Auditimi social shumëdimensional i Bashkisë Gjirokastër, 2022: Progresi i mundësive dhe ndikimi nga kufizimet

Raporti studimor “Auditimi social (AS 2022) shumëdimensional i Bashkisë Gjirokastër 2022” përshkruan dhe analizon strukturën e zbatimit për objektivat vendore në Gjirokastër. Ai nënvizon karakterin shumëpalësh të marrëveshjeve, pasqyron operacionet e deritanishme, identifikon se çfarë po funksionon dhe propozon fusha që kanë nevojë për forcim të veprimeve apo burimeve në funksion të përmbushjes. AS 2022 i Bashkisë Gjirokastër kombinon të dhënat dhe analizat e prodhuara nga organizatat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile dhe qendrat kërkimore.

Ky Raport përbëhet nga 6 kapituj bazuar në 6 Komponentë të auditimit social në ecurinë dhe zhvillimet e tyre, të cilët janë: Ekonomia, Politika vendore, Mjedisi, Shëndeti, Edukimi dhe Mirëqenia.

Qëllimi i Raportit tonë është të plotësojë apo edhe ndikojë në raporte të rishikimit me qasje rajonale të qeverisë dhe të promovojë llogaridhënien e ndërsjellë për zbatimin e objektivave politikë, ekonomikë dhe socialë.

Gjetjet e raportit do të ndihmojnë në forcimin e ndërhyrjeve kombëtare në procesin e zbatimit të qeverisjes së hapur dhe kalendarit të hartimit, miratimit dhe zbatimit të buxhetit vendor.

Anëtarët e OSHC-ve do të përdorin rezultatet e raportit për advokim dhe ndërgjegjësim publik si dhe për të forcuar partneritetet me shumë palë të interesuara në nivel nënkombëtar.

Më e rëndësishmja e pritshmërive të ekspertizës sonë është se raporti do të jetë i dobishëm në nënvizimin e sfidave me koordinimin, monitorimin dhe raportimin e shoqërisë civile mbi objektivat dhe indikatorët e performancës dhe integritetit.

Ai gjithashtu do të përshkruajë rekomandime për advokim efektiv mbi zbatimin e paketës ligjore dhe programore, që mundëson dhe ndikon direkt mbi performancën vendore dhe banorët e rajoneve të vendit.

Ekspertët e përfshirë direkt dhe pjesë e projektit janë (sipas rendit alfabetik): Adriatik Mateli, Ana Beqo, Aurela Gjokutaj, Arben Velçani, Eduart Gjokutaj, Odeta Golloshi, Safet Visha, Zaim Bajraktari. Bashkëpunëtorë të tjerë u angazhuan si pjesë e kontributit nëpër bashkitë në të cilat projekti realizoi monitorimin dhe anketimin, bashkë me komunikimet me punonjësit dhe drejtuesit e bashkive, si dhe institucionet partnere publike dhe organizata.

Përshkrim

Raporti “Auditimi social shumëdimensional i Bashkisë Gjirokastër, 2022: Progresi i mundësive dhe ndikimi nga kufizimet” është një punim i bazuar në shqyrtimin e zbatimit në praktikën e vitit 2022 dhe e krahasuar me raportin e vitit të mëparshëm me të njëjtën tematikë të politikave strategjike kombëtare dhe vendore.

Raporti i progresit 2022 dhe përgatitja e kujdesshme në mënyrë të përmbledhur e treguesve të pregatitur në një studim politikash nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të stafit të ALTAX dhe partnerëve. Vëmendja e saktë ndaj detajeve kanë qenë një frymëzim dhe e kanë mbajtur punën tonë në rrugën e duhur që nga momenti fillestar dhe deri në momenti kur u përgatit drafti përfundimtar i këtij punimi.

Hartimi i Raportit i referohet metodologjisë MANUALI PËR AUDITIN SOCIAL NË PUSHTETIN VENDOR, 2022, i përgatitur dhe publikuar nga ALTAX në kuadër të këtij projekti.

Ekspertët gjatë periudhës së hartimit kanë analizuar proceset e realizuara bazuar te Plani i Përgjithshëm i Zhvillimit Vendor, Programi Buxhetor Afatmesëm 2019-2021, 2020-2022, 2021-2023, 2022-2024, 2023 – 2025, si dhe dokumente të tjera Kombëtare dhe vendore, që përfshijnë strategji dhe politika sektoriale dhe zhvillime të programeve vendore.

Ndërkohë, ekspertët dhe stafi i angazhuar në këtë projekt ka analizuar edhe raportet dhe vlerësimet e shprehura nga organizata civile shqiptare, por edhe organizata të huaja rezidente në Shqipëri, për sa lidhet me zhvillimin e proceseve në Bashki për vitin e kaluar.

Një vëmendje i kemi kushtuar edhe të dhënave statistikore dhe komenteve të bëra mbi to nga portalet që kanë fokus monitorimi dhe analize proceset dhe aktivitetet mbi pushtetin vendor.

Seksionet e Raportit përshkruajnë kuadrin kombëtar të politikave dhe strategjive të zbatuara së bashku me politika dhe programe vendore nga strukturat e qeverisjes së Gjirokastrës, ku kërkohet një model i ndryshuar, i cili duhet të jetë qeverisje e hapur dhe në partneritet me shoqërinë civile.