Ulje-ngritjet e inflacionit nuk janë në sinkron me performancën ekonomike

Ulje-ngritjet e inflacionit nuk janë në sinkron me performancën ekonomike

“Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Mars 2023 është 5,3%, një vit më parë ky ndryshim  ishte 5,7%”, i cituar nga buletini i Marsit për IÇK[1] nga INSTAT.

Kur shikojmë një tregues si inflacioni që është kërcënuesi kryesor i politikave ekonomike për zhvillim, por edhe një grryejtës i të ardhurave të qytetarëve të thjeshtë nevojitet që përtej një treguesi mujor optimist të vijojmë analizën për ecurinë më tej të tij.

IÇK-ja po bie dhe kjo rënie ende nuk mundet të parashikohet me lehtësi për muajt e ardhëm, nisur edhe nga deklarata e fundmarsit nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë[2].

IÇK-ja vjetore në 2022 është 6.7% dhe pritet të bjerë në nivele më të ulta, ndoshta deri në 4-5% në baza vjetore. Pjesa më e madhe e përmirësimit të Marsit është për shkak të faktit se po bie edhe pse ngadalë treguesi i inflacionit për shërbimet e transportit, si dhe një ulje shumë e vogël e inflacionit për gjithë grupet e tjera me ndikim më të madh, përfshirë këtu edhe një situatë më të lehtësuar të kostove të burimeve energjetike, përfshirë karburantet.

Ndikim parësor në çmimet e konsumit nuk ka ardhur direkt nga politika monetare e rritjes së normës bazë të interesit, por më së shumti edhe si një reagim nga kursi i këmbimit nga disa kategori importuesish, që vlerësohet të ndikojë direkt në vendimarrjen për daljen me çmime më të ulura në treg. Por ndikim në disa ushqime bazë që prodhohen nga sektori bujqësor dhe blegtoral nuk kanë mundur dot të reagojnë në të njëjtën mënyrë për të gjitha produktet duke dëmtuar krahun e kërkesës në treg, e cila në momentet kur tregtarët rritin çmimet tenton të tkurret menjëherë.

Ashtu si kemi përmendur edhe më herët në fillim të vitit 2023[3], shihet se konsensusi i gjerë midis ekspertëve të ekonomisë përmblidhet tek argumenti se ky ritëm ulje i inflacionit në Mars 2023 është jetëshkurtër. Trazirat e fundit të shkaktuara nga debate dhe dhuna që po shfaqet në pragzgjedhjet vendore, ndikimi i mëtejshëm i rritjes së fundit të normave të interesit dhe shtrydhja e vazhdueshme e kostos së jetesës, bashkë me efekte të përdorimit të parasë informale për korrupsion zgjedhor duket se ka gjasa të kërkojnë sakrifica të mëtejshme në kërkesën për mallra dhe shërbime me çmime më të ulta në treg.

Treguesit e zhvillimit të sektorëve të cilët munden të ndikojnë direkt në uljen e inflacionit, si: sektorët prodhuesë, ndikimi i kursit të këmbimit në tregun monetary, si dhe përfshirja mbi masën e nevojshme të qeverisë në vendimmarrjen e bizneseve me politikat që kufizojnë apo vendosin kosto të reja, duke përfshirë edhe mos uljen e korrupsionit dhe informalitetit janë faktorë që mbajnë pezull mjaftueshëm masat anti inflacioniste të Bankës së Shqipërisë, por edhe veprimet e fundit shpresëdhënëse të qeverisë për rritjen e një pjese të konsumit me rritjen e pritshme të pagave të sektorit publik në dy këto dy vite.

Pritshmëritë janë të përziera, megjithatë, nëse rritja ekonomike do të vijojë të ketë varësi në atë masë sa ekonomia shqiptare të performojë kryesisht mbi sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, atëherë situata ekonomike edhe pse mund të duket e mirë statistikisht, treguesit e varfërimit të shtresave më të ekspozuara ndaj inflacionit do të kenë probleme të ngjashme si në 2022, por me shterim të mëtejshëm të kursimeve apo të ardhurave në dispozicion.

Një fakt i çuditshëm i ekonomisë shqiptare është se ndërsa monitoruesit ndërkombëtarë parashikojnë një nivel rritje ekonomike 2-3% sipas rishikimeve stinore që kryejnë, në Shqipëri rezulton rritje ekonomike madje edhe përtej parashikimeve të vetë Qeverisë në dokumentet kryesore të saj (Kuadri Makroekonomik dhe Fiskal 2023-2025, PBA 2023-2025, Treguesit fiskalë 2023-2025).

Nëse mundemi ta shikojmë këtë rritje me situatën e ndikuar nga pastrimi i parasë, nga korrupsioni dhe nga informaliteti, mendojmë se të tre këta faktorë me peshë në ekonomi nuk mundësojnë parashikime të sakta dhe aq më tepër mundet që të ndikojnë përkohësisht në rimëkëmbje të konsumit, por që përgjithësisht konsiderohen se janë flluska financiare që dëmtojnë të ardhmen e ekonomisë dhe konsumit.

Nga gjithë analizimi i faktorëve ndikuesë pozitivisht dhe negativisht është një lajm i mirë që inflacioni në Shqipëri po i përgjigjet shtrëngimit të kredi marrjes dhe kostove monetare, që nga viti i kaluar. Por nuk është mjaftueshëm momenti ku Banka e Shqipërisë edhe pse përpiqet t’ja imponojë tregut dhe ekonomisë nëpërmjet veprimeve të saj, ajo nuk po fokuson dot reagimet e nevojshme drejt vatrave të tregut informal të parasë. Ky treg vijon gjithmonë i gatshëm të kreditojë ekonominë formale dhe informale duke shfrytëzuar terrenin e amullisë së institucioneve kontrolluese dhe i ndihmuar edhe nga kapja e tyre prej korrupsionit dhe mungesa e kontrollit të institucioneve, peng i një vullneti qeverisës të konsumuar.

Ajo që duket se po ndodh me rritjen ekonomike në 2023, në kohën kur Banka e Shqipërisë ushtron presion për ngadalësim të saj me politikat monetare të rritjes së normës së interesit mund të ketë sukses vetëm kur politikat nuk janë në sinkron mes tyre dhe nga ana tjetër është furnizimi me para i ekonomisë nga tregu informal.

[1] https://www.instat.gov.al/media/11445/ick_mars_2023.pdf
[2]https://www.bankofalbania.org/Shtypi/Konferenca_per_shtyp/Pyetje_pergjigjet_e_konferences_per_shtyp_23_mars_2023.html
[3] https://altax.al/ekonomia-ne-vitin-2023-duket-mjaftueshem-e-cuditshme/

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: