Taksimi për ngritjen ekonomike dhe implikimet për mjedisin fiskal e ekonomik shqiptar

Ky dokument analizon rolin e taksimit në rritjen ekonomike dhe implikimet për mjedisin fiskal e ekonomik shqiptar në dritën e studimit të FMN “State Capacity, Institutions and Growth – Taxing for Takeoff”.

Studimi thekson se ekziston një prag kritik i taksimit (rreth 10% të PBB-së), ku ekonomitë mund të kalojnë nga një ekuilibër i ulët me rritje të ngadaltë në një ekuilibër të lartë me rritje më të shpejtë.

Analiza tregon se Shqipëria ka tejkaluar këtë prag fiskal me të ardhurat tatimore rreth 18.4% të PBB-së, por mbetet nën pragun institucional dhe të zhvillimit financiar.

Treguesit si kredidhënia për sektorin privat (~33.9% e PBB-së), efikasiteti i qeverisjes (46/100) dhe informaliteti i lartë (~30–35%) tregojnë se transformimi i të ardhurave tatimore në rritje të qëndrueshme mbetet i kufizuar.

Krahasimi rajonal me vendet e Ballkanit Perëndimor tregon se, ndërsa Shqipëria ka krijuar bazën fiskale, zhvillimi institucional dhe financiar është më i dobët se tek fqinjët më të avancuar.

Roli i taksimit në zhvillimin ekonomik ka qenë gjithmonë një temë kyçe në ekonominë publike.

Studimet e fundit, duke përfshirë analizat klasike të GJW (2016), tregojnë se për të nxitur rritje të qëndrueshme, vendet duhet të tejkalojnë një prag minimal të të ardhurave tatimore që lejon mbështetje të institucioneve dhe investimeve produktive. FMN, në studimin e saj “State Capacity, Institutions and Growth – Taxing for Takeoff”, rivlerëson këto koncepte dhe vendos një prag kritik taksimi prej rreth 10% të PBB-së.

Ky prag është pika e ndarjes mes një ekonomie me taksime të ulëta dhe institucione të dobëta, ku rritja është e kufizuar, dhe një ekonomie me taksime më të qëndrueshme dhe institucione më të forta, ku rritja mund të akselerojë.

Sipas FMN, kalimi mbi këtë prag nuk është i mjaftueshëm në vetvete; vendet duhet të shoqërojnë këtë nivel të të ardhurave tatimore me reforma institucionale, zhvillim financiar dhe efikasitet publik për të arritur një rritje ekonomike shtesë prej +1 deri +2 pikë përqindje në vit.

Kjo qasje nënvizon rëndësinë e ndërthurjes së kapacitetit fiskal me mekanizmat e institucioneve dhe sistemin financiar për të nxitur rritje të qëndrueshme.

Përshkrim

Ky komenti zgjeruar i ALTAX synon të ofrojë një analizë të integruar dhe të qartë mbi rolin e politikës fiskale në nxitjen e rritjes ekonomike në Shqipëri, duke u mbështetur në konceptin e prezantuar nga FMN në “State Capacity, Institutions and Growth – Taxing for Takeoff”.

Bazuar në këtë literaturë dhe në analizën klasike të GJW (2016), studimi identifikon një prag kritik të të ardhurave tatimore, rreth 10% të PBB-së, si pikë kthesë ku një ekonomi mund të kalojë nga një “ekuilibër i ulët”, i karakterizuar nga taksim i dobët, institucione të brishta dhe rritje e ngadaltë, drejt një “ekuilibri të lartë”, ku taksimi është i qëndrueshëm, institucionet funksionojnë me efikasitet dhe ekonomia përjeton rritje të përshpejtuar.

Megjithatë, studimi thekson se tejkalimi i këtij pragu fiskal nuk është i mjaftueshëm për të garantuar një rritje të qëndrueshme; ai përbën vetëm një kusht të nevojshëm.

Sipas ekspertëve të FMN-së, vetëm vendet që arrijnë të mbajnë në mënyrë të qëndrueshme një raport taksash mbi 10% dhe e shoqërojnë këtë me përmirësime institucionale, zhvillim financiar dhe efikasitet publik, mund të përjetojnë një “ngritje të vërtetë”, me rritje ekonomike shtesë të rendit të +1 deri +2 pikë përqindje në vit.

Qëllimi i këtij komenti analitik është i orientuar në dy drejtime, ku së pari, të përcaktojë pozicionin aktual të Shqipërisë në këtë kornizë, duke analizuar raportin e të ardhurave tatimore ndaj PBB-së, strukturën e të ardhurave, kapacitetin institucional dhe zhvillimin financiar dhe së dyti, të identifikojë boshllëqet dhe mundësitë që mund të shfrytëzohen për të transformuar bazën fiskale të vendit në një motor të qëndrueshëm rritjeje ekonomike.

Komenti ofron sugjerime mbi fakte për politikat fiskale dhe zhvillimore të Shqipërisë, duke u fokusuar në modernizimin e administratës tatimore, formalizimin gradual të ekonomisë, thellimin e sistemit financiar dhe përmirësimin e qeverisjes.

Ai synon të tregojë se si një kombinim i karburantit fiskal (të ardhurat tatimore mbi pragun kritik) dhe një motori institucional të fuqishëm mund të çojë në një “takeoff” ekonomik, duke i dhënë vendit kapacitetin për rritje të qëndrueshme dhe transformuese.

Në këtë kontekst, publikimi i ALTAX shërben si një udhëzues referues për vendimmarrësit publikë dhe aktorët ekonomikë, duke ofruar të dhëna empirike, analiza krahasimore rajonale dhe rekomandime për politika fiskale dhe zhvillimore që lidhen drejtpërdrejt me potencialin e transformimit ekonomik të Shqipërisë.