Një pakujdesi në përjashtimin nga TVSH-ja
Një organizatë jo fitimprurëse duhet të ketë trajtim të veçantë fiskal dhe të lehtësuar.
Një reagim pozitiv do të ishte i natyrshëm duke pasur parasysh që edhe në Shqipëri, ashtu si në çdo vend zakonisht vendoset mbi parime të pranueshme që janë kthyer në norma të pranuara nga gjithe opinioni publik, se organizatat jo fitimprurëse (OJF) duhet të mbështeten, pasi egzistenca e tyre është për arsye të mira, e adresuar për grupe të veçantë personash, ku në shumicën e rasteve ato egzistojnë për të adresuar nevojat e veçanta dhe fokusin e merituar për të varfërit, gratë, të moshuarit dhe fëmijët.
Ndërkohë, pjesa tjetër e OJF-ve që egzistojnë veprojnë me fokusin te shëndeti, arsimi, mjedisi, shoqëria dhe mirëqenia politike, si dhe fokuse të tjera që lidhen me asistimin, analizat, studimet dhe advokimin e problematikave të mirëqeverisjes dhe maredhenieve mes paleve te ndryshme.
Për të arritur qëllimet e synuara, OJF-të kërkojnë fonde dhe normalisht kjo është në formën e kontributeve dhe granteve që janë nxjerrë nga aktivitete të tjera fitimprurëse, të cilat do të ishin të taksueshme nëse do të përdoreshin nga shoqëri tregtare.
Ky është sfondi fiskal i përgjithshëm i OJF-ve, që nuk duhet t’i nënshtrohen tatimeve njësoj si aktivitetet e tjera fitimprurëse.
Megjithëse OJF-të përfitojnë lehtësira fiskale për tatimin mbi fitimin, si dhe për disa taksa që zbatohen sipas rasteve që aplikojnë OJF-të në varësi të aktivitetit të tyre, ato në tërësi nuk kanë një regjim fiskal të veçantë lehtesirash dhe perjashtimesh. Edhe ligji egzistues per OJF-te, por edhe nisma e re per ligjin e OJF nuk parashikojne ndonje regjim te veçantë fiskal me perjashtime dhe lehtesira.
Ndërsa, lidhur me TVSH-në, ato gëzojnë pak përjashtime për aktivitete specifike, por nuk kanë asnjë përjashtim nëse kryejnë aktivitete ekonomike brenda statusit të OJF-së.
Nisur nga kjo qasje dhe ruajtje distance fiskale të financave shqiptare ndaj OJF-ve, një diskutim mund të shtrohet natyrshëm me rastin e ndryshimit të politikës së përjashtimit nga TVSH të gjithë bizneseve që nuk kryejnë transaksione më shumë se 10 milionë lëke në një vit kalendarik.
Tashmë është bërë fakt, se nga Janari i këtij viti, afër 46 mijë biznese nuk do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar, nëse ato kanë një qarkullim vjetor më pak se 10 milion lekë.
Nëse gjithë bizneset fitimprurëse u përjashtuan nga TVSH me arsyetimet tashmë të bëra publike nga politika fiskale, pse nuk ndodhi i njëjti përjashtim edhe për aktivitetet ekonomike të OJF-ve?
Po OJF-të, pse janë harruar të përfshihen brenda kësaj politike?
Tashmë me këtë politikë diferencuese do të ndodhë që ato aktivitete që OJF-të bëjnë dhe paguajnë për to TVSH (diferencën e TVSH-së së shitjes me TVSH e blerjes), a nuk janë ato të pabarabarta me konkurencën?
Aq më tepër kjo vlen po të ripërmendim natyrën e veçantë të egzistencës së OJF-ve, por edhe brishtësinë e tyre financiare në luftën për egzistencë në kaosin e tregut shqiptar.
Në fakt me mbajtjen e aktiviteteve ekonomike të OJF-ve brenda skemës së TVSH-së duket se është çbalancuar disi parimi i neutralitetit tatimor në tërësi. Për OJF-të kjo vlen më shumë edhe se vetë rritja e kostos së produkteve të tyre për klientët e veçantë që ato kanë. Tashmë duke aplikuar TVSH-në, ato e shesin të njëjtin mall apo shërbim me 20% më shtrenjtë për të njëjtët klientë, që mund të mos i kenë më dhe për shumë kohë, pasi ata do të drejtohen aty ku çmimet do të jenë pak më të lira.
Ndërkohë, balanca ekonomike e OJF-ve duket se është cënuar sadopak në pamje të parë për shumicën prej tyre. Cënimi i financave të tyre prek direkt integritetin dhe do të bëjë edhe më të cënueshëm një sektor, i cili vuan si nga problemet e brendshme negative të mentalitetit të të punuarit në Shqipëri, por edhe nga problemet e krijuara nga vetë OJF-të, që mbijetojnë duke u përballur me sfidat specifike të sektorit, që në fakt për shumicën e tyre rriten përditë.
Tregu i TVSH-së duhet të mbante brenda tij më së paku vetëm OJF-të, të cilat kanë të ardhura nga burime të ndryshme më shumë se 100 milionë lekë në vit janë dhe që janë jo më shumë se disa dyzina.
Duke analizuar relacionin e financave në momentin e depozitimit për miratimin e përjashtimit të TVSH-së për bizneset me xhiro më pak se 10 milionë lekë, si dhe koha e shkurtër e konsultimeve publike, mendojmë se më së paku mund të jetë një harresë apo mungesa e një studimi dhe analize të thelluar lidhur me objektin e segmenteve të aktiviteteve që duhet të përjashtoheshin nga TVSH. Në asnjë rast mospërjashtimi i tyre nuk mund të jetë për arsye kostoje ndaj buxhetit, pasi vetë procesi i përjashtimit për bizneset ka krijuar një firo fiskale sa 2.5% e të ardhurave gjithsej nga TVSH
Nisur nga gjithë situata në të cilën ndodhi ky ndryshim nuk është asnjëherë vonë për të rregulluar dhe amenduar vendimin, për të bërë të paktën përjashtimin jo një normë përjashtuese për disa aktivitete, por një standart që duhet të zbatohet njësoj për të gjithë. Prishja e barazisë së aktiviteteve përpara ligjit është një nga ndërhyrjet e dëmshme të shtetit në rëndimin e barrës dhe regjimit fiskal të OJF-ve.
OJF-të nuk e meritojnë të jenë prapa bizneseve në përfitimin e lehtësirave dhe përjashtimeve edhe pse interpretimi personit te tatueshem eshte pika e dobet ne trajtimin e TVSH-se per to.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.