Deficiti i zbatimit të Investimeve Publike në Shqipëri

Ky studim analizon deficitin sistemik të zbatimit të investimeve publike në Shqipëri, duke u fokusuar në vonesat kronike (mesatarisht 2.5–5 vite), tejkalimin e kostove (25–40 %) dhe humbjet makro-fiskale që arrijnë 0.8–1.4 % të PBB-së çdo vit.
Bazuar në një dataset prej 350–400 projekteve nga sektorët rrugor, ujësjellës-kanalizime, kullim-ujitje dhe zhvillim urban/turistik (FSHZH), si dhe në Dokumentet e Politikave Prioritare (PPD 2026-2028 dhe 2027–2029), raporti zbulon një over-programming 2.25 herë mbi kapacitetin real fiskal, me vetëm 36 % të projekteve plotësisht të maturuar.
Finish Rate Index është vetëm 5–8 %, ndërsa multiplikatori fiskal ka rënë nën 1.0 për shkak të vonesave. Duke përdorur një model CGE-lite, analizë ndjeshmërie dhe krahasime rajonale (Gjeorgji, Maqedonia e Veriut, Kroaci), studimi vlerëson humbjet kumulative 2020–2028 në 159–260 miliardë lekë dhe propozon një paketë reformash konkrete për krijimin e një Single Project Pipeline digjitale, një Njësie PIM të pavarur, tavan fiskal ligjor dhe kontrata performuese.
Zbatimi i tyre mund të kursejë 120–170 miliardë lekë deri në 2030, të ngrëjë Finish Rate në 25–30 % dhe të përmirësojë aksesin në fondet IPA III dhe Planin e Rritjes. Shqipëria nuk vuan nga mungesa e investimeve, por nga ineficienca sistemike e ekzekutimit të tyre.

Përshkrim

Shqipëria shpenzon çdo vit 5–7% të PBB-së për investime publike në infrastrukturë, një nivel që është mbi mesataren rajonale. Megjithatë, ky nivel i lartë i shpenzimeve nuk përkthehet në rezultate konkrete për ekonominë dhe qytetarët. Sipas një analize të thellë të ALTAX Observatory, bazuar në mbi 350–400 projekte nga katër sektorët kryesorë si dhe në Dokumentet e Politikave Prioritare (PPD) 2026–2028 dhe 2027–2029, vendi po përjeton një krizë sistemike ekzekutimi që i kushton ekonomisë shqiptare mesatarisht 0.8–1.4% të PBB-së çdo vit. Projeksionet makroekonomike të kësaj analize bazohen në një model CGE-lite.

Shkalla e përfundimit të projekteve (Finish Rate) është shumë e ulët, në vetëm 5–8%, që do të thotë se vetëm 1 në 14 projekte mbyllet sipas afatit dhe arrin funksionalitet të plotë. Vonesat mesatare variojnë nga 2.5 deri në 5 vjet, ndërsa rritja e kostove të projekteve arrin 25–40% (deri në 60% në disa raste të rikualifikimit urban dhe turistik).
Një problem tjetër serioz është mbiprogramimi i portofolit te projekteve sipas DPP 2027–2029 (vlera €14.83 miliardë) është 2.25 herë më i madh se kapaciteti real fiskal i vendit (€7.38 miliardë). Vetëm 36% e këtij portofoli konsiderohet plotësisht i maturuar.

Analiza tregon se 73% e projekteve nuk kanë pasur asnjë ndryshim statusi midis dy dokumenteve PPD, duke mbetur të ngecur për vite të tëra. Si rezultat, humbjet kumulative ekonomike për periudhën 2020–2028 vlerësohen në 159–260 miliardë lekë. Multiplikatori fiskal ka rënë nën 1.0, duke arritur vetëm 0.60–0.80 lekë vlerë të prodhuar për çdo lek të investuar.

Pa ndërhyrje, ky status quo do të vazhdojë të gjenerojë humbje të mëdha edhe pas 2028-ës, duke rrezikuar aksesin e Shqipërisë në fondet europiane IPA III dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor (rreth €6 miliardë).

Nëse veprojmë me reforma të thella, situata mund të ndryshojë rrënjësisht. Duke marrë si shembull suksesin e Gjeorgjisë (që e rriti Finish Rate-in nga 12% në 31% brenda 4 vitesh), Shqipëria mund të arrijë një shkallë përfundimi projektesh 25–30% brenda 3–4 vitesh.
Kjo do të sillte kursime kumulative prej 120–170 miliardë lekësh deri në 2030, do të ulte over-programming-un nën 1.3×, dhe do të rriste multiplikatorin fiskal në 1.20–1.45. Kostoja e reformave (PIM Unit, dashboard digjital, pipeline projektesh etj.) është relativisht e ulët, por kthimi i investimit institucional është shumë i lartë (ROI 1:20–35).

Ky raport ofron jo vetëm një diagnozë të qartë të problemit, por edhe një paketë praktike reformash të gatshme për zbatim që mund të çlirojë dhjetëra miliarda lekë për zhvillimin real të vendit.
Shqipëria nuk ka mungesë fondesh, por ka mungesë vullneti politik për të ndryshuar rregullat e lojës.