Tarifat doganore

Tarifat doganore

Detyrimet e importit dhe eksportit bazohen në Tarifën Doganore të Republikës së Shqipërisë. Niveli i tarifave doganore përcaktohet në bazë të Nomenklaturës së Kombinuar të Klasifikimit të Mallrave në nivel 8 shifror. Ky klasifikim është në përputhje të plotë me nomenklaturën e klasifikimit të mallrave që zbaton Bashkimi Europian. Sistemi tarifor është mjaft i thjeshtë. Tarifat doganore që zbatohen  janë: 0%, 2%, 5%, 6%, 10% dhe 15%.

Tarifa Doganore përfshin (a) Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave, bazuar në Sistemin e Harmonizuar, (b) çdo nomenklaturë tjetër, të bazuar tërësisht apo pjesërisht në Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave, (c) nivelet e detyrimeve doganore ose autonome normale, që zbatohen për mallrat e përfshira në Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave, (d) masat tarifore preferenciale, të përcaktuara në marrëveshjet që Republika e Shqipërisë ka lidhur me një vend ose territor të caktuar jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, (e)     masat tarifore preferenciale, të miratuara në mënyrë të njëanshme nga Republika e Shqipërisë për sa u përket disa vendeve ose territoreve jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, (f) masat autonome që parashikojnë një reduktim ose përjashtim nga detyrimet doganore për mallra të caktuara, (g) trajtimin tarifor favorizues të specifikuar për mallra të caktuara, për shkak të natyrës apo përdorimit të tyre të veçantë përfundimtar, (h) masa të tjera tarifore, të parashikuara nga legjislacioni bujqësor apo tregtar, ose çdo legjislacion tjetër i Republikës së Shqipërisë.

Në  zbatim  të marrëveshjeve  të tregtisë së lirë, Shqipëria zbaton:

Tarifa preferenciale import me vendet e marrëveshjes CEFTA, EFTA, Bashkimin Europian dhe Turqinë. Për produktet industriale (kapitujt 25-97 të nomenklaturës së klasifikimit të mallrave) këto tarifa janë 0%, ndërsa për produktet bujqësore në përputhje me përcaktimet në marrëveshjet përkatëse.

Trajtimi tarifor favorizues, prej të cilit mund të përfitojnë disa mallra për shkak të natyrës së tyre ose të përdorimit të tyre të veçantë. Ai i nënshtrohet kushteve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të Kodit Doganor.

Ndërkohë, përveç tarifave doganore të gjithë personat fizikë dhe juridikë të përfshirë në aktivitetet e eksportit apo importit, janë të detyruar të regjistrohen, në mënyrë që të paguajnë TVSH-në. TVSH-ja llogaritet, zbatohet  dhe paguhet  në momentin kur mallrat  hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Norma e TVSH-së është 20% e vlerës së tatueshme, përveç përjashtimeve në momentin e importit për mallra dhe shërbime të përcaktuara në Ligjin e TVSH-së.

TVSH zbatohet në masën 0% për mallra që eksportohen nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: