lekë borxh publik në fund të vitit 2024.
Në planin makroekonomik, viti 2024 shënon një përmirësim të lehtë të rritjes ekonomike. Treguesi i rritjes reale ka arritur 4.05%, krahasuar me 3.94% në vitin 2023, duke treguar një ritëm të përshpejtuar, megjithëse në kufijtë e potencialit ekonomik të vendit.
Krahasimi i këtyre treguesve midis viteve 2023 dhe 2024 tregon përpjekje për disiplinë buxhetore dhe ruajtje të stabilitetit financiar, por njëkohësisht nënvizon edhe kufizimet e modelit aktual: një ekonomi që gjeneron më shumë të ardhura, por që ende mbështetet në borxhin publik për të përmbushur nevojat e saj. Në këtë kontekst, borxhi mbetet jo thjesht një instrument financiar, por një pasqyrë e qartë e mënyrës si shteti menaxhon marrëdhënien mes zhvillimit dhe detyrimeve afatgjata.
Në vitin 2024, vetëm 2.5% e shpenzimeve publike financohen nga huamarrja, në rënie krahasuar me 4.6% në vitin 2023. Ky është një tregues përmirësimi në menaxhimin e deficitit, por jo domosdoshmërisht lehtësim i barrës së borxhit, pasi pagesat për interesat mbeten të pandryshuara dhe të larta duke konsumuar një pjesë të konsiderueshme të buxhetit.
Sa paguan qytetari për këtë borxh?
Në vitin 2024, borxhi publik total arrin në 1,365 miliardë lekë, ndërsa popullsia rezidente është rreth 2.4 milionë banorë. Kjo do të thotë se çdo qytetar shqiptar mbart mesatarisht një barrë prej 568,750 lekësh borxh publik, ose rreth 569 mijë lekë për frymë.
Kjo shifër është pak më e lartë se në vitin 2023, kur barra për frymë ishte 567 mijë lekë, duke reflektuar një ngarkesë të qëndrueshme, por jo në rënie.
Përtej kësaj shifre simbolike, ajo që rëndon realisht mbi buxhetin dhe qytetarët është kostoja vjetore e shërbimit të borxhit.
Në vitin 2024 shuma prej 54.4 miliardë lekë, ose 7.5% e të gjitha shpenzimeve publike u përdor vetëm për të paguar interesat, pa sjellë investime të reja apo përmirësime të prekshme në shërbime publike.
Pra, çmimi i borxhit nuk matet vetëm me shumën që detyrohet, por edhe me të ardhurat publike që konsumohen çdo vit pa gjeneruar vlerë të shtuar, duke kufizuar hapësirat për politika zhvillimi dhe mbështetje sociale.
Çfarë është përfituar nga huamarrja?
Huamarrja publike në Shqipëri ka pasur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e funksioneve të shtetit dhe në përballimin e periudhave të vështira ekonomike, por efektiviteti i saj mbetet i kufizuar dhe i diskutueshëm.
Nga njëra anë, borxhi ka shërbyer për të financuar projekte kapitale në infrastrukturë rrugore, energji dhe ndërtesa publike, duke ndihmuar në modernizimin e disa segmenteve të domosdoshme për funksionimin e shtetit.
Në periudhat e krizave të mëdha, si pandemia e COVID-19 apo post tërmeti i vitit 2019 huamarrja ka qenë një instrument i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit buxhetor dhe për të financuar paketat e ndihmës sociale dhe ekonomike.
Po ashtu, në momentet kur të ardhurat fiskale kanë rënë ndjeshëm, borxhi ka mbuluar boshllëqet e menjëhershme, duke parandaluar shkurtime drastike në shpenzimet publike.
Megjithatë, efektiviteti i huamarrjes në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve është i kufizuar.
Një pjesë e mirë e investimeve të financuara me borxh nuk janë shoqëruar me analiza të thella të kostos dhe përfitimit, çka ka sjellë investime me kthim të ulët ose të pasigurt. Përdorimi i gjerë i partneriteteve publike-private (PPP), të kontraktuara shpesh pa konkurrencë dhe me kosto të larta afatgjata, ka zhvendosur barrën e borxhit nga sektori publik në forma jo gjithmonë transparente dhe jashtë bilancit zyrtar.
Për më tepër, një përqindje e lartë e borxhit është në monedha të huaja, gjë që e ekspozon ekonominë ndaj rrezikut të zhvlerësimit të lekut dhe rritjes së kostove të shërbimit të borxhit në kushtet e paqëndrueshmërisë globale financiare.
Në thelb, ndërsa borxhi ka ndihmuar në mbajtjen funksionale të shtetit dhe në financimin e nevojave të menjëhershme, nuk ka arritur të gjenerojë ndikim të mjaftueshëm afatgjatë në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Kostoja e lartë vjetore për interesat dhe rritja e angazhimeve të ardhshme buxhetore pa analiza të qarta ndikimi i bëjnë përfitimet e huamarrjes jo vetëm të pjesshme, por edhe të pasigurta në kohë.
Pavarësisht përshpejtimit të rritjes ekonomike në vitin 2024, ku Shqipëria regjistroi një ritëm prej 4.05%, krahasuar me 3.94% në 2023, barra e borxhit publik mbetet e pandryshuar në mënyrë të ndjeshme. Niveli i borxhit total vazhdon të qëndrojë mbi 1.3 trilion lekë, duke dëshmuar se struktura fiskale vazhdon të mbështetet kryesisht në huamarrjen e vazhdueshme.
Kjo situatë tregon se edhe pse ekonomia po rritet më shpejt, detyrimet ndaj borxhit nuk po ulen në mënyrë proporcionale. Si rezultat, barra fiskale mbetet e rëndë dhe kufizon ndjeshëm hapësirën për politika të tjera zhvillimore apo shpenzime sociale.
Në thelb, sfida kryesore qëndron jo vetëm në rritjen ekonomike, por edhe në menaxhimin e kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të huamarrjes, për të siguruar një balancë të qëndrueshme midis zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë fiskale afatgjatë.
Menaxhimi i borxhit publik në Shqipëri ka kaluar në një fazë ku ruajtja e qëndrueshmërisë fiskale formale nuk mjafton më. Për të arritur një menaxhim me përgjegjësi dhe efikas, nevojiten hapa konkretë dhe të qëndrueshëm që shkojnë përtej politikave të përditshme fiskale.
Një nga prioritetet kryesore është ulja e borxhit real përmes zbatimit të rregullit fiskal ligjor duke kufizuar deficitin dhe nivelin e borxhit në mënyrë të qartë dhe të detyrueshme jo me mosrealizim shpenzimesh, por me rritje të ardhurash. Kjo do të sigurojë disiplinë fiskale afatgjatë dhe do të parandalojë rritjen e pakontrolluar të borxhit.
Dimensioni i rëndësishëm i rritjes së të ardhurave buxhetore kërkon një fokus të veçantë në formalizimin e ekonomisë dhe forcimin e kapaciteteve të administratës tatimore dhe doganore duke futur me meritokracinë edhe forcimin e këtyre kapaciteteve të reja dhe duke luftuar korrupsionin që mbahet gjallë edhe nga patronazhimi politik. Kjo masë revolucionarizuese bashkë me rritjen e dialogut për integrimin e biznesit drejt formalizimit do të zgjerojë bazën e të ardhurave dhe do të ulë varësinë nga huamarrja.
Për më tepër, efikasiteti i shpenzimeve publike duhet të përmirësohet përmes një analize të qartë kosto-përfitim për çdo projekt që financohet me fonde të huaja. Kjo do të ndihmojë në prioritarizimin e investimeve me ndikim real ekonomik dhe social.
Së fundi, transparenca është një shtyllë thelbësore e menaxhimit të borxhit me përgjegjësi. Publikimi periodik i raporteve mbi ndikimin e borxhit publik do të rrisë llogaridhënien dhe do të ndihmojë qytetarët dhe institucionet në monitorimin e performancës fiskale.
Borxhi publik shqiptar nuk është aktualisht jashtë kontrollit, por mbetet një barrë strukturore për financat dhe për qytetarët.
Në një kontekst ku çdo vit paguhen mesatarisht 50 milird lekë (~500 milion Euro) për interesa, ndërkohë që cilësia e shërbimeve publike mbetet e diskutueshme është koha për të trajtuar borxhin jo vetëm si numër në bilanc, por si pjesë e drejtëpërdrejtë e politikës ekonomike dhe mirëqenies së qytetarit.
Borxhi i menaxhueshëm nuk do të thotë borxh i drejtë dhe çdo shifër që nuk përkthehet në ndikim real është një borxh që nuk e justifikon ekzistencën e vet.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.