Tabloja ekonomike për sektorët për fundin e 2026 dhe fillimin e 2027
Duke i lexuar së bashku pesë publikimet e INSTAT[1], tabloja që del për Shqipërinë në fundin e 2026 dhe fillimin e 2027 shihet se ekonomia vijon të zgjerohet, por motorët e rritjes janë shumë të pabarabartë. Konsumi dhe shërbimet janë relativisht të forta, ndërtimi vazhdon të zgjerohet, ndërsa industria dhe eksportet e mallrave japin sinjale më të dobëta. Në të njëjtën kohë, inflacioni është kthyer rreth 3%, por presionet në transport dhe shërbime mbeten të dukshme.
Pamja e përgjithshme tregon ekonomi në rritje, por me strukturë gjithnjë e më të varur nga shërbimet.
Sipas treguesve të integruar shikojmë këtë panoramë të përgjithshme të 6-mujorit I 2026:
| Treguesi | Gjendja më e fundit | Sinjali |
| Inflacioni IHÇK, gusht | 3,0% | Presion çmimesh i moderuar |
| Shitjet me pakicë, T2 | +6,8% volum | Konsum i fortë |
| Shërbimet, T2 | Hotele +22%, pasuri të paluajtshme +38,9% | Motor i fortë |
| Ndërtimi, T2 | +5,6% shitje volum, +4,2% prodhim | Zgjerim |
| Industria, T2 | +2,2% shitje, +2,6% prodhim | Rritje e dobët |
| Eksportet, gusht | +1,6% | Pothuajse stagnim |
| Importet, gusht | +12,6% | Kërkesë/import i fortë |
| Deficiti tregtar, gusht | 55 mld lekë, +17,4% | Përkeqësim |
Burimet kryesore janë publikimet e fundit të INSTAT-it për tregtinë, çmimet, prodhuesit, shërbimet dhe tregtinë me pakicë.
Problemi shihet si vijimësi e 2025 dhe më herët, te përbërja e ekonomisë.
Konsumi është sinjali më i qartë pozitiv për fundin e 2026.
Tregtia me pakicë është ndoshta treguesi më i rëndësishëm për të kuptuar muajt e ardhshëm.
Në T2 2026, volumi i shitjeve me pakicë u rrit 6,8% ndaj T2 2025 dhe, i përshtatur sezonalisht, ishte 1,6% mbi T1 2026. Pa hidrokarburet, rritja ishte 6,3%, ndërsa hidrokarburet u rritën 8,4%.
Kontributet ishin artikuj jo-ushqimorë +2,7 pikë përqindje, hidrokarbure: +2,1 pp dhe ushqime, pije dhe duhan: +2,0 pp.
Rritja nuk është vetëm një efekt i çmimeve, sepse edhe volumi fizik i shitjeve po rritet.
Për pjesën e mbetur të 2026, kjo krijon një bazë relativisht të fortë për konsum → tregti → shërbime → të ardhura biznesesh.
Por ka një kufizim. Inflacioni i gushtit është 3.2%, ndërsa ushqimet janë +2,1%, transporti +7%, restorantet dhe akomodimi +3,5%.
Kështu, konsumi po rritet në volum, por një pjesë e rritjes nominale të ekonomisë do të vazhdojë të vijë nga çmimet.
Shërbimet, ndërkohë janë aktualisht motori kryesor dhe këtu është ndoshta sinjali më i fortë i gjithë treguesve statistikorë.
Në T2 2026 shihet se hotelet +22,0%, transporti, magazinimi dhe posta +19,1%, pasuritë e paluajtshme +38,9%, bar-restorantet +8,7%, arkitektura dhe inxhinieria +7,8% dhe tregtia +6,0%.
Ndërkohë, agjencitë e udhëtimit ranë 5,4%, aktivitetet ligjore dhe kontabiliteti 5,3%, informacioni dhe komunikacioni 0,6%, ndërsa administrimi i zyrave dhe mbështetja administrative ranë 6%.
Pra nuk kemi një “boom” uniform të shërbimeve. Në fakt kemi polarizim, që do të thotë se për T3–T4 2026 sektoret e lidhura me turizmin + transportin + pasuritë e paluajtshme + ndërtimin + konsumin kanë hyrë në gjysmën e dytë të vitit me momentum të fortë.
Kjo tendencë ka gjasa të vazhdojë të mbështesë aktivitetin ekonomik edhe në T4.
Por disa shërbime profesionale dhe administrative nuk po përfitojnë në të njëjtën masë.
Turizmi po krijon efekt zinxhir dhe jo vetëm efekt hotelerie.
Rritja e hoteleve prej 22% është shumë më e lartë se rritja e përgjithshme e ekonomisë së shërbimeve. Por edhe transporti +19,1% dhe bar-restorantet +8,7% tregojnë se efekti po përhapet në zinxhir.
Kjo përputhet edhe me faktin se inflacioni i restoranteve dhe akomodimit është 3,5%.
Këtu shfaqet një problem i rëndësishëm, që tregon se turizmi po rrit kërkesën, por po rrit edhe çmimet e shërbimeve.
Për 2027 kjo mund të bëhet një prej pikave kryesore problematike të ekonomisë shqiptare. Nëse kërkesa turistike vazhdon të zgjerohet, por produktiviteti i ofertës nuk rritet në të njëjtin ritëm, presioni mbi çmimet e shërbimeve mund të mbetet.
Ndërtimi nga ana tjetër vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme
Ndërtimi në T2 2026 ka shitje neto në volum +5,6%, prodhim në volum +4,2%, punësim +5,2% dhe fond pagash +24,8%.
Kjo e fundit është shumë interesante.
Pagat +24,8% kundrejt punësimit +5,2% sugjerojnë një rritje shumë më të fortë të kostos së punës për sektorin sesa zgjerimi i numrit të punonjësve.
Kjo mund të interpretohet si kombinim i rritjes së pagave, mungesës së fuqisë punëtore, formalizimit dhe zhvendosjes drejt punonjësve me kualifikim më të lartë.
Për fillimin e vitit 2027, ndërtimi mund të vazhdojë të rritet, por marzhi i zhvilluesve/ kontraktorëve do të jetë më i ndjeshëm ndaj kostos së punës.
Pra, rritje e aktivitetit mundet që jo domosdoshmërisht të shoqërohet me rritje proporcionale të fitimit.
Kur analizojmë industrinë kutpohet se është pika më e dobët e ciklit. Gjithsesi, këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm.
Industria në T2 ka shitje në volum +2,2%, prodhim në volum +2,6%, punësim -2,0% dhe fond pagash +9,7%.
Kjo është shumë më e dobët se energjia, e cila ka shitje +24,2% dhe uji/mbetjet +25,8%.
Krahasuar me rritjen e shitjeve nga ndërtimi +5,6%, hotelet +22% dhe pasuritë e paluajtshme +38,9% do të thotë se kapaciteti prodhues tradicional nuk po zgjerohet me të njëjtin ritëm si ekonomia e shërbimeve.
Madje industria përpunuese ka rritje të shitjeve vetëm 1,5% dhe ky është një nga sinjalet më të rëndësishme për 2027.
Tregtia e jashtme e konfirmon problemin industrial.
Gushti 2026 e bën situatën edhe më të qartë.
Eksportet janë 20,5 mld lekë → +1,6% dheImportet janë 75,6 mld lekë → +12,6%
Deficiti si rrjedhojë është 55,0 mld lekë duke u rritur +17,4% dhe kjo nuk është vetëm një lëvizje mujore.
Në korrik eksportet ishin +10,6%, ndërsa në gusht vetëm +1,6%. Ndërkohë, importet kaluan nga +3,6% në korrik në +12,6% në gusht.
Pra kemi një divergjencë eksport–import.
Struktura e gushtit është edhe më domethënëse
Eksportet u mbështetën nga materiale ndërtimi dhe metale, ushqime, pije, duhan dhe minerale, lëndë djegëse dhe energji.
Por tekstilet dhe këpucët dhanë një kontribut negativ prej -2,9 pikë përqindje.
Ndërsa importet u shtynë nga makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi +4,8 pp, minerale/lëndë djegëse/energji +3,5 pp dhe materiale ndërtimi dhe metale +1,8 pp.
Kjo mund të ketë dy lexime.
Leximi pozitiv kuptohet se një pjesë e importeve të makinerive dhe pajisjeve mund të jetë import investimi.
Leximi më problematik kuptohet se Shqipëria po konsumon dhe investon më shumë, por kapaciteti eksportues nuk po rritet paralelisht.
Të dyja mund të jenë të vërteta njëkohësisht.
Por gjithsesi, ekonomia po bëhet më shumë “import-led” sesa “export-led”
Ky është një nga përfundimet kryesore që nxirren nga këto të dhëna.
Kjo do të thotë që rritja e kërkesës së brendshme po krijon kërkesë për mallra të huaja.
Nëse ky model vazhdon në T4 2026 dhe T1 2027, atëherë konsum më i lartë → importe më të larta → deficit më i lartë tregtar.
Kjo nuk është automatikisht negative, sepse importet kapitale mund të financojnë zgjerimin e kapacitetit prodhues.
Por nëse importet dominohen nga konsumi dhe energjia, ndërsa eksportet mbeten të dobëta, atëherë kemi një problem më strukturor.
Por, të mos harrojmë inflacionin me 3.2% në Gusht 2026, ku struktura është më interesante se numri agregat.
| Grup | Rritja vjetore |
| Ushqime | +2,1% |
| Transport | +7,0% |
| Argëtim/sport/kulturë | +8,5% |
| Restorante/akomodim | +3,5% |
| Arsim | +3,3% |
| Shëndetësi | +2,1% |
| Veshje/këpucë | -2,0% |
| Informacion/komunikim | -1,0% |
Pra, inflacioni 3.2% fsheh inflacion më të lartë në disa shërbime dhe komponentë të lidhur me mobilitetin/turizmin.
Në gusht, transporti u rrit edhe 2,1% vetëm brenda një muaji duke u bërë veçanërisht e rëndësishme për parashikimin e fundit të vitit.
Çfarë presim për T4 2026?
Bazuar vetëm në këtë paketë të INSTAT-it, skenari më logjik është, se në T4 2026
1. Konsumi do të vazhdojë të jetë pozitiv.
2. Shërbimet do të mbeten motori kryesor edhe pse efekti i sezonit turistik fillon të zbehet.
3. Ndërtimi do të vijojë me rritje, por me presion nga kostot e punës.
4. Industria mund të ketë rritje modeste, por pa sinjale për një përshpejtim të madh.
5. Importet do të mbeten të forta nëse konsumi dhe investimet vazhdojnë.
6. Eksportet konsiderohen si pika më e pasigurt.
7. Inflacioni ndoshta do vijojë rreth zonës 3%, për arsye të kostove me rrezik presioni në transport dhe shërbime.
Në fillimin e 2027, kryesisht për T1 2027 duhet të shqetësohemi për faktin nëse po shndërrohet rritja e kërkesës në rritje të kapacitetit prodhues dhe eksportues?
Këtu janë tre skenarë.
Skenari A – vazhdimësia me konsum të fortë + turizëm + ndërtim + pasuri të paluajtshme.
Në këtë rast rritja vazhdon relativisht e mirë, por ekonomia mbetet e orientuar drejt shërbimeve.
Skenari B – normalizimi, ku turizmi normalizohet pas sezonit të fortë, konsumi ngadalësohet dhe importet bien. Në këtë rast rritja ekonomike ngadalësohet në fillim të 2027.
Skenari C – përshpejtimi produktiv, bazuar te importet e makinerive/pajisjeve, mund të shndërrohen në investime reale dhe kapacitet të ri prodhues. Në këtë rast mund të kemi një kalim gradual nga konsumi + pasuri të paluajtshme drejt investimit + prodhimit + eksportit.
Ky është në fakt varianti që të dhënat e gushtit ende nuk e konfirmojnë, por importet e makinerive dhe pajisjeve janë një tregues që duhet ndjekur.
Treguesi që ALTAX sugjeron të monitorohen më shumë janë:
1. Eksportet mujore, të cilat nëse kalojnë vazhdimisht mbi rritjen 5–6%, sinjali ndryshon.
2. Importet e makinerive dhe pajisjeve, që nëse rriten tregojnë që importi po shkon drejt investimit.
3. Industria përpunuese, veçanërisht tekstile/këpucë dhe mallrat e ndërmjetme.
4. Ndërtimi për të parë nëse +5–6% vazhdon.
5. Tregtia me pakicë për të matur qëndrueshmërinë e konsumit.
6. Hotele + transport për të matur efektin pas sezonit turistik.
7. Inflacioni i shërbimeve dhe jo vetëm CPI/IHÇK agregat.
8. Pagat kundrejt produktivitetit, sepse tashmë kemi sinjal të fortë të rritjes së fondit të pagave.
Nga treguesit si më lart kuptojmë një ekonomi shqiptare me kërkesë të brendshme të fortë, shërbime shumë dinamike dhe ndërtim ende ekspansiv, por me industri të dobët relativisht dhe një hendek në zgjerimin e eksporteve.
Prandaj, për fundin e 2026 dhe fillimin e 2027, tendenca që do ta prezantonte më saktë situatën është se vërtet ekonomia po rritet, por ende nuk po ndryshon mjaftueshëm strukturën e saj, ku kërkesa, shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ecin më shpejt se industria dhe eksportet. Ekonomia jonë po shet më shumë brenda vendit dhe po gjeneron më shumë aktivitet në shërbime, por në të njëjtën kohë importon shumë më shpejt sesa eksporton. Nëse kjo vazhdon edhe në fillim të 2027, sfida nuk do të jetë thjesht ruajtja e rritjes, por rritja e produktivitetit, kapacitetit eksportues dhe vlerës së shtuar vendase.
[1] https://www.instat.gov.al/sq/temat/tregtia-e-jashtme/tregtia-e-jashtme-e-mallrave/publikimet/2026/tregtia-e-jashtme-gusht-2026/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.