Tatimi thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimi mbi fitimin
Tatimi mbi fitimin zbatohet për të gjithë personat rezidentë dhe jorezidentë fiskalë. Përmbledhtazi tatami mbi fitimin zbatohet për (a) Personat juridikë dhe ortakëritë me të ardhura mbi 14 milionë lekë në vit, (b) Personat juridikë, si dhe ortakëritë e tjera të personave të themeluara ose të organizuara në bazë të një ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë, (c) Çdo person tjetër, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij , me përjashtim të rastit kur ky person është subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.
Tatimpaguesit rezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Tatimpaguesit jorezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara nga të gjitha të ardhurat, me burim në Republikën e Shqipërisë.
Përjashtohen nga tatimi mbi fitimin (a) Organet e qeverisjes qëndrore dhe vendore, (b) Banka e Shqipërisë, (c) shoqata humanitare, (d) organizata ndërkombëtare, kur parashikohet nga marrëveshje të veçanta, (e) sipërmarrje të parashikuara në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi, (f) fondacionet ose institucionet financiare jo bankare të krijuara ose të transferuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, (g) shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, (h) Fondi i pensionit vullnetar.
Shkalla e tatimit mbi fitimin është:
i) 0% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit
ii) 15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit.
iii) 5 % për (a) personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve, (b) personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, (c) personat juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive, (d) subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit. Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi.
Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël zbatohet për çdo tatimpagues, i cili kryen një biznes, me anë të të cilit realizohet gjatë vitit fiskal qarkullim më i vogël ose i barabartë sipas pragut të xhiros së përcaktuar sipas ligjit të tatimit mbi të ardhurat. Prej vitit 2021 tatimi i thjeshtuar mbi fitimin është 0% dhe tashmë aplikohet vetëm tatimi mbi fitimin për kategoritë e bizneseve me xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë.
Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 14 milionë lekë është 0% duke kuptuar me këtë faktin se tatimi i thjeshtuar mbi fitimin aktualisht është 0%.
Të ardhurat e tatueshme janë të ardhurat gjithsej, nga veprimtaria e biznesit të vogël, që nënkuptojnë çdo lloj të ardhure, të realizuar gjatë periudhës tatimore dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to:
- të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve,
- të ardhurat nga pjesëmarrjet,
- të ardhurat nga interesat,
- të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme,etj.
Të ardhurat e tatueshme apo fitimi i tatueshëm rezulton si diferencë midis të ardhurave gjithsej të realizuar gjatë periudhës tatimore me shpenzimet e njohura.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.