Shembuj të njohur se si Shqipëria mund të integrohet në zinxhirët globalë të vlerës

Shembuj të njohur se si Shqipëria mund të integrohet në zinxhirët globalë të vlerës

Integrimi i Shqipërisë në zinxhirët globalë të vlerës është një mundësi që ka potencial për të forcuar ekonominë dhe pozicionin e vendit në tregjet ndërkombëtare.

Për të analizuar më thellë gatishmërinë e Shqipërisë, mund të shqyrtojmë përvojat e vendeve që kanë pasur sukses në këtë proces dhe të nxjerrim mësime dhe qasje të aplikueshme për Shqipërinë.

Përvoja e vendeve të suksesshme, si Polonia dhe Maqedonia e Veriut tregon se një infrastrukturë moderne dhe e integruar është thelbësore për t’u lidhur me zinxhirët globalë të vlerës.

Polonia, për shembull ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës së saj logjistike dhe në krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm për zhvillimin industrial. Kjo ka mundësuar që ajo të bëhet një pikë kyçe për furnizimin në zinxhirët globalë, sidomos në sektorin e prodhimit automobilistik dhe elektronik. Shqipëria mund të ndjekë këtë shembull, duke mbyllur fazën investuese në modernizimin e rrugëve, porteve dhe infrastrukturës energjetike. Një investim i tillë mund të ndihmojë në uljen e kostove operacionale dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

Por, kujdes, pasi Polonia ka përdorur avantazhin e kosto-efektshmërisë së punës për të zhvilluar sektorët e prodhimit me vlerë të shtuar të ulët dhe të mesme, duke përfituar nga krahu i lirë i punës dhe pozita e saj gjeografike pranë tregut të madh të BE-së. Shqipëria ka një mundësi të ngjashme për të tërhequr investime në nënkontraktimet e modelit fasoneri, në prodhimin e elektronikës, si dhe tekstileve, pasi ka një kosto pune më të ulët se shumica e vendeve të tjera të BE-së.

Megjithatë, Shqipëria duhet të përballet me sfidën e zhvillimit të një industrie të avancuar. Për shembull, një mundësi mund të jetë fokusimi në sektorët e teknologjisë dhe prodhimeve të përpunuara, siç ka bërë edhe Hungaria, që ka investuar në zhvillimin e sektorëve me vlerë të shtuar të lartë, si elektronika dhe automjetet e inteligjente.

Vendet si Sllovenia dhe Estonia kanë krijuar mjedise të favorshme për bizneset përmes reformatave ligjore dhe digjitalizimit. Sllovenia, për shembull ka investuar shumë në krijimin e një infrastrukture ligjore të qëndrueshme dhe në përmirësimin e procedurave për hapjen e bizneseve. Estoninë mund ta përdorim efektivisht jo vetëm për sektorin publik, si një model për digjitalizimin, edhe pse ajo është lider në ofrimin e shërbimeve publike online dhe ka krijuar një sistem të avancuar të menaxhimit të të dhënave. Shqipëria mund të ndërmarrë hapa të ngjashëm për të përmirësuar procedurat e dixhitalizimit të bizneseve dhe për të krijuar një sistem më efikas dhe transparent të të bërit biznes në vend.

Përveç kësaj, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në dhe ka mundësi të shfrytëzojë këto marrëveshje për të rritur pjesëmarrjen e saj në zinxhirët globalë të vlerës. Një shembull tjetër mund të jetë Turqia, e cila ka përdorur marrëveshjet e saj tregtare për të forcuar pozitat e saj në zinxhirët globalë të furnizimit në sektorë të tillë si tekstilet dhe elektronikën.

Paqartësia ligjore dhe korrupsioni janë barrierat më të mëdha që pengojnë krijimin e një klime të favorshme për investime afatgjata. Shqipëria duhet të forcojë zbatimin e ligjeve dhe të eliminojë praktikat korruptive për të tërhequr investime të qëndrueshme.

Suksesi i Koresë së Jugut është një shembull i shkëlqyer për Shqipërinë, pasi ky vend ka investuar gjerësisht në kërkimin dhe zhvillimin (R&D), duke e kthyer këtë në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të saj ekonomik. Koreja e Jugut ka krijuar një ekosistem që nxit inovacionin dhe zhvillimin e teknologjive të reja, duke u fokusuar në sektorët si teknologjia e informacionit, elektronika dhe prodhimi i automjeteve. Shqipëria mund të ndjekë në përmasat që i përkasin një model të ngjashëm, duke rritur investimet në R&D dhe duke forcuar bashkëpunimin midis sektorit privat dhe institucioneve kërkimore.

Një tjetër model mund të jetë Indonezia, e cila ka investuar në krijimin e një ekosistemi të teknologjisë dhe ka nxitur zhvillimin e start-up-eve që përdorin teknologjinë për të zgjidhur problemet e tregut lokal dhe ndërkombëtar. Shqipëria mund të shfrytëzojë pozitat e saj gjeografike dhe avantazhet në kosto për të krijuar një sektor të zhvilluar të shërbimeve ICT dhe outsourcing.

Investimet në R&D janë ende të ulëta, dhe aftësitë teknologjike të punonjësve janë të kufizuara. Për t’u integruar në zinxhirët globalë të vlerës, Shqipëria duhet të zhvillojë kapacitete më të forta në teknologji dhe inovacion.

Një shembull i rëndësishëm për Shqipërinë mund të jetë qasja e Zvicrës në zhvillimin e aftësive të forcës punëtore. Zvicra ka krijuar një sistem arsimor të integruar që lidhet ngushtë me nevojat e tregut të punës, duke siguruar që studentët të jenë të gatshëm për të kontribuar në industri të avancuara. Shqipëria mund të përmirësojë sistemin arsimor duke ofruar mundësi për trajnime praktike dhe edukim që lidhet me nevojat e sektorëve të avancuar, si ICT, prodhimi i lartë dhe shërbimet e financave.

Gjithashtu, diasporës shqiptare mund t’i jepet mundësia të kontribuojë në këtë zhvillim, përmes mundësive për transferim të njohurive dhe përmes investimeve direkte në zhvillimin e sektorëve me vlerë të shtuar të lartë.

Mungesa e një lidhjeje të ngushtë midis arsimit dhe tregut të punës, si dhe migrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar janë barriera që duhet kapërcyer për të siguruar një forcë punëtore të aftë për të konkurruar në zinxhirët globalë të vlerës.

Shqipëria po përpiqet të integrohet më fort me rajonin dhe tregun ndërkombëtar. Megjithëse ka arritur përparime në tregtinë rajonale dhe tërheqjen e investimeve të huaja, sfidat mbeten të mëdha.

Në këtë aspekt, vendet si Rumania dhe Bullgaria ofrojnë shembuj të suksesshëm. Të dyja këto vende kanë përdorur pozitat e tyre gjeografike dhe marrëveshjet e tregtisë së lirë për të përfituar nga zinxhirët globalë të furnizimit dhe për të ndihmuar në rritjen e eksporteve të produkteve me vlerë të shtuar.

Bullgaria, përpara anëtarësimit në BE, modernizoi infrastrukturën dhe lehtësoi tregtinë me fqinjët, duke krijuar një model që Shqipëria mund ta ndjekë për të zhvilluar korridoret e saj transportuese dhe ekonominë rajonale. Nga ana tjetër, Rumania tërhoqi investime strategjike në industrinë automobilistike dhe teknologjinë e informacionit, duke rritur ndjeshëm eksportet dhe punësimin.

Për të ecur përpara, këto vende forcuan transparencën ekonomike, përmirësuan klimën e biznesit dhe siguruan një menaxhim më efikas të fondeve të huaja. Mësimet nga Bullgaria dhe Rumania tregojnë se një integrim i suksesshëm kërkon politika të qëndrueshme dhe zhvillim të sektorëve konkurrues. Nëse këto reforma zbatohen me sukses, Shqipëria mund të shndërrohet në një ekonomi më të qëndrueshme dhe tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë.

Nëse Shqipëria dëshiron të integrohet në zinxhirët globalë të vlerës, duhet të ndjekë një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin investime në infrastrukturë, arsim, R&D dhe forcimin e mjedisit rregullator. Përvoja e vendeve të suksesshme mund të shërbejë si një udhërrëfyes për të krijuar një strategji të qëndrueshme për integrimin global, duke nxitur inovacionin dhe zhvillimin e sektorëve me vlerë të shtuar të lartë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.