Pulsi i ekonomisë shqiptare sipas indekseve për 2025 dhe horizontin e 2026
Në sfondin e një ekonomie që ka kaluar nëpër disa goditje në 5 vitet e fundit, duket se viti 2025 shënoi një kapitull të qetë, por jo pa tensionet e tij.
Si një udhëtar që ka lënë pas malet e larta të inflacionit të 2022-2023, Shqipëria duket se po ecën në një shteg më të sheshtë, ku indekset kyç të çmimeve (Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP), Indeksi i Çmimeve të Importit (IÇI) dhe Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (IKN) tregojnë një peizazh të stabilizuar, por të brishtë.
Këto tregues, të marra së bashku, paraqesin historinë e një ekonomie që ka arritur të mbajë ritmin e rritjes mesatare rreth 3.6%, falë turizmit, remitancave dhe investimeve publike, por që fsheh nën sipërfaqe sfida strukturore si varësia e madhe nga importet dhe presioni i pagave.
Në analizën tonë do të lexojmë këto indekse, në një rrjedhë që lidh të shkuarën me të ardhmen. Për të bërë tendencat më të kuptueshme, do të integrojmë tabela krahasuese, bazuar në të dhëna historike dhe trends të ngjashme.
Le të fillojmë me pamjen e përgjithshme të 2025, ku indekset tregojnë një ekonomi që ka zbutur vrullin e çmimeve pas goditjeve të mëparshme.
IÇP-ja, si një matës i hershëm i presioneve inflacioniste në nivel prodhues, arriti në 129.6 në tremujorin e katërt (bazë 2021=100), me një rritje vjetore minimale prej 0.2% me një ulje e lehtë nga 0.4% në tremujorin e parë. Ky stabilizim reflekton një ekonomi ku kostot e prodhimit vendas janë pothuajse të pandryshuara, falë uljes së çmimeve në energji (-0.4%) dhe industri nxjerrëse (-0.2%), ndërkohë që industria përpunuese (+0.5%) tregon shenja akomodimi, sidomos në mobilje dhe farmaceutikë.
Nga ana tjetër, IÇI-ja, që mat kostot e inputeve të jashtme, ra në 107.4 me një ulje vjetore prej -0.5% (nga -0.4% në T1), duke nënvizuar një dezinflacion të butë në energji (-4.1%) dhe metalurgji (-1.1%).
Së fundi, IKN-ja, treguesi i kostove në sektorin e ndërtimit, një motor kryesor i PBB-së shqiptare u ngjit në 114.1 me +1.2% vjetore (nga +1.0% në T1), por kjo rritje vjen kryesisht nga pagat (+6.0%), ndërsa materialet ranë (-0.9%).
Për të ilustruar këto ndryshime më qartë, ja një tabelë krahasuese e indekseve në T1 dhe T4 2025, duke përfshirë vlerat, ndryshimet vjetore dhe tremujore (bazuar në të dhënat e INSTAT-it).
| Indeksi | T1 2025 (Vlera / Ndryshim Vjetor / Ndryshim Tremujor) | T4 2025 (Vlera / Ndryshim Vjetor / Ndryshim Tremujor) |
| IÇP | 129.7 / +0.4% / +0.3% | 129.6 / +0.2% / +0.05% |
| IÇI | 107.7 / -0.4% / -0.3% | 107.4 / -0.5% / +0.05% (shumë e lehtë) |
| IKN | 113.1 / +1.0% / +0.4% | 114.1 / +1.2% / +0.1% |
Kjo tabelë tregon tendencën drejt stabilizimit, me ndryshime vjetore që zbehen gjatë vitit – një sinjal pozitiv për kontrollin e inflacionit, por kritik për rrezikun e ngecjes në këtë situate, nëse nuk ka stimul të ri.
Kjo tablo e bashkuar tregon një ekonomi që ka arritur një ekuilibër të brishtë në 2025, me inflacion të konsumatorit rreth 2.3%, poshtë objektivit 3%.
Është një arritje e lavdërueshme, duke pasur parasysh se vetëm dy vjet më parë, çmimet e energjisë dhe lëndëve të para kishin shtyrë inflacionin mbi 7%.
Tregu vendas në IÇP (+0.3%) dhe ulja e importeve të lira në IÇI kanë ndihmuar bizneset të mbajnë marzhe të mira, duke stimuluar kreditimin (rritje 15.4% në Q2 2025) dhe punësimin, me papunësinë në 8.1%.
Megjithatë, ky stabilitet nuk është pa probleme, ku ulja në eksport në IÇP (-0.4%) sinjalizon një dobësi në konkurrencën globale. Shqipëria vazhdon të vuajë nga një deficit tregtar kronik (rreth 20% e PBB-së).
Kjo varësi kritike nga importet e bën ekonominë vulnerabël ndaj luhatjeve të jashtme. imagjinoni një rritje të papritur të çmimeve të naftës nga gjeopolitika në Lindjen e mesme këtë fillim Marsi 2026 dhe dezinflacioni i 2025 mund të kthehet në presion inflacionist që në Shqipëri përhapet menjëherë[1].
Kjo situate aktuale thekson nevojën për diversifikim.
Pse të mos investohet më shumë në energji të rinovueshme në vend të ndërtimit rezidencial, duke shfrytëzuar uljen aktuale të kostove në IÇI për të ndërtuar rezerva strategjike?
Duke kaluar në sfida më të thella, indekset zbulojnë një narrativë të pabalancuar sektoriale. Ndërtimi, siç tregon IKN-ja, mbetet ylli i ekonomisë, duke kontribuar rreth 10-12% në PBB, por rritja e tij varet shumë nga pagat në rritje, që në realitet 1%shtë një shenjë e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar, e nxitur nga emigracioni masiv.
Kjo situate e tregut të punës është duke u kthyer në një cikël vicioz, ku pagat e larta (+6.0%) rrisin kostot, por nuk rrisin produktivitetin, duke ulur konkurrencën e ndërmarrjeve shqiptare.
Në IÇP, ulja në metalurgji (-0.6%) dhe pajisje elektrike (-0.5%) tregon se industritë tradicionale po vuajnë, ndërsa sektori përpunues mbështetet në nën-sektorë të vegjël si mobiljet.
Për të vizualizuar ndryshimet sektoriale vjetore në IÇP për T4 2025, ja një tabelë përmbledhëse:
| Sektori | Ndryshim Vjetor (%) | Ndryshime Kryesore Brenda Sektorit |
| Industri Përpunuese | +0.5% | Mobilje +1.5%, Farmaceutikë +1.4%; Metalurgji -0.6%, Pajisje Elektrike -0.5% |
| Furnizimi me Ujë & Mbeturina | +0.2% | Rritje e lehtë e përgjithshme |
| Energji Elektrike & Gazi | -0.4% | Ulje dominante |
| Industri Nxjerrëse | -0.2% | Ulje e lehtë |
Kjo tabelë ilustron përzierjen e rritjes në përpunim, por uljes në energji dhe industritë nxjerrëse, duke treguar një ekonomi të orientuar drejt shërbimeve dhe ndërtimit, por me pak inovacion.
Ky model ekonomik mbetet ende funksional, në një masë të madhe falë kontributit të turizmit (i cili sipas projeksioneve të Wiiw pritet të rritet mesatarisht rreth 3.5%), por perspektiva për vitin 2026 shoqërohet me rreziqe të reja që mund të çojnë drejt një faze stanjacioni nëse ekonomia vijon të mos fillojë të diversifikohet.
Një faktor i rëndësishëm që po ndryshon kontekstin ekonomik është presioni i ri mbi çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe mallrave bazë, i ndikuar nga tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme. Këto zhvillime, të reflektuara në bursat ndërkombëtare të energjisë dhe lëndëve të para, kanë filluar të transmetohen edhe në ekonominë shqiptare përmes rritjes së kostove të importit dhe çmimeve fillimisht të karburanteve në tregun e brendshëm.
Në tregun e brendshëm shqiptar ky presion shpesh amplifikohet nga struktura e përqendruar e disa tregjeve dhe nga prania e informalitetit, çka krijon hapësira për rritje të çmimeve përtej kostove reale.
Kjo situatë rrezikon të zbehë përfitimet që bizneset mund të merrnin nga stabilizimi relativ i disa kostove të prodhimit dhe nga tregues si indeksi i çmimeve në industri apo në ndërtim.
Në një mjedis të tillë me pasiguri të lartë dhe me deformime të tregut, bizneset përballen me një dilemë strategjike.
Në kushte normale, stabilizimi ose ulja relative e kostove të materialeve në disa sektorë do të duhej të krijonte hapësirë për investime në teknologji dhe modernizim të proceseve të prodhimit, duke ulur varësinë nga puna manuale dhe duke rritur potencialin e eksporteve në sektorë me vlerë të shtuar më të lartë, si industria farmaceutike apo përpunuese.
Por presioni i çmimeve të importit, pasiguritë gjeopolitike dhe deformimet e tregut vendas e bëjnë këtë tranzicion më të vështirë dhe më të pasigurt.
Duke parë drejt tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2026, pra deri në fund të gjashtëmujorit të parë, dilema mbi drejtimin e ekonomisë shqiptare bëhet më e qartë.
Kjo periudhë përkon me fazën parapërgatitore të sezonit turistik, i cili tradicionalisht mbështet aktivitetin ekonomik, por për vitin 2026 duhet parë me më shumë rezervë për shkak të pasigurive gjeopolitike dhe ndikimit të tyre në çmimet e energjisë, transportin dhe kostot e udhëtimeve.
Ecuria e tre treguesve kryesorë të kostove në ekonomi (2025 – Gjysmëmujari I 2026)
| Indeksi / Periudha | 2025 | T1 2026 (proj.) | T2 2026 (proj.) |
|---|---|---|---|
| IÇP – Prodhimi | 129.7 | 129.8 – 130.0 | 130.2 – 130.8 |
| IÇI – Industria | 107.7 | 107.2 – 107.5 | 107.5 – 108.0 |
| IKN – Ndërtimi | 113.1 | 114.5 – 115.0 | 115.5 – 116.5 |
Nëse tre treguesit shihen së bashku, ata tregojnë një ekonomi që po hyn në një fazë stabilizimi relativ të çmimeve, por me presione të ndryshme sipas sektorëve. Çmimet në prodhim (IÇP) rriten shumë ngadalë, duke sinjalizuar se presioni inflacionist në zinxhirin e furnizimit mbetet i moderuar. Në të njëjtën kohë, kostot industriale (IÇI) tregojnë një fazë tranzicioni nga rënia drejt stabilizimit, që do të thotë se industria po del gradualisht nga periudha e uljes së kostove dhe po hyn në një ekuilibër të ri.
Ndërkohë, sektori i ndërtimit (IKN) lëviz në drejtim të kundërt, me rritje më të dukshme të kostove. Kjo lidhet kryesisht me rritjen e pagave dhe me kërkesën e qëndrueshme për investime ndërtimi, sidomos në prag të sezonit turistik. Në praktikë, kjo do të thotë se ndërsa prodhimi dhe industria po stabilizohen, ndërtimi po përjeton presion më të madh në kosto.
Kur këta tre tregues kombinohen, tabloja që del për gjysmën e parë të vitit 2026 është një ekonomi me inflacion të kontrolluar, por me rritje graduale të kostove në sektorët që varen më shumë nga puna dhe investimet fizike. Nëse kësaj dinamike i shtohen edhe kostot e energjisë dhe importet, atëherë presioni mbi çmimet mund të rritet gradualisht gjatë muajve para sezonit turistik.
Megjithatë, ky skenar mbetet i brishtë.
Tensionet në tregjet globale të energjisë dhe rritja e kostove të transportit mund të përkthehen shpejt në presione inflacioniste për një ekonomi importuese si Shqipëria. Nëse këtyre u shtohen edhe struktura e përqendruar e tregjeve dhe informaliteti i brendshëm, stabilizimi i inflacionit mund të rezultojë më i dobët sesa parashikimet bazë.
Në këtë kontekst, nëse në gjysmën e parë të vitit 2026 nuk shfaqet një impuls i ri investimesh, veçanërisht në infrastrukturë, energji dhe sektorë prodhues, rritja ekonomike rrezikon të zbresë nën nivelin 3.5%, duke e bërë ekonominë edhe më të varur nga performanca sezonale e turizmit.
Nga një këndvështrim i ALTAX, kjo fazë duhet parë si një pikë vendimtare, ku ose ekonomia shfrytëzon stabilitetin relativ të inflacionit për të nxitur investime produktive dhe diversifikim, ose rrezikon të hyjë në një cikël rritjeje të moderuar dhe të paqëndrueshme. Në këtë kuptim, gjashtëmujori i parë i vitit 2026 mund të përcaktojë nëse stabiliteti aktual është një trampolinë për transformim ekonomik, apo thjesht një ekuilibër i përkohshëm para një faze stagnimi.
[1] https://altax.al/shqiperia-dhe-sfidat-energjetike-dhe-ekonomike-nga-ndikimi-i-tensioneve-ne-strait-of-hormuz/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.