Përjashtimi nga TVSH dhe biznesi i vogël

Përjashtimi nga TVSH dhe biznesi i vogël

Kur një biznes, bën shitje të përjashtuara nga TVSH-ja, (shitje pa TVSH) ndodh që në fakt për blerjet që bën të jenë me TVSH.  Kjo, në disa raste bëhet një nga problemet e mëdha për ecurinë e biznesit të tyre.

Në rastin kur TVSH është në nivelin 20%, kjo vlerë tatimore do të thotë për biznesin që të regjistrojë në blerje furnizime bashkë me TVSH dhe të realizojë shitje pa TVSH.

Biznese të tilla, të cilat blejnë mallra/shërbime me ngarkese 20% të TVSH-së në blerje, por nuk vendosin dot po të njëjtën ngarkesë 20% të TVSH-së në shitje për shërbimet që ofrojnë janë Bankat, shërbimet e tjera financiare, shëndetësia dhe arsimi, shtypi i shkruar, media bashkë me të ardhurat nga publiciteti, shërbimet e administratës publike, organizatat jofitimprurëse, kërkimi i naftës, lojrat e fatit, bujqësia, shitja e banesave e shumë veprimtari të tjera që ligji i ri i TVSH ka ndjekur logjikën e përqasjes me direktivën europiane të përjashtimeve për TVSH.

Të tjera biznese që janë të përjashtuara jo nga ligji, por nga egzistenca e informalitetit përfshijnë shërbimet e bar-restoranteve, shërbimet artistike, sportive dhe të tjera që mund të ketë nga praktika e përditshme.

Këto aktivitete, kanë një problem në ciklin e qarkullimit të mallrave/shërbimeve të tyre deri te konsumatori. Ato, blejnë shumë mallra/shërbime, por shumë pak me TVSH. Tregtarët që shesin në treg nuk janë të regjistruar për TVSH pasi konsiderohen biznese të vogla që nuk plotësojnë pragun e xhiros për regjistrim, apo tregtarë të tjerë janë të përjashtuar edhe ata vetë nga TVSH.

Por, sa llogaritet të jetë vlera e shtuar e ekonomisë që është e përjashtuar ose nga ligji ose nga informaliteti?

Në mungesë të studimeve të plota, sipas përllogaritjeve të bëra nga ALTAX pjesa e ekonomisë, që nuk është objekt i tatimit mbi vlerën e shtuar arrin deri në 25 përqind të prodhimit të brendshëm.

Kjo shumë shpjegon edhe disa  nga problemet që ndodhin herë pas here me përmbushjen e programit të buxhetit për çdo herë që sektorët e tjerë të ekonomisë kanë ndryshime në strukturën e tyre apo ndikohen nga konjukturat e tregut të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

Ndërkohë, aktivitetet e përjashtuara direkt nga ligji apo të ndikuara nga informaliteti dhe bizneset e tjera të përjashtuara, ato vijojnë me aktivitetet e përditshme dhe në fund të muajit, ato nuk janë kontributorët e nevojshëm për buxhetin, pasi llogaritë u rezultojnë se nuk duhet të paguajnë TVSH.

Por, duke lënë jashtë analizës bizneset që ligji ka menduar se duhet të mos jenë pjesë duke përdorur arsyetime që ose janë huazuar nga ligji europian, ose janë konsideruar se ndihmohen shtresat e popullsisë dhe vlera të caktuara kombëtare. Në fakt, TVSH duhet që ti përfshijë të gjithë për sa kohë që çdo veprim i tyre është pjesë e prodhimit të brendshëm dhe tatimi i vlerës së shtuar ka pikërisht qëllimin që të shpërndahet te konsumi në çdo sektor dhe çdo hallke.

Por, pas prezantimit të panoramës së përjashtimeve nga TVSH, për të patur një adresim të problemit aty ku mendohet se ka nevojë për trajtim nga politika është segment i tatimpaguesve të vegjël. Problemi i vjetër me këtë kategori është se aty fshihen ato individë dhe biznese që nuk e meritojnë këtë status, por e vjedhin atë duke mos deklaruar dhe duke fshehur të ardhurat e tyre. Një pjesë e madhe e tyre parapëlqejnë të mos zbatojnë legjislacionin fiskal dhe të fshihen në informalitet duke u bërë kanali shkarkues i kontrabandistëve dhe evazionistëve duke u bërë baza për mbi dy dekada e ekonomisë informale.

Ky grup, i licencuar për të kryer shitje me pakicë, përbën pjesën “difektoze” ndërpret ciklin e qarkullimit të mallrave apo shërbimeve të ngarkuar me TVSH, të cilat i kanë blerë nga biznese të regjistruar në TVSH dhe i shesin te konsumatori pa TVSH.

Ata e konsumojnë këtë ngarkese TVSH-je për veten e tyre, pasi nuk mbajnë asnjë regjistrim të blerjeve, duke fshehur kështu dhe gjurmët e origjinës së mallit/shërbimit që blejnë për t’ja shitur, konsumatorit.

Kjo TVSH nuk ndjek rrugëtimin drejt buxhetit të shtetit, por e përfundon rrugën në morinë e mbi 70 mijë bizneseve të vogla në Shqipëri, që natyrisht për numrin e madh që përbëjnë janë të vështirë të kontrollohen nga administrata tatimore.

Çdo mall/shërbim i përjashtuar nga TVSH-ja në procesin e prodhimit mbetet si mundësi që të rezultojë me TVSH për tu mbledhur vetëm te çmimi me pakice.

Përjashtimi nga TVSH-ja në shitjet me pakicë e dëmton neutralitetin e TVSH-se pasi fitimi kufi në këtë fazë të qarkullimit varet jo vetëm nga cilësia e mallit/shërbimit por dhe nga shitësi.

Përjashtimi i bizneseve nga TVSH-ja nuk e përjashton konsumatorin përfundimisht nga TVSH-ja. Përjashtimet vetëm zvogëlojnë relativisht shumen e tatimit për t’u paguar. Pra, nga njëra ane përjashtimi i bizneseve nga TVSH-ja duhet te bazohet mbi kritere sasiore dhe cilësore, qe nuk duhet te mbartin arbitraritet mbi sektorët e tjerë dhe mbi ekonominë.

Nga ana tjetër këto përjashtime mund të kreditohen më mirë ndoshta nëpërmjet sistemit të të ardhurave personale, i cili fokusohet mbi grupe të caktuara te popullsisë dhe mund të jetë një zgjidhje më korrekte e problemit të mbartjes së barrës së TVSH-së.

Implikimet që vijnë nga lekët e mos derdhura në buxhet, si kontribut nga të ardhurat e krijuara prej gjithsecilit, vonojnë pagesën që nevojitet për të blerë biletën për anëtarësimin për në Bashkimin Europian.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: