Kriteret e përcaktimit të vendit të furnizimit për shërbimet

Kriteret e përcaktimit të vendit të furnizimit për shërbimet

Janë tre kritere, që përbëjnë edhe raste të ndryshme të trajtimit të vendit të furnizimit, konkretisht:

  1. Vendi  ku ndodhet  konsumatori i shërbimit (parimi bazë)
  2. Vendi  ku ndodhet furnizuesi i shërbimit;
  3. Vendi  ku kryhet efektivisht shërbimi.

Në vijim trajtohen me më shumë hollësi veçoritë e secilit nga tre kriteret e lartpërmendura.

Fillimisht duhet qartësuar kuptimet me ” selinë e veprimtarisë të tij ekonomike ose një vendndodhje të qëndrueshme ” , për të cilën janë marrë apo ofruar shërbimet  kuptohet :

  • Vendi ku tatimpaguesi është i regjistruar;
  • Ka selinë qendrore dhe;
  • Ku bëhet administrimi efektiv i biznesit.

Nëse vendi i regjistrimit nuk përputhet me vendin ku efektivisht administrohet biznesi, vend kryesor i biznesit do të konsiderohet ky i fundit.

Vendi i administrimit efektiv te biznesit është vendi ku

  • Në të vërtetë menaxhohet biznesi;
  • Ku mblidhen organet drejtuese dhe;
  • Ku merren vendimet e biznesit.

Me banesë ose rezidencën e zakonshme  kuptohet:

  • Vendi ku individi ka një banesë të përhershme në dispozicion të tij;
  • Vendi ku interesat e tij jetike janë të lidhura më ngushtë (ku ka familjen dhe interesat ekonomike);
  • Vendi ku ai qëndron fizikisht në pjesën më të madhe të vitit (më shumë se 183 ditë).

Vendi  ku ndodhet  konsumatori i shërbimit (24.1)

Ky është kriteri bazë, principi, për përcaktimin e vendit të furnizimit të shërbimeve. Sipas tij, vendi i furnizimit të shërbimeve është në Shqipëri, aty ku marrësi i shërbimit, person i tatueshëm, ka:

  • Selinë e veprimtarisë të tij ekonomike ose një vendndodhje të qëndrueshme për të cilën janë kryer shërbimet, ose;
  • Banesën ose rezidencën e zakonshme, në mungesë të një selie të veprimtarisë ekonomike apo të një vendndodhjeje të qëndrueshme.

Ky kriter apo rregull, zbatohet vetëm në rastin kur bëhet fjalë për furnizime midis personave të tatueshëm(edhe furnizuesi edhe konsumatori, janë persona të tatueshëm).

Përkundrazi, vendi i furnizimit është jashtë Shqipërisë, nëse marrësi i shërbimit, person i tatueshëm për të njëjtat kushte (selia, vendndodhja) ndodhet jashtë Shqipërisë.

Në ligjin e TVSH-së, ky rregull jepet nga neni 24.1 i tij.

Llojet më tipike të furnizimit të shërbimeve të këtij grupi janë si më poshtë:

  • Furnizimit të shërbimit të kryer nga një person ndërmjetës, që vepron në emër dhe për llogari të një personi tjetër, kur ato nuk kanë të lidhje me pasurinë e patundshme;
  • Furnizimin e transportit të mallrave në territorin e Shqipërisë, apo atë ndërkombëtar;
  • Furnizimi i shërbimeve mbështetëse të transportit, si ngarkim, shkarkim, mirëmbajtje dhe aktivitete të ngjashme;
  • Furnizimi i shërbimeve të ekspertizave ose punëve të kryera mbi pasurinë e trupëzuar të luajtshme;
  • Furnizimi i shërbimeve të patrupëzuara
  • Dhënia me qira e mjeteve të transportit, për periudha jo afat shkurtra, veçanërisht edhe dhënia me qira financiare e tyre.

Janë të përjashtuara nga regjimi B & B, furnizimet e mëposhtme :

  • Të kryera për persona jo të tatueshëm;
  • Të kryera për nevoja private të personit të tatueshëm apo personelit të tij.

Në qoftë se një shërbim i është dhënë pjesërisht personit të tatueshëm për qëllime të veprimtarisë  së tij ekonomike e pjesërisht , për qëllime private, përfshire edhe veprimtari që nuk futen në fushën e aplikimit të TVSH-së nuk ndikohet ky fakt, përsa i takon përcaktimit të natyrës së personit të tatueshëm . Në këtë rast vendi i furnizimit përcaktohet për totalin e furnizimit, pra pa e ndarë nga rregullat që zbatohen për një person të tatueshëm.

Përjashtime nga rregulli i përgjithshëm (25, 26)

Ndryshe nga sa parashikohet në pikën 1, të nenit 24, të ligjit të TVSH, pavarësisht vendit ku ndodhet marrësi i shërbimit ,person i tatueshëm, vendi i furnizimit të shërbimeve për:

  • Furnizimin e shërbimeve të lidhura me një pasuri të patundshme, përfshirë shërbimet e ekspertëve dhe agjentëve imobiliare, furnizimin e strehimit në sektorin hotelier apo në sektorë të ngjashëm me të, si kampe pushimi ose vende të krijuara për tu përdorur si vende kampingu, dhënien e të drejtave të përdorimit të pasurive të paluajtshme dhe shërbimet për përgatitjen e bashkërendimin e punimeve të ndërtimit, të tilla si shërbimet e arkitektëve dhe firmave që mbikëqyrin kryerjen e punimeve (supervizim) është në Shqipëri, nëse pasuria e paluajtshme ndodhet në Shqipëri;
  • Furnizimin e transportit të pasagjerëve është në Shqipëri, proporcionalisht me distancën e përshkruar;
  • Furnizimin e shërbimeve të restorantit dhe shërbimeve të furnizimit me ushqim është në Shqipëri, ku këto shërbime janë kryer fizikisht;
  • Furnizimin e shërbimeve të restorantit dhe shërbimeve të furnizimit me ushqim, të cilat kryhen në bordin e anijeve, avionëve dhe trenave gjatë transportit të pasagjerëve është në Shqipëri, nëse vendi i nisjes së transportit të pasagjerëve është në Shqipëri.

NË rastin e një udhëtimi vajtje-ardhje, pjesa e kthimit cilësohet si një transaksion transporti më vete.

  • Furnizimin e shërbimit të dhënies me qira afatshkurtër të një mjeti transporti është në Shqipëri, nëse ky mjet transporti vihet faktikisht në dispozicion të klientit në Shqipëri.
  • furnizimin e shërbimeve, për qëllime të ngjarjeve kulturore, artistike, sportive, shkencore, edukative, zbavitëse apo të ngjashme me këto, si ekspozita dhe panaire, si dhe shërbime mbështetëse, të lidhura me pranimin në këto aktivitete, është në Shqipëri nëse këto aktivitete zhvillohen faktikisht në Shqipëri.

Vendi  ku ndodhet furnizuesi i shërbimit (24.2)

Aty ku furnizuesi i shërbimit (një person i tatueshëm) ka:

  • Selinë e veprimtarisë së tij ekonomike ose një vendndodhje të qëndrueshme, nga e cila janë ofruar shërbimet ose;
  • Banesën ose rezidencën e zakonshme, në mungesë të një selie të veprimtarisë ekonomike apo të një vendndodhjeje të qëndrueshme.

Me fjalë të tjera , vendi i furnizimit është pikërisht aty ku ndodhet furnizuesi.

Ky kriter apo rregull, zbatohet vetëm në rastin kur bëhet fjalë për furnizime midis personit të tatueshëm, furnizues dhe konsumatorit,  në cilësinë e personit të pa tatueshëm.

NË ligjin e TVSH-së, përcaktimi jepet në nenin 24.2 të tij.

Përjashtime nga rregulli i përgjithshëm (25, 27, 28, 29)

  1. Ndryshe nga sa parashikohet në pikën 2, të nenit 24, të ligjit të TVSH, pavarësisht vendit ku ndodhet marrësi i shërbimit, person i pa tatueshëm, vendi i furnizimit të shërbimeve për:
  • Furnizimin e shërbimeve të lidhura me një pasuri të patundshme, përfshirë shërbimet e ekspertëve dhe agjentëve imobiliarë, furnizimin e strehimit në sektorin hotelier apo në sektorë të ngjashëm me të, si kampe pushimi ose vende të krijuara për tu përdorur si vende kampingu, dhënien e të drejtave të përdorimit të pasurive të paluajtshme dhe shërbimet për përgatitjen e bashkërendimin e punimeve të ndërtimit, të tilla si shërbimet e arkitektëve dhe firmave që mbikëqyrin kryerjen e punimeve (supervizim) është në Shqipëri, nëse pasuria e paluajtshme ndodhet në Shqipëri;
  • Furnizimin e transportit të pasagjerëve është në Shqipëri, proporcionalisht me distancën e përshkruar;
  • Furnizimin e shërbimeve të restorantit dhe shërbimeve të furnizimit me ushqim është në Shqipëri, ku këto shërbime janë kryer fizikisht;
  • Furnizimin e shërbimeve të restorantit dhe shërbimeve të furnizimit me ushqim, të cilat kryhen në bordin e anijeve, avionëve dhe trenave gjatë transportit të pasagjerëve është në Shqipëri, nëse vendi i nisjes së transportit të pasagjerëve është në Shqipëri;
  • Furnizimin e shërbimit të dhënies me qira afatshkurtër të një mjeti transporti është në Shqipëri, nëse ky mjet transporti vihet faktikisht në dispozicion të klientit në Shqipëri.
  • Furnizimin e shërbimit të kryer nga një person ndërmjetës, që vepron në emër dhe për llogari të një personi tjetër, ndaj një personi të pa tatueshëm, është në Shqipëri, nëse vendi i transaksionit kryesor, siç përcaktohet në këtë ligj, është në Shqipëri.
  • Furnizimi i transportit të mallrave është në Shqipëri, proporcionalisht me distancën e përshkruar;
  • Furnizimi i shërbimeve dhe shërbimeve mbështetëse, për qëllim të aktiviteteve kulturore, artistike, sportive, shkencore, edukative, zbavitëse apo aktiviteteve të ngjashme, të tilla si panairet dhe ekspozitat, përfshirë furnizimin e shërbimeve të organizatorëve të këtyre aktiviteteve, është në Shqipëri ku këto aktivitete kryhen faktikisht;
  • Furnizimi i shërbimeve mbështetëse të transportit, si ngarkim, shkarkim, mirëmbajtje dhe aktivitete të ngjashme është në Shqipëri, ku këto shërbime janë kryer fizikisht;
  • Furnizimi i shërbimeve të ekspertizave ose punëve të kryera mbi pasurinë e trupëzuar të luajtshme është në Shqipëri, ku këto shërbime janë kryer fizikisht;
  • Furnizimi i shërbimit të dhënies me qira të një mjeti transporti, përjashtuar atë afatshkurtër, është në Shqipëri, ku ky klient është i vendosur, ka adresën e përhershme ose banon zakonisht;

Vendi i furnizimit të shërbimit të dhënies me qira të një jahti apo mjeti të ngjashëm lundrues, të ndryshme  nga ajo  afatshkurtër, është në Shqipëri, ku mjeti vihet faktikisht në dispozicion të klientit dhe njëkohësisht shërbimi jepet nga furnizuesi i këtij shërbimi në vendin e aktivitetit ose një vendndodhjeje të qëndrueshme në Shqipëri.

Me afatshkurtër kuptohet zotërimi i vazhdueshëm ose përdorimi i mjeteve të transportit gjatë një periudhe kohore jo më shumë se, tridhjetë ditë dhe në rastin e mjeteve lundruese, jo më shumë se nëntëdhjetë ditë.

  1. për shërbimet e mëposhtme, vendi i furnizimit është në vendin ku personi i pa tatueshëm, i cili merr shërbimin, është i vendosur, ka adresën e përhershme apo banon zakonisht. Konkretisht :
  • Furnizimi i shërbimeve të telekomunikacionit;
  • Furnizimi i shërbimeve të transmetimit të radios dhe ato televizive;
  • Furnizimi i website-ve, web-hosting, mirëmbajtjes në distancë të programeve dhe pajisjeve;
  • Furnizimi me software dhe përditësimi i tyre;
  • Furnizimi i imazheve, teksteve dhe informacioneve dhe vlefshmëria e bazës të të dhënave (database);
  • Furnizimi me muzikë, filma dhe lojëra, përfshirë lojërat e fatit dhe bastet, si dhe transmetimet e ngjarjeve politike, kulturore, artistike, sportive, shkencore dhe argëtuese;
  • Furnizimi i shërbimit të mësimdhënies në distancë;
  • Transferimet dhe dhënia e të drejtave të autorit, patentave, licencave, markës tregtare dhe të drejtave të tjera të ngjashme;
  • Shërbime publiciteti;
  • Shërbimet e konsulentëve, inxhinierëve, firmave konsulente, avokatëve, kontabilistëve dhe shërbime të tjera të ngjashme, si dhe përpunimi i të dhënave dhe dhënia e informacionit;
  • Detyrimet për të mos ushtruar, pjesërisht ose tërësisht, një aktivitet tregtar apo një të drejtë të përmendur në këtë nen;
  • Transaksionet bankare, financiare dhe të sigurimit, ku përfshihet edhe risigurimi, me përjashtim të marrjes me qira të kasafortave;
  • Furnizimi me personel;
  • Dhënia me qira e pasurive materiale të luajtshme, me përjashtim të të gjitha mjeteve të transportit;
  • Shërbimi i lejimit në sistemin e gazit natyror ose në çdo lloj rrjeti të lidhur me një sistem të tillë, në sistemin e elektricitetit ose rrjeteve të ngrohje-ftohjes, ose transmetimi apo shpërndarja përmes këtyre sistemeve a rrjeteve dhe furnizimi i shërbimeve që lidhen direkt me to.

Vendi  ku kryhet shërbimi

Në ndryshim nga dy të parat, ky kriter ka si bazë arsyetimi, faktin e vendit ku ekzekutohet materialisht shërbimi, pavarësisht vendit  ku ndodhet furnizuesi apo vendit ku ndodhet marrësi i tij. Gjithashtu nuk ka rëndësi fakti që marrësi i shërbimit është person i tatueshëm apo i pa tatueshëm.

Shërbime të një natyre të tillë janë këto si :

  • Furnizimi i shërbimeve të lidhura me një pasuri të patundshme, është në Shqipëri, nëse pasuria e paluajtshme ndodhet në Shqipëri;
  • Furnizimin e transportit të pasagjerëve është në republikën e Shqipërisë proporcionalisht me distancën e përshkruar;
  • Furnizimin e shërbimeve të restorantit dhe shërbimeve të furnizimit me ushqim është në republikën e Shqipërisë ku këto shërbime janë kryer fizikisht;
  • Furnizimin e shërbimeve të restorantit dhe shërbimeve të furnizimit me ushqim, të cilat kryhen në bordin e anijeve, avionëve dhe trenave gjatë transportit të pasagjerëve është në republikën e Shqipërisë nëse vendi i nisjes së transportit të pasagjerëve është në republikën e Shqipërisë;
  • Furnizimin e shërbimit të dhënies me qira afatshkurtër të një mjeti transporti është në republikën e Shqipërisë nëse ky mjet transporti vihet faktikisht në dispozicion të klientit në republikën e Shqipërisë.
  • Furnizimi i shërbimeve dhe shërbimeve mbështetëse, për qëllim të aktiviteteve kulturore, artistike, sportive, shkencore, edukative, zbavitëse apo aktiviteteve të ngjashme, të tilla si panairet dhe ekspozitat, përfshirë furnizimin e shërbimeve të organizatorëve të këtyre aktiviteteve, është në Shqipëri ku këto aktivitete kryhen faktikisht
  • Furnizimin e shërbimeve të restorantit dhe shërbimeve të furnizimit me ushqim është në Shqipëri, ku këto shërbime janë kryer fizikisht.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: