Çfarë i nevojitet shqiptarëve për t’u bërë qendër aktive për prodhimin e të mirave në rajon?
Shqiptarët ka potencial të madh për t’u bërë një qendër rajonale për prodhimin e të mirave, por për ta arritur këtë objektiv, duhet të adresohen disa faktorë strategjikë. Këta faktorë përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës, politikat ekonomike dhe fiskale nxitëse, zhvillimin e burimeve njerëzore, fokusimin në sektorë strategjikë, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe të imazhit ndërkombëtar. Në vijim po analizojmë një pas një pikërisht ato që gjykojmë se vlejnë për këtë diskutim.
1. Përmirësimi i infrastrukturës me qasje transparente
Një infrastrukturë moderne është thelbësore për të tërhequr investitorët dhe për të lehtësuar tregtinë. Shqipëria ka nevojë për investime të konsiderueshme në rrugë dhe hekurudha, sidomos për lidhjen me portet kryesore si Durrësi, Vlora dhe Shëngjini. Zhvillimi i këtyre porteve do të ndihmonte vendin të bëhej një qendër logjistike rajonale dhe të lehtësonte transportin ndërkufitar për të përmirësuar tregtinë me vendet fqinje. Por, potencial të madh kanë shqiptarët edhe në Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo që i mungon këtij potenciali është moskoordinimi brenda interesave të shteteve ku jetojnë për të rritur logjistikën e rrugëve, hekurudhave dhe lidhjeve ajrore, çka do të ndihmonte prodhuesit të eksportojnë më lehtë dhe tregjet të lidhen më lehtë me konsumatorët.
Një furnizim i qëndrueshëm me energji është gjithashtu jetik për prodhimin, ndaj kërkohen investime në burimet e rinovueshme për të siguruar energji të lirë dhe të pastër. Diversifikimi i burimeve të energjisë është një domosdoshmëri për të reduktuar varësinë nga hidrocentralet dhe importet. Kostot e përafërta për këto investime për Shqipërinë mund të kalojnë 3 miliardë euro në 10 vitet e ardhshme, ndërsa rreziqet përfshijnë financimin e pamjaftueshëm, ngadalësimin e projekteve të mëdha si dhe korrupsionin dhe keqmenaxhimin në projektet infrastrukturore. Po kaq llogariten këto kosto edhe për dy shtetet fqinje ku jetojnë shqiptarët
Megjithëse ka një rëndësi të madhe që të zhvillohet infrastruktura për të mbështetur një industri konkurruese dhe për të tërhequr investitorë është e rëndësishme të theksohet se investimet kapitale në infrastrukturë kanë qenë të kufizuara në Shqipëri. Pavarësisht faktit se çdo vit janë shpenzuar 4-5.5% të PBB-së për investime kapitale, shumë objektiva të përcaktuara në strategjinë e zhvillimit të rrugëve, përfshirë lidhjet me portet dhe krijimin e një rrjeti të përshtatshëm logjistik, ende nuk janë përmbushur. Kjo tregon se ndonëse investimet janë të konsiderueshme në terma absolutë, efikasiteti dhe përmbushja e objektivave është ende një sfidë.
Kritika është se përkundër shpenzimeve të konsiderueshme nuk është realizuar ende infrastruktura e nevojshme për të mundësuar zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me kërkesat e tregut. Kjo ka të bëjë me menaxhimin e investimeve dhe shpërndarjen e tyre në mënyrë të duhur për të arritur qëllimet strategjike, që janë thelbësore për të bërë Shqipërinë një qendër rajonale prodhimi. Dështimi për të arritur objektivat e përcaktuara kërkon një rishikim të strategjisë dhe menaxhimit të investimeve infrastrukturore për të siguruar përmbushjen e kërkesave të tregut dhe rritjen e konkurrencës.
2. Politikat nxitëse ekonomike dhe fiskale të diskutuara dhe studiuara mirë
Lehtësirat fiskale për industrinë prodhuese dhe eksportuesit janë shpesh të konsideruara si një mjet i rëndësishëm për të nxitur zhvillimin ekonomik. Megjithatë, ky qëndrim është i diskutueshëm kur krahasohet me analizën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe analizat brenda vendit, të cilat vërejnë se Shqipëria, ashtu si vendet fqinje tashmë kanë një gamë të gjerë lehtësirash fiskale dhe zgjerimi i tyre mund të dëmtojë qëndrueshmërinë fiskale të vendit. Më shumë përjashtime fiskale mund të krijojnë një ngarkesë shtesë për buxhetin e shtetit, duke kufizuar mundësitë për investime publike në sektorë kyç dhe duke rritur ndjeshëm borxhin publik.
Nga gjithë kjo situatë, sugjerohet një qasje të ndryshme, duke rekomanduar përmirësimin e klimës së biznesit përmes stabilitetit të politikave fiskale, thjeshtimit të procedurave administrative dhe forcimit të sundimit të ligjit. Ky është një këndvështrim më i qëndrueshëm dhe i shëndetshëm për të mbështetur rritjen ekonomike afatgjatë. Implementimi i një kuadri të qartë dhe të qëndrueshëm fiskal, pa nevojën e lehtësirave të vazhdueshme, mund të sigurojë stabilitet dhe besueshmëri për investitorët, duke nxitur një mjedis më të shëndetshëm për sipërmarrjen.
Një tjetër aspekt kritik që duhet të shqyrtohet është nevoja për një analizë më të thelluar të burimeve të financimit të investimeve të propozuara. Këto shpenzime nuk mund të mbulohen vetëm me lehtësira fiskale të mëtejshme, dhe është thelbësore të qartësohet se si do të mbulohen ato – përmes buxhetit të shtetit, huave të jashtme, apo investimeve të huaja. Po ashtu, mungesa e një analize të plotë mbi ndikimin e këtyre investimeve në rritjen ekonomike dhe kthimin e mundshëm të investimeve krijon paqartësi mbi efikasitetin e politikave të propozuara.
Në këtë kontekst, është e domosdoshme që qeveria të zhvillojë një strategji më të balancuar, duke u fokusuar në përmirësimin e strukturës fiskale dhe thjeshtimin e administratës për të siguruar që investimet të kenë një ndikim të qëndrueshëm në zhvillimin ekonomik.
3. Zhvillimi i burimeve njerëzore me një sjellje ndryshe
Një forcë punëtore e aftë dhe e kualifikuar është element thelbësor për një ekonomi prodhuese të suksesshme. Harmonizimi i arsimit profesional me kërkesat e tregut është një hap i rëndësishëm, si dhe nxitja e bashkëpunimit mes universiteteve dhe industrisë. Për të frenuar emigracionin e të rinjve dhe për të mbajtur kapitalin njerëzor brenda vendit, duhen krijuar politika që stimulojnë punësimin dhe rritjen e pagave për sektorët strategjikë.
Investimi në edukim dhe trajnim mund të arrijë deri në 500 milionë euro në dekadën e ardhshme. Megjithatë, ka nevojë për një vlerësim të mundësive dhe rreziqeve të mundshme, duke përfshirë vonesat në zbatimin e reformave në arsim dhe vështirësitë në frenimin e emigracionit.
Përkundër faktit se ka pasur diskutime dhe nisma të përsëritura për lidhjen e arsimit profesional me kërkesat e tregut dhe nxitjen e bashkëpunimit mes universiteteve dhe industrisë, shumë prej këtyre propozimeve kanë mbetur të papërfunduara ose janë realizuar në mënyrë të fragmentuar. Arsimi profesional dhe aftësimi i fuqisë punëtore janë aspekte kyçe që mund të ndihmojnë në uljen e papunësisë dhe të frenojnë emigracionin e të rinjve, por ende nuk ka një qasje të qartë dhe një strategji të mirëkoordinuar për t’i adresuar këto çështje.
Politikat që stimulojnë punësimin dhe rritjen e pagave për sektorët strategjikë janë gjithashtu të domosdoshme, por deri tani ato kanë qenë të paqarta dhe shpesh të paplotësuara kur dhe si duhet. Për të krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillimin e industrisë dhe për të mbajtur kapitalin njerëzor brenda vendit, duhet të ndërmerren hapa konkretë, të mbështetur nga një plan tërësor dhe të vazhdueshëm, dhe jo thjesht nisma të rastësishme që nuk lidhen me një strategji afatgjatë. Deri më tani, mungesa e koordinimit dhe e një qasjeje afatgjatë në këto fusha ka penguar zhvillimin e një force punëtore të kualifikuar dhe të qëndrueshme për të mbështetur ekonominë prodhuese të Shqipërisë.
4. Fokusimi në sektorë strategjikë me analiza dhe debate shteruese
Për të arritur suksesin si qendër prodhimi, Shqipëria duhet të fokusohet në disa sektorë me potencial të lartë. Agroindustria është një prej tyre, ku rritja e kapaciteteve të përpunimit të produkteve bujqësore dhe eksportimi i produkteve me vlerë të shtuar mund të sjellë përfitime të ndjeshme ekonomike.
Një tjetër sektor është industria e tekstilit, apo dhe prodhimi i lehtë, ku përmirësimi i kushteve të punës dhe krijimi i zinxhirëve të furnizimit për veshje dhe këpucë mund të ndihmojë në tërheqjen e investitorëve. Po ashtu, industria e teknologjisë dhe elektronikës mund të zhvillohet përmes tërheqjes së investimeve në IT dhe krijimit të zonave të lira ekonomike për teknologjinë, në nisma që kanë filluar të zbatohen, por duke patur rezerva për finalizimin e tyre.
Investimet në këta sektorë mund të kërkojnë mbi 1 miliard euro në 10 vitet e ardhshme vetëm për Shqipërinë dhe mbi 2.5 miliard euro për shtetet fqinje, ndërkohë që sfidat përfshijnë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe paqëndrueshmërinë e politikave industriale.
Per shembull, Shqipëria ka humbur mundësi të konsiderueshme për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe bëhen sfida të mëdha për ta shndërruar veten në një qendër prodhimi rajonale për shkak të mos implementimit të politikave të duhura në sektorët kyç me potencial të lartë. Agroindustria, industria e tekstilit dhe prodhimi i lehtë, si dhe sektori i teknologjisë dhe elektronikës janë disa nga mundësitë që janë neglizhuar ose nuk janë zhvilluar sa duhet për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të tërhequr investime të rëndësishme.
Një nga pasojat më të dukshme të këtij aspekti është rritja e ulët ekonomike dhe humbja e mundësive për të rritur kapacitetet e përpunimit të produkteve bujqësore dhe eksportimin e produkteve me vlerë të shtuar. Shqipëria ka potencialin për të pasuruar ekonominë e saj përmes një zinxhiri prodhimi më të përparuar në sektorin agroindustrial, por vonesat dhe mungesa e përkushtimit për t’i dhënë përparësi këtij sektori kanë bërë që mundësitë e zhvillimit të humbasin, duke mbajtur vendin në një nivel të ulët të konkurrencës globale.
Po ashtu, industria e tekstilit dhe prodhimi i industrisë së lehtë janë sektorë që mund të kishin dhënë një impuls të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Sidoqoftë, përpjekjet për të përmirësuar kushtet e punës dhe krijimin e zinxhirëve të furnizimit për veshje dhe këpucë nuk janë zhvilluar në mënyrë të mjaftueshme, duke e lënë Shqipërinë të konkurrojë në nivele të ulëta me vendet e tjera që kanë investuar më shumë në këtë sektor. Kjo ka çuar në humbjen e mundësive për të tërhequr investitorë të rinj dhe për të krijuar një industri prodhuese më të fortë.
Gjithashtu, industria e teknologjisë dhe elektronikës, një tjetër sektor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, ka mbetur gjithashtu shumë pas. Tërheqja e investimeve në IT dhe krijimi i zonave të lira ekonomike për teknologjinë mund të kishin stimuluar një zhvillim të madh në këtë fushë. Mungesa e një strategjie të qartë dhe e një angazhimi për këtë sektor ka çuar në humbjen e mundësive për të zhvilluar një industri teknologjike të avancuar, e cila mund të kishte ofruar mundësi të reja për punësim dhe rritje të ekonomisë.
Shqipëria ka humbur mundësinë për të zhvilluar disa nga sektorët më të rëndësishëm për rritjen ekonomike të qëndrueshme. Ndërprerja e investimeve dhe vonesat në këto fusha ka çuar në një stagnim të ekonomisë, duke e lënë Shqipërinë pas konkurrentëve të saj dhe duke humbur mundësi të rëndësishme për të krijuar një bazë prodhimi të fortë dhe konkurruese.
5. Mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm
Një qasje e qëndrueshme ndaj zhvillimit ekonomik përfshin prodhimin e gjelbër, me investime në teknologji të pastra dhe riciklim, si dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme. Kjo duhet të shoqërohet me një menaxhim të kujdesshëm të mbetjeve dhe burimeve natyrore, përmes krijimit të një sistemi të integruar të riciklimit dhe reduktimit të ndotjes industriale.
Masat për zhvillim të qëndrueshëm mund të kërkojnë mbi 500 milionë euro dhe një nga sfidat kryesore është mungesa e stimulit për bizneset për të kaluar në praktika të qëndrueshme.
Shqipëria ka mundësinë për të zhvilluar një ekonomi të qëndrueshme përmes prodhimit të gjelbër, investimeve në teknologji të pastra, riciklim dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme. Por , e njëjta qasje vlen per gjithë shtetet fqinje me te. Megjithatë, një nga pengesat kryesore që ka mbajtur prapa implementimin e këtyre masave është korrupsioni, veçanërisht në industrinë e përpunimit dhe menaxhimit te mbetjeve.
Per shembull, shumë projekte të inceneratorëve ne Shqiperi janë shoqëruar me akuza për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke e bërë të vështirë krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të besueshëm për menaxhimin e mbetjeve. Këto projekte kanë marrë financime të mëdha dhe investime publike, por shumë prej tyre janë kritikuar për mungesën e transparencës dhe përfitimet që kanë sjellë për disa individë dhe grupe të lidhura me pushtetin, ndërsa nuk kanë kontribuar në mënyrë të dukshme në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve apo në uljen e ndotjes. Ky është një shembull konkret i asaj që ka ndodhur në sektorin e mbetjeve, ku politika e keqmenaxhuar dhe korrupsioni kanë penguar zhvillimin e një sistemi efikas dhe të qëndrueshëm riciklimi.
Për më tepër, mungesa e një strategjie të qartë për mbështetje ndaj bizneseve që të kalojnë në praktika të qëndrueshme, si dhe pa një sistem të forcës për të mbështetur investimet në teknologjitë e pastra, ka kontribuar në përkeqësimin e situatës. Bizneset nuk kanë stimuj të mjaftueshëm për të kaluar në këto praktika, pasi politika qeveritare është shpesh jo e qëndrueshme dhe pa një mbështetje adekuate. Pa një angazhim të qartë nga ana e shtetit dhe masat që i shoqërojnë është e vështirë për Shqipërinë të arrijë objektivat për zhvillim të qëndrueshëm.
Përfundimisht, modele korrupsioni si ai në industrinë e mbetjeve dhe inceneratorëve, apo qasjet në ndërtime me lekët e korrupsionit nga lidhjet e afërta me zyrtarët e lartë politikë kanë minuar mundësinë për të zhvilluar një sistem të qëndrueshëm dhe të gjelbër dhe një ekonomi diverse për të gjithë. Pa adresuar këto probleme dhe duke i dhënë fund praktikave të dëmshme, Shqipëria do të humbasë mundësinë për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme dhe do të vazhdojë të përballet me sfida të mëdha në menaxhimin e burimeve natyrore dhe mbetjeve.
6. Promovimi, bashkëpunimi rajonal dhe imazhi ndërkombëtar, përfshirë turizmin
Një strategji efektive marketingu për Shqipërinë dhe vendet fqinje është e domosdoshme për të promovuar produktet dhe potencialin ekonomik. Krijimi i një marke kombëtare “Made in Albania” me baze te gjere jo vetëm brenda kufijve shtetërore dhe certifikimi i produkteve sipas standardeve ndërkombëtare do të ndihmonte vendet të bëheshin më konkurrues në tregjet globale.
Në të njëjtën kohë, pjesëmarrja aktive në iniciativat e tregut të përbashkët në Ballkan dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të reja tregtare mund të lehtësojnë eksportet shqiptare. Kostoja e këtyre përpjekjeve të marketingut dhe diplomacisë ekonomike mund të arrijë rreth 200 milionë euro, ndërsa sfida më e madhe mbetet konkurrenca nga vendet fqinje që mund të ofrojnë kushte më të favorshme për investitorët.
Turizmi mund të luajë një rol të rëndësishëm në integrimin e Shqipërisë në zinxhirët rajonalë të prodhimit të mallrave. Turistët që vizitojnë Shqipërinë mund të kontribuojnë në rritjen e kërkesës për produkte lokale dhe mund të krijojnë mundësi për zhvillimin e prodhimit bujqësor dhe artizanal. Kjo mund të rrisë kapacitetin e prodhuesve lokalë dhe të kontribuoni në krijimin e vlerës së shtuar.
Shqipëria dhe vendet fqinje kanë mundësinë për të shfrytëzuar pozicionin e tyre gjeografik dhe resurset natyrore për t’u shndërruar në një qendër e përbashkët rajonale prodhimi, por kjo kërkon një qasje të kujdesshme dhe të koordinuar. Çdo nismë duhet të mbështetet nga analiza të thelluara të burimeve financiare dhe mundësive të zhvillimit që ofron tregu ndërkombëtar, duke marrë parasysh konkurrencën dhe faktorët lokalë. Megjithatë, për ta shndërruar turizmin në një burim të qëndrueshëm dhe të pasur për zhvillimin ekonomik dhe prodhimin e të mirave, duhet (a) investuar në turizmin ekologjik dhe të qëndrueshëm, i cili mund të ndihmojë në diversifikimin e ofertës turistike dhe të kontribuoni në mbrojtjen e mjedisit (b) zhvillimi i infrastrukturës me një program transparent jo electoral, por për të tërhequr më shumë vizitorë dhe për të mundësuar zhvillimin e sektorëve të tjerë prodhues[1]. Pa një menaxhim të duhur, turizmi mund të ketë efekte negative, duke minuar mundësinë për zhvillim të qëndrueshëm.
Në një qasje praktike ne mendojmë se hapat nëpër të cilat duhet ecur janë:
- Strategjia financiare dhe burimet e financimit. Qeveria në një diskutim të hapur dhe me të gjithë aktorët duhet të zhvillojë një plan të detajuar për të mbuluar kostot e investimeve, duke eksploruar mundësitë për financimin e huaj dhe stimulimin e investimeve private. Në këtë kuadër, është e nevojshme të bëhet një vlerësim i mundësive të krijimit të partneriteteve publiko-private, si dhe të rritet transparenca në menaxhimin e fondeve publike.
- Analiza e ndikimit në PBB dhe bilancin fiskal. Një prioritet do të ishte zhvillimi i një modeli të qartë për matjen e ndikimit të investimeve në ekonominë e vendit, duke marrë parasysh kthimin e investimeve në terma të rritjes së PBB-së dhe përmirësimit të bilancit fiskal. Ky proces do të ndihmojë gjithashtu në vlerësimin e rreziqeve fiskale dhe përcaktimin e mundësive të menaxhimit të borxhit.
- Menaxhimi i konkurrencës rajonale. Në një tjetër drejtim do të duhet një tjetër dialog gjithpërfshirës për të zhvilluar një strategji që do të lejojë konkurencën efektive me vendet e rajonit, si Serbia dhe Greqia. Kjo përfshin krijimin e kushteve për zhvillimin e sektorëve me vlerë të shtuar të lartë dhe përmirësimin e efikasitetit në sektorët ekzistues.
- Përmirësimi i politikave industriale dhe qëndrueshmëria. Në këtë drejtim duhet të punohet për një politikë industriale që të jetë afatgjatë dhe e qëndrueshme, duke u fokusuar në sektorët kyçë për ekonominë, si energjia, infrastrukturë, dhe prodhimi i qëndrueshëm. Kjo përfshin një plan të qartë për mbështetje të bizneseve dhe inkurajim të inovacionit.
- Bashkëpunimi publik-privat dhe mbështetje për investimet e huaja. Për të arritur sukses, qeveria dhe aktorët e tregut duhet të bashkëpunojnë për të formatuar një mjedis më të favorshëm për investimet e huaja dhe të përmirësojë komunikimin dhe bashkëpunimin mes sektorit publik dhe privat. Kjo mund të arrihet përmes një strategjie të qartë për tërheqjen e investimeve dhe mbështetjes së iniciativave të biznesit në sektorët e rëndësishëm.
- Përmirësimi i infrastrukturës dhe arsimit. Shumë nga sektorët e prodhimit kërkojnë një infrastrukturë të fortë dhe një forcë punëtore të kualifikuar. Duhet të fokusohemi në investime të mëdha në infrastrukturë, si dhe të inkurajojmë përmirësimin e arsimit dhe trajnimin e fuqisë punëtore, duke e përshtatur atë me nevojat e industrisë.
Ne mendojmë, se Shqipëria se bashku me shtetet shqiptare apo me kontribut shqiptar përreth saj mund të shndërrohen në një qendër prodhimi rajonale për 10 vitet e ardhme, por ky proces kërkon një angazhim të vazhdueshëm, vizion afatgjatë dhe koordinim të ngushtë ndërmjet aktorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe politikave duke ndryshuar konceptet e vjetra me ato të reja.
Kështu, mund të arrihet te objektivi, por vetëm përmes implementimit të masave konkrete dhe një orientimi të qëndrueshëm për zhvillimin e industrisë.
[1] Kjo do të ndihmojë në rritjen e kërkesës për produkte lokale, si ushqimet e freskëta, artizanatin, dhe shërbimet lokale, duke përfshirë bujqësinë dhe industrinë e tekstilit
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.