Demografia, papunësia, ekonomia dhe qasjet për të ardhmen

Dinamika demografike, së bashku me tendencën e urbanizimit, si dhe mangësive të lidhura me diversifikimin e ekonomisë (probleme të mprehta strukture ekonomike) po formësojnë të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe ekonomisë tonë.

Fatkeqësisht, përshkrimeve të analizave dhe politikave të qeverive shpesh u mungon përpikëria e kërkuar për të ofruar njohuri të zbatueshme për politikëbërësit dhe planifikuesit e biznesit. Ky studim statistikor tenton pikërisht të nënvizojë faktin, se si dinamikat demografike ndikojnë në rritjen ekonomike. Në kuptimin e kësaj tendence me efekte kryesore në ndjeshmërinë dhe besimin e njerëzve tek e ardhmja e vendit ne mendojmë se duhen përdorur ato leva politike veprimi për të përmirësuar përshtatshmërinë demografike dhe konkurrencën ekonomike nëpërmjet faktorit të punës dhe motivimit të punonjësve.

Studimi jonë organizohet si më poshtë:

Pas hyrjes, diskutohen treguesit statistikorë të popullsisë dhe pakësimi i saj përgjatë viteve 2001 – 2023.

Në pikën e dytë jepet një panoramë e shkurtër e rigjenerimit të popullsisë dhe mjaftueshmëria për tregun e punës për të ardhmen.

Në vijim të analizës është prezantuar me të dhëna të detajuara popullsia në moshë pune, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës dhe shkalla e punësimit, si paraqitje të situatës me të dhënat e grupuara.

Në pikën vijuese paraqiten raportet e nevojshme për analizën lidhur me varësinë e tregut të punës prej numrit të të rinjve dhe e njëjta varësi e tregut dhe ekonomisë nga numri në rritje i të moshuarve.

Një pikë me rëndësi është treguesi i papunësisë dhe lidhja e tij me zhvillimin ekonomik.

Në mbyllje, janë paraqitur disa shqetësime lidhur me saktësinë dhe koordinimin e statistikave zyrtare, por edhe problematikat që prodhojnë mungesa e pararendjes ndaj problemeve që lihen të mbarten.

Përshkrim

Ne analizojmë në studimin tonë efektet e ndryshimeve demografike dhe tregun e punës në shfaqjen e tyre në punësimin dhe nivelin e papunësisë në Shqipëri me efektet që prodhon për ekonominë dhe ndikimin që jep si rrjedhojë edhe në buxhet. Duke përdorur një panel të dhënash statistikore për periudhën 2001  – 2023, nëpërmjet studimit të treguesve nga tre Cens-et e fundit (CENS 2001, 2011, 2023), të ndara sipas grupmoshave, por edhe sipas treguesve të tregut të punës, ne tregojmë në mënyrë empirike efektet ekonomike të dy fakteve, që kanë ndodhur në dy dekadat e fundit: “emigrimi i popullsisë” dhe “papunësinë”.

Ne konstatojmë se ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë, e cila lidhet me normën e fertilitetit si dhe ndryshimet demografike luajnë një rol të rëndësishëm dhe shumë nga ndryshimet i atribuohen edhe ndikimit të politikave në zbatim dhe parashikimeve të tendencave të popullsisë dhe tregut të punës për të ardhmen, ku këto të fundit zakonisht neglizhohen në studimet që kryhen për këto tema.

Rezultatet tregojnë se goditjet demografike dhe struktura ekonomike janë cilësisht të ndryshme për punëtorët e rinj (të rritur) si dhe për njerëzit më (më pak) të arsimuar, por me ndikim në gjithë tregun e punës.

Ndërsa punëtorët e rritur dhe individët më të arsimuar, në përgjithësi, përjetojnë norma më të ulëta papunësie, ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë duket të jenë të lidhura pozitivisht me normat e papunësisë së punëtorëve të rinj, ndërkohë që ato nuk kanë asnjë efekt tek të rriturit.

Demografia, papunësia, ekonomia dhe qasjet për të ardhmen, një studim i mbështetur nga ALTAX, si një dokument politikash dhe është publikuar për qëllime diskutimi dhe komentesh nga të gjithë grupet dhe aktorët e interesuar. Ky publikim nuk është për qëllime jofitimprurëse.