Turizmi shqiptar: Pasuri e qëndrueshme apo varësi strukturore?

0 €

Shqipëria ka regjistruar rritje të shpejtë të hyrjeve turistike, nga 11.70 milionë në 2024 në 12.47 milionë në 2025, ndërsa të ardhurat bruto turistike u rritën nga rreth €5.0 mld në rreth €5.7 mld. Sipas vlerësimit të WTTC, kontributi total i turizmit dhe udhëtimeve në PBB (direkt, indirekt dhe i induktuar) është rreth 26.4%, ose rreth 685 mld lekë. Ky raport argumenton se suksesi sasior nuk mjafton për të kaluar nga një ekonomi me të ardhura të mesme drejt një ekonomie të pasur: turizmi ka kufij natyrorë produktiviteti dhe krijon rrezik varësie strukturore nëse nuk lidhet me zinxhirin vendas të vlerës, me formalizimin fiskal dhe me kapitalin produktiv.

Raporti propozon kalimin nga turizmi i volumit te turizmi i vlerës dhe prezanton dy tregues origjinalë të ALTAX: DTVRR (raporti i mbajtjes së vlerës vendase nga turizmi) dhe DTVPV (vlera e shtuar vendase për hyrje). Të dy janë skenarë analitikë, jo statistika zyrtare, dhe duhet të zëvendësohen me matje empirike nga Tabelat Burim-Përdorime. Pesë opsionet e politikave organizohen në ALTAX Tourism Transformation Compact 2027–2030, me tri shtylla: Measure, Capture dhe Multiply. Turizmi bëhet motor zhvillimi vetëm kur ushqen produktivitetin, kapitalin njerëzor dhe prodhimin vendas.

Fjalëkyçe: turizëm, zhvillim ekonomik, produktivitet, varësi strukturore, vlerë e shtuar vendase, DTVRR, formalizim fiskal, akomodime afatshkurtra (STR), zinxhir vlere, kapital produktiv, Shqipëri.

Përshkrim

Shqipëria e ka fituar betejën e parë të turizmit, që të bindë botën se është një destinacion që ia vlen të vizitohet. Numri në rritje i vizitorëve, zgjerimi i kapaciteteve akomoduese, investimet në bregdet dhe rritja e shpenzimeve turistike dëshmojnë se Shqipëria tashmë është vendosur në hartën rajonale të turizmit.

Por pikërisht ky sukses po e sjell vendin përballë një beteje të dytë, shumë më të vështirë dhe shumë më përcaktuese për të ardhmen e ekonomisë, se si ta kthejë turizmin nga një burim i madh aktiviteti ekonomik në një burim të qëndrueshëm produktiviteti, kapitali dhe pasurie kombëtare.

Pikërisht këtu merr kuptim debati i hapur së fundmi nga GreekReporter, në një artikull që shërbeu edhe si nxitje për këtë analizë, me tezën provokuese se turizmi nuk mund ta bëjë një vend të pasur. Argumenti nuk është se turizmi nuk krijon të ardhura apo punësim.

Përkundrazi, ai pranon rëndësinë ekonomike të sektorit, por vë në pikëpyetje aftësinë e tij për të prodhuar, në mënyrë të vetme dhe afatgjatë, nivelet e produktivitetit që nevojiten për të kaluar në një ekonomi me të ardhura të larta.

Kufijtë fizikë të destinacionit, varësia nga fuqia punëtore, përdorimi intensiv i burimeve natyrore, sezonaliteti dhe ekspozimi ndaj goditjeve të jashtme e bëjnë turizmin një sektor të fuqishëm, por jo pa kufij.

Për Shqipërinë, kjo nuk është një çështje teorike. Është një pyetje që lidhet drejtpërdrejt me modelin e zhvillimit ekonomik që po merr formë përpara nesh, sepse Shqipëria mund të ketë miliona turistë më shumë dhe sërish të mos ketë zgjidhur problemin e produktivitetit.

Mund të ketë më shumë hotele, apartamente, restorante dhe investime, por kjo nuk do të thotë automatikisht se ka krijuar më shumë kapital produktiv.

Mund të rrisë ndjeshëm konsumin dhe të ardhurat nga shërbimet, pa arritur të ndërtojë në të njëjtën masë kapacitete të reja prodhuese, teknologjike dhe eksportuese.

Këtu qëndron problemi i suksesit turistik shqiptar.

Sa më i suksesshëm të bëhet turizmi, aq më e rëndësishme bëhet pyetja nëse ky sukses po e transformon ekonominë shqiptare apo thjesht po e zgjeron atë?

Dallimi është thelbësor. Një ekonomi mund të rritet sepse konsumon më shumë, ndërton më shumë dhe pret më shumë turistë.

Por zhvillimi ekonomik kërkon diçka më shumë, të tillë si: rritje të produktivitetit, kapital njerëzor më të mirë, investime që rrisin kapacitetin prodhues, lidhje më të forta mes sektorëve dhe një strukturë ekonomike që mund të krijojë të ardhura edhe atëherë kur një sektor i vetëm përballet me një goditje.

Pikërisht për këtë arsye, beteja e dytë e turizmit shqiptar nuk është më beteja për numrin e turistëve. Është beteja për vlerën që Shqipëria arrin të krijojë nga çdo turist.

Nëse turisti sjell vetëm më shumë konsum për hotelin, restorantin, apartamentin dhe transportin, Shqipëria ka fituar një treg të madh shërbimesh. Por nëse kërkesa e tij krijon treg për bujqësinë shqiptare, industrinë ushqimore, prodhuesit vendas, artizanatin, transportin, teknologjinë, kulturën dhe shërbimet profesionale, atëherë turizmi fillon të bëhet diçka më shumë se turizëm.

Pra, fillon të bëhet infrastrukturë ekonomike për zhvillimin e vendit. Pikërisht këtu duhet të vendoset debati shqiptar dhe jo përballë diskutimit nëse duhet të kemi më shumë apo më pak turizëm, por përballë vizionit se çfarë lloj ekonomie po ndërtojmë mbi turizmin?

Turizmi mund të jetë një motor i fuqishëm i zhvillimit, por mund të bëhet edhe një tavan i tij, pasi varet nga ajo që ekonomia shqiptare arrin të ndërtojë përtej dhomës së hotelit.