Tendenca e ekonomisë në Tremujorin II 2025 me sfidat dhe perspektivën e saj
Tremujori i dytë i vitit 2025 shënoi një ritëm rritjeje të ekonomisë shqiptare prej 3,51% në terma realë, duke reflektuar një rimëkëmbje të moderuar pas sfidave të viteve të fundit.
Megjithëse kjo rritje është një tregues pozitiv, vlera e saj reale për ekonominë, buxhetin dhe qytetarin mund të kuptohet vetëm duke analizuar strukturën e saj dhe burimet që e kanë mbështetur.
Në nivel sektorial, Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia kontribuuan me +1,65 pikë përqindje në PBB, duke treguar efektin e drejtpërdrejtë të politikave qeveritare dhe shpenzimeve publike.
Për qytetarin, kjo përkthehet në përmirësim të shërbimeve publike, projekte infrastrukturore dhe investime sociale, që rrisin cilësinë e jetës, por nuk reflektojnë ende një rritje të fuqisë blerëse personale apo zhvillim të sektorit privat.
Sektori privat, përfshirë Tregti, Transport, Akomodim dhe Ushqim kontribuoi me +0,47, një rritje modeste që tregon se ekonomia mbështetet ende më shumë tek konsumimi i brendshëm dhe jo tek prodhimi dhe eksporti.
Pasuritë e paluajtshme dhe Ndërtimi me +0,37 dhe +0,30 përkatësisht, tregojnë një aktivitet të fortë në tregun e ndërtimit dhe investimeve, por ekziston rreziku i mbiteprimit të kapitalit dhe përdorimit spekulativ, një shqetësim që filozofia e menaxhimit të burimeve sipas analizave dhe studimeve të publikuara nga ALTAX janë evidentuar si problematika për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Sektoret me rënie, si: Bujqësi, Pyje dhe Peshkim (-0,46) dhe Industri, Energji dhe Ujë (-0,18) po shfaqin dobësitë strukturore.
Kjo lidhet me mungesën e investimeve strategjike, teknologjisë së re dhe diversifikimit të prodhimit, duke rritur varësinë nga importet dhe duke kufizuar zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve kyç për ekonomi.
Rritjet në terma % tregojnë diferencën e qartë mes sektorëve.
Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia +15,11%, Pasuritë e Paluajtshme +7,86%, Informacion dhe Komunikacion +5,38%, Arte, argëtim dhe shërbime +5,07%, ndërsa rëniet më të dukshme janë tek Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi -2,49%, Industria, Energji dhe Ujë -1,79%.
Analiza tregon se ritmet e rritjes janë të pabarabarta dhe mbështeten kryesisht në sektorin publik dhe ndërtim, jo në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat.
Në aspektin e konsumit dhe shpenzimeve, dallimi mes konsumit publik dhe atij privat është i ndjeshëm.
Konsumi i popullatës u rrit me 3,88%, ndërsa konsumi i qeverisë u rrit me 12,44%.
Kjo tregon se ekonomia po stimulohet kryesisht nga shpenzimet qeveritare, projektet infrastrukturore dhe investimet në shërbime publike dhe jo nga rritja reale e fuqisë blerëse apo zhvillimi i sektorit privat.
Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me 4,33%, por kryesisht në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme duke kufizuar ndikimin e tij afatmesëm në sektorët prodhues, teknologjikë dhe energjetikë.
Në tregtinë e jashtme, eksportet u rritën me vetëm 3.5%, ndërsa importet ranë me 2.1%.
Ky ndryshim tregon se ekonomia shqiptare mbetet e varur nga mallrat dhe shërbimet e jashtme, veçanërisht për sektorët industrial dhe prodhues.
Edhe pse bilanci i pagesave tregon një përmirësim krahasuar me vitin e kaluar, kjo varësi mund të përkthehet për qytetarin në çmime më të larta për mallrat e importuara dhe shërbimet bazë, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e jetesës dhe mundësitë për zhvillim industrial vendas.
Analiza e filozofisë së menaxhimit të burimeve evidenton se ekonomia ka përfituar kryesisht nga shpenzimet publike dhe investimet në pasuri të paluajtshme, ndërsa diversifikimi i industrisë, teknologjia dhe energjia e rinovueshme kanë marrë vëmendje më të kufizuar.
Kjo qasje sjell disa rreziqe të dukshme, si:
– mbiteprimi në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme mund të krijojë një “bubble” sektorial,
– dobësia e sektorëve industrial dhe bujqësor rrit varësinë nga importet dhe ul stabilitetin afatmesëm ekonomik, ndërsa
– varësia nga konsumimi publik tregon se stimujt qeveritarë mbeten elementi kryesor i rritjes.
Megjithatë, ekzistojnë mundësi të qarta për zhvillim të qëndrueshëm, duke përfshirë diversifikimin e investimeve, mbështetjen për sektorët eksportues, investime strategjike në bujqësi, industri dhe energji të rinovueshme, si dhe monitorim të kujdesshëm të tregut të pasurive të paluajtshme për të shmangur spekulimet dhe mbiteprimin e kapitalit.
Në përfundim, tremujori i dytë i 2025 ofron një panoramë të qartë të rimëkëmbjes ekonomike të Shqipërisë, por me ritme të pabarabarta dhe mbështetje të dominueshme te sektori publik dhe ndërtim.
Kjo rritje e tremujorit të dytë të vitit 2025 tregon se përfitimet për qytetarin janë kryesisht indirekte dhe të shpërndara në disa dimensione. Shërbimet publike, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, kanë njohur përmirësime të dukshme, duke rritur cilësinë e jetës në mënyrë të përgjithshme. Megjithatë, fuqia blerëse personale dhe mundësitë për punësim në sektorin privat mbeten të kufizuara, ndërsa varësia e ekonomisë nga shpenzimet publike dhe stimujt qeveritarë nuk ka krijuar ende një rritje të ndjeshme të mirëqenies individuale.
Për ekonominë në tërësi, rritja prej 3,51% ka sjellë një impuls pozitiv, duke forcuar aktivitetin ekonomik në sektorët publik dhe ndërtim, duke gjeneruar investime dhe likuiditet që mbështesin stabilitetin e tregut dhe mundësitë për zhvillim të mëtejshëm të aktivitetit privat.
Për buxhetin, shpenzimet publike dhe taksat neto kanë siguruar të ardhura shtesë, duke rritur kapacitetin për projekte infrastrukturore dhe shërbime, por varësia nga këto stimuj tregon nevojën për rritje të qëndrueshme të sektorëve prodhues dhe eksportues.
Duke ndjekur një qasje të balancuar dhe strategjike në menaxhimin e burimeve, ekonomia mund të kalojë nga rimëkëmbja e përkohshme drejt një rritjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, që jo vetëm përmirëson fuqinë blerëse dhe mirëqenien e qytetarëve, por edhe stabilizon buxhetin dhe forcon zhvillimin afatmesëm të vendit, duke krijuar një cikël pozitiv ku qytetari, buxheti dhe ekonomia përfitojnë në mënyrë të ndërsjellë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.