Kur paratë e pista gjejnë rrugën, një shqetësim për Paqen Fiskale dhe dështimi i parandalimit në Shqipëri
Në fund të vitit 2025, mediat raportuan një histori që tronditi opinionin publik në Shqipëri.
Një shtetas spanjoll, Álvaro Romillo Castillo, i njohur si “CryptoSpain” u arrestua në Spanjë për një skemë piramidale me kriptomonedha që mashtronte mijëra njerëz dhe shkaktoi dëme prej 250–300 milionë eurosh.
Fondet e paligjshme arritën të depërtonin në Shqipëri, ku autoritetet sekuestruan pasuri rreth 30 milionë euro, apo rreth 2.9 miliard lekë (toka, makina luksoze, llogari bankare dhe tre kompani në turizëm dhe pasuri të paluajtshme), kryesisht në Dhërmi, një fshat me rreth 600 shtëpi.
Shqetësimi kryesor nuk është vetëm madhësia e skemës në një zonë kaq të kufizuar dhe të ekspozuar ndaj vëzhgimit, nga strukturat tatimore vendore, zyrat e kadastrës, bashkia, policia dhe bankat lokale, por fakti se asnjë prej këtyre hallkave nuk e pa, ose nuk e denoncoi, në kohë një fluks të tillë pasurish dhe transaksionesh të pazakonta. Në një territor të vogël si Dhërmiu, ku blerjet e tokave, ndërtimet dhe shfaqja e pasurive luksoze janë të dukshme për komunitetin, ky lloj aktiviteti duhej të kishte prodhuar sinjale që nga niveli i terrenit, që nga inspektorët tatimorë, nga policimi i komunitetit, nga zyrat e regjistrimit të pasurive dhe nga zgjatimet e instituciooneve qendrore, që operojnë aty.
Fakti që zbulimi nuk erdhi nga institucionet shqiptare, por nga një hetim i zhvilluar në Spanjë, në kuadër të Operacionit PONEI me mbështetjen e Europol-it dhe Gardës Civile spanjolle e thellon edhe më shumë këtë boshllëk.
Shqipëria u përfshi vetëm pasi autoritetet spanjolle treguan rrugët e parave, një tregues i qartë se sistemi ynë parandalues, nga terreni deri në qendër, nuk funksionoi në kohë reale, por vetëm reagoi pasi provat u sollën nga jashtë.
Ligjet dhe strategjitë kombëtare, në letër, u japin role të qarta institucioneve.
Drejtoria e Tatimeve duhet të verifikojë terrenin dhe të evidentoje flukset monetare në kohë reale në kuadër të evazionit, që shpesh maskojnë paratë e pista. Agjensia e Inteligjencës financiare, AIF ( ish-Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) duhet të analizojë raportet e transaksioneve të dyshimta dhe të alarmojë organet e hetimit. Banka e Shqipërisë duhet të aktiviojë mekanizmat për të mbikëqyrë flukset bankare. Policia duhet të monitorojë terrenin dhe të njoftojë rastet e dyshimta. SPAK-u duhet të hetojë rastet e mëdha dhe të veprojë shpejt.
Por këto mekanizma nuk mund të funksionojnë nëse nuk ushqehen nga informacioni i terrenit, nga policimi i komunitetit, nga administrata vendore dhe nga sinjalet që lindin aty ku aktiviteti ekonomik zhvillohet realisht.
Në këtë rast, asnjëri prej tyre nuk e kapërceu fazën e reagimit pas faktit. Kompanitë fiktive “Wortned” dhe “Wortonova” u krijuan në qershor 2024, pronat u blenë nën vlerën e tregut, pasuri të konsiderueshme u shfaqën në një zonë të vogël turistike dhe megjithatë askush nuk pa asnjë gjë të dyshimtë derisa Spanja tregoi fotot dhe skemat.
Kjo tregon se, përveç dobësive në nivel qendror edhe hallka e parë e shtetit, ajo e policimit dhe kontrollit në komunitet nuk po funksionon si filtër parandalues, duke e lënë pastrimin e parave të lulëzojë në heshtje deri sa të shpërthejë si skandal ndërkombëtar.
Mosveprimi proaktiv bëhet edhe më shqetësues me Paqen Fiskale, që hyri në fuqi në 2026. Ky mekanizëm lejon fshirjen e borxheve të vjetra dhe deklarimin e pasurive pa verifikim të thellë të origjinës.
Në një vend ku korrupsioni dhe pastrimi i parave mbeten sfida të mëdha, politika mund të shërbejë si “larje zyrtare” për fonde të dyshimta. Pronat në Dhërmi të një individi si Romillo mund të përfundonin të deklaruara si “asete të padeklaruara” pa pyetur askush për origjinën e tyre.
Sektori i ndërtimit tregon një tjetër problem: kompani me kapital fillestar minimal dhe bilance me humbje marrin leje për projekte të mëdha. Nga 2015 deri 2023, numri i kompanive të ndërtimit u rrit 40%, por shumica kanë vetëm 1–4 punonjës dhe nuk kanë kapacitet real financiar. Mbi dy të tretat e ndërtesave të larta në Tiranë ndërtohen nga kompani pa financim të verifikuar, duke krijuar mundësi për pastrim parash dhe duke rrezikuar qytetarët me projekte të papërfunduara.
Procesi i lejeve mbetet i ndjeshëm ndaj ryshfeteve, ku mbi një e treta e bizneseve pranojnë se paguajnë për përshpejtim. Kështu krijohet një cikël i rrezikshëm, ku paratë informale hyjnë lehtë, konkurenca e ndershme dëmtohet, besimi te institucionet bie dhe qytetari paguan çmimin më të lartë me një apartament të papërfunduar ose një ekonomi ku paratë e pastra kanë gjithnjë e më pak hapësirë.
Ajo që bie në sy në këtë rast është pabarazia totale mes potencialit dhe rezultateve të institucioneve.
Flasim për 30 milionë euro, një shumë e konsiderueshme për tregun e vogël shqiptar, që nuk u identifikua në kohë nga më shumë se tre institucione kyçe: Bashkia, Policia, AIF, Tatimet, Banka e Shqipërisë dhe SPAK.
Ky dështim tregon se investimet në teknologji dhe kapacitete njerëzore, pavarësisht se mund të jenë të konsiderueshme, nuk përkthehen automatikisht në efikasitet real. Me fjalë të tjera, nuk mjafton të kesh softuerë ose staf, nëse procedurat, koordinimi dhe vullneti për veprim janë të dobët, skemave të tilla u jepet hapësirë për të funksionuar deri në arrestime jashtë vendit.
Kjo tregon dy gjëra:
Së pari, teknologjia dhe kapacitetet janë vetëm mjete, jo garanci. Në momentin kur nuk shoqërohet me protokolle funksionale, me koordinim të drejtëpërdrejtë midis institucioneve dhe mbi te gjitha me vullnet politik, atëherë parandalimi mbetet teori, jo praktikë.
Së dyti, mungesa e veprimit në kohë krijon precedent, ku pastrimi i parave, evazioni dhe përdorimi i kompanive fiktive bëhen një “normë toleruese”. Shqipëria nuk është e vetme në këtë; vende të tjera ballkanike, si Greqia, tregojnë të njëjtin fenomen: institucione që reagojnë vetëm pas skandalit ndërkombëtar, dhe jo proaktivisht.
Problemi nuk është vetëm fondi i kapur, por struktura që e lejon të ndodhë, apo ndryshe një ekosistem institucional, që pavarësisht investimeve, nuk arrin të parandalojë situatat para se ato të bëhen skandale ndërkombëtare.
Rasti i Romillo tregon qartë se Shqipëria është larg një sistemi që parandalon para se të ndodhë dëmi.
Ky rast rrit shqetësimin që Paqja Fiskale, duke lehtësuar deklarimin e pasurive pa gjurmim të origjinës së fondeve, mund të dobësojë edhe më tej kapacitetin e institucioneve për të ndjekur paratë e pista, duke hapur rrugën për shumë situata të ngjashme në të ardhmen.
Ndryshimi fillon kur institucionet kalojnë nga “reagimi pas faktit” në “parandalimin para faktit”, një kërkesë që FMN-ja, Bashkimi Evropian dhe raportet ndërkombëtare e kanë përsëritur prej kohësh.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.