Ekonomia shqiptare në një rritje me pasiguri, por ku po orientohen Investimet?
Në një periudhë pasigurie globale dhe tensioneve ekonomike, shumë individë dhe investitorë po e përjetojnë Shqipërinë si një treg të paqëndrueshëm, ku frika e pasigurisë për të ardhmen është gjithmonë e pranishme.
Megjithatë, analiza makroekonomike e vitit 2023 dhe parashikimet për 2024 japin një tablo të kundërt. PBB-ja e vendit është në rritje, inflacioni po stabilizohet, dhe ekonomia nuk po përjeton një stanjacion të plotë.
Por, çfarë ka ndodhur që ka shkaktuar këtë “ftohje” të perceptuar në klimën e biznesit dhe investimeve?
Kjo analizë do të hedhë dritë mbi këtë pasiguri të qartë dhe se si investitorët mund të orientohen në këtë situatë, duke identifikuar sektorët më të sigurt dhe mundësitë për një kthim të qëndrueshëm të kapitalit.
Pse nuk jemi në rënie, por gjithsesi jemi të ngadalësuar?
Në kuptimin teknik të rënies ekonomike, pra të rënies së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për dy tremujorë rresht duket se ekonomia shqiptare nuk është në recesion.
Të dhënat e INSTAT tregojnë një rritje reale prej 3.94% për vitin 2023 dhe vlerësim për një rritje të ngjashme 3.96%, për vitin 2024. Ndërkohë që këto shifra e pozicionojnë Shqipërinë mbi mesataren e shumë ekonomive europiane ka shenja të qarta se ekonomia po ftohet dhe dinamika e saj po ndikohet gjithnjë e më shumë nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm pasigurie.
Inflacioni është zbutur dhe kursi i këmbimit është stabilizuar me regjimin e ri shumë më ulët se disa vite më parë, por konsumi dhe investimi janë bërë më të përmbajtur.
Konsumi privat po ndikohet nga çmimet e larta në kategori bazë, pasiguria politike dhe e ardhmja fiskale. Nga ana tjetër, investimet private janë më të kujdesshme për shkak të normave të interesit relativisht të larta dhe një klime rregullatore që perceptohet si e paparashikueshme.
Për më tepër, ndikimi nga jashtë është i ndjeshëm.
Ekonomia europiane, veçanërisht Gjermania është në stanjacion, duke sjellë pasoja negative në eksportet shqiptare dhe pritshmëritë për turizmin hyrës.
Sjellja e kapitalit – Kursim mbi investim, konservatorizëm mbi rritjen
Në këtë klimë, treguesit financiarë sinjalizojnë një orientim të ri të kapitalit drejt formave më konservatore dhe me rrezik më të ulët, të tilla si:
- Depozitat bankare janë rritur ndjeshëm, si në lekë, ashtu edhe në valutë, duke reflektuar orientimin drejt kursimit.
- Kreditimi është në një nivel të ulët në raport me nevojat, veçanërisht për individët dhe mikrobizneset, për shkak të kostos më të lartë të huamarrjes, por edhe arsye të tjera.
- Tregu i pasurive të paluajtshme po jep shenja ngopjeje në qytetet kryesore, me një zhvendosje graduale drejt zonave rurale dhe bregdetare.
Ndërkohë, po vërehet një valë e re investimesh mikro, shpesh nga individë ose diaspora, në fusha si:
- Panele fotovoltaike për vetëkonsum energjie;
- Blerje toke dhe zhvillim serash;
- Microfranchising në turizëm dhe gastronomi;
- Freelancing dhe shërbime digjitale si alternativa punësimi.
Cilët sektorë perceptohen sot si më të sigurt për investim?
Në këtë realitet të ri ekonomik, perceptimi i sigurisë në investim po udhëheq vendimmarrjen. Sektorët që po perceptohen si më të qëndrueshëm janë:
- Agroturizmi dhe toka bujqësore, ku kërkesa është e qëndrueshme, interesi mbetet i lartë nga diaspora dhe mbështetja nga programet publike po i bëjnë këto investime pak më tërheqëse në vijimësi.
- Energjia e rinovueshme, veçanërisht panelet fotovoltaike për konsum vetjak, ofron kthim të qëndrueshëm dhe pavarësi energjetike.
- Freelancing dhe shërbime digjitale, janë pa kosto fikse të larta, me akses në treg global. Këto forma pune po perceptohen si më elastike dhe më pak të varura nga ekonomia lokale dhe politika patronazhuese dhe ndërhyrëse në vendimarrjen e tyre në treg.
- Pasuritë e paluajtshme edhe pse ende të kërkuara, sidomos në zonat urbane dhe turistike po tregojnë rreziqe ngopjeje dhe rënie të likuiditetit.
- Turizmi lokal dhe mikrobizneset mbartin potencial të lartë, por ekspozimi ndaj pasigurive politike dhe sezonalitetit e bën këtë sektor në nivel të mesëm për nga siguria.
Ekonomia shqiptare duket se ka nevojë për më shumë stabilitet sesa rritje, pasi është në një fazë të zgjatur pasigurie, ku pritshmëritë dhe frika nga paqëndrueshmëria po diktojnë sjelljen e kapitalit. Në vend të investimeve të mëdha dhe rritjes agresive po shohim:
- Rritje të orientimit drejt sektorëve realë me kontroll të drejtpërdrejtë nga individi;
- Shmangie nga tregjet që varen nga dinamika të jashtme apo vendimmarrje qeveritare;
- Fokus në ruajtje vlere dhe kthim të qëndrueshëm, më shumë sesa në përfitim të shpejtë.
Për investitorët dhe politikëbërësit, ky është një sinjal i qartë që kërkon reflektim të thellë dhe veprime të menjëhershme. Pa një klimë të qëndrueshme politike, rregullatore dhe fiskale, kapitali do të vazhdojë të mbetet i përmbajtur dhe i orientuar drejt strategjive mbijetese, duke kërkuar mundësi më të sigurta dhe me rrezik të ulët.
Ky është momenti për të krijuar një ambient që do të lejojë një kthim të besimit të investitorëve dhe një zhvillim më të qëndrueshëm të ekonomisë, ku sektori privat mund të rigjejë frymëmarrjen dhe mundësitë për rritje. Pa një angazhim të sinqertë për reforma të thella, frika e pasigurisë do të vazhdojë të mbizotërojë, duke ngadalësuar çdo përpjekje për zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet afatgjatë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.