A mund ta kapë Shqipëria trenin e fundit drejt modernizimit?

A mund ta kapë Shqipëria trenin e fundit drejt modernizimit?

Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, ku rendi global po riartikulohet përmes krizash zinxhir dhe rivalitetesh gjeopolitike, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të brishtë zhvillimor. Rritja ekonomike e Shqipërisë në dekadën e fundit ka qenë pozitive në terma statistikore, por përmasat reale të zhvillimit mbeten të kufizuara. Ndonëse treguesit makroekonomikë, si rritja e PBB-së dhe ulja e borxhit publik, ofrojnë një pamje relativisht të qëndrueshme, realiteti në terren tregon për një ekonomi me bazë të ngushtë, të përqendruar gjeografikisht dhe të pambështetur në kapital njerëzor apo inovacion. Kjo përbën një kontrast të fortë me aspiratat e integrimit evropian dhe me sfidat e një bote që kërkon rezistencë strukturore dhe adaptim të shpejtë.

E thënë ndryshe, ekonomia e Shqipërisë ka rritje, por jo zhvillimin e nevojshëm në gjerësi dhe në thellësi.

Rritje ekonomike e ngushtë dhe e fragmentuar

Që prej krizës financiare globale, Shqipëria ka mbajtur një ritëm mesatar rritjeje prej rreth 3% në vit. Megjithatë, struktura e kësaj rritjeje është problematike, pasi ajo mbështetet në sektorë me vlerë të ulët të shtuar (si ndërtimi jo në përouthje me kërkesën dhe shërbimet jo-produktive), në remitanca dhe rritje konsumi të pambështetur nga prodhimi i brendshëm. Industria përpunuese dhe bujqësia janë lënë në hije nga investime që ndjekin fitimin afatshkurtër, jo transformimin afatgjatë të strukturës ekonomike.

Kjo i bën themelet e ekonomisë shqiptare të paqëndrueshme dhe të cenueshme ndaj goditjeve të jashtme, siç e tregoi edhe kriza e COVID-19 apo shpërthimi i çmimeve globale të ushqimeve dhe energjisë.

Zhvillimi rajonal është gjithashtu jashtë ekuilibrit. Tirana absorbon mbi 60% të investimeve dhe aktivitetit ekonomik, ndërsa zonat periferike përballen me braktisje dhe varfëri strukturore. Zhvillimi në gjerësi mbetet një sfidë madhore për kohezionin territorial dhe barazinë e mundësive.

Sfida demografike dhe tkurrja e popullsisë që paralajmëron stanjacion

Sipas projeksioneve të INSTAT dhe të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të përjetojë një rënie të ndjeshme të popullsisë në dekadat e ardhshme. Projekcionet sinjalizojnë një rënie të pandalshme të popullsisë active, ku deri në vitin 2050, Shqipëria mund të humbasë mbi 25% të saj.

Për periudhën 2025–2035, popullsia në moshë pune pritet të tkurret me më shumë se 1% në vit, një shifër dramatike nëse krahasohet me vendet që kanë pasur cikle zhvillimi të ngjashme.

Kombinuar me nivelet e ulëta të përfshirjes së grave dhe të të rinjve në tregun e punës, ekonomia e Shqipërisë rrezikon të përballet me një krizë të qetë të kapitalit njerëzor. Kjo krizë nuk është vetëm numerike, por edhe cilësore, për shkak të sistemit arsimor të dobët dhe trurit të larguar. Kjo do të thotë se Shqipëria rrezikon të ngelet në një kurth zhvillimi, ku mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara frenon investimet dhe inovacionin.

Korrupsioni i strukturuar si pengesë për zhvillim

Raportet ndërkombëtare dhe perceptimi publik tregojnë se korrupsioni në Shqipëri nuk është thjesht individual, por sistemik. Prokurimi publik, lejet mjedisore dhe ndarja e resurseve janë shpesh të ndikuara nga interesa të lidhura politikisht, duke shtrembëruar konkurrencën dhe efikasitetin e investimeve publike.

Ky faktor paralizon zhvillimin afatgjatë duke kapur shtetin në spiralen e mosbesimit shoqëror, vendimmarrjes klienteliste dhe shpërndarjes së burimeve publike në funksion të interesave të ngushta, e jo të nevojave zhvillimore të vendit. Ai krijon një cikël vetëpërforcues ku korrupsioni ushqen dobësinë institucionale, e cila nga ana tjetër pengon ndërtimin e politikave të qëndrueshme dhe largon kapitalin njerëzor dhe financiar – duke e mbajtur shtetin në një gjendje të vazhdueshme tranzicioni pa drejtim strategjik.

Pavarësisht reformave në drejtësi dhe retorikës së vazhdueshme politike për luftë kundër korrupsionit, ky fenomen nuk po ndalet, përkundrazi po përshtatet dhe po thellohet, duke u shfaqur në forma më të sofistikuara dhe të strukturuara.

Faktet në terren dhe situata mbytëse institucionale vazhdojnë të dëshmojnë mungesën e dënimeve reale për korrupsion në nivelet e larta, ndërsa klientelizmi mbetet një mekanizëm i qëndrueshëm në ndarjen e kontratave publike, privilegjeve fiskale dhe aksesit në resurset shtetërore.

Ky realitet ushqen një ekonomi paralele ku qarkullon paraja e korrupsionit, duke mbajtur gjallë aktivitete që maskohen si investime serioze apo zhvillim ekonomik, por në fakt riciklojnë interesa të ngushta dhe kapacitete të lidhura politikisht.

Në këtë sistem të mbyllur, zhvillimi i vërtetë shtyhet në periferi, ndërsa shumica e popullsisë mbetet peng i një rendi ekonomik që favorizon pakicën dhe mban jashtë loje kapitalin njerëzor, idetë dhe iniciativën e lirë.

Presioni i integrimit, mundësi që mund të humbet

Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, megjithë ritmin e ngadaltë deri më sot, si dhe disa ndryshime ende më shumë në letër sesa në terren mbetet nxitësi më i fuqishëm dhe një prej shpresave të fundit për të shtyrë përpara reformat strukturore dhe për të rikthyer funksionimin e shtetit mbi parime të transparencës, llogaridhënies dhe standardeve evropiane që shkojnë përtej retorikës së aspirimit. Megjithatë, integrimi nuk është më një proces vetvetiu i dhënë, por një garë midis vendeve që tregojnë vullnet dhe kapacitet për transformim. Komisioni Evropian thekson nevojën për kapacitete administrative më të forta, luftë të besueshme ndaj korrupsionit dhe përfshirje sociale.

Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të përfitojë jo vetëm nga Plani i Rritjes për Ballkanin dhe Procesi i Berlinit, por edhe nga vendosja e qartë dhe koherente e prioriteteve zhvillimore që synojnë transformimin strukturor të ekonomisë dhe shoqërisë.

Kjo nënkupton një decentralizim real që fuqizon njësitë vendore përtej simbolikës, një formalizim të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik rural për të rikthyer jetën dhe dinjitetin në zonat e braktisura, si dhe një strategji të qëndrueshme për zgjerimin e zhvillimit përtej kufijve të Tiranës.

Në thelb, ky proces duhet të mbështetet mbi një investim të qëndrueshëm në kapitalin njerëzor në arsim, shëndetësi dhe aftësi profesionale, si themeli i vetëm mbi të cilin mund të ndërtohet një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe me horizonte afatgjata.

Për herë të parë pas dekadash, dinamika e gjeopolitikës globale ofron një dritare të re mundësish. Krizat e viteve të fundit kanë ndryshuar gjeografinë ekonomike globale.

Tranzicioni energjetik, zhvendosja e zinxhirëve të furnizimit dhe tensionet gjeopolitike mund të shndërrojnë Shqipërinë në një nyje logjistike dhe prodhuese nëse ajo arrin të ofrojë stabilitet, kosto konkurruese dhe infrastrukturë moderne.

Në një kontekst ku inflacioni i strategjive të shumta nuk shoqërohet me zbatim real dhe koherencë institucionale, mungesa e një vullneti kombëtar funksional dhe i mbështetur në institucione të forta e ekspozon Shqipërinë ndaj influencave të huaja që shpesh operojnë jashtë interesit publik.

Në këto kushte, zhvillimi shndërrohet në një proces i dirigjuar nga jashtë, i fragmentuar dhe i paqëndrueshëm, ndërsa mungesa e sovranitetit institucional e lë vendin të pambrojtur përballë agjendave të huaja dhe klientelizmit të brendshëm.

Në këto kohë sfiduese, shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente të artikulojë një kërkesë të qartë: “Kërkohet lidership vizionar, me përkushtim të plotë dhe kapacitet për të orientuar vendin drejt investimeve produktive, rritjes së qëndrueshme dhe mbrojtjes aktive të interesit publik.”

Në mungesë të një udhëheqjeje të tillë, Shqipëria do vijojë të shndërrohet në një hapësirë eksperimentale për interesa të jashtme apo grupe të lidhura me pushtetin, ku qytetarët mbeten spektatorë të një procesi zhvillimi që nuk i përfshin, nuk i përfaqëson dhe nuk i shpërblen.

Nevoja për një platformë të re zhvillimi

Shqipëria nuk ndodhet në krizë akute, por përballet me një krizë të heshtur të potencialit të saj zhvillimor. Ekonomia e vendit ndodhet sot përballë një sfide ekzistenciale: (a) të zgjedhë mes rrugës së rritjes fiktive të bazuar në konsum, me klientelizëm dhe përjashtim social, ose (b) të investojë në një model zhvillimi gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Kjo e dyta kërkon një platformë zhvillimore gjithëpërfshirëse, të ndërtuar mbi tre shtylla kyçe:

  • Kapitalin njerëzor përmes arsimit, shëndetësisë dhe përfshirjes në tregun e punës.
  • Institucioneve të besueshme përmes luftës ndaj korrupsionit dhe profesionalizmit administrativ.
  • Modelit prodhues dhe të qëndrueshëm përmes diversifikimit ekonomik, tranzicionit të gjelbër dhe politikave industriale të zgjuara.

Kjo kërkon një kontratë të re shoqërore, ku qytetari, sipërmarrja, universitetet dhe shteti bashkëpunojnë për të thyer ciklin e mungesës së besimit, pasivitetit dhe varësisë nga remitancat.

Lufta ndaj korrupsionit, reformimi i tregut të punës dhe ndërtimi i institucioneve të forta janë themeli mbi të cilin mund të ndërtohet një e ardhme më dinjitoze për vendin.

Por koha nuk pret. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, mungesa e veprimit është zgjedhje dhe Shqipëria nuk mund të përballojë më komoditetin e status quo-së që jemi sot.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.