Përjashtimi nga tvsh i furnizimit të shërbimeve të formimit profesional nëpërmjet kurseve

Përjashtimi nga tvsh i furnizimit të shërbimeve të formimit profesional nëpërmjet kurseve

Rasti
Kurse trajnimi profesional, që organizohen nëpërmjet një licence për formim profesional organizohen mbi bazë të një program. Çfarë parasheh ligji dhe Udhëzimi i TVSH për trajtimin e furnizimit të shërbimeve që kryejnë bizneset dhe OJF?

Përgjigja
Sipas ligjit Nr.92/2014, i ndryshuar, në Nenin 51, në pikën g. të tij “furnizimi  i  shërbimeve  të  edukimit  të  fëmijëve  dhe  të  rinjve,  të  mësimdhënies shkollore  apo  universitare,  formimit  profesional  dhe  rikualifikimit,  përfshirë  furnizimin  e shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me to nga institucionet arsimore, publike dhe private, të njohura si të tilla nga autoriteti kompetent shtetëror, në përputhje me legjislacionin përkatës të fushës” janë furnizime të përjashtuara nga TVSH.

Sipas Udhëzimit Nr.6, datë 30.01.2015, në nenin 39, në pikën 1. “përjashtimi  zbatohet  për  furnizimet  e  mirëfillta  të mësimdhënies   shkollore,   universitare,   formimit   profesional   dhe   rikualifikimit, përfshirë furnizimin e shërbimeve ose të mallrave të lidhura ngushtë me këtë mësimdhënie”. Por nuk  përfshihen  shërbimet  e ofruara  nga  institucione  që ofrojnë kurse trajnimi,  kualifikimi,  kurse  të tjera  speciale  ose profesionale, nëpërmjet të cilave nuk merret  një formim i vazhdueshëm për pjesëmarrësit, i cili në përfundim të tij të shoqërohet me diploma të vlefshme për t’u njohur si profesion (zanat, specializim).   

Në rastet kur kemi  shërbime  edukimi (kurse), nëpërmjet  të cilave  klienti  merr  ose  zhvillon më tej njohuritë e tij në një fushë të caktuar të profesionit, këto furnizime nuk përfitojnë nga e drejta e përjashtimit nga TVSH.

Në vijim të sqarimit nga udhëzimi për  zbatimin  e  përjashtimit, konsiderohen  furnizim  i  shërbimeve  të  edukimit  të  fëmijëve  dhe  të rinjve,  të mësimdhënies  shkollore  apo  universitare,  formimit  profesional  dhe  rikualifikimit, “furnizimi  i  shërbimeve  arsimore  që  kryhen  nga  institucionet  arsimore  plotësuese  jo-publike,  ku  punohet  në  drejtim  të  arsimimit  e  të  edukimit  në  lëndë  e  specialitete  të veçanta  që kanë të bëjnë  me  marrjen  e  njohurive  në lëndë të përfshira  në programin mësimor (p.sh. kurse të gjuhës së huaj, kurse për kodimin, për muzikën etj.), të miratuara nga autoriteti kompetent shtetëror”.

Në tërësi nga sa më lart, shërbimet që kanë lidhje me kodimin janë të përjashtuara nga TVSH, pasi plotësojnë kriterin e sqaruar nga Udhëzimi i TVSH, në pikën shteruese të sqaruar në paragrafin më lart.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: