“Shqipëria 1 Euro”, premtimi i madh që përfundoi në dështim

“Shqipëria 1 Euro”, premtimi i madh që përfundoi në dështim

Nisma “Shqipëria 1 euro” u prezantua në vitin 2006 si një politikë për të tërhequr investitorët e huaj dhe vendas duke ofruar tokë shtetërore ose pasuri publike me qira simbolike prej 1 euro për bizneset që krijonin vende pune dhe kontribuonin në zhvillimin ekonomik. Ideja bazë ishte që shteti të lehtësonte hyrjen e investimeve dhe të nxiste zhvillimin e sektorëve të caktuar. Qëllimi kryesor ishte mobilizimi i burimeve publike dhe private në zona të pazhvilluara ose të degraduara ekonomikisht. Në teori, kjo ishte një politikë që duhej të kishte ndikim pozitiv, pasi bazohej në përdorimin e pasurive publike për përfitime private. Ajo mund të përfaqësonte mundësi për zhvillimin e industrive të reja, mbështetje për sektorët strategjikë si turizmi i qëndrueshëm, bujqësia konkurruese dhe prodhimi për eksport, si dhe mundësi punësimi për grupet e margjinalizuara.

Për Shqipërinë e rreth dy dekadave më parë, logjika e kësaj nisme dukej e justifikuar në kontekstin e kërkesës për zhvillim ekonomik dhe integrim në BE, duke ofruar mundësi për përdorimin efikas të aseteve të papërdorura.

Modele të ngjashme janë përdorur me sukses në vende të tjera, për të nxitur zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë. Një shembull mund të jenë politikat e vendeve të Bashkimit Evropian, ku pasuritë shtetërore ofrohen me qira për krijimin e mundësive të reja për biznese që krijojnë inovacione teknologjike apo që ndihmojnë në zhvillimin e rajoneve të pasura me potencial ekonomik, por që kanë nevojë për stimulim. Ky model, megjithatë ka funksionuar vetëm kur është zbatuar me një monitorim të rreptë dhe me garanci për transparencë, duke evituar favorizime të paarsyeshme dhe keqmenaxhim.

Por a ka ndodhur pikërisht kështu në Shqipëri, pas 18 vitesh ofertë të pasurive publike në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë dhe rritjes së mirëqenies?

Përkundër qëllimeve politike dhe mundësive dhe shanseve të ofruara, realizimi i nismës ka përballuar probleme kritike që kanë minuar efektivitetin e saj.

Së pari konstatohet se nisma ka mungesë transparence dhe ka favorizime politike. Pasuritë publike janë shpërndarë në mënyrë selektive, duke favorizuar individë apo kompani me lidhje të ngushta me partitë politike në pushtet[1]. Kjo ka krijuar një mjedis ku mundësitë për të përfituar nga kjo skemë nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë, duke i lënë jashtë lojës bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe investitorët që mund të kishin një ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit. Përfituesit nuk kanë qenë në shumicën e rasteve investitorë seriozë, por individë që kanë përdorur skemën për përfitime personale. Një pjesë e pasurive të dhëna me qira simbolike më vonë janë shitur ose përdorur për qëllime të ndryshme nga ato të deklaruara. Kjo nismë është përdorur si mjet politik për të shpërblyer individë të lidhur me partitë në pushtet.Në vend që të krijojë një treg të ndershëm investimesh, ka ndihmuar krijimin e monopoleve dhe oligopoleve, duke dëmtuar konkurrencën.

Së dyti është mungesa e ndikimit real në ekonomi. Deri tani, nuk ka të dhëna konkrete që tregojnë se kjo nismë ka sjellë një rritje të qëndrueshme të investimeve afatgjata. Pavarësisht qëllimeve për të zhvilluar sektorë strategjikë dhe për të krijuar mundësi pune, realiteti ka treguar se shumica e projekteve të mbështetura nga kjo nismë nuk kanë kontribuar në zhvillimin e industrive prodhuese apo sektorëve që sjellin vlera të shtuar për ekonominë. Përkundrazi, shumë pasuri janë përdorur për projekte ndërtimi që nuk sjellin vlerë të prekshme për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë.

Së treti është keqmenaxhimi i tokës publike, apo edhe aseteve të tjera publike. Në disa raste, pasuritë publike të dhëna me qira për 1 euro janë përdorur për ndërtimin e resorteve apo objekteve luksoze, që më shumë kontribuojnë në spekulim dhe rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme sesa në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Kjo ka sjellë edhe një përqendrim të pasurisë dhe mundësive ekonomike në duar të pakta, duke thelluar ndarjen e pabarazisë ekonomike dhe sociale.

Biznese fiktive kanë marrë prona publike me qira të ulët, duke i përdorur ato për të justifikuar burime financiare të dyshimta. Disa prona janë përdorur për ndërtim ose aktivitete të tjera që ndihmojnë në qarkullimin e parave të pista në ekonomi. Por ka patur raste kur prona shtetërore është marrë për biznes dhe më pas është përdorur për pastrim kapitali përmes investimeve në ndërtim apo projekte të tjera të paqarta.

Një nga aspektet kyçe të kësaj nisme është ndikimi që ka në financat publike dhe në zhvillimin ekonomik afatgjatë.

Për të kuptuar ndikimin fiskal, duhet të shqyrtojmë ndikimin e mundshëm të humbjes së të ardhurave nga qiraja dhe taksat. Nëse një kompani merr një pasuri publike për vetëm 1 euro, por nuk sjell investime të qëndrueshme, atëherë shteti humbet të ardhura që mund të ishin siguruar nëpërmjet qirasë më të lartë ose taksave. Kjo është një humbje e mundshme për buxhetin e shtetit, veçanërisht nëse pronat nuk shfrytëzohen për qëllime që mbështesin zhvillimin ekonomik të rajonit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.

Një tjetër problem është mungesa e garancive për qëndrueshmërinë e investitorëve. Në shumë raste, kompanitë që përfituan nga kjo nismë u përfshinë në projekte që mund të jenë fitimprurëse për një periudhë të shkurtër, por nuk garantuan zhvillim afatgjatë. Investimet reale kanë qenë të pakta, sepse shumë nga përfituesit nuk kanë pasur interes për të zhvilluar ekonominë, por vetëm për të përfituar nga asetet publike. Pas përfitimit nga skema e qirave të ulëta, ato janë tërhequr duke krijuar boshllëqe dhe gërryer bazën ekonomike për zhvillim afatgjatë, duke lënë një fluks të pasurive të patundshme dhe investimeve të dështuara që nuk sjellin kurrfarë përfitimi afatgjatë për shtetin ose për qytetarët.

Buxheti i shtetit ka humbur të ardhura, pasi prona publike është dhënë me çmime simbolike, duke ulur potencialin e qirave apo shitjeve në tregun e lirë, por edhe duke humbur të ardhura nga qokat fiskale të pajustifikuara në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përfitimit prej publikut të gjerë.

Në analizën e thelluar të efektivitetit të nismës “Shqipëria 1 euro” është e qartë se ajo ka pasur vështirësi të konsiderueshme në realizimin e qëllimeve të saj kryesore, duke kontribuar në një shpërndarje të paekuilibruar të pasurive publike dhe mungesë të ndikimit real në zhvillimin ekonomik.

Në vend që të kontribuonte në zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, nisma ka shpërfaqur shenjë të korrupsionit politik dhe keqpërdorimit të pasurive publike për interesa të ngushta dhe të dyshimta. Për këtë arsye, është e nevojshme një rishikim i plotë i politikës, duke siguruar monitorim të rreptë, transparencë dhe kushte strikte për përfituesit, për të mundësuar një ndikim pozitiv afatgjatë në ekonominë e Shqipërisë.

Nisma “Shqipëria 1 euro” kishte potencialin për të qenë një mekanizëm efektiv nëse do të zbatohej me kritere të forta, transparencë dhe monitorim të vazhdueshëm. Megjithatë, problemet me transparencën, keqmenaxhimin dhe mungesën e ndikimit real në ekonomi kanë bërë që kjo nismë të mos japë rezultatet e pritshme. Për ta bërë efektive, duhet të rishikohet duke vendosur kushte më të rrepta për përfituesit dhe duke monitoruar ndikimin ekonomik të saj në mënyrë rigoroze. Për ta vlerësuar efektin e saj në ekonomi, duhet të analizojmë se sa efikase ka qenë në praktikë në raport me përdorimin e aseteve publike dhe ndikimin ekonomik. Në më shumë se 17 vite të zbatimit të nismës “Shqipëria 1 euro”, analizat e disponueshme tregojnë se nuk ka pasur një rritje të konsiderueshme të investimeve të huaja apo të brendshme si rezultat i saj. Kjo është një tregues i qartë që skema nuk ka arritur të krijojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për vendin, përkundrazi, është krijuar një mjedis ku pasuritë publike janë shpërndarë në mënyrë selektive, dhe efekti ekonomik ka mbetur i kufizuar. Po e shqyrtojmë më në detaje ndikimin në sektorët kyç të ekonomisë shqiptare. Gjatë periudhës së zbatimit të nismës, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë shënuar një rritje, por kjo rritje është ndikuar shumë nga projekte të mëdha energjetike si ndërtimi i hidrocentraleve dhe projekte të tjera të lidhura me energjinë, siç është Trans Adriatic Pipeline (TAP). Gjithashtu, sektori i ndërtimit ka përfituar nga investime të konsiderueshme. Megjithatë, kjo rritje e investimeve nuk lidhet drejtpërdrejt me nismën “Shqipëria 1 euro”, por më shumë me projekte të tjera energjetike dhe ndërtimi që kanë karakteristika të ndryshme investimi dhe kanë përfituar nga tregu ndërkombëtar dhe marrëveshje të shumta me partnerë të huaj. Në këtë kontekst, nisma “Shqipëria 1 euro” ka pasur një ndikim të kufizuar në përfshirjen e investitorëve të huaj në sektorë të tjerë strategjikë si teknologjia, industrinë përpunuese apo bujqësi, që mund të kishin sjellë zhvillim më të qëndrueshëm dhe diversifikim të ekonomisë. Një nga qëllimet kryesore të nismës ishte krijimi i vendeve të punës përmes inkurajimit të investimeve që do të sillnin rritje të aktiviteteve ekonomike në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Megjithatë, nuk ka të dhëna të qarta që të tregojnë se kompanitë që kanë përfituar nga “Shqipëria 1 euro” kanë krijuar vende të qëndrueshme pune. Kjo mund të lidhet me faktin se shumë prej kompanive që kanë marrë asetet publike me çmime simbolike, si p.sh. për ndërtimin e resorteve apo objekteve luksoze, nuk kanë pasur si qëllim krijimin e vendeve të punës, por kanë përdorur asetet për projekte që nuk sjellin përfitime të qëndrueshme për ekonominë lokale. Për shembull, investimet në sektorë si turizmi, ku shumë pasuri janë përdorur për ndërtimin e resorteve, nuk kanë kontribuar në krijimin e industrive të qëndrueshme dhe të diversifikuara që mund të kishin përfshirë punë sezonale dhe të përhershme për shtresat më të pafavorizuara. Kjo ka bërë që shumë individë të mos përfitojnë nga mundësitë e punësimit, dhe, për pasojë, efektet e kësaj nisme kanë qenë të kufizuara në përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetesës. Një tjetër sektor kyç që pritej të përfitonte nga kjo nismë ishte sektori prodhues. Qëllimi ishte që asetet publike të përdoren për zhvillimin e industrisë përpunuese, e cila mund të krijonte vlera të shtuar dhe të kontribuonte në diversifikimin e ekonomisë. Sidoqoftë, shumë nga pasuritë publike të dhëna me qira nuk janë përdorur për industrinë përpunuese apo për produksionin e mallrave me vlerë të shtuar, por për projekte që lidhen me turizmin, ndërtimin dhe aktivitete të tjera që nuk kanë krijuar zhvillim të qëndrueshëm të sektorit prodhues. Përkundrazi, mungesa e investimeve në sektorë strategjikë, si përpunimi i ushqimeve, industria e ndihmës, apo prodhimi i materialeve të ndihmës ka penguar zhvillimin e një baze të fortë industriale që mund të krijonte vende pune të qëndrueshme dhe të rrisnin eksportet e vendit. Nëse analizojmë ndikimin në ekonomi dhe përdorimin e aseteve publike, mund të themi se “Shqipëria 1 euro” ka dështuar të sjellë përfitime të prekshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Nisma ka dështuar të sjellë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për Shqipërinë. Ajo nuk ka ndihmuar në rritjen e investimeve të huaja dhe të brendshme në sektorët strategjikë, nuk ka kontribuar në krijimin e vendeve të punës të qëndrueshme dhe ka pasur një ndikim minimal në zhvillimin e sektorit prodhues. Përkundrazi, ajo ka krijuar mundësi të kufizuara për abuzime dhe favore politike, dhe pjesa më e madhe e investimeve është përqendruar në sektorë të tjerë që nuk kanë sjellë vlera të shtuar për ekonominë afatgjatë të vendit. Nëse analizojmë nismën “Shqipëria 1 euro” bazuar në mënyrën se si është zbatuar gjatë viteve, ajo duket se ka qenë më shumë në funksion të korrupsionit politik dhe pastrimit të parave sesa në favor të mirëqenies së buxhetit dhe individëve. Nëse kjo nismë do të kishte pasur një sistem të fortë monitorimi dhe kushte të qarta për përfituesit, atëherë mund të kishte pasur ndikim pozitiv. Për momentin, modeli aktual ka më shumë probleme sesa përfitime dhe mund të thuhet se ka humbur vlerën e saj ekonomike në formën që ekziston sot.

[1] https://shqiptarja.com/index.php/lajm/tec-i-i-fierit-abuzimi-m-euml-br-i-ri-i-qeveris-euml-me-1-euro

https://ndiqparate.al/?p=15094

https://euronews.al/edhe-malet-do-shiten-1-euro-pronat-shteterore-drejt-privatizimit/

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.