Normat e investimit, shtylla të paqëndrueshme të zhvillimit ekonomik
Një ndër treguesit më domethënës dhe më pak të debatuar në analizat makroekonomike të Shqipërisë është norma e investimit, pra raporti midis formimit bruto të kapitalit fiks dhe vlerës së shtuar bruto (VSB). Ky tregues është esencial për të kuptuar nëse rritja ekonomike e sotme po ndërton themelin e zhvillimit të nesërm, apo është thjesht një qarkullim afatshkurtër i konsumit.
Dinamika për vitin 2024 paraqitet me rritje modeste në sipërfaqe, por përqendrim në thelb.
Sipas INSTAT, në vitin 2024:
- Sektori jo-financiar (S.11) ka investuar 42.55% të VSB-së që ka krijuar, nga 41.01% në 2023, pra një rritje prej 1.5 pikë përqindje.
- Sektori i familjeve (S.14) ka investuar vetëm 4.92% të VSB-së së vet, me një rënie të lehtë nga 5.11% në 2023.
Kjo do të thotë se pothuajse gjithë barra e investimit afatgjatë qëndron mbi sektorin jo-financiar, i cili në realitet përfshin një mozaik të gjerë prej mikrondërmarrjeve, ndërtimit, tregtisë dhe shërbimeve, shpesh të orientuara drejt konsumit.
Tendencë e qëndrueshme e investimit në sektorin jopublik
Fakti që mbi 40% e VSB-së në sektorin jo-financiar shkon në investim fiks është pozitiv në dukje. Treguesi është më i lartë se mesatarja e rajonit dhe tregon një dëshirë për zgjerim të kapaciteteve prodhuese apo të shërbimeve. Nëse kjo normë do të ishte e përqendruar në industri përpunuese, turizëm të qëndrueshëm apo teknologji, do të përfaqësonte një potencial real për transformim ekonomik.
Por kjo tregon mungesë ekuilibri i rëndë sektorial dhe mungesë thellimi në aspektin produktiv.
Diskutimi mbi normën e investimit në Shqipëri nuk mund të shkëputet nga natyra dhe drejtimi i këtyre investimeve. Kur vërehet një prirje për përqendrim të kapitalit në sektorin e ndërtimit, shpesh për qëllime joprodhuese, bëhet e qartë se kemi të bëjmë më shumë me një zhvendosje pasurie sesa me gjenerim real të vlerës. Në të kundërt, investimet në sektorë prodhues dhe me vlerë të shtuar nuk po zënë hapësirën që u takon në një ekonomi që synon rritje të qëndrueshme.
Një tjetër aspekt që bie në sy është mungesa e pjesëmarrjes aktive të familjeve në investim afatgjatë. Shifrat e publikuara tregojnë për një normë investimi shumë të ulët nga familjet, çka reflekton jo vetëm kufizimet ekonomike, por edhe mungesën e instrumenteve efektive që do të mundësonin kthimin e kursimeve në kapital prodhues. Kjo krijon një hendek mes mundësive të kursimit dhe aftësisë për të ndikuar në ciklin ekonomik nëpërmjet investimeve.
Nga ana tjetër, në mungesë të politikave orientuese dhe një klime që favorizon partneritete në sektorë strategjikë si teknologjia, energjia e pastër apo agropërpunimi, kapitali i disponueshëm privat përfundon në zona të sigurta, por jo domosdoshmërisht transformuese për ekonominë. Kjo e pengon tranzicionin drejt një modeli zhvillimi të bazuar në produktivitet dhe inovacion.
Në këtë kuadër, mbështetja mbi një normë investimi e cila numerikisht mund të duket e lartë, por që në përmbajtje nuk shkon drejt ristrukturimit ekonomik, përbën një rrezik për rrëshqitje drejt një rritjeje të konsumuar, jo të qëndrueshme. Mbi këtë terren, edhe rritja e pagave nuk mund të shërbejë si mjet stabilizues afatgjatë, sepse konsumon më shumë sesa gjeneron.
Në këtë formë, ekonomia rrezikon të bjerë në kurthin e rritjes pa transformim, ku rritet vëllimi ekonomik nominal, por nuk ndryshon cilësia e burimeve që e gjenerojnë atë.
Mbetet evidente se mënyra se si orientohen investimet në Shqipëri ka më shumë rëndësi se vetë niveli i tyre. Nëse vëmendja dhe kapitali vijojnë të përqendrohen kryesisht në sektorë si ndërtimi, shpesh i nxitur nga kërkesa spekulative apo emigracioni, dhe jo në sektorë të prodhimit apo inovacionit, atëherë edhe norma më e lartë e investimit nuk prodhon transformim të qëndrueshëm ekonomik. Vetë struktura tatimore që nuk dallon qartësisht midis investimeve produktive dhe atyre jo-produktive mund të jetë duke shtyrë kapitalin drejt destinacioneve më pak strategjike.
Nga ana tjetër, prania minimale e familjeve si aktorë investues flet jo vetëm për kufizime të të ardhurave, por edhe për mungesë të instrumenteve financiare gjithëpërfshirëse – si mikrokreditë, stimuj fiskalë apo edukim financiar – që do të mundësonin konvertimin e kursimeve të vogla në kapital zhvillimor. Kjo pasivitet i detyruar kontribuon në një ekonomi ku kursimet nuk shndërrohen në zhvillim.
Në mënyrë të ngjashme, mungesa e politikave që orientojnë kapitalin privat drejt sektorëve me potencial të lartë – si teknologjia, energjia e pastër apo agropërpunimi – krijon një boshllëk ndërmjet kapacitetit për të investuar dhe nevojës për të transformuar. Nëse ky boshllëk vijon, kapitali i disponueshëm do të shkojë aty ku është më i lehtë dhe më pak rrezik – por jo aty ku është më i dobishëm për ekonominë. Në këtë sfond, vetë rritja e pagave, sado e mirëpritur për konsumatorët, nuk mund të jetë mbështetëse e qëndrueshmërisë ekonomike nëse nuk ndjeket nga rritje e investimeve produktive. Ndryshe, rreziku i një modeli ekonomik që konsumon më shumë sesa rindërton, bëhet real. Dhe për këtë arsye, modeli aktual i gjenerimit dhe shpërndarjes së kapitalit kërkon jo thjesht përmirësim, por rikonceptim.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.