Bashkohuni me ekipin tonë. A jeni gati të rrisni biznesin tuaj? Mëso më shumë
Menaxhimi i riskut të monedhës në kursimet familjare
0 €
Ky material paraqet një analizë skenarësh të menaxhimit të riskut të monedhës në kursimet familjare shqiptare për periudhën 2026–2030. Duke u bazuar në kursin e këmbimit EUR/ALL të 15 shtatorit 2026 (91.69 lekë/EUR), normat neto të depozitave dhe inflacionin prej 3.2%, simulohen dy strategji të pastra: mbajtja e shumave €50,000 dhe €100,000 në depozitë euro kundrejt konvertimit të menjëhershëm në lekë. Rezultatet tregojnë se pika e barazimit ndodhet rreth 93.24 lekë/EUR; nën këtë nivel favorizohet depozita në lekë, ndërsa mbi të favorizohet ajo në euro. Analiza thekson se inflacioni erodion fuqinë blerëse reale në të dy rastet dhe se nuk ekziston monedhë e vetme që garanton ruajtjen e vlerës në çdo skenar. Materiali identifikon katër profile tipike të kursimtarit shqiptar (pensionisti, familja me fëmijë, profesionisti 40–55 vjeç dhe investitori) dhe argumenton se qasja e qëndrueshme nuk është shitja e euros, por shpërndarja e riskut të monedhës sipas destinacionit real të shpenzimeve. Në fund ofrohet një kuadër praktik që kalon nga skenarët e kursit drejt objektivave të qarta, shpërndarjes së rekomanduar sipas profilit, rregullave të ribilancimit dhe monitorimit periodik.
Fjalëkyçe: kursime familjare, risku i monedhës, kursi EUR/ALL, diversifikim, inflacion, depozita, skenarë, menaxhim portofoli
Kode JEL: D14, E21, E31, F31, G11, G51, O16, F41
- Përshkrim
Përshkrim
Banka e Shqipërisë funksionon me regjim të kursit të lirë të këmbimit. Luhatjet e EUR/ALL pasqyrojnë lëvizjet e mallrave, kapitalit dhe transaksioneve financiare me partnerët e vendit.
Prandaj nuk është e arsyeshme që kursimtari shqiptar ta ndërtojë strategjinë mbi bindjen se euro do të rikthehet patjetër në nivelet e mëparshme, apo se forcimi i lekut do të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
Ky dokument nuk parashikon kursin, por ndërton një plan që funksionon nën disa skenarë njëkohësisht.
| Tregues | Vlerë |
| Kursi zyrtar bazë | 91.69 lekë/EUR |
| Depozitë ALL, neto (pas tatimit) | 1.445% |
| Depozitë EUR, neto (pas tatimit) | 1.02% |
| Bono thesari 12M, neto (ilustrues) | 2.04% |
Normat e depozitave. Mesatarja e raportuar nga Banka e Shqipërisë për fillimin e 2026-ës, pas tatimit 15%. Bono thesari: yield mesatar i ankandeve konkurruese 12-mujore, ~2.4% bruto (Raporti i Letrave me Vlerë të Qeverisë, Ministria e Financave, janar 2026), ≈2.04% neto, si referencë ilustruese, jo ofertë.
Një vendim për kursim nuk fillon me pyetjen “euro apo lekë?”, por me tre objektiva që zakonisht bashkëjetojnë në të njëjtën familje, të cilat janë:
— Likuiditeti, apo paratë që mund të nevojiten papritur brenda muajve (fond urgjence, 3–6 muaj shpenzime). Pa risk, pa afat lidhjeje.
— Ruajtja e fuqisë blerëse, që kuptohet me paratë me destinacion të njohur brenda 1–3 vjetëve. Prioriteti: mos-humbje ndaj inflacionit dhe përputhje me monedhën e shpenzimit të ardhshëm.
— Rritja reale e kapitalit, apo paratë pa destinacion të menjëhershëm, horizont 3–5+ vjet, ku ka kuptim ekspozimi ndaj instrumenteve me kthim potencial më të lartë se inflacioni.










