Qeveria nuk mund të flasë në emër të biznesit pa e dëgjuar më parë
Politika fiskale nuk bëhet vetëm me vendime që dalin nga zyrat e qeverisë dhe me detyrime që i komunikohen më pas biznesit. Ajo kërkon konsultim të vërtetë, dialog të vazhdueshëm dhe përgjegjësi të ndërsjellë për atë që ndodh më pas në ekonomi.
Qeveria ka strategji, ligje dhe programe. Pra, problemi nuk është mungesa e dokumenteve.
Por është munguese mënyra si zbatohen, sa seriozisht i zbatojmë ato që kemi dhe sa e trajtojmë biznesin si partner, jo thjesht si subjekt që duhet të përshtatet.
Marrëdhënia mes qeverisë dhe biznesit te ne vazhdon të jetë e pabarabartë. Qeveria vendos drejtimin e politikës fiskale, ndryshon normat, shton detyrime të reja dhe pastaj i thotë biznesit: tani përshtatu.
Biznesi pritet të zbatojë, të përballojë kostot dhe të japë rezultatet që politika synon.
Kjo e vë atë kryesisht në pozicionin e atij që reagon, jo të atij që ndihmon në ndërtimin e vendimit.
Kjo asimetrie bëhet edhe më e dukshme kur flitet për Paketën Fiskale 2027.
Ndryshimet e normave të TVSH-së – ulje për disa produkte, rritje për të tjera – nuk janë thjesht çështje teknike të administrimit të të ardhurave. Ato prekin strukturën e kostove, marzhet, zinxhirët e furnizimit, konkurrencën dhe në fund çmimet që paguan konsumatori.
Politika e uljes së TVSH-së për disa kategori, e shoqëruar me rritjen për të tjera, krijon edhe një ndarje të padrejtë të përgjegjësisë. Nëse ulja reflektohet në çmime, merita i shkon qeverisë. Nëse nuk reflektohet, vëmendja zhvendoset te biznesi dhe te “marzhet e tij”. Kështu qeveria merr përfitimin politik të ndërhyrjes, ndërsa biznesit i mbetet përgjegjësia për rezultate që nuk varen vetëm prej tij.
Në një ekonomi tregu, çmimi nuk përcaktohet vetëm nga norma e TVSH-së. Ai varet nga çmimi i blerjes, transporti, energjia, financimi, pagat, humbjet në inventar, struktura e konkurrencës, fuqia negociuese e furnitorëve dhe kushtet e tregut. Pretendimi se ulja e një norme tatimore duhet të përkthehet automatikisht dhe në të njëjtën masë në ulje çmimi për konsumatorin është i thjeshtëzuar. Kërkon analizë më të plotë të zinxhirit.
Kjo nuk do të thotë se biznesi është i lirë nga përgjegjësia. Ai duhet të jetë transparent me çmimet dhe të respektojë rregullat e konkurrencës. Por edhe qeveria duhet të marrë përgjegjësinë për kushtet në të cilat funksionon tregu, për cilësinë e rregullimit dhe për efektet reale të politikave që ndërmerr.
Qeveria nuk mund të flasë në emër të biznesit nëse nuk e ka dëgjuar më parë. Ajo mund dhe duhet të përfaqësojë interesin publik, por kjo kërkon njohjen e realitetit ekonomik, të kostove të sipërmarrjes dhe të pasojave që sjell çdo ndërhyrje. Konsultimi nuk është procedurë që plotësohet pasi vendimi është marrë. Është proces që ndihmon në përcaktimin e vetë vendimit.
Konsultimi nuk është njoftim për vendimin e marrë.
Një nga keqkuptimet më të mëdha është barazimi i konsultimit publik me komunikimin e një vendimi që administrata e ka gati. Publikimi i një projektligji, organizimi i një takimi informues apo mbledhja e disa komenteve nuk janë automatikisht konsultim efektiv.
Konsultimi ka vlerë vetëm kur biznesi ka mundësi reale të ndikojë në përmbajtjen e politikës, kur argumentet e tij shqyrtohen dhe kur qeveria shpjegon hapur cilat propozime janë pranuar, cilat janë refuzuar dhe përse. Kjo kërkon dialog në të dy drejtimet. Qeveria duhet të dëgjojë çfarë kërkon biznesi, por duhet edhe të diskutojë hapur kërkesat që nuk i sheh të realizueshme, kufizimet buxhetore dhe objektivat e interesit publik që mund të kërkojnë zgjidhje të ndryshme.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri, ku bizneset kanë madhësi, kapacitete dhe pozicione konkurruese shumë të ndryshme. Interesi i një kompanie të madhe nuk është i njëjtë me atë të një biznesi të vogël familjar, të një prodhuesi vendas apo të një operatori në turizëm. Përfaqësimi duhet të jetë pluralist dhe të mos kufizohet te disa organizata që kanë më shumë akses.
Dhomat e tregtisë, shoqatat, organizatat profesionale, ekspertët e pavarur dhe vetë sipërmarrjet duhet të kenë hapësirë reale për të sjellë evidencat e tyre. Qeveria, nga ana tjetër, duhet të jetë e gatshme të argumentojë vendimet edhe kur ato nuk përputhen me kërkesat e biznesit. Pikërisht këtu provohet serioziteti i dialogut: jo te numri i takimeve, por te cilësia e përgjigjeve dhe te gjurmueshmëria e ndikimit të konsultimit në vendimmarrje.
Shqipërisë nuk i mungojnë strategjitë, i mungon përgjegjësia për zbatimin e tyre.
Një marrëdhënie më e mirë me biznesin nuk kërkon domosdoshmërisht një strategji të re apo një kontratë tjetër tatimore. Kemi Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, Programin Qeverisës, Programin Buxhetor Afatmesëm, kuadrin ligjor dhe instrumentet e konsultimit. Këto përcaktojnë objektiva dhe përgjegjësi që duhet të orientonin edhe marrëdhënien e përditshme me sipërmarrjen.
Çështja është sa të integruara janë këto instrumente në vendimmarrje dhe sa llogaridhënie prodhojnë në praktikë. Strategjia e të ardhurave nuk duhet të lexohet vetëm si plan për rritjen e arkëtimeve. Ajo duhet të përfshijë edhe mënyrën se si këto të ardhura sigurohen, peshën e masave kundër evazionit dhe informalitetit, përmirësimin e administrimit dhe efektet e ndryshimeve tatimore mbi investimet, punësimin dhe konkurrueshmërinë.
Marrëdhënia me biznesin duhet të mbështetet te një parim i përgjegjësisë fiskale reciproke. Biznesi ka detyrimin të deklarojë dhe paguajë, të respektojë ligjin dhe të kontribuojë në konkurrencë të ndershme. Qeveria ka përgjegjësinë të garantojë siguri juridike, parashikueshmëri, shërbime administrative cilësore, trajtim të barabartë dhe një mjedis ku aktiviteti ekonomik nuk penalizohet nga korrupsioni, informaliteti apo deformimet e tregut.
Kjo përgjegjësi e ndërsjellë duhet të jetë e matshme. Përveç objektivave të mbledhjes së të ardhurave, qeveria duhet të raportojë mbi rezultatet e luftës kundër evazionit, zgjerimin e bazës së tatimpaguesve, kohën e rimbursimit të TVSH-së, kostot e pajtueshmërisë, cilësinë e shërbimeve dhe zgjidhjen e ankesave. Një pjesë e hapësirës fiskale që krijohet nga formalizimi dhe administrimi më i mirë duhet të vlerësohet edhe për mundësinë e lehtësimit të barrës mbi aktivitetin prodhues dhe investues.
Përgjegjësia e qeverisë shtrihet përtej mbledhjes së tatimeve.
Ekziston një dimension tjetër që shpesh lihet jashtë diskutimit fiskal: funksionimi i tregut dhe përgjegjësia e institucioneve për të korrigjuar deformimet e tij.
Biznesi nuk operon në një mjedis neutral. Ai ndikohet nga përqendrimi i tregut, fuqia negociuese e operatorëve të mëdhenj, konkurrenca informale, kostot e financimit, pengesat administrative dhe cilësia e institucioneve. Një sipërmarrje që paguan të gjitha detyrimet dhe respekton rregullat nuk mund të jetë në të njëjtat kushte me një operator që përfiton nga shmangia e tatimeve apo nga avantazhe të padrejta.
Prandaj, përpara se të kërkojë rezultate nga biznesi përmes ndryshimeve të TVSH-së dhe instrumenteve të tjera, qeveria duhet të tregojë se çfarë po bën për të ulur koston e korrupsionit, për të kufizuar informalitetin, për të luftuar evazionin dhe për të përmirësuar konkurrencën. Këto nuk janë çështje dytësore. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në produktivitet, investime dhe aftësinë e kompanive për të konkurruar.
Vlerësimet dhe anketimet e komunitetit të biznesit, përfshirë ato të Dhomës Amerikane dhe dhomave të tjera, duhet të trajtohen si burime diagnostikuese. Nëse biznesi evidenton pengesa administrative, pasiguri rregullatore apo probleme të konkurrencës, përgjigjja nuk duhet të jetë vetëm komunikimi i detyrimeve të reja, por edhe një plan i verifikueshëm për adresimin e tyre.
Në këtë mënyrë, politika fiskale nuk do të kufizohej te pyetja se sa mund të mblidhet më shumë nga tatimpaguesit ekzistues, por do të shqyrtonte se sa mund të përmirësohet sistemi duke zgjeruar bazën, duke ulur evazionin dhe duke krijuar kushte për rritjen e aktivitetit formal.
Nga komunikimi i njëanshëm te dialogu institucional.
Përvoja e Paketës Fiskale 2027 duhet të shërbejë si pikë reflektimi. Qeveria duhet të kalojë nga modeli ku biznesit i komunikohen vendimet dhe pastaj i kërkohet përshtatja, drejt një modeli ku sipërmarrja përfshihet që në fazën e identifikimit të problemeve dhe hartimit të zgjidhjeve.
Kjo mund të realizohet përmes një mekanizmi të përhershëm dialogu, të lidhur me instrumentet ekzistuese. Një mekanizëm i tillë duhet të ketë funksione konkrete:
- konsultim përpara vendimmarrjes, me publikimin e vlerësimeve të ndikimit ekonomik dhe fiskal;
- përfaqësim të gjerë të biznesit, duke përfshirë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, prodhuesit, eksportuesit, shërbimet dhe investitorët;
- përgjigje të argumentuara ndaj propozimeve, me publikimin e rekomandimeve të pranuara, të refuzuara dhe arsyet;
- monitorim të zbatimit, për të vlerësuar nëse politikat prodhojnë rezultatet e parashikuara;
- dialog korrigjues, për të rishikuar masat që krijojnë pasoja të padëshiruara.
Ky mekanizëm nuk duhet të zëvendësojë kompetencat e qeverisë dhe as të krijojë të drejtë vetoje për biznesin. Përgjegjësia për interesin publik mbetet e institucioneve. Por kjo përgjegjësi kërkon që vendimet të mbështeten në informacionin e aktorëve ekonomikë, të shoqërohen me argumente dhe të jenë të hapura për korrigjim.
Një marrëdhënie e re, jo një dokument tjetër.
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër strategji që premton përmirësimin e marrëdhënieve me biznesin. Ka nevojë që angazhimet ekzistuese të shndërrohen në përgjegjësi të matshme dhe në një marrëdhënie më të ekuilibruar.
Kjo është përmbajtja reale e një kontrate të përgjegjësisë fiskale reciproke: biznesi përmbush detyrimet e tij, ndërsa qeveria jep llogari për cilësinë e administrimit, sigurinë juridike, konkurrencën, transparencën dhe kushtet e zhvillimit ekonomik.
Qeveria nuk mund të pretendojë se përfaqëson interesat e biznesit vetëm sepse harton politika që, sipas vlerësimit të saj, i shërbejnë ekonomisë. Përfaqësimi kërkon dëgjim, konsultim dhe njohje të realitetit të sipërmarrjes. Po aq e rëndësishme është gatishmëria për të shpjeguar pse disa kërkesa nuk mund të pranohen dhe çfarë zgjidhjesh alternative ofrohen.
Biznesi nuk duhet të jetë thjesht marrësi i politikave fiskale, por bashkëbisedues në ndërtimin e tyre. Qeveria nuk duhet vetëm t’i tregojë biznesit çfarë duhet të bëjë, por duhet të dëgjojë edhe çfarë duhet të ndryshojë vetë për ta bërë ekonominë më konkurruese.
Në këtë marrëdhënie, qeveria ruan përgjegjësinë për vendimmarrjen publike, biznesi përgjegjësinë për sjelljen e tij ekonomike, dhe të dyja palët përgjegjësinë për të kontribuar në një ekonomi më formale, më produktive dhe më të drejtë.
Një politikë fiskale e qëndrueshme nuk ndërtohet duke folur në emër të biznesit, por duke ndërtuar vendimmarrjen me biznesin.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.