Minimumi i jetesës në 2025 dhe rritja ekonomike pa dinjitet
Ekonomia duket se ecën përpara me shifra që tërheqin vëmendje. Shërbimet përballen me dinamizëm, tregtia me pakicë po rritet, ndërsa ndërtimi është një nga pak sektorët prodhues që mbajnë peshën.
Por kur zhytemi më thellë në jetën e përditshme të qytetarëve, tabloja bëhet shqetësuese. Paga minimale 40.000 lekë nuk përputhet me atë që do të duhej të quhej një jetë me dinjitet. Llogaritjet konservatore vendosin minimumin e jetesës për një individ në rreth 24–26 mijë lekë në muaj dhe për një familje prej katër anëtarësh në 90–100 mijë lekë, pra, shumë më lart se mundësitë reale që ofron paga minimale e sotme, veçanërisht për familjet me një të ardhur.
Ky nuk është thjesht një problem Teknik, por një krizë legjitime e sigurisë sociale, një provë që tregon se rritja e PBB-së nuk po përkthehet në mirëqenie universale.
Për të kuptuar pse, duhet parë jo vetëm shifrat e sipërfaqshme, por edhe struktura dhe mekanizmat që i përcjellin ato.
Çfarë po ndodh, diagnoza e shkurtër
Rritja ekonomike në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë 2025 ka një profil të qartë: ajo është e përqendruar te shërbimet dhe tregtia, kryesisht në hoteleri, bar-restorante dhe pasuri të paluajtshme. Këto sektorë kanë krijuar vende pune dhe në hoteleri ka pasur një rritje të dukshme të pagave krahasuar me vitet e kaluara, falë presionit të emigracionit dhe mungesës së fuqisë punëtore. Megjithatë, edhe kjo rritje mbetet larg nivelit të minimumit të jetesës dhe nuk garanton siguri afatgjatë, pasi kontratat shpesh mbeten sezonale dhe pa stabilitet.
Nga ana tjetër, tregtia me pakicë shënon rritje të ndjeshme (+6,2%), por ky ritëm nuk është i qëndrueshëm. Ai është i ndihmuar kryesisht nga konsumi i hidrokarbureve dhe i mallrave jo-ushqimore, të cilat varen nga importet dhe luhatjet e çmimeve. Kjo e bën tregun të prekshëm dhe ekonominë të varur nga faktorë jashtë kontrollit të brendshëm.
Në kontrast të fortë me këtë dinamikë, industria përpunuese dhe energjia janë në tkurrje (-7,5% dhe -5,2%).
Ky është një tregues alarmant.
Një ekonomi pa bazë prodhuese nuk mund të rrisë pagat reale dhe nuk mund të mbështesë një shtresë të gjerë të fuqisë punëtore. Këtu shfaqet edhe problemi strukturor, ku shërbimet rriten, por pa industrinë dhe energjinë si shtylla të forta, rritja është e brishtë.
Ndërtimi raporton një rezultat pozitiv (+5,2%), por edhe kjo është një rritje e kufizuar. Ky sektor nuk prodhon domosdoshmërisht punësim të qëndrueshëm apo të ardhura të shpërndara gjerësisht në ekonomi, sepse është i përqendruar kryesisht në projekte të mëdha infrastrukturore dhe pasuri të paluajtshme.
Në këtë kuadër, pasojat sociale janë të dukshme. Hendeku mes pagës minimale dhe minimumit të jetesës mbetet i thellë. Kjo do të thotë që edhe ata që kanë punë shpesh jetojnë në varfëri relative.
Pra, rritja “makro” nuk përkthehet në mirëqenie “mikro”. Ky kontrast është thelbi i dobësisë së modelit aktual: një ekonomi që rritet në letër, por nuk arrin të ngrejë standardin real të jetesës së qytetarëve.
Pse kjo është problem me kosto të lartë?
Hendeku mes pagës minimale dhe minimumit të jetesës nuk është thjesht një çështje aritmetike. Ai ka pasoja reale dhe të shumanshme për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Kjo situatë krijon një seri sfidash me kosto të lartë për stabilitetin ekonomik, zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Së pari, varfëria në punë bëhet normë social-ekonomike. Edhe punët me kohë të plotë shpesh nuk ofrojnë dinjitet dhe mundësi për një jetë të qëndrueshme. Kur qytetarët punojnë por nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet bazë, kjo dobëson kërkesën e brendshme në afat mesëm dhe ngadalëson rritjen ekonomike të qëndrueshme. Kjo situatë e bën të vështirë të nxiten investimet lokale dhe konsumi i brendshëm nuk arrin të përkthehet në rritje reale.
Së dyti, emigracioni i talentit. Rinia e kualifikuar, kur sheh që paga lokale nuk mjafton për të siguruar jetesën, zgjedh të emigrojë drejt vendeve ku mund të zhvillojë potencialin e saj. Humbja e kapaciteteve njerëzore lidhet drejtpërdrejt me vonesa në modernizimin e industrisë, inovacionin dhe forcimin e bazës prodhuese të ekonomisë. Ky fenomen krijon një cikël vicioz ku mungesa e talentit frenohet zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja ose të brendshme.
Së treti, mbetet rreziku i skenareve inflacioniste. Rritjet selektive të pagave, siç shihet tek sektori i hotelerisë dhe gastronomisë apo dhe aktivitete të caktuara, pa një rritje proporcionaliteti të produktivitetit, mund të kalojnë pjesërisht tek çmimet. Kjo do të thotë që fuqia blerëse reale e qytetarëve mund të dëmtohet, duke krijuar presion mbi shpenzimet e përditshme dhe duke kufizuar përfitimet reale të rritjes ekonomike.
Së katërti, krijohet pabarazi dhe destabilitet social. Rritja ekonomike që përfshin disa segmente të shërbimeve dhe lë pas shumicën e punonjësve rrit pabarazinë sociale dhe dobëson besimin tek institucionet. Kur qytetarët perceptojnë se përparimi ekonomik nuk shpërndahet drejt të gjithëve, kjo krijon tensione sociale, ul motivimin për angazhim ekonomik dhe politik, dhe rrit ndjeshmërinë ndaj krizave ekonomike ose presioneve sociale.
Hendeku mes pagës minimale dhe minimumit të jetesës është një sfidë që kërkon ndërhyrje të integruar: politika të mençura sociale dhe ekonomike, rritje graduale të pagës minimale, përkrahje për shtresat më të cenueshme dhe nxitje të modernizimit dhe inovacionit në sektorët prodhues. Përfitimi i madh është se rritja ekonomike mund të bëhet reale, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme.
Në shqyrtimin e fundit të minimumit të jetesës dhe gjendjes ekonomike, duket qartë se rritja e ekonomisë shqiptare është një panoramë e ndarë, ku shërbimet dhe tregtia lëvizin me ritme të larta, duke krijuar një puls të dukshëm aktiviteti, por baza prodhuese dhe energjetike mbeten të dobëta.
Përvoja e disa viteve tregon se kur pagat dhe rritja mbështeten kryesisht në sektorë me kontrata jo të qëndrueshme dhe varësisht nga importi, shifra të bukura në statistika nuk përkthehen automatikisht në dinjitet ekonomik për familjet.
Eksperienca e praktikave sociale dhe ekonomike na tregon se një rritje reale duhet të ndikohet nga të gjithë aktorët (qeveria, biznesi, sindikatat dhe qytetari vetë) dhe të matet jo vetëm me indekse, por me mundësinë që një familje të përballojë ushqimin, energjinë, shërbimin shëndetësor dhe shkollimin.
Me këtë qasje, çdo paketë politike, qoftë emergjente apo afatgjate, nuk rrezikon të mbetet një listë aspiratash që nuk prekin realitetin e përditshëm.
Diçka tjetër që përvojat e kaluara tregojnë qartë është se mbështetja e targetuar dhe monitorimi i zbatimit janë vendimtare.
Retorika dhe premtimet pa mekanizma konkretë nuk rrisin fuqinë blerëse dhe nuk frenojnë emigracionin e talenteve.
Ky realitet i minimumit të jetesës, tregon se ekonomia po pulson, por mushkëritë dhe mëlçia fiskale janë të dobëta, një kujtesë e qartë se rritja duhet të matet me mirëqenien reale dhe jo vetëm me shifra të bukura në tabela.
Në përvojën e jetës së përditshme, kjo do të thotë se çdo hap përpara duhet të jetë i ndarë me qytetarin, paga që mund të mbulojë jetesën, mundësi reale për punësim, dhe një ekonomi që nuk krijon varfëri mes atyre që punojnë. Kjo është fotografia që del nga statistikat dhe eksperienca dhe që nuk mund të anashkalohet në diskutimet për politikat sociale dhe ekonomike.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.