Studim i ri: Ulja e synuar e TVSH-së për mallrat bazë në Shqipëri
Një studim i fundit ekonomik propozon një ulje të synuar të TVSH-së nga 20% në 10–15% për një listë të ngushtë mallrash bazë (ushqime dhe energji për familjet), si një masë e përkohshme për lehtësim social dhe stabilizim çmimesh.
Studimi bazohet në të dhënat e INSTAT (2024) mbi shpenzimet familjare, me një bazë tatimore prej 844.8 miliard lekësh. Synimi është të vlerësohen efektet fiskale, ekonomike dhe sociale të një reduktimi të kontrolluar të TVSH-së, duke analizuar ndikimin në buxhet, çmime dhe konsumin e familjeve shqiptare.
Rezultatet kryesore
Simulimet tregojnë se një shtrirje 15–30% e uljes së TVSH-së dhe një transmetim në çmime prej 25–40% sjellin:
- Ulje reale çmimesh me 1.7–2.1% për konsumatorët
- Rritje të konsumit me 0.3–0.4%
- Humbje buxhetore të menaxhueshme prej 7.5–15% të të ardhurave nga TVSH, ekuivalente me 8.4–25.3 miliard lekë në vit
Modeli optimal, sipas studimit është ulja e TVSH-së në 15% për 20% të konsumit familjar me α = 40% reflektim në çmime. Ky skenar parashikon një kosto buxhetore prej 8.4 miliard lekësh (4.97% e të ardhurave TVSH) dhe kursim mesatar prej 620 lekësh në muaj për çdo familje, pa rrezikuar stabilitetin fiskal.
Struktura e konsumit
Gati gjysma e buxhetit të familjeve shqiptare (49.2%) shkon për ushqime dhe energji, por vetëm 30–35% e këtyre shpenzimeve përfshihen në bazën tatimore për shkak të informalitetit dhe përjashtimeve.
Studimi thekson se efekti i politikës në çmimet finale do të jetë minimal nëse nuk shoqërohet me faturim elektronik të detyrueshëm dhe monitorim të rregullt.
Mekanizmat e zbatimit
Propozohet që masa të jetë përkohësisht 6–12 muaj, të kufizohet në 12 artikuj bazë (bukë, qumësht, vaj, oriz, sheqer, vezë, energji nën 300 kWh etj.) dhe të shoqërohet me:
- Faturë elektronike 100% për transaksionet e përfshira
- Dashboard publik mujor për çmimet dhe përqindjen e faturave
- Mekanizëm claw-back që rikthen automatikisht normën 20% nëse humbja tejkalon 10 miliard lekë
Përfitimet sociale
Nëse zbatohet me koordinim dhe transparencë, masa siguron:
- Kursim prej 670–800 lekësh në muaj për çdo familje
- Ulje të inflacionit me 0.16 pikë përqindje
- Rritje të fuqisë blerëse me 1.5% për familjet me të ardhura të ulëta
- Efekt pozitiv në PBB me 0.1–0.2%, përmes stimulimit të konsumit dhe tregtisë
Qëndrimi i institucioneve ndërkombëtare
Sipas studimit, FMN, Banka Botërore, OECD dhe BE e konsiderojnë këtë politikë si të pranueshme nëse është e përkohshme, e kontrolluar dhe e lidhur me monitorim elektronik.
FMN e sheh si “amortizator social në kohë krize”, ndërsa BE e vlerëson për harmonizim me Direktivën e TVSH-së dhe mbrojtje sociale.
Hapësira fiskale dhe stabiliteti makroekonomik
Të dhënat e FMN-së dhe BE-së për 2025–2026 tregojnë:
- Rritje ekonomike 3.5–3.6%
- Inflacion 2.4–2.5%
- Deficit buxhetor 1.9–2.0% të PBB-së
- Borxh publik nën 56% të PBB-së
Këto tregues krijojnë hapësirë fiskale 0.3–0.5% të PBB-së, që korrespondon me koston e parashikuar 8.4 miliard lekë për zbatimin e masës.
Në thelb, studimi e konsideron këtë politikë si një investim social me kthim të lartë, jo si shpenzim. Ajo ndihmon shtresat e ndjeshme, ul presionin inflacionist dhe nxit formalizimin përmes faturës elektronike.
Zbatimi kërkon bashkërendim institucional, transparencë mujore dhe respektim të përkohësisë. Pa këto, efekti fiskal do të mbetet i kufizuar dhe përfitimi social i padukshëm.
Ulja e synuar e TVSH-së për 12 mallra bazë është një politikë fiskale me karakter social, e përkohshme dhe e menaxhueshme, që mund të realizohet pa cënuar buxhetin publik.
Ajo ofron kursim real për familjet, stabilizon çmimet dhe nxit formalizimin, duke u shndërruar në një model të ri të bashkëpunimit midis shtetit, biznesit dhe qytetarit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.