Reforma territoriale është e nevojshme, por prezantohet me kufizime serioze

Reforma territoriale është e nevojshme, por prezantohet me kufizime serioze

ALTAX vlerëson se reforma e ndarjes territoriale është e nevojshme dhe e vonuar. Reforma e vitit 2014 reduktoi numrin e njësive nga mbi 370 në 61, por nuk arriti të zgjidhte plotësisht problemet e funksionalitetit, kapaciteteve administrative dhe qëndrueshmërisë fiskale të shumë bashkive të vogla. Propozimi aktual ligjor për kalimin në 46 bashki përmes konsolidimit të 15 njësive më të vogla me bashkitë fqinje më të mëdha është një përpjekje e arsyeshme për të adresuar këto dobësi. Megjithatë, projekti paraqet kufizime serioze që kërkojnë trajtim të kujdesshëm para miratimit, të cilat i kemi renditur si vijon:

Së pari, vihet në dukje mungesa e analizës së detajuar të ndikimit.
Projektligji dhe dokumentacioni shoqërues ofrojnë argumente të përgjithshme për kursime administrative dhe kapacitete më të larta, por nuk përmbajnë analiza të plota, të matshme dhe të krahasueshme për secilin rast bashkimi. Mungojnë llogaritjet e qarta për:

  • koston e tranzicionit (inventarizim, ristrukturim personeli, sisteme informacioni);
  • ndryshimin e aksesit të qytetarëve te shërbimet (distancat reale, koha e udhëtimit, frekuenca e transportit publik);
  • ndikimin në transferta dhe buxhete lokale për periudhën 2027–2030;
  • riskun e koncentrim it të investimeve në qendrat e reja në dëm të periferive.

Pa këto të dhëna, vendimmarrja mbetet e bazuar më shumë në logjikën e madhësisë se sa në logjikën e funksionalitetit.

Së dyti, vërehet rreziku i largimit të pushtetit nga qytetari.
Bashkitë më të mëdha mund të sjellin ekonomi shkalle, por historikisht kanë rritur distancën mes vendimmarrjes dhe komuniteteve periferike. Në zonat malore dhe rurale (Prrenjas–Librazhd, Fushë-Arrëz–Pukë, Klos–Mat, Këlcyrë–Përmet etj.), qendrat e reja administrative do të jenë më të largëta. Statusi i “qytetit” me nënkryetar dhe përfaqësim proporcional është një garanci e dobët nëse nuk shoqërohet me:

  • kompetenca reale të decentralizuara për qytetet përbërëse;
  • buxhetim të detyrueshëm me pjesëmarrje për njësitë administrative;
  • standarde të detyrueshme shërbimi (orare, sportel të lëvizshëm, kohë maksimale përgjigjeje).

Nëse nuk bëhen efektivë këto mekanizma, reforma rrezikon të krijojë më shumë periferi dhe më pak qendra vendimmarrëse efektive.

Së treti, konstatohen rezerva lidhur me procesin e konsultimit të projektligjit.
Konsultimi me këshillat bashkiakë dhe qytetarët është vendosur pas depozitimit të projektligjit në Kuvend. Kjo e kthen procesin në konsultim formal pas faktit, jo në konsultim thelbësor para vendimmarrjes. Sipas standardeve të Këshillit të Evropës dhe praktikës së mirë, mendimi i popullsisë për ndryshime territoriale duhet të merret para se harta të finalizohet. Dokumentimi i proceseve verbale, pyetësorëve dhe qëndrimeve të këshillave duhet të bëhet publik dhe të bashkëlidhet detyrimisht para shqyrtimit në seancë plenare.

Së katërti nuk ka argmente të forta dhe garanci për qëndrueshmërinë fiskale dhe kapacitetin përthithës për fonde të BE-së.
Argumenti se bashkitë më të mëdha do të jenë më konkurruese për fondet e BE-së është i vlefshëm në parim. Por madhësia nuk garanton automatikisht kapacitet absorbues. Shumë bashki të mesme dhe të mëdha aktualisht kanë probleme me planifikimin e investimeve, menaxhimin e projekteve dhe transparentësinë e prokurimit. Reforma duhet të shoqërohet me:

  • standarde minimale të menaxhimit financiar dhe të investimeve për bashkitë e reja;
  • monitorim të pavarur të performancës (tregues IFB, kosto administrative për banor, kohë e shërbimeve) jo më vonë se tre vjet pas konstituimit;
  • garanci që transferta e pakushtëzuar për periudhën e tranzicionit të mos ulet për asnjë territor të konsoliduar.

Së pesti nuk shihet të ndrysojë modeli lidhur me faktin se çfarë duhet të marrim nga mësimet e 2014-ës
Reforma e 2014-ës tregoi se redukimi i numrit të njësive nuk solli shërbime më të mira. Shumë bashki të reja vazhduan të shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit për administratë, ndërsa investimet dhe shërbimet në fshatra mbetën të dobëta. Përsëritja e të njëjtit model pa mekanizma të fortë llogaridhënieje dhe decentralizimi të brendshëm rrezikon të japë të njëjtin rezultat.

Ne sugjerojmë se Kuvendi duhet:

  • të kërkojë para miratimit një analizë të plotë të ndikimit për secilin nga 13 konsolidimet (kosto, akses, fiskalitet, rreziqe).

Kuvendi duhet të ketë në dispozicion një analizë të standardizuar për çdo konsolidim të propozuar. Kjo analizë duhet të tregojë jo vetëm përfitimet e pritshme, por edhe kostot e tranzicionit dhe pasojat konkrete për qytetarët.

  • të forcojë dispozitat për kompetencat e qyteteve përbërëse dhe buxhetimin me pjesëmarrje.

Krijimi i një bashkie më të madhe duhet të shoqërohet me mekanizma që garantojnë se qytetet dhe njësitë administrative përbërëse nuk humbasin aksesin në vendimmarrje dhe investime. Buxhetimi me pjesëmarrje mund të shërbejë si një mekanizëm për ta lidhur më drejtpërdrejt prioritetin e komunitetit me përdorimin e fondeve publike.

  • të bëjë publik dhe të shqyrtojë rezultatet e konsultimeve lokale para votimit në seancë plenare.

Konsultimi duhet të prodhojë dokumentacion publik dhe të verifikueshëm. Qytetarët duhet të mund të shohin jo vetëm se është zhvilluar një konsultim, por edhe çfarë është kërkuar, çfarë është kundërshtuar dhe si janë trajtuar këto qëndrime në procesin e vendimmarrjes.

  • të vendosë tregues të qartë monitorimi dhe një rivlerësim të detyrueshëm pas tre vjetësh.

Reforma duhet të ketë një mekanizëm të matshëm për të vlerësuar rezultatet. Kostoja administrative për banor, koha e marrjes së shërbimeve, niveli i investimeve për territor, realizimi i të ardhurave, menaxhimi i borxhit dhe aftësia për të përfituar fonde të huaja janë ndër treguesit që mund të përdoren për të parë nëse konsolidimi ka sjellë përmirësim real.

  • të sigurojë që reforma të jetë e kompletuar të paktën 12 muaj para zgjedhjeve vendore të 2027, sipas standardeve të Komisionit të Venecias.

Koha e miratimit dhe zbatimit të reformës është po aq e rëndësishme sa përmbajtja e saj. Ndryshimet territoriale duhet të kenë kohë të mjaftueshme për t’u zbatuar, për t’u kuptuar nga administrata dhe qytetarët dhe për të krijuar siguri juridike përpara procesit zgjedhor.

ALTAX mbështet nevojën për bashki funksionale dhe të qëndrueshme fiskalisht. Por funksionaliteti nuk matet me numrin e bashkive, por me cilësinë e shërbimeve që qytetari merr në praktikë.

Për qytetarin, suksesi i reformës nuk matet me faktin nëse harta ka 61 apo 46 bashki, por me fakti se sa shpejt dhe cilësisht merr shërbimet, sa afër e ka administratën, sa drejt shpërndahen investimet në territor, sa transparente janë taksat dhe shpenzimet publike dhe sa e fortë është llogaridhënia e drejtuesve vendorë.

Mirëpo, nëse nuk ka analiza të detajuara, garanci të forta për periferitë dhe monitorim të pavarur, reforma do të mbetet një ndryshim hartash pa arritur një përmirësim real i qeverisjes vendore.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.