Bashkohuni me ekipin tonë. A jeni gati të rrisni biznesin tuaj? Mëso më shumë
Indeksi i Fizibilitetit për Planin e AT në Turizëm 2025
0 €
Qëllimi kryesor i këtij raporti është të ofrojë një vlerësim analitik, të thelluar dhe objektiv të fizibilitetit teknik dhe zbatueshmërisë së Planit të Administratës Tatimore (AT) për sezonin turistik 2025. Ky vlerësim synon të identifikojë nëse plani është i përshtatshëm për t’u zbatuar në kushtet reale të sektorit turistik, duke analizuar kapacitetet e institucioneve dhe ndikimin e mundshëm në formalizimin e ekonomisë.
Objektivat Specifikë
Për të arritur qëllimin e përgjithshëm, raporti fokuson në realizimin e këtyre objektivave specifikë:
- Analizimi i strukturës së planit dhe koherencës së objektivave
- Të shqyrtojë në detaje komponentët kryesorë të planit dhe lidhshmërinë midis tyre.
- Të vlerësojë nëse objektivat e përcaktuara janë të qarta, të matshme dhe të arritshme në kontekstin e sektorit turistik dhe politikave fiskale.
- Vlerësimi i kapaciteteve institucionale për zbatim
- Të analizojë burimet njerëzore, teknologjike dhe organizative të Administratës Tatimore.
- Të identifikojë pikat e forta dhe boshllëqet që mund të ndikojnë në zbatimin efektiv të planit gjatë sezonit turistik.
- Matja e nivelit të digjitalizimit dhe ndërveprimit me palët e treta
- Të vlerësojë përdorimin e teknologjive dixhitale në proceset e mbledhjes së të dhënave dhe komunikimit me tatimpaguesit.
- Të shqyrtojë mënyrën e integrimit të burimeve të jashtme (p.sh., platforma Booking, Airbnb, Ministria e Turizmit) dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për kontroll më të mirë fiskal.
- Identifikimi i dobësive sistémike dhe propozimi i masave për përmirësim
- Të evidentojë rreziqet, sfidat dhe faktorët që mund të pengojnë zbatimin e suksesshëm të planit.
- Të propozojë masa konkrete për rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e komunikimit dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe monitorimit.
Në këtë mënyrë, raporti shërben si një mjet i rëndësishëm për ndërmarrjen e vendimeve strategjike dhe operacionale në procesin e formalizimit të sektorit turistik, duke siguruar transparencë, efikasitet dhe qëndrueshmëri.
- Përshkrim
Përshkrim
Ky raport analitik ka për qëllim të vlerësojë në mënyrë të thelluar fizibilitetin teknik dhe zbatueshmërinë e Planit Sektorial të Turizmit 2025, i hartuar nga Administrata Tatimore, në përputhje me VKM nr.160/2025 dhe objektivat e formalizimit të sektorit turistik në Shqipëri.
Vlerësimi u bazua në një strukturë analitike pesë-blloqëshe që adreson në mënyrë sistematike elementët kyç të planit:
- Objektivat strategjikë dhe qasja ndaj formalizimit dhe zgjerimit fiskal;
- Mekanizmat operacionalë dhe kapacitetet institucionale për zbatim;
- Popullata target dhe përshtatshmëria e masave për subjekte të ndryshme;
- Plani i komunikimit dhe ndërveprimit me tatimpaguesit;
- Sistemi i monitorimit dhe matjes së performancës.
Për secilin dimension u përcaktuan indikatorë të matshëm dhe analiza e risqeve, boshllëqeve dhe mundësive për përmirësim.
Në bazë të analizës së të dhënave dhe kritereve të përcaktuara, Plani Sektorial i Turizmit 2025 arriti një indeks fizibiliteti prej 82 pikësh nga 100 të mundshme. Ky rezultat tregon një potencial të lartë për zbatim efektiv, duke reflektuar:
- Qartësi dhe koherencë të objektivave;
- Disponueshmëri të mjeteve operative dhe teknologjike;
- Njohuri dhe targetim të mirë të popullatës tatimpaguese;
- Plan komunikimi dhe ndërveprimi me tatimpaguesit me elementë modernë;
- Parashikim të mirë të monitorimit dhe raportimit.
Trajtimi i komponentëve të indeksit të fizibilitetit
- Objektivat Strategjikë (vlerësim: 85/100)
Objektivat janë të qarta dhe përputhen me nevojat reale të formalizimit të sektorit turistik, duke përfshirë rritjen e deklarimeve, reduktimin e informalitetit dhe rritjen e transparencës fiskale. Sidoqoftë, rreziqet kryesore lidhen me mungesën e kontrollit efektiv të marrëdhënieve të punës dhe abuzimeve të mundshme me pagat minimale.
- Mekanizmat Operacionalë (vlerësim: 78/100)
Mekanizmat e propozuar për monitorim dhe faturim janë teknologjikisht të avancuar dhe përshtaten me nevojat sektoriale. Megjithatë, kapacitetet në terren dhe koordinimi ndërinstitucional janë sfidë. Efektiviteti i plotë i masave varet nga përforcimi i këtyre elementëve.
- Popullata Target (vlerësim: 80/100)
Strukturimi dhe përzgjedhja e tatimpaguesve është i mirë, me përdorim të burimeve të shumta dhe platformave dixhitale. Megjithatë, kontrolli mbi subjektet e paregjistruara dhe informaliteti mbeten sfida kryesore për realizimin e plotë të objektivave.
- Plani i Komunikimit (vlerësim: 83/100)
Përdorimi i kanaleve dixhitale, rrjeteve sociale dhe qendrave të thirrjeve është strategjik dhe modern, duke mundësuar ndërveprim dhe ndërgjegjësim. Për sukses të plotë, duhet të rritet kapaciteti për komunikim në kohë reale dhe angazhimi aktiv i tatimpaguesve.
- Monitorimi dhe Matja e Performancës (vlerësim: 82/100)
Sistemi i monitorimit është i detajuar dhe përfshin krahasime mujore dhe vjetore të indikatorëve kyç. Përdorimi i të dhënave nga burime të jashtme (Booking, Airbnb, Ministria e Turizmit) përforcon kontrollin, por kërkon standardizim dhe integrim më të mirë të të dhënave.
Vlerësimi i riskut dhe boshllëqet kryesore
- Rreziku i informalitetit të sofistikuar: Operacione me dy çmime, pagesa jashtë sistemit, paketizime të shërbimeve për shmangie tatimore.
- Boshllëqet në kapacitetet operacionale: Mungesë e stafit dhe burimeve për kontrolle efektive gjatë sezonit turistik.
- Nevoja për standardizim të procedurave të verifikimit dhe integrim të të dhënave ndërinstitucionale në kohë reale.
- Mungesa e penaliteteve të qarta dhe mekanizmave efektivë për ndëshkimin e shmangieve fiskale.
Rekomandime strategjike për rritjen e fizibilitetit
- Ristrukturim institucional me krijimin e një platforme të integruar të të dhënave në kohë reale, që lidh tatimet, certifikimet, punësimin dhe çmimet.
- Zhvillim i kapaciteteve teknike dhe njerëzore, veçanërisht për inspektimet në terren gjatë sezonit turistik.
- Hapja e një dialogu të vazhdueshëm me bizneset për edukim, këshillim dhe paralajmërim para ndëshkimeve.
- Përmirësim i planit të komunikimit me fokus në kanale që arrijnë edhe grupet më informale të tatimpaguesve.
- Implementimi i mekanizmave të ndëshkimit gradual, që nxisin përputhshmërinë dhe reduktojnë shmangiet fiskale.
Në përmbledhje, Plani Sektorial i Turizmit 2025 për Administratën Tatimore ka një potencial të lartë për të avancuar formalizimin fiskal në sektorin e turizmit në Shqipëri, duke siguruar rritje të të ardhurave tatimore dhe ulje të informalitetit dhe i referuar te Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2024 – 2027. Megjithatë, për të arritur një efektivitet të qëndrueshëm, është i nevojshëm një përmirësim i rëndësishëm institucional dhe teknologjik, si dhe një qasje më e fortë ndaj menaxhimit të rrezikut dhe komunikimit me tatimpaguesit.