Udhëheqja jo prezente dhe liria ekonomike
Udhëheqja munguese (joprezente) përfiton nga vlerat e organizatës, por pa investuar në të vlera të vetat.
Udhëheqja joprezente rrallë diskutohet në ditët e sotme si një dukuri e lidershipit, por eksperienca dhe analizat tregojnë se është forma më e zakonshme e udhëheqjes jokompetente.
Udhëheqësit munguesë janë njerëz në role drejtuese, të cilët në kuptimin e parë të fjalës mungojnë me mosdrejtimin e tyre, ose thënë ndryshe ata drejtojnë me mungesën e tyre.
Ata promovohen në drejtim, jo si një meritë e arritur nga puna e tyre dhe gëzojnë privilegjet dhe shpërblimet e pozicionit drejtues, por shmangin përfshirjen kuptimplote në drejtim dhe përgjithësisht shmangin vartësit e tyre duke krijuar mekanizma dhe struktura paralele ose të dyfishta për të mos u përballur asnjëherë direkt me problemet e drejtimit.
Ndikimi i udhëheqësit mungues përçon negativitet në ndërtimin e vlerave konstruktive dhe të efektshme për vijimësinë dhe të ardhmen.
Ndërsa udhëheqësi i duhur rrit premisat për efektivitet dhe punë në ekip, si nuk dekurajon vartësit në punën që bëjnë, ai promovon po ashtu vlerat për bashkëpunim dhe efektet e tij vijojnë të shfaqen me kalimin e kohës, por zgjatin për shumë kohë. Në njëfarë mënyre, udhëheqja munguese dëmton në heshtje strukturën dhe organizatën për të cilën është dashur shumë mund, burime dhe sinergji për ta formësuar dhe zhvilluar.
Për ta mundësuar këtë, ky model udhëheqësi zëvendëson strukturat drejtuese në qendër dhe në bazë me njerëz të tjerë që janë në anën e tij. Në fakt, puna e parë që fillojnë të organizojnë dhe e kryejnë më së miri ata është pikërisht spastrimi i organizatës duke mos humbur kohë.
Dhe realiteti politik dhe ekonomik e pranon këtë.
Në se analizojmë nivelin e drejtuesve politikë, administrativë dhe ekonomikë në qendër dhe në bazë, vërehet se në qendër pastrimi shkon deri në 80%, ndërsa në bazë shkon deri në 90%.
Organizatat tona politike që kanë ndikim edhe mbi ato ekonomike, por edhe organizatat me përvojë të shoqërisë civile nuk diskutojnë shpesh, apo më saktë nuk diskutojnë fare për faktin se duhen aftësi dhe karakteristika të ndryshme për të pasur sukses në një rol udhëheqës, sesa për të pasur sukses në një rol jo-udhëheqës (individ i spikatur për shkak të dhuntive apo historive personale të lidhura me rrethana të ndryshme). Pikërisht ky lloj diskutimi ka lidhje direkt me vlerat që duhet të mbart shoqëria dhe ekonomia lidhur me të drejtat dhe detyrimet për të qenë në rritje tendencat për lirinë ekonomike të gjithsecilit.
Udhëheqësit që janë punësuar në këto organizata vetëm në bazë të suksesit të mëparshëm/ dhuntive personale, na ka ndodhur ti përjetojmë si drejtuesë të këqinj dhe që kanë ndikuar për keq në organizatën ku kanë drejtuar. Ata mund të kenë qenë persona dinamikë, por janë shndërruar në udhëheqësa munguesë që kanë shkëlqyer vetëm me mungesën e tyre ëpr të mbajtur përgjegjësinë për rolin që kishin pranuar. Ky fakt i munesës së tyre në drejtim edhe pse mund të kenë jetuar me ne duket te ecuria e lirisë ekonomike vit pas viti. Ajo është përmirësuar pak dhe kjo është pasojë e një drejtimi që i ka munguar aftësia për ta drejtuar politikën, ekonominë dhe gjithë shoqërinë në një nivel më të avancuar dhe konkurues me fqinjët tanë.
Një mungesë përgjegjësie të tillë sa të lodh edhe ta diskutosh më tej ne e shikojmë tash e 30 vite tek udhëheqësit shqiptarë, të mëdhenj dhe të vegjël, të cilët edhe pse jo të gjithë përngjajnë me steriotipin e një udhëheqësi të dëmshëm, në fakt me efektet që prodhojnë gjatë udhëheqjes së tyre janë me raste shkatërruese.
Ndërsa, ata i gëzohen si fëmijë të qenurit në komandë, në fakt ata nuk i qëndrojnë përgjegjësisë që vjen pikërisht nga ky rol, duke e shpërdoruar dhe deleguar në të besuarit e tyre, që në jetën e përditshme ka prodhuar mungesë edhe pse i shikojmë dhe dëgjojmë përditë e çdo orë të ditës.
Ata nuk kanë arritur të ndërtojnë ekipe, por në vend të tyre kanë ndërtuar individë që përdorin talentet e njerëzve të zakonshëm për të marrë rezultatet që mund të arriheshin nga ekipet.
Kur udhëheqësit ndonjëherë me të vërtetë marrin një vendim në ekip, zakonisht ato vijnë shumë vonë për të bërë një ndryshim dhe zakonisht këto bëhen në fund të kohës që ata duhet të largohen nga pozicioni.
Ata thjesht nuk janë “këtu” kur ne kemi nevojë ë shumë për ta. Kjo situatë na vjen përreth prej shumë vitesh, pasi ne duhet të mos i lëmë në komoditetin e tyre, por ti testojmë dhe sprovojmë me forcën e argumentit, kërkesës së vazhdueshme për llogaridhënie dhe mbajtjes së premtimeve. Arsyeja që motivon secilin është detyrimi që ka për veten dhe pasardhësit për të jetuar të lirë ekonomikisht duke mos vazhduar ende me modelin e udhëheqjes munguese “të lirë në miell dhe të shtrenjtë në krunde”.
Që nga kohët e lashta kërkesa për lirinë e ka filluar rrugëtimin me pak njerëz, por me kalimin e kohës ka fituar të drejtën për ta ndryshuar status quo-në. Nëse kjo qasje nuk funksionon menjëherë, le të orientohet energjia e njerëzve drejt kërkimit të një qasje të re që do të japë mundësinë për ta ndjerë më afër suksesin dhe për të qenë shumë herë më tepër të lirë ekonomikisht.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.