Interpretim i Nenit 11 të Ligjit 29/2023 për pensionet vendase dhe të huaja
Në sqarim të Ligjit nr. 29/2023, për Nenin 11 dhe pikën 11 të Udhëzimit nr. 26/2023, rezulton se përjashtimi i pensioneve nga tatimi ekziston në liogjin e ri, si një logjikë vijuese e ligjit të mëparshëm (Nr. 8438/1998). Por tashmë argumenti ligjor është ndërtuar mbi një logjikë funksionale (lloji i të ardhurës) dhe jo mbi një logjikë gjeografike (vendi i origjinës).
Neni 11, shkronja “a”, përjashton nga tatami “të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.
Kjo është një kategori juridike universale: ligji nuk flet për “pension shqiptar”, por për pension nga skemë e detyrueshme, pra për natyrën e të ardhurës dhe jo për kombësinë e përfituesit apo vendin e institucionit pagues.
Udhëzimi nr. 26/2023 (pika 11.1) e konkretizon këtë përjashtim duke iu referuar praktikisht ISSH-së dhe Fondit të Kujdesit Shëndetësor, pra skemave shqiptare. Megjithatë, ky udhëzim nuk vendos një kufizim normativ që ta mbyllë përjashtimin vetëm për skemat vendase; ai thjesht shpjegon rastin tipik shqiptar, pa e përjashtuar shprehimisht aplikimin për skemat publike të huaja.
Elementi kyç plotësues është Neni 11, shkronja “c”, sipas të cilit përjashtohen nga tatimi edhe:
“të ardhurat e përjashtuara në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara”.
Marrëveshja Shqipëri–Itali për shmangien e tatimit të dyfishtë parashikon qartë se pensionet publike tatohen vetëm në vendin e burimit, pra në Itali.
Kjo do të thotë se, edhe kur një pensionist italian, apo gjerman, apo grek është rezident fiskal në Shqipëri dhe në parim i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat globale, pensioni i tij publik (italian, apo gjerman, apo grek) përjashtohet nga tatimi shqiptar, sepse marrëveshja ndërkombëtare prevalon mbi ligjin e brendshëm (gjithmonë kur ka marrëveshje dy palëshe me shtetin e origjinës së pensionit).
Për shembull, një shtetas italian, 68 vjeç, jeton në Tiranë më shumë se 183 ditë në vit dhe është rezident fiskal në Shqipëri. Ai merr pension mujor nga INPS (skemë publike italiane). Sipas parimit të përgjithshëm të ligjit shqiptar, ai duhet të tatohen për të ardhurat globale. Por, pensioni është nga skemë e detyrueshme dhe hyn në logjikën e nenit 11/a. Ndërkohë, Marrëveshja Shqipëri–Itali i jep Italisë të drejtën ekskluzive të tatimit dhe kjo aktivizon zbatimin e nenit 11/c.
Si rrjedhojë, pensionisti italian nuk paguan tatim mbi pensionin në Shqipëri.
Pra, me ligjin e ri nuk ka konflikt dhe as diskriminim, sepse si pensionet shqiptare, ashtu edhe pensionet publike italiane janë ligjërisht të patatueshme në Shqipëri, duke u bazuar mbi dy baza të ndryshme juridike, ku njëra është nga ligji i brendshëm dhe tjetra nga e drejta ndërkombëtare. Megjithatë, Udhëzimi nr. 26/2023 ka nevojë të shprehet qartë, sepse flet vetëm për skemat shqiptare dhe nuk e artikulon shprehimisht rastin e skemave publike të huaja. Për siguri juridike dhe për të shmangur interpretime arbitrare në të ardhmen, do të ishte e nevojshme një plotësim i udhëzimit nga Ministri i Financave, ku të sqarohet qartë se përjashtimi i nenit 11/a zbatohet edhe për pensionet publike të huaja, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.