Inovacioni, kapitali njerëzor dhe politika fiskale e krahasuar me përvojat e Serbisë dhe Kroacisë

Inovacioni, kapitali njerëzor dhe politika fiskale e krahasuar me përvojat e Serbisë dhe Kroacisë

Një nga debatet më të rëndësishme të politikës ekonomike shqiptare lidhet me diskutimin nëse rritja e fondeve për kërkim dhe zhvillim është në vetvete e mjaftueshme për të transformuar modelin ekonomik të vendit.

Përgjigjja që ofrojnë përvojat e vendeve të rajonit është shumë më komplekse sesa sugjeron debati publik.

Serbia dhe Kroacia, si dy ekonomi që kanë ndarë një histori tranzicioni të ngjashme me Shqipërinë tregojnë se niveli i financimit është vetëm një element i ekuacionit.

Faktorin përcaktues e përbën aftësia e ekonomisë për të prodhuar, mbajtur dhe ripërtërirë kapitalin njerëzor me kualifikim të lartë. Mungesa e kësaj baze kufizon ndjeshëm efektivitetin e politikave fiskale, edhe kur ato janë të favorshme për inovacionin.

Në këto kushte, rritja e mbështetjes financiare publike rrezikon të mos shndërrohet në kapacitete të reja produktive, por të mbetet kryesisht një transferim financiar me ndikim të kufizuar dhe jo të qëndrueshëm mbi produktivitetin e ekonomisë.

Të dhënat e fundit e bëjnë këtë dallim edhe më të qartë.

Shpenzimet kombëtare për kërkim dhe zhvillim në Shqipëri vazhdojnë të luhaten rreth 0.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nivel që ka mbetur pothuajse i pandryshuar për më shumë se një dekadë.

Në të njëjtën periudhë, Serbia ka arritur rreth 0.9–0.95 për qind të PBB-së, ndërsa Kroacia luhatet midis 1.2 dhe 1.4 për qind.

Dallimi nuk është vetëm sasior.

Numri i studiuesve për një milion banorë në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtit në Evropë, ndërsa Serbia dhe Kroacia kanë ndërtuar gradualisht baza më të gjera. Po ashtu, pjesa e popullsisë me arsim të lartë, sidomos me gradë pasuniversitare dhe doktoraturë është dukshëm më e ulët në Shqipëri sesa në dy vendet fqinje.

Këto tregues shprehin qartë se problemi shqiptar nuk është thjesht mungesa e parave, por mungesa e një mase kritike njerëzish të aftë për të zhvilluar dhe absorbuar inovacionin.

Pikërisht ky është dallimi thelbësor që shfaqet kur Shqipëria krahasohet me Serbinë.

Gjatë dekadës së fundit, Serbia nuk është kufizuar në financimin e projekteve kërkimore, por ka ndërtuar gradualisht një ekosistem ku universitetet teknike, institutet kërkimore, fondet publike të inovacionit, inkubatorët teknologjikë dhe sektori privat funksionojnë si pjesë të së njëjtës arkitekturë zhvillimi.

Politika fiskale nuk është përdorur thjesht për të subvencionuar aktivitetin kërkimor, por për të zgjeruar bazën e aktorëve që janë në gjendje ta kryejnë atë.

Në një treg ku universitetet prodhojnë vazhdimisht inxhinierë, programues, studiues dhe specialistë të teknologjisë së avancuar, rritja e kërkesës për kërkim nuk përkthehet menjëherë në rritje të fortë të pagave të një grupi të vogël profesionistësh. Përkundrazi, ekonomia është në gjendje t’i përgjigjet kësaj kërkese duke zgjeruar punësimin, duke krijuar ekipe të reja kërkimore dhe duke rritur numrin e projekteve inovative.

Megjithatë, as Serbia nuk është një model i përsosur. Ajo vazhdon të përballet me dobësi institucionale, efektivitet të kufizuar të qeverisjes, rregull të ligjit të dobët dhe një pjesë ende të ulët të shpenzimeve R&D që vjen nga sektori privat. Shumë aktivitete kërkimore mbeten të orientuara “për industri” dhe jo “nga industri”, ndërsa mungesa e një politike të plotë dhe të koordinuar të inovacionit kufizon ndikimin e investimeve publike. Këto kufizime tregojnë se edhe vendet që kanë ecur më shpejt se Shqipëria nuk e kanë zgjidhur plotësisht problemin e transformimit të fondeve në produktivitet të qëndrueshëm.

Përvoja kroate e përforcon edhe më tej këtë argument, por edhe ajo vjen me nuanca të rëndësishme.

Pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Kroacia fitoi akses në instrumente financiare shumë më të mëdha për inovacion dhe kërkim shkencor. Megjithatë, vlerësimet e institucioneve evropiane dhe të Bankës Botërore evidentuan se problemi nuk ishte sigurimi i fondeve, por kapaciteti për t’i absorbuar ato në mënyrë produktive. Shumë projekte financoheshin, por ndikimi mbi ekonominë mbetej i kufizuar për shkak të mungesës së lidhjeve funksionale ndërmjet universiteteve, instituteve kërkimore dhe sektorit privat.

Në momentin kur politika publike filloi të investonte sistematikisht në doktoratura industriale, në qendra ekselence, në transferimin e teknologjisë dhe në laboratorë të përbashkët universitet–biznes, fondet evropiane filluan të prodhonin efekte më të dukshme. Edhe sot, Kroacia vazhdon të ketë një pjesë të kufizuar të ndërmarrjeve që investojnë në R&D dhe një hendek të dukshëm ndërmjet inovacionit jo-kërkimor dhe atij të bazuar në kërkim shkencor.

Kjo tregon se anëtarësimi në BE dhe rritja e fondeve nuk janë magji automatike. Ato funksionojnë vetëm kur ekziston një infrastrukturë institucionale dhe njerëzore e aftë për t’i shndërruar paratë në njohuri dhe produkte.

Në Shqipëri ndodh mekanizmi i kundërt.

Numri i specialistëve të aftë për të zhvilluar projekte kërkimore mbetet i kufizuar dhe nuk po ripërtërihet me ritmin që kërkon ekonomia. Për pasojë, nëse shteti do të rriste ndjeshëm fondet për kërkim dhe zhvillim pa ndryshuar këtë realitet strukturor, kërkesa shtesë do të përqendrohej mbi të njëjtin grup të vogël profesionistësh. Rezultati do të ishte rritja e kostos së kapitalit njerëzor, jo zgjerimi proporcional i kapaciteteve kërkimore.

Me fjalë të tjera, fondet shtesë do të blinin punë më të shtrenjtë, por jo domosdoshmërisht më shumë inovacion. Ky fenomen redukton efektin shumëzues të investimeve publike dhe kufizon ndikimin e tyre mbi produktivitetin afatgjatë. Për më tepër, ai prodhon edhe pasoja distributive. Përfitimet përqendrohen tek një numër shumë i vogël profesionistësh me kualifikim të lartë, ndërsa pjesa tjetër e ekonomisë përfiton pak. Në këtë mënyrë, politika e inovacionit mund të kontribuojë për keq në rritjen e pabarazisë së të ardhurave pa arritur të transformojë strukturën ekonomike.

Një dimension tjetër që del qartë nga krahasimi rajonal lidhet me mënyrën se si politika fiskale trajton investimet private në teknologji.

Serbia dhe Kroacia kanë përdorur gjithnjë e më shumë instrumente që ulin koston efektive të investimeve teknologjike për biznesin, duke krijuar një klimë ku ndërmarrjet kanë interes të investojnë në automatizim, dixhitalizim dhe zhvillim produktesh të reja. Kjo ka prodhuar një efekt shumë më të qëndrueshëm sesa subvencionet sporadike, sepse ka ndryshuar strukturën e investimeve private dhe jo vetëm nivelin e financimit publik.

Në Shqipëri, ku investimet private në teknologji mbeten të kufizuara, një politikë fiskale që redukton barrën mbi investimet produktive mund të ketë ndikim më të madh sesa grantet individuale për kërkim. Arsyeja është se kapitali fizik modern dhe kapitali njerëzor janë faktorë komplementarë. Asnjëri nuk mund të zëvendësojë tjetrin.

Emigrimi i kapitalit njerëzor e përkeqëson edhe më tej këtë ekuacion.

Shqipëria vazhdon të humbasë çdo vit një pjesë të konsiderueshme të profesionistëve më të kualifikuar. Kjo tendencë, përveç plagës sociale dhe demografike të hapur, po redukton drejtpërdrejt efektivitetin e çdo politike për inovacion.

Çdo studiues ose inxhinier që largohet zvogëlon bazën mbi të cilën mund të ndërtohet kërkimi shkencor kombëtar. Për rrjedhojë, edhe politika tatimore duhet të vlerësohet në funksion të ndikimit që ka mbi aftësinë e vendit për të mbajtur talentin dhe jo vetëm mbi të ardhurat afatshkurtra të buxhetit.

Krahasimi me Serbinë dhe Kroacinë çon në një përfundim të qartë.

Inovacioni nuk mund të blihet përmes subvencioneve.

Ai ndërtohet gradualisht përmes akumulimit të kapitalit njerëzor, forcimit të universiteteve kërkimore, krijimit të institucioneve të transferimit të teknologjisë dhe ndërtimit të një politike fiskale që stimulon investimet private pa krijuar shtrembërime në tregun e punës së kualifikuar.

Për Shqipërinë, kjo do të thotë që prioriteti strategjik nuk duhet të jetë thjesht rritja e shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim, por zgjerimi i bazës kombëtare të dijes.

Në këtë drejtim, tre orientime konkrete të politikës fiskale bëhen veçanërisht të rëndësishme.

Së pari, futja e një krediti tatimor të qëndrueshëm për shpenzimet private në kërkim dhe zhvillim, i lidhur me kritere të qarta të performancës do të ndihmonte në zhvendosjen e pjesës së R&D nga sektori publik drejt atij privat.

Së dyti, lehtësimet tatimore për investimet në pajisje teknologjike, laboratorë dhe infrastrukturë digjitale duhet të synohen drejt ndërmarrjeve që bashkëpunojnë me universitete dhe qendra kërkimore, duke forcuar lidhjet universitet–industri.

Së treti, politika tatimore duhet të përfshijë instrumente të synuara për mbajtjen dhe tërheqjen e talentit, si lehtësime të përkohshme për profesionistët e kthyer nga diaspora ose për studiuesit që punojnë në projekte të financuara publikisht, duke e lidhur kështu politikën e të ardhurave me politikën e kapitalit njerëzor.

Matja e suksesit të kësaj politike do të shihet te produkti që ekonomia do të jetë në gjendje të prodhojë më shumë studiues, më shumë inxhinierë, më shumë doktorë shkencorë dhe më shumë sipërmarrës teknologjikë, si dhe çdo lek shtesë i investuar në inovacion do të gjenerojë produktivitet më të lartë, më shumë teknologji vendase dhe rritje ekonomike të qëndrueshme.

Përvoja e Serbisë dhe Kroacisë, me të gjitha kufizimet e tyre, tregon se politika e inovacionit nuk është në thelb politikë financimi, por para së gjithash është politikë e ndërtimit të kapitalit njerëzor.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.