CIKLET E FAVORSHME TË BURIMEVE NATYRORE, PRODUKTIVITETI DHE KEQALOKIM I BURIMEVE

0 €

Ky raport analitik përdor kornizën e studimit të FMN-së (WP/26/163) mbi bumin e mallrave në Kili për të vlerësuar sektorin shqiptar të burimeve natyrore (krom, bakër, naftë dhe hidroenergji). Studimi kilian tregon se rritja e kërkesës së jashtme rrit të ardhurat e firmave të ekspozuara, por jo produktivitetin e tyre. Ai tregon gjithashtu, se firmat me produktivitet më të ulët zgjerojnë punësimin më shumë se ato efikase dhe se keqalokimi i burimeve shpjegon rreth gjysmën e rënies së produktivitetit në sektorin minerar.
Të dhënat shqiptare të viteve 2022–2026 tregojnë një model të ngjashëm, ku eksportet e grupit mineral janë të ndjeshme ndaj çmimeve ndërkombëtare, por prodhimi mbetet i qëndrueshëm, pjesa dërrmuese e kromit eksportohet e papërpunuar dhe kontributi fiskal i sektorit është joproporcionalisht i ulët.
Raporti argumenton se Shqipëria aktualisht nuk përballet me një “resource curse” klasike, por me një “kurth produktiviteti të burimeve”, ku bumet rrisin shifrat pa transformuar strukturën. Ai përfundon me pesë rekomandime të operacionizuara që e kthejnë bumin e ardhshëm të mineraleve kritike në një test institucional.
Fjalëkyçe: bume mallrash, produktivitet, keqalokim i burimeve, sektor minerar, rente minerare, zinxhirë vlere, Shqipëri, tranzicion energjetik
JEL Codes: E23, E24, F41, F43, O13, O47, Q32, L72

Përshkrim

Një studim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi bumin e mallrave në Kili (ËP/26/163, 2026) sjell një gjetje me rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, që është rritja e kërkesës dhe e çmimeve ndërkombëtare për burime natyrore nuk e rrit automatikisht produktivitetin e ekonomisë.

Mesazhi qendror për vendimmarrësit shqiptarë është se nëse institucionet nuk ndryshojnë, bumi i ardhshëm i mineraleve do vijojë të rrisë shifrat, por pa rritur aftësinë reale prodhuese të vendit.

Duke përdorur të dhëna administrative firmë-për-firmë, studimi tregon se firmat kiliane më të ekspozuara ndaj bumit kinez rritën të ardhurat, por jo produktivitetin. Firmat me produktivitet më të ulët zgjeruan punësimin më shumë se firmat më efikase, duke “grabitur” punëtorë prej tyre. Rreth gjysma e rënies prej 8% të produktivitetit në minierat kiliane shpjegohet nga ky keqalokim i punës dhe i burimeve, jo nga faktorë gjeologjikë apo teknikë.

Ky raport e përdor këtë kornizë analitike për të vlerësuar sektorin shqiptar të burimeve natyrore (krom, bakër, naftë dhe hidroenergji) në prag të një cikli të ri global të kërkesës për minerale kritike, të nxitur nga tranzicioni energjetik.

Gjetja kryesoreështë se sektori i burimeve natyrore në vend nuk përballet aktualisht ende me një “resource curse” klasike, por me një rrezik më të heshtur dhe afatgjatë. Burimet rrisin të ardhurat dhe eksportet, pa e rritur proporcionalisht produktivitetin, transferimin teknologjik apo zinxhirët vendas të vlerës.

Të dhënat zyrtare të viteve 2022–2026 e mbështesin këtë hipotezë.

Grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” zë 9,7–14,5% të eksporteve të mallrave (INSTAT, 2022–2025). Prodhimi i kromit mbetet praktikisht i pandryshuar që nga 2022, në një interval prej 920.000–953.000 tonë. Rreth 66,5% e prodhimit eksportohet ende në formë koncentrati të papërpunuar (AKBN, 2022).

Ndërkohë, kontributi fiskal i sektorit nxjerrës mbetet joproporcionalisht i ulët në raport me xhiron e tij.

Raporti mbyllet me pesë drejtime konkrete politikash, secili me institucion përgjegjës, afat dhe tregues suksesi, që e kthejnë testin e bumit të ardhshëm në një test institucional, jo vetëm në një test çmimi.

Mekanizmat që studimi identifikon për Kilin (të ardhura pa produktivitet, keqalokim i punës drejt firmave me akses më shumë se me efikasitet dhe efektet zinxhir të pashfrytëzuara plotësisht) përputhen në thelb me modelin e vëzhguar në sektorin shqiptar të kromit, bakrit, naftës dhe hidroenergjisë gjatë dy dekadave të fundit.

Në prag të një cikli të ri global të kërkesës për minerale kritike, zgjedhja reale për Shqipërinë është jo te sasia e mineralit që do të nxjerrë, por tek ekonomia e re me produktivitet dhe me kapital afatgjatë që do të arrijë të krijojë përtej vetë mineralit.

Burimet natyrore janë kapital fillestar, jo strategji zhvillimi më vete. Mënyra si përdoret ky kapital gjatë bumit të ardhshëm do të përcaktojë nëse ai mbetet një fitim i përkohshëm apo shndërrohet në zhvillim që vazhdon edhe pasi burimi të jetë shteruar.

Bumi i ardhshëm do të testojë jo rezervat minerale të Shqipërisë, por cilësinë e institucioneve që alokojnë kapitalin dhe punën