Shqipëria përballë stuhisë tregtare SHBA-BE dhe rrisqet që duhen pararendur
Kur elefantët luftojnë, vetëm bari shtypet.
Kjo shprehje duket më aktuale se kurrë, teksa përballja ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian rrezikon të kthehet në një përplasje tarifore që do të lërë pasoja përtej oqeanit.
Në këtë vorbull, Shqipëria si një ekonomi e vogël, e varur nga importet dhe ndjeshmërisht e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme rrezikon të paguajë çmimin, pa qenë as pjesë e negociatave.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa doganore 30% mbi eksportet evropiane nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 1 gusht. Edhe pse nga Uashingtoni vijnë sinjale hapjeje, përvoja me qëndrimet e paparashikueshme të Trump mbetet një kujtesë se gjithçka mund të ndryshojë brenda natës.
Evropa po përgatitet për skenarin më të keq.
Komisioni Evropian ka pezulluar përkohësisht kundërmasat e planifikuara dhe ka shpërndarë një listë të dytë me kundërtarifa që mbulon eksporte amerikane me një vlerë prej 72 miliardë euro. Lista është strategjike dhe simbolike: përfshin ikona të konsumit amerikan si Harley-Davidson, bourbon, avionët Boeing, automjete, ushqime dhe industri të ndjeshme, por lë jashtë produktet teknologjike që prekin direkt ekonomitë prodhuese evropiane.
Ndërsa BE përgatitet me kundërmasa ndaj SHBA-së dhe përpiqet të fitojë kohë për një marrëveshje, ekonomitë e vogla në kufijtë e sistemit tregtar europian ndodhen në pozita të ndjeshme.
Shqipëria nuk është as anëtare e BE-së, as palë direkte në këto negociata. Por është thellësisht e varur nga rrjetet evropiane të furnizimit, nga tregjet e BE-së për eksportet, dhe nga importi i produkteve të përpunuara dhe mallrave industriale për ekonominë e saj të brishtë.
Nëse BE përballet me tarifa amerikane, çmimet e produkteve që importohen në Shqipëri do të rriten. Kjo përfshin që nga materialet e ndërtimit e deri te ushqimet, makineritë dhe produktet gjysmë të përpunuara që përdoren nga industria shqiptare, e cila tashmë është nën presion nga kosto të larta energjie dhe mungesë fuqie punëtore të kualifikuar.
Nuk është rastësi që kjo krizë po vjen në kulmin e sezonit turistik, kur ekonomia shqiptare merr frymë më lirshëm.
Por këtë vit, stina ka sjellë më shumë stres sesa qetësi.
Ndërkohë, sezoni turistik i vitit 2025 ka sjellë sfida të tjera të natyrës së brendshme. Lëvizjet për lirimin e hapësirave publike dhe formalizimin e bizneseve kanë krijuar një kontekst të tensionuar për mikro dhe bizneset e vogla, të cilat janë shtylla e turizmit sezonal dhe të shërbimeve në vend. Ky tension vjen në një moment kur strukturat ekonomike kanë nevojë për stabilitet dhe qartësi më shumë se për ndërhyrje të papritura.
Në këtë peizazh, çdo rritje e kostove të inputeve për shkak të përshkallëzimit tregtar SHBA-BE, do të ndërlikohej më tej nga pasiguria që tashmë ekziston në terren. Rreziku është që këto ndërhyrje të jashtme dhe të brendshme të bashkëveprojnë dhe të shtyjnë më shumë aktorët e vegjël ekonomikë drejt informalitetit, ose të çojnë drejt mbylljes së aktivitetit.
A është Shqipëria gati?
Për momentin, as Banka e Shqipërisë, as Ministria e Financave ende nuk kanë dhënë një sinjal të qartë se po adresojnë rreziqet e një përshkallëzimi tregtar global.
Pa një skenar të mirëfilltë risku për një ndërhyrje të koordinuar midis politikës monetare dhe asaj fiskale, ekonomia rrezikon të hyjë në këtë furtunë me duar bosh.
Ekonomia shqiptare është tashmë e ekspozuar ndaj inflacionit të importuar, me një kurs këmbimi që luhatet nën efektin e prurjeve valutore dhe ndërhyrjeve sezonale. Nëse këto tarifa materializohen, do të kemi një ristrukturim të menjëhershëm të zinxhirëve të furnizimit, të shoqëruar me rritje të çmimeve të mallrave bazë, me impakt direkt te konsumatori dhe biznesi.
Nuk është e lehtë të parashikosh se si do të zhvillohen negociatat ndërmjet dy blloqeve më të mëdha ekonomike në botë. Por për vende si Shqipëria, që qëndrojnë në periferi të këtyre proceseve, mund të jetë e dobishme të nisin analiza më të thella për rreziqet që lidhen me këtë konflikt tregtar, sidomos në sektorët që janë më të ekspozuar: importi i mallrave, energjia, ndërtimi, agro-përpunimi dhe turizmi.
Gjithashtu, monitorimi më i afërt i tregut valutor dhe lëvizjeve spekulative, si dhe vlerësimi i zinxhirëve të furnizimit që varen nga importet evropiane, do të ishin elementë të vlefshëm për të ndërtuar një qasje më të qëndrueshme ndaj kësaj paqartësie në rritje.
Shqipëria nuk duhet të jetë thjesht spektatore në këtë përballje.
Efektet edhe kur nuk vijnë si rrufe në qiell të hapur, transmetohen përmes kanaleve të tregtisë, çmimeve dhe pritshmërive të konsumatorëve e prodhuesve. Në një ekonomi të vogël, edhe lëvizjet indirekte mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta. Prandaj, jo për të alarmuar, por për të ndërtuar një reflektim më të thelluar institucional, kjo është një kohë për vëmendje më të shtuar, për analizë të kujdesshme dhe për përgatitje, nëse horizonti ekonomik global fillon të lëkundet më fort. Në një botë të ndërvarur, asgjë nuk ndodh në izolim. Dhe reagimi më i mirë shpesh fillon me qartësimin e rrezikut, jo domosdoshmërisht me alarm, por me vigjilencë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.